Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Ekonomia shqiptare në kërkesë akute për kreditim dhe likuiditet

| Ekonomi, Shqipëri | 18 August 2011

Bankat në Shqipëri njoftuan se ka filluar një rritje e kreditimit për ekonominë në gjysmën e parë të vitit. Por studiuesit mendojnë që, pavarësisht nga trendi në rritje, ky shtim i kreditimit është i papërfillshëm për nevojat e mëdha që ka ekonomia. Analistët besojnë se në marrëdhëniet mes bankave dhe bizneseve duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë.

Bankat e Shqipërisë bënë të ditur se në gjysmën e parë të vitit është rritur kreditimi për ekonominë, por ndërkohë u rrit edhe portofoli i kredive të këqija deri në 17 për qind. Studiues të ekonomisë shqiptare mendojnë se kreditimi është rritur në mënyrë të papërfillshme, dhe se nevojat e ekonomisë janë shumë herë më të mëdha. Drejtori i përgjithshëm i organizatës “Biznes Albania”, Bardhi Sejdarasi, thotë se dikur kreditimet kanë qenë mbi 50 për qind, por në 2010 pati një stepje të bankave, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti ka përsëri një rritje të kreditimeve. Sipas tij, kjo erdhi sepse, kur bankat ulën kreditimin, qytetarët shtuan depozitat e kursimeve, ngjarje që nxiti një kreditim të ri të detyrueshëm. Por, niveli i kreditimeve, – thotë ai – është i pamjaftueshëm edhe pse është në rritje.

“Ekonomia shqiptare ka nevojë për investime dhe kreditime të shumta. Në çdo çast dhe në çdo kohë sipërmarrja shqiptare ka nevojë për kapitale. Ne kemi para por nuk kemi kapitale. Bizneset dhe individët kanë nevojë në çdo çast për t’u kredituar. Ky kreditim në vitin 1997 ishte një anomali e madhe, dhe dihet se çfarë ndodhi me skemat piramidale. Tani ne kemi një sistem të konsoliduar bankar dhe ky kreditim është e nevojshme të rritet më shumë se sa është rritur deri më sot”, tha ai.

Sejdarasi thotë se bankat dhe bizneset duhet ta shohin kreditimin si një marrëdhënie pune e bashkëpunimi modern, dhe jo si thjesht si burim parash. “Ka ardhur koha që të dy krahët; edhe ata që kanë nevojë të kreditohen edhe ata që kanë mundësi të kreditojnë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët mbi mënyrën se si të kreditohet ekonomia. Bankat duhet të nisin të studiojnë ekonominë dhe të hartojnë prioritetet e ekonomisë shqiptare me qëllim që t’i afrojnë sipërmarrjes dhe biznesit shqiptar hapësira për të investuar. Për shumë vite në Shqipëri është investuar pa ndonjë strategji të caktuar, dhe shpesh firmat kanë dalë edhe me humbje”, tha ai.

Mendimi se kreditimi i bankave është në nivele të pa-konsiderueshme për ekonominë mbizotëron në radhët e ekonomistëve shqiptarë. Presidenti i organizatës “Albkonfindustria”, Gjergj Buxhuku, thotë se pasojat e krizës ekonomike botërore janë të prekshme në ekonominë shqiptare, dhe ajo vazhdon aktualisht në shtetet më të zhvilluara. Sipas tij, ekonomia shqiptare vuan nga mungesa e likuiditetit të parasë.

“Së pari këto para duhen menaxhuar me kujdes, pra, t’u jepen atyre operatorëve ekonomikë, të cilët kanë mundësi që ta rikthejnë këtë para. Ajo nuk është para e bankave, por është para e gjithë shqiptarëve. Të përzgjidhen mirë operatorët që u jepet kjo para, që kjo të mos kthehet më vonë në një kredi të keqe. E dyta, kemi nevojë akute për rritjen e kreditimit, aq më shumë në kushtet kur buxheti i shtetit për gjysmën e dytë të vitit 2011 i ka ulur në mënyrë të thellë shpenzimet kapitale”, tha ai.

Buxhuku thotë se Shqipëria ka nivel jetese shumë më të ulët se vendet e zhvilluara në krizë, por po merr masa shtrënguese që kriza të mos dëmtojë mbijetesën e saj me burime minimale. Në këto kushte, nuk ka shpresa për zhvillimin ekonomik domethënës. “Kriza ekonomike në vendet e zhvilluara me nivel të lartë jetese është krizë e uljes së mirëqenies e të luksit. Ndërsa kriza në vende me ekonomi të vogël në zhvillim si Shqipëria është krizë e mbijetesës së qytetarëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë, dhe investimet e reja i kanë të gjitha shanset për të qenë të suksesshëm, me kusht që paranë e marrë sot me kredi ta investojmë si duhet, pa korrupsion dhe me efektivitet të lartë”, tha ai.

Analistët besojnë se ekonomia shqiptare duhet të mbështetet më fort nga bankat, duke paraqitur plane biznesi ambicioze, sepse zhvillim me risk zero nuk ka. Ata pohojnë që nëse ekonomia shqiptare tkurret sot, atëherë vendi do të qëndrojë i mbledhur brenda varfërisë së vet; prandaj më mirë është që të rrezikojë me investime sot që të sigurojë një rritje ekonomike nesër./bota sot

 

968 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment