Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Haxha në “luftë” me Tiborin

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Foto: Laura Hasani

Lavdim Hamidi – Deklaratat e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, në mediet kosovare dhe publikimi i raporteve konfidenciale, kanë ngritur gjakrat e anëtarit të Bordit të kompanisë “Telco AG”, Tibor Kartik, e cila është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës si këshilltare e transaksionit për privatizimin e kompanisë më profitabile në Kosovë.

Kartik për këto shqetësime më 22 gusht 2011 i ka shkruar letër Haxhës, të cilën letër ia ka dërguar edhe zyrtarëve më të lartë qeveritarë në vend. Sipas kësaj letre, të cilën e posedon edhe gazeta “Zëri”, Kartik i shkruan Haxhës se ky i fundit duhet ta ketë parasysh se bëhet fjalë për një transaksion kompleks, në një mjedis investues sfidues evropian dhe ky transaksion është urgjent për stabilitetin buxhetor të Kosovës.

Përderisa, sipas tij, iniciativat e Haxhës të përshkruara më poshtë nuk e mbështesin këtë proces.

“Gjatë disa javëve të fundit, ne kemi parë disa deklarata në medie lidhur me performancën tonë të perceptuar, publikimin e raporteve konfidenciale në medie dhe dyshimet lidhur me motivet tona. Artikujt në medie nuk përmbajnë faktet dhe substancën dhe janë shumë të dëshmshme për reputacionin dhe qëndrimin tonë në opinionin publik”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut dërguar Haxhës.

Kartik ndër të tjera thotë se qëllimi i Haxhës është që ta dëmtojë këshilltarin e transaksionit në procesin e privatizimit të PTK-së. “Telefonata juaj kërcënuese që ma keni bërë drejtpërdrejt mua, është një shembull i qëllimit tuaj të pastër për të na dëmtuar neve si këshilltarë të transaksionit dhe procesin si të tillë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut, duke shtuar se si këshilltar i transaksionit të Qeverisë, i raportojnë kësaj të fundit, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë, e jo PTK-së.

Kartik pohon se Haxha e ka thirr ne telefon dhe e ka kërcënuar se do ta publikoj raportin skandaloz të “Telco Ag” në media, i cili raport sipas anëtarit të bordit të kompanisë austriake tashmë ka arritur në media.

Kartik në fund të letrës i kërkon Haxhës që të përmbahet nga dhënia e deklarimeve të tjera publike lidhur me “Telco Ag” dhe procesin e privatizimit pa aprovim paraprak nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe “Telco AG”.

“Nëse situata keqësohet, nuk na mbeten alternativa të tjera, por mund të jemi të detyruar t’i informojmë autoritetet dhe palët e tjera në Kosovë për ta mbrojtur këtë transaksion shumë të rëndësishëm dhe me interes kombëtar, reputacionin e kompanisë sonë në sektorin e telekomit dhe të iniciojmë procedura ligjore nëse është e nevojshme”, përfundon kështu letrën Kartik, të cilën ia ka dërguar dy ditë më parë Haxhës dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, nuk ka dashur ta komentojë letrën e Kartikut, të cilën e ka marrë më 22 gusht. Mirëpo, më 13 korrik 2011, Haxha i ka shkruar letër ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në lidhje me raportin e prezantuar nga “Telco AG”.

Në këtë letër Haxha është shprehur i shqetësuar me mënyrën dhe procedurën e prezantimit të këtij raporti. “Menaxhmenti i PTK-së konsideron se raporti i prezantuar nga Telco Ag ka dëmtuar rëndë vlerën financiare të kompanisë. Ky raport është joprofesional, i paargumentuar, tendencioz dhe skandaloz në formën dhe përmbajtjen e prezantuar para menaxhmentit të PTK-së”, thuhej në letrën e Haxhës dërguar Beqajt.

Përmend tekstet e botuara në “Zëri”

Në letrën e Kartikut dërguar Haxhës përmenden disa shkrime të gazetës “Zëri”, ku flitet për raportin e këshilltarit të transaksionit. Sipas këtij artikulli, të botuar më 26 korrik 2011, thuhet se “Telco Ag” ka vlerësuar të gjitha pasuritë e PTK-së 110 milionë euro.

Përmendet edhe artikulli tjetër i botuar në gazetë për 31 korrik 2011, ku citohet kryeshefi i PTK-së të ketë thënë se kompania e menaxhuar nga ai është duke u zhvleftësuar me qëllim dhe shqetësimet e tij ndërlidhen me raporte të ndryshme që janë përgatitur nga këshilltari i transaksionit “Telco AG” dhe “Wolf Theiss”./zeri

 

2,495 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment