Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Ardian Civici: Vlerësimet e FMN-së, ato të duhurat

| Ekonomi, Shqipëri | 23 June 2011

Vlerësimet dhe Rekomandimet e FMN-së, ekspertët i vlerësojnë si të duhurat.

Ardian Civici, ekspert i ekonomisë, ka deklaruar në studion e “ABC News” se ekonomia shqiptare ishte e shëndetshme kur hyri në krizën globale dhe si e tillë e përballoi atë.

Përsa u përket ndryshimeve në buxhet, Civici thekson se qeveria shqiptare është duke ndjekur politika të favorshme sociale pa prekur rritjen e pagave dhe pa rritur taksat.

874 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëria ia sheh hairin ngritjes së çmimit të arit

| Ekonomi, Shqipëri | 23 June 2011

Si një ekonomi e vogël, çmimet e tregjeve të Shqipëri varen direkt nga zhvillimet ndërkombëtare, duke rritur në mënyrë të ndjeshme çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm apo shërbimeve në vend. Çmimet e karburanteve apo drithërave, të cilat përbëjnë edhe një pjesë të mirë të shpenzimeve të familjeve shqiptare janë ta varura direkt nga tregjet e huaja dhe furnitorët e mëdhenj. Por përkundër kësaj, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare na kanë favorizuar shumë në një drejtim, atë të vlerësimit të metaleve të çmuara dhe sidomos arit.

Vlera e arit shqiptar i depozituar në bankat e huaja, si dhe atij që mbahet nën administrimin dhe pronësinë e Bankës së Shqipërisë është rritur me rreth 50 për qind gjatë vitit të shkuar krahasuar me vlerën e vitit 2009. Kjo nuk ka ardhur për shkak të shtimit të sasisë së arit, por vetëm me shtrenjtim e ndjeshëm të tij në tregjet botërore.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e arit dhe metaleve të tjera të çmuara shqiptare deri në fund të vitit 2010 është përllogaritur në rreth 15.1 miliardë lekë, nga rreth 10.8 miliardë lekë që kanë qenë deri në fund të vitit 2009. Nga këto, rreth 10.1 miliardë lekë është i depozituar në bankat e huaja, ndërsa pjesa tjetër bashkë me metalet e tjera të çmuara gjenden në Shqipëri në thesarin e shtetit.

Shqipëria, siç shkruan “Shekulli”, ka në pronësi të saj rreth 2.5 tonë ar plus sasinë e metaleve të tjera të çmuara, si argjendi apo platini. Ari, sasia e valutës, kryesisht euro dhe dollar që ka nën administrim Banka e Shqipërisë dhe depozitat që ajo ka në bankat e huaja përbëjnë rezervën valutore.
Ari shërben si pikë referimi për monedhën.

Metali i çmuar është mjet që vendos besimin tek monedha e një vendi. Kjo është një “detyrë” e re e arit pasi më parë ai bashkë me metalet e tjera të çmuara, si argjendi, platini, etj., janë përdorur si mjete pagese në formë monedhe.

Tregtimi i arit në bursat ndërkombëtare bëhet me njësinë matëse “onz”. Një onz përkthehet në rreth 28.3 gramë. Gjatë ditës së djeshme, një gram ar në bursat ndërkombëtare është shitur mesatarisht me 47.5 dollarë.

Banka e Shqipërisë ka bërë përllogaritjen e vlerës së arit shqiptar në muajin dhjetor kur çmimi i një grami ar ishte rreth 45 dollarë, ndërkohë nëse vlerësimi do të bëhej tani kur një gram ar kushton rreth 47.4 dollarë, vetëm vlera e arit shqiptar të depozituar në bankat e huaja do të ishte rreth 11 miliardë lekë.

Deri në fillim të vitit 2008, rezervat e arit dhe metaleve të tjera të çmuara ishin nën pronësinë e Qeverisë, ndërsa administroheshin nga Banka e Shqipërisë.

Një ligj i miratuar gjatë fillimit të atij viti vendosi që të ishte Banka e Shqipërisë pronarja dhe administratorja e rezervave të arit shqiptar.
Ari dhe metalet e tjera të çmuara, valuta CASH dhe depozitat valutore që Banka e Shqipërisë ka në bankat e huaja, përbëjnë atë që quhet Rezerva Valutore e Shqipërisë. Ndryshe, sasia e rezervës valutore matet edhe me kohën e importeve që ajo mund të përballojë. Pra, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, lufte apo ndodhi të tjera të ngjashme, rezerva valutore përdoret në shërbim të ekonomisë. Përllogaritet që rezerva valutore shqiptare të përballojë rreth 4 muaj e gjysmë importe./koha.net/

876 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Parashikimi i ekspertëve, sa do rritet ekonomia në 4 vjet

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Banka e Detit të Zi sheh një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare në terma afatmesme, duke parashikuar se në katër vitet e ardhshme mesatarja e rritjes ekonomike do të jetë rreth 6.4 për qind.Në strategjinë e saj lidhur me zhvillimin e Shqipërisë, Banka bën parashikimet për një sërë sektorësh duke filluar nga bujqësia, tek industria apo shërbimet për të cilat ka bërë edhe vlerësimet e saj. Banka e Detit të Zi parashikon që në periudhën 2011-2014 të bëjë financime të rëndësishme të disa sektorëve në vendin tonë dhe, sikurse përshkruhet në strategji, këto financime do të ecin në të njëjtën linjë me prioritetet që ka vendosur qeveria.

Në përgjithësi, kjo bankë e sheh Shqipërinë si një vend në stabilitet ekonomik dhe pavarësisht treguesve të tillë, si borxhi i lartë publik apo deficiti i llogarisë korrente, nuk vlerësohet niveli, por tendenca e këtyre treguesve që, sipas Bankës, është në ulje.

Ruajtja në nivele të kontrollueshme e treguesve makro-fiskalë konsiderohet si njëra anë e medaljes, ndërkohë që tjetra, sipas kësaj Banke, është ndjeka e politikave fiskale të mirëmenduara dhe të mirëkontrrolluara, të cilat do të sigurojnë rritje dinamike deri në periudhën afatmesme.

Sektorët

Parashikimi i Bankës së Detit të Zi për një sërë sektorësh në vendin tonë është pozitiv. Lidhur me bujqësinë, theksohet se ajo do të ketë rritje pozitive të kufizuar në mesataren e saj historike, por vetëm nëse kushtet klimaterike janë normale. Kjo theksohet pasi në të kundërt, nëse do të kemi përmbytje, sikurse ka ndodhur dy vitet e fundit, bujqësia do të mbetej në vend. “Prodhimi bujqësor, duke marrë parasysh kushte normale klimaterike për periudhën në vijim, parashikohet që të rritet me mesataren e tij historike prej 3.5-4 për qind në vit.

Prodhimi industrial, përfshi këtu industrinë prodhuese dhe përpunuese, parashikohet të ketë një rritje mesatare prej 6 për qind në vit. Shërbimet për periudhën afatmesme parashikohet që të rritem me 7.1 për qind. Kontributi kryesor në këtë rritje pritet që të jetë nga tregtia, hotelet, restorantet transporti dhe telekomunikacioni”, thuhet në Strategjinë për Zhvillimin e Shqipërisë e Bankës së Detit të Zi. Në fund të kësaj konkludohet se, bazuar në projeksionet e mësipërme të agregatit të kërkesës dhe prodhimit, mesatarja e rritjes së GDP-së, sipas një skenari bazë për katër vitet e ardhshme, parashikohet të jetë afërsisht në nivelet 6.4 për qind.
Sfidat

Jo gjithçka konsiderohet se shkon si duhet në vendin tonë. Banka e Detit të Zi vlerëson se për Shqipërinë parashtrohen një sërë sfidash që duhet të përmbushen për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike. Një ndër këto sfida është forcimi i sektorit publik. Ndërkohë që edhe infrastruktura nga ana tjetër konsiderohet si një pikë kyçe ku duhet të përqendrohet vëmendja e qeverisë. Për biznesin duhet që të krijohen mundësi për një akses më të lehtë në financim, pra biznesit duhet t’i hapen më shumë dyer për kreditim dhe mbështetje për planet e tij të biznesit.

Investimet për periudhën 2011-2014

Banka e Detit të Zi parashikon që në katër vite të zgjerojë programet e saj të financimit në vendin tonë në ata sektorë prioritarë të qeverisë, siç është efiçenca e energjisë, por edhe në favor të SME-ve. Bazuar në strategjinë afatmesme 2011-2014 dhe në plan biznesin e kësaj periudhe, banka pret të miratojë çdo vit një operacion me vlerë 12.6 milionë euro në vit. Pas katër vitesh, kjo mund të rezultojë në 4-5 operacione të miratuara me rreth 44-56 milionë euro.

Parashikimet për 2011-2014

. Programi makro-ekonomik i qeverisë së Shqipërisë për 2011-2014 nënvizon se bashkë me progresin teknologjik dhe atë të reformave strukturore të ekonomisë, implementimi i një sërë politikash efiçente makro-ekonomike të orientuara qartazi nga filozofia e rritjes ekonomike përmes promovimit të prodhimit agregat, do t’i jepte një shtysë domethënëse ekonomisë. Duke ndjekur politika të mirëplanifikuara dhe të mirëkoordinuara dhe mbi të gjitha duke u mbështetur te reformat ekonomiko-strukturore, së bashku me zhvillimin teknologjik dhe mbledhjen e kapitalit duhet të sigurojë një vazhdimësi të dinamikës ekonomike të paktën edhe deri në periudhën afatmesme.

. Prodhimi bujqësor, duke marrë parasysh kushtet normale klimaterike për periudhën në vijim, parashikohet që të rritet me mesataren e tij historike prej 3.5 – 4 për qind në vit.

. Prodhimi industrial, përfshi këtu industrinë prodhuese dhe përpunuese, parashikohet të ketë një rritje mesatare prej 6 për qind në vit.

. Shërbimet për periudhën afatmesme parashikohet që të rritem me 7.1 për qind. Kontributi kryesor në këtë rritje pritet që të jetë nga tregtia, hotelet, restorantet transporti dhe telekomunikacioni.

. Kapitali bruto i mbledhur për periudhën 4-vjeçare në vijim parashikohet që të rritet me një mesatare 7 për qind çdo vit në terma reale.

. Bazuar në projeksionet e mësipërme të agregatit të kërkesës dhe prodhimit, mesatarja e rritjes së GDP-së, sipas një skenari bazë për katër vitet e ardhshme, parashikohet të jetë afërsisht në nivelet 6.4 për qind.

806 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ndërprerjet e energjisë, OST punime në rrjet

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Operatori i Sistemit të Transmetimit do të kryejë një sërë punimesh në dy linja 110 kilovolt në vend, të cilat do të sjellin edhe kufizime të energjisë. CEZ-Shpërndarje ka njoftuar dje se nga ora 08:00-17:00 në disa zona të vendit nuk do të ketë energji elektrike, për shkak të punimeve në rrjet.

“Operator i Sistemit të Transmetimit (OST) do të kryej riparime në linjat 110 kv Fier-Ballsh dhe 110 kv Ballsh-Drenovë.

Për shkak të këtyre riparimeve, CEZ-Shpërndarje është e detyruar të bëjë ndërprerje të alternuara të energjisë elektrike për Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën”, thuhet në njoftimin e CEZ.

Ndërkaq, po të premten, Operatori i Sistemit të Transmetimit do të kryejë punime edhe në nënstacionin e Babicës dhe për këtë arsye nga ora 10:00-12:00 do të ketë kufizime të energjisë edhe në qytetin e Himarës.

1,091 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rushaj: Tatimet, kontroll bizneseve pas amnistisë

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Amnistia fiskale ka qenë dje në fokus të takimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me zëvendësministrin e Financave, Alfred Rushaj.Bizneset pranë kësaj dhome kërkuan shpjegime lidhur me mënyrën se si do të zbatohet amnistia në vend, cilat biznese përfitojnë dhe specifika të tjera që lidhen me garancinë që merr biznesi. Zëvendësministri i Financave sqaroi se fryma e kësaj amnistie do të jetë vetëdeklarimi dhe se biznesi duhet të ndërgjegjësohet për këtë dhe ta bëjë në kohë para se të fillojnë kontrollet e tatimeve. Pas kësaj, në rast se biznesi nuk ka vetëdeklaruar në mënyrë të saktë dhe ka kryer evazion, atëherë ai do të penalizohet.

Dhoma Amerikane: A do të gjejnë të gjitha bizneset mundësinë për t’u përfshirë në amnisti?

Zv.ministri Alfred Rushaj: Ligji u drejtohet gjithë tatimpaguesve. Si individëve, personave fizikë dhe atyre juridikë. Por, si është ndarë ky mekanizëm në ligj?

Sa i përket faljes së detyrimeve, ligji parashikon që një pjesë e procedurës të jetë automatike. Dua të them që, gjithë bizneset që kanë detyrime doganore apo tatimore të papaguara të evidentuara dhe dokumentuara deri në fund të vitit 2008, të cilët nuk kanë teprica kreditore apo rimbursime që organet duhet t’u bëjnë, u falet pa asnjë pagesë në favor të buxhetit të shtetit borxhi i papaguar deri në fund të vitit 2010.

Kjo është një pjesë të cilën administrata e bën vetë dhe tatimpaguesi nuk ka nevojë të investohet për të përfituar nga kjo falje. Për pjesën e dytë, sa i përket borxhit të vitit 2009-2010, evidentimi i borxhit të papaguar, ku përfshihet dhe ndonjë kompensim i mundshëm me teprica kreditore dhe debitore, bëhet nga administrata, njoftohet tatimpaguesi.

Duke filluar nga java tjetër është menduar që drejtoritë tatimore të njoftojnë tatimpaguesit për: borxhin që kanë, kur është krijuar, me çfarë akti, sa është principali dhe sa janë gjoba dhe kamatëvonesa në mënyrë që tatimpaguesi të ushtrojë tashmë të drejtën e tij të faljes ose jo, të borxhit. Lidhur me mënyrën e njoftimit, është menduar që lajmërimi të bëhet me postë elektronike, pasi publikimet në gazetë mund të binin ndesh me konfidencialitetin e tatimpaguesve.

Kjo është për sa i përket faljes. Për vitin 2009-2010, biznesi duhet të shprehë vullnetin e shlyerjes së 30% dhe 50 përqindëshit për të përfituar falje. Nga ana tjetër, nëse bizneset kanë teprica kreditore që tatimet duhet t’ua rimbursojnë dhe nga ana tjetër ka një borxh tatimor që i përket viteve 2009-2010, gjithashtu është e nevojshme që tatimpaguesi të shprehet nëse ai dëshiron që të kompensojë kredinë që kanë në tatime me debinë që ka në tatime.

Fryma e ligjit është që të gjithë kanë të drejtë të përfitojnë. Ata për të cilët nuk është materializuar akoma ndonjë akt administrativ që shpreh detyrimin, mund të përfitojnë nga vetëdeklarimi, por ky i fundit nuk mund të jetë pa asnjë lloj kufizimi dhe pa asnjë lloj kontrolli sepse në të kundërt do të kthehej në një mjet të qartë abuzimi. Imagjinoni një tatimpagues, i cili e di mirë që mund të ketë 300 milionë lekë detyrime të papaguara, të mund të vetëdeklaronte 100 mijë lekë të reja dhe të thoshte se vetëdeklarimi im për këtë periudhë është 100 mijë lekë.

Në qoftë se unë, vetëdeklarimin do ta lidhja automatikisht me 100 mijë lekshin do të mund të evadonte 300 milionë lekë të tjera. Në këtë rast është vendosur që mund të deklarosh dhe paguan 50 për qind të principalit që duhet të paguajë, por në qoftë se vetëdeklarimi yt është i saktë dhe nuk fsheh gjë, në qoftë se nga një kontroll i mëvonshëm tatimor për atë periudhë dhe për atë lloj tatimi që ke deklaruar ke vazhduar të bësh shkelje të ligjit, atëherë përfitimi yt nuk do të ekzistonte më.

Dhoma Amerikane: Nëse kontrolli tatimor vjen pranë biznesit në vitin 2011 dhe ky kontroll kryhet për periudhën 2008 dhe rezulton të vendoset një gjobë për 2008-n. Përfshihet kjo amnisti për periudhën e 2011-ës?

Zv.ministri Alfred Rushaj: Jo, nuk përshihet në amnisti. Ajo çfarë ligji parashikon është falja e detyrimit tatimor të evidentuar, por të papaguar nga tatimpaguesi deri në vitin 2008. E dyta, ajo çfarë parashikon ligji është vetëdeklarimi, pra një tatimpagues e di çfarë ka fshehur, kështu që nuk duhet të presë vitin 2011 (do t’ia këshilloja mos ta priste) për të deklaruar diçka që ai e di që s’e ka deklaruar. Ka mundësi që gjatë pjesës së mbetur të vitit 2011, përpara sesa të vijë kontrolli, të paraqitet dhe të thotë që ka diçka të padeklaruar, të shkojë të deklarojë formularin dhe të paraqesë vetëdeklarimin. Në këtë moment, ai paguan 50 për qind të principalit.

Dhoma Amerikane: Sa bindje po i ofrojmë qytetarëve dhe bizneseve që nuk do të jenë të paragjykuar apo penalizuar nga zbatimi i ligjit?

Zv.ministri Alfred Rushaj: Sa i përket mbikëqyrjes së depozitimit të parave, dhe mendoj që i referoheni pjesës për parandalimin e pastrimit të parave, ky legjislacion nuk bën asnjë shmangie nga ligji aktual, mbrojtjet që ligji ka parashikuar për parandalimin e pastrimit të parave.

Një subjekt, i cili ka paratë në bankë e di që është subjekt i mbikëqyrjes për sa i përket pastrimit të parave. Të gjithë e dimë se bankat e kanë raportuar në agjencitë përkatëse dhe në rast se agjencitë kanë vërejtur parregullsi apo mundësi të veprës penale, ato kanë filluar apo do të fillojnë pjesën e procedimeve të tyre.

Ky ligj nuk bën asnjë lloj devijimi nga masa që legjislacioni ka parashikuar. Ajo që ne themi është se, nuk i duam paratë e atyre që kanë kryer vepra penale. Paratë tyre do të jenë subjekt i asaj që parashikon ligji dhe Kodi Penal. Ne duam të mbrojmë paratë e shqiptarëve që janë fituar me biznes të ndershëm, por që gjatë kohës nuk kanë paguar tatime dhe taksa.

Dhoma Amerikane: Mendoj që është një gjë shumë e mirë për ata që s’kanë paguar taksat, por për ne që kemi paguar taksat, duket si një penalizim në kohën kur kemi paguar mijëra euro. Pyetja ime është se, çfarë përgjigje keni për kompanitë e rregullta si ne?

Zv.ministri Alfred Rushaj: Është e qartë që amnistia si formë paraqet mbi të gjitha një problem moral, pra të paqes mes gjithë aktorëve të një shoqërie të caktuar. Ka diskutime kudo, nëse duhet bërë apo s’duhet bërë, dhe pyetja kishte në thelb pikërisht një kategori të caktuar biznesesh që kanë qenë të rregullt.

Por, sidoqoftë, do të thoja se nuk ka vend të kësaj bote që nuk ka kaluar përmes këtij debati, që në fund të ditës nuk ka vendosur të bëjë amnistinë fiskale. Të gjithë në një moment të caktuar, duke pasur parasysh historinë e zhvillimit të biznesit, kanë vendosur të ndërmarrin këtë lloj iniciative. Kjo nismë te ne ka dhe diçka të veçantë që është kërkuar me ngulm nga vetë biznesi.

834 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trojet e ndërmarrjeve të privatizuara, del udhëzimi për çmimin

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Pagesa për privatizimin e trojeve ku janë të ngritura ende objekte në të cilat ushtrohet aktivitet ekonomiko-industrial do të bëhet 50 për qind me lekë dhe 50 për qind me bono privatizimi.

Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave përcakton edhe mënyrën se si do të bëhet vlerësimi i çmimit të truallit dhe cilat do të jenë institucionet përgjegjëse. Kështu, shitja e këtyre trojeve do të bëhet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Përcaktimi i çmimit për këto troje do të kalojë një sërë procedurash, duke zbatuar ligjet në fuqi.

Është komisioni i vlerësimit apo dega e shoqërisë publike që i kërkon institucionit të prefektit në territorin e të cilit ndodhet objekti, konfirmimin e genplanit për objektin. Nga ana tjetër, janë zyrat urbanistike të organeve të qeverisjes vendore, bashki apo komunat, të cilat i konfirmojnë degës së shoqërive publike nëse trualli që do të shitet shtrihet në zonën industriale të miratuar me vendim të KRRT-së, ose KRRTRSH-së.

Por si do të bëhet llogaritja e çmimit? “Në rast se trualli që do të privatizohet ndodhet në zonën industriale të konfirmuar sipas pikës 4, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike në Ministrinë e Financave autorizon kryerjen e pagesës së këtyre trojeve në raportin e parashikuar në pikën 2, referuar konfirmimit të AKKP-së për çmimin e truallit për metër katror sipas hartës së vlerës së miratuar në bazë të zonës ku shtrihet objekti, deri në momentin që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave vlera e truallit industrial”, sanksionon udhëzimi.

759 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Gjendja e hekurudhave, Shqipëria e fundit në rajon

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Shqipëria ka treg-uesit më të këqij në rajon për sa i përket situatës së hekurudhave në vend, e lidhur kjo me produktivitetin dhe dendësinë e trafikut.Nëse përqendrimi i qeverisë ka qenë infrastruktura rrugore dhe në të janë investuar miliarda lekë, për hekurudhat, që nga 2005-a, nuk është bërë pothuajse asgjë, si për sa i përket kuadrit rregullativ të funksionimit, ashtu edhe investimeve në sektor. Raporti më i fundit i Bankës Botërore, “Reforma hekurudhore në Europën juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur?” i rishikon hekurudhat e këtij rajoni pesë vjet pas studimit të parë të vitit 2005.

Nga ky raport konkludohet se përafrimi me standardet që ka BE-ja mbetet ende larg. Së bashku me Shqipërinë, një performancë të keqe të këtij sektori e ka edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, ndër-kohë që Turqia mban radhën si vendi i parë që ka bërë përmirësimet më të mëdha si në rritjen e produktivitetit të hekurudhave, ashtu edhe në rritjen e trafikut në to. Por, cilat janë disa nga arsyet që Shqipëria ka tregues që nuk flasin aspak në favor të saj dhe standardeve aq të shumëkërkuara të BE-së.

E para, sipas raportit të Bankës Botërore, lidhet me një sektor krejtësisht monopol i përqendruar në duart e shtetit. Ndërkohë që vendet e rajonit janë duke bërë tentativa privatizimi, të tilla janë Kosova dhe Mali i Zi, Shqipëria vazhdon ende me integrimin vertikal të sistemit. Pa dyshim një ndarje e infrastrukturës nga shërbimi përmes privatizimit do të ishte i sugjerueshëm. Ndërkaq, situata e vagonëve dhe lokolomtivave vijon të mbetet në gjendje të mjeruar, situatë që e kthen transportin hekurudhor në më pak të dëshirueshëm për pasagjerët, nga ana tjetër, edhe kuadri rregullativ që përcakton punën e institucioneve mbikëqyrëse, rekomandohet që duhet të përmirësohet.

447 kilometra
i gjatë është rrjeti hekurudhor shqiptar në linjë kryesore dhe 230 kilometra gjatësi në linjë sekondare. Ai shtrihet nga Veriu me stacion kufitar Bajzën, në Jug me stacion fundor Vlorën e deri në Lindje me stacion fundor Pogradecin

Kodi i ri Doganor, Sequi: Thjeshtohen procedurat

Harmonizimi i legjislacionit dhe procedurave doganore të BE-së me ato të Shqipërisë kanë qenë objektivi kryesor i punës që kanë bërë ekspertët austriakë dhe polakë në Kodin e ri Doganor të Shqipërisë. Gjatë një ceremonie të zhvilluar dje ministrit të Financave, Ridvan Bode, i’u dorëzua Kodi i ri, i cili është pjesë e një projekti binjakëzimi të financuar nga Bashkimi Europian me vlerën 2 milionë euro. Propozimet e bëra lidhur me versionin e ri të Kodit Doganor, synojnë në thjeshtimin e procedurave për bizneset, duke lehtësuar tregtinë dhe qarkullimin e lirë. Ky harmonizimi i Kodit vjen edhe si kërkesë e kohës e mbështetur nga integrimi i Shqipërisë drejt BE-së.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të Kodit Doganor, shefi i të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, u shpreh se harmonizimi i legjislacionit doganor të Shqipërisë me atë të BE-së do t’i shërbejë përmirësimit të klimës së biznesit. “Për bizneset, harmonizimi i procedurave doganore do të thotë parashikueshmëri, besueshmëri dhe efiçencë. Me fjalë të thjeshta, do të thotë tregti më të lehtë. Harmonizimi i procedurave doganore të Shqipërisë me ato të vendeve të BE-së do të thotë të provosh integrimin europian në një formë konkrete, të prekshme. Do të thotë të bëhesh pjesë e një tregu të gjerë, ku rregullat e lojës njihen, respektohen dhe janë nxitëse për biznesin” tha Sequi.

1,357 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria rrit borxhin, por jo investimet

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Një qeveri jo në dietë dhe, mbi të gjitha, me shpenzime luksi. Kjo është ajo që rezulton nga treguesit fiskalë të 5-mujorit të parë të këtij viti, të publikuar nga Ministria e Financave.Sipas tyre rezulton se krahasuar me vjet, deficiti të jetë rritur 120 milionë dollarë më shumë, duke kapur vlerën e 200 milionë dollarëve dhe, për çudi, paratë duket se nuk kanë shkuar për investime, sikurse pritej, në këtë vit elektoral.

Treguesit fiskalë nxjerrin në pah se shpenzimet operative dhe ato korrente kanë diferencat më të mëdha me rritje krahasuar me një vit më parë. Kështu, shpenzimet kapitale apo investimet janë vetëm 25 milionë dollarë më shumë se vjet, kurse shpenzimet korrente janë plot 100 milionë dollarë më shumë se vjet.

Por edhe shpenzimet e luksit, të kategorizuara te shpenzimet operative apo të mirëmbajtjes, janë rritur krahasuar me vjet me rreth 20 milionë dollarë. Qeveria e ka parë më të arsyeshme që të shpenzojë më shumë para për paga dhe zyra, sesa për investimet, në një kohë kur pritej të ndodhte krejt e kundërta dhe e nxitur nga zgjedhjet e 8 majit.

Por, si kanë qenë në total treguesit e tjerë të 5-mujorit, duke filluar nga të ardhurat dhe shpenzimet në total? Për periudhën janar-maj janë realizuar 130 miliardë lekë të ardhura një rritje me vetëm 1.3 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.

Në një pamje të parë të treguesve duket se si Doganat, ashtu dhe Tatimet kanë pasur një rritje të nivelit të të ardhurave krahasuar me një vit më parë, por për Tatimet realizimi i TVSH-së në këtë 5-mujor rezulton me një diferencë negative krahasuar me vjet dhe po kështu edhe akciza.

Rritje pozitive ka pasur tatimfitimi dhe TAP (Tatimi mbi të Ardhurat Personale). Një tjetër pikë shqetësuese tek të ardhurat në arkën e shtetit duket se përbën edhe pjesa e të ardhurave nga pushteti vendor, të cilat vazhdojnë të mbeten të ulëta. Sipas planit, deri në fund të vitit ky i fundit duhet të realizojë 17 miliardë lekë, ndërkohë që ka realizuar vetëm 6 miliardë në këtë 5-mujor. Në kahun e shpenzimeve, shifra në total ka arritur 150 miliardë lekë, me rreth 14 miliardë lekë të shpenzuara më shumë se vjet.

Deficiti është dukshëm më i lartë dhe qeveria ka zgjedhur që ta financojë atë me huamarrje nga bankat e nivelit të dytë në vend. Deri tani rezulton që qeveria të ketë marrë plot 178 milionë dollarë borxh nga bankat në vend, me një rritje prej 120 milionë dollarësh krahasuar me 2010-n, kurse borxhi i jashtëm është 25 milionë dollarë, vetëm 6 milionë dollarë më i lartë se vjet.

Pesë muajt e parë të këtij viti kanë qenë krejt të ndryshëm krahasuar me vitin e kaluar sa i përket strukturës së huamarrjes, duke u përqendruar në huamarrjen e brendshme.

100 milione usd
janë rritur shpenzimet korrente të qeverisë krahasuar me një vit më parë në këtë 5-mujor të vitit 2011, sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave

120 milione usd
është rritur, krahasuar me një vit më parë, deficiti buxhetor në vend. Nëse në vitin 2010, për 5-mujorin ky deficit ishte 77 milionë USD, tani është 200 milionë USD

Krahasimi i te ardhurave 5-mujore

Zërat me miliona dollarë minus
Të ardhurat nga institucionet buxhetore për këtë vit kanë qenë plot 12 milionë dollarë më pak sesa një vit më parë. Treguesit fiskalë të 5-mujorit tregojnë se për periudhën janar-maj 2010, të ardhurat nga këto institucione kanë qenë 51 milionë dollarë, ndërkohë që për këtë 5-mujor, të ardhurat janë 39 milionë dollarë. Një tjetër mosrealizim që bie në sy është edhe ai në zërin “të tjera”, i cili një vit më parë, për të njëjtën periudhë, ka shënuar vlerën 51 milionë dollarë, ndërsa për këtë vit janë realizuar vetëm 7 milionë dollarë, me një minus prej më shumë se 43 milionë dollarësh. Të ardhurat jotatimore janë gjithashtu 39 milionë dollarë më pak se vjet.

882 shikime gjithsej, 1 shikime sot

FMN: Rritja ekonomike e Shqiperise, 3.3%

| Ekonomi, Shqipëri | 17 June 2011

Në parashikimin e tij të fundit për tendencën e zhvillimit ekonomik për Ballkanin, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se rritjen më të madhe ekonomike do ta ketë Shqipëria me 3,3 për qind e ndjekur nga Serbia me tre për qind.

Rritjen më të lartë ekonomike prej 3,3 për qind do ta ketë Shqipëria, e ndjekur nga Serbia me tre për qind”, deklaroi FMN-ja.

”Maqedonia gjatë vitit 2011 do të realizojë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto tre për qind”, shtoi ajo.

684 shikime gjithsej, 1 shikime sot

‘Birra Korça’ shembull investimi

| Ekonomi, Shqipëri | 13 June 2011

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth realizoi pasditen e sotme një vizitë në ambientet e ‘Birra Korça’. Ambasadori i OSBE takoi pronarin e ‘Birra Korça’, Irfan Hysenbelliu.

Wollfarth vlerësoi punën e biznesit të birrës Korça si një shembull investimi, ndërkohë që theksoi se kombinimi punë- njohuri krijon konkurrencën.

“Është inkurajuese kur shoh cilësinë e lartë te investimit. ‘Birra Korça’ është shembull investimi. Kjo është rruga që duhet ndjekur në të ardhmen. Kombinimi punë-njohuri krijon konkurrencën”,- deklaroi Wollfarth.

Pronari i ‘Birra Korcës’ Irfan Hysenbelliu u shpreh se së shpejti mendohet të organizohet një tryezë e përbashkët me ambasadorin. Hysenbelliu nënvizoi se është fat që ambasadori ka dhënë mesazhe të qëndrueshme komunikimi dhe vlerësimi.

“Është fat që kemi një ambasador që jep mesazhe të qëndrueshme komunikimi dhe zhvillimi. Së shpejti do organizojmë një tryezë të përbashkët me biznesin dhe ambasadorin”,- theksoi pronari i ‘Birra Korça’.

1,306 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 8 of 9123456789