Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Turizmi dhe emigracioni forcojnë lekun

| Ekonomi, Shqipëri | 18 July 2011

Leku po forcohet ndaj euros si rezultat i të ardhurave nga emigracioni dhe turizmi, por edhe për shkak të rënies së volumit të importeve. Klodiana Xhepa, drejtore e këmbimit valutor në “Credins Bank”, – tha dje se rënia e euros në ditët e fundit lidhet, mbi të gjitha, me faktorë sezonalë, por pjesërisht edhe si rrjedhojë e momentit të vështirë që po kalon monedha e përbashkët europiane në tregjet ndërkombëtare.

Sipas Xhepës, parashikimet janë që leku do të qëndrojë i fortë gjatë gjithë stinës së verës, ndërkohë që një ndryshim i kahut të kursit të këmbimit mund të pritet në shtator. Gjatë 30 ditëve të fundit, euro ka humbur dy pikë e gjysmë në kursin e këmbimit ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, dollari amerikan këmbehej dje në tregjet e kryeqytetit mesatarisht me 98.14 lekë, çka shënonte një rënie të lehtë të vlerës së lekut, krahasuar me një ditë më parë, me 0.23 lekë për dollar.

Euro zbriti në kuotën e 139.02 lekëve, me ulje në masën 0.07 lekë për euro nga kursi i të enjtes. Nga ana tjetër, edhe paundi britanik, që u kuotua me 158.18 lekë, u rivlerësua ndaj lekut shqiptar me 0.35 lekë, kurse franga zvicerane, e cila ka shënuar hapa të rëndësishëm rivlerësimi në të gjitha tregjet botërore muajt e fundit, u këmbyer me 119.96 lekë, dukë shënuar ulje me 0.16 lekë për një frang. Zakonisht, në këtë periudhë të vitit rritet kërkesa për lekë shqiptarë në treg nga emigrantët, turistët, po edhe nga familjarë të personave që banojnë e punojnë jashtë vendit.

794 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tkurren dërgesat e emigrantëve shqiptarë

| Ekonomi, Shqipëri | 18 July 2011

Emigrantët kanë sjellë në Shqipëri më pak të ardhura në pesë vjetët e fundit. Ekspertja e ekonomisë, Milva Ekonomi, ish drejtuese e INSTAT-it, tha se ulja e të ardhurave ka bërë që të ulet konsumi dhe të rritet varfëria.

“Si zgjidhje për të zbutur këto efekte, duhet që të ulet varfëria dhe kjo mund të arrihet duke ndryshuar TVSH-në për ushqimet, pasi kjo është pjesa më e prekur. Vendet e BE-së janë dërguesit kryesorë të remitancave, ku vendin kryesor e zë Greqia me 41.9 për qind, e ndjekur më pas nga Italia me 38.6 për qind”, ka sqaruar Ekonomi gjatë një konference për shtyp.

774 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Shkëmbimi i vjetshëm Shqipëri-Kosovë 100 milionë euro

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 18 July 2011

Volumi i tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës arriti në rreth 100 milionë euro gjatë vitit 2010, me rritje 36 për qind kundrejt vitit 2009, duke reflektuar lehtësitë e krijuara nga autostrada e re Rrëshen-Kalimash-Morinë. Por ky nivel tregtie mbetet ende i papërfillshëm në krahasim me volumin e përgjithshëm tregtar të Shqipërisë, shkruan sot gazeta “Shqip”.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 72 milionë euro me rritje 40 për qind kundrejt vitit 2009, ndërsa importi ishte 27 milionë euro me rritje 28 për qind. Statistikat nuk janë të detajuara, për të dalluar se sa prej këtij volumi përbëhet nga mallrat transit dhe sa prej mallrave kanë origjinë prodhimi Shqipërinë dhe Kosovën.

Shqipëria ka një volum të tregtisë së jashtme prej 4.6 miliardë eurosh ndërsa Kosova ka një volum prej 2.5 miliardë eurosh. Tregtia prej 100 milionë eurosh mes dy vendeve përbën vetëm 1.4 për qind të volumit të kombinuar të tregtisë të këtyre dy vendeve. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë një bazë të vogël eksportesh. Shqipëria është e specializuar në eksportin e veshjeve, këpucëve dhe lëndëve të para, të cilat kanë avantazhin e krahut të lirë të punës dhe afërsisë me transportin detar. Kosova eksporton përgjithësisht prodhime të industrisë ushqimore dhe baza e saj e eksporteve është edhe më e ulët. Sektori më i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve është sektori i shërbimeve turistike, të cilat nuk përfshihen në statistikat e tregtisë së mallrave.

Sektori më premtues për rritjen e volumit të tregtisë mes dy vendeve është energjia elektrike, kryesisht për shkak se burimet energjetike në Shqipëri janë të përqendruara tek uji, ndërsa në Kosovë te qymyri. Bashkëpunimi në këtë sektor është i dobët aktualisht kryesisht për shkak se të dyja vendet janë deficitare në prodhimin e energjisë elektrike dhe se Shqipëria ka përzgjedhur procedurat e tenderimit për eksportet dhe importet e veta të energjisë, gjë që ka futur në këtë treg ndërmjetës të interesuar më shumë për rritjen e çmimeve të energjisë dhe nuk kanë leverdi për rritjen e eficiencës energjetike që mund të vijë nga rritja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

698 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Jaka: Një litër karburant ka arritur në 1.4 euro në Shqipëri

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Përfaqësuesit e biznesit shqiptarë kanë kërkuar sot që në pakën e re fiskale të përfshihet edhe ulja e çmimeve të karburanteve. Në fjalën e tij në mbledhjen e METE-s ku është prezantuar skema për ndryshimin e taksave kreu i dhomës së tregtisë, Nikolin Jaka ka theksuar se çmimet e karburanteve në vendin tonë janë shumë të larta të krahasuara edhe me vendet fqinje.

“Ne jemi vendi që kemi çmimet më të larta të karburantit si për industritë ashtu edhe për konsumatorin. Një litër karburant ka arritur në 1.4 euro në Shqipëri dhe ky çmim nuk është as në Maqedoni apo në Greqi”, theksoi Jaka.

Sipas tij qeveria duhet të jetë më e angazhuar për të stimuluar industrinë e karburantit ndërsa kërkoi që mbledhja të shtyhet pasi grupet e interesit nuk janë njohur me paketën e propozuar nga ministria e Financave.

“Kemi një procedurë që duhet t`ia kalojmë paketën të gjitha grupet e interesit. E mbështes fjalën e ministrit për të promovuar dhe stimuluar prodhimin vendas por mesa shoh shumica e ndryshimeve në paketë nuk e promovojmë prodhimin vendas qoftë edhe për eksportet”, theksoi Jaka.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Zëvendësministrit të financave të Shqipërisë i cili ka theksuar se akciza e karburanteve është në nivel të pranueshëm. Sipas tij qeveria ka vënë rregulla të forta për konkurrencën në industrinë e karburanteve si dhe ka vënë në zbatim projekte që ndihmojnë bizneset prodhuese në këtë sektor.

834 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Të shqetësuar për rritjen e deficitit

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Konfindustria ka shprehur shqetësimin e saj për thellimin me 10% të deficitit tregtar të Shqipërisë për 3 mujorin e parë të vitit 2011 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në një deklaratë për shtyp Konfindustria thekson se deficiti tregtar në rritje është një nga arsyet kryesore të uljes së rendimentit fiskal të parashikuar të ekonomisë shqiptare, që u pasqyrua me shkurtimin e pothuaj 200 milion dollarë të shpenzimeve buxhetore për vitin financiar në vazhdim, të miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë.

Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka kërkuar masa të jashtëzakonshme për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

“Duke patur parasysh uljen e vazhdueshme të të ardhurave vjetore nga remitancat, kufizimin e mundësive për të rritur borxhin publik si dhe mundësitë e pakta për të përfituar nga procese privatizimi të pronës publike për shkak të cilësisë së pjesës së mbetur si dhe të kërkesës së ulët të investitorëve dhe tregjeve të huaja, duhen parashikuar masa të jashtëzakonshme nga institucionet qeveritare për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë kombëtare” thekson Buxhuku.

Sipas tij nxitja me çdo kusht e prodhimit vendor sidomos e drejtuar për tregun e brendshëm është mënyra e vetme për të ulur rreziqet, që i vinë ekonomisë kombëtare nga kahu negativ i thellimit të deficitit tregtar.

“Krahas kësaj duhen ndërmarr veprime të shpejta nga institucionet qeveritare shqiptare përfshi edhe Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH) për ndalimin e daljes së jashtëligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare. Ndërkohë duhen shfrytëzuar me çdo kusht mundësitë e dhëna nga ligji ne fuqi prej pothuaj 2 muajsh i faljes fiskale për thithjen e të ardhurave financiare të siguruara nga qytetaret shqiptare jashtë vendit. Muajt e pushimeve verore dhe ardhjes së përvitshme të emigranteve në atdhe është koha më e përshtatshme për kryerjen me sukses të procesit të sipërpërmendur”, shton më tej Konfindustria.

804 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Sezoni turistik, leku fiton pikë kundrejt euros

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Sezoni turistik në Shqipëri ka dhënë efektet e para pozitive. Ashtu si dhe vitet e tjera dyndja e emigrantëve dhe pushuesve të huaj, pasqyrohet menjëherë në ekonominë shqiptare pasi ka prurje në valutën evropiane.

Edhe pse euro ka pësuar një ulje me vetëm 3 pikë përsëri ky është një tregues se në javët në vazhdim do të kemi vlerësim të mëtejshëm të lekut kundrejt euros.

Në kursin e këmbimit valutor një euro shkëmbehet që prej disa ditësh me rreth 140 lekë duke pasur tendencë drejt uljes. Sipas ekspertëve ulja e vlerës së euros edhe pse e vogël është një sinjal pozitiv për ekonominë tonë dhe natyrisht për monedhën tonë kombëtare. Tendenca e euros për tu ulur kundrejt lekut është mjaft pozitive sidomos për ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën euro dhe si rezultat do të duhet që të paguajnë më pak.

Gjithsesi ajo që duhet përmendur se revanshi i euros është ulur dhe pritshmëritë janë të mëdha për të pasur një vlerësim të monedhës shqiptare të paktën gjatë sezonit të verës.

Specialistët e ekonomisë e shpjegojnë forcimin e euros në këto momente si efektet e para të krizës financiare, ashtu edhe ecurisë së ekonomisë së zonës euro.

Disa arsye të tjera janë edhe importi i produkteve kryesore që kryhen nga vendet e Bashkimit Evropian, e për pasojë kërkesa për monedhën Euro është e lartë në sektorin tregtar. Liberalizimi i vizave është një tjetër arsye që ka ndikuar në vlerësimin e euros kundrejt monedhës shqiptare pasi ka shtuar numrin e individëve që vizitojnë të afërmit emigrantë, duke çuar direkt në uljen e emigrantëve që kthehen në Shqipëri gjatë të njëjtës periudhë, gjë që ul ofertën e euros në treg gjatë muajve të verës krahasuar me vitet e mëparshme.

Kjo shpjegon edhe faktin që edhe pse jemi në sezon vere euro vazhdon që të shkëmbehet në kuota mjaft të larta në krahasim me një vit më parë.

712 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kreditë, bankat në Shqipëri ulin interesat

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Interesi mesatar i kredive në lekë dhe në valutë të dhëna nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri gjatë muajit maj, ishte shumë më i ulët se sa mesatarja e muajve të fundit, një situatë kjo krejt e kundërt nga pritshmëritë e ekonomistëve për kredi më të shtrenjta.

Interesi mesatar i kredive në lekë me afat maturimi 6-mujor, ra në 11.2 për qind, ndërkohë që në maj 2010, interesi mesatar ishte 15 për qind.

Me rënie ishte edhe interesi i kredive me afat maturimi deri në një vit, si dhe i kredive afatmesme që shlyhen brenda tre viteve.

Për kreditë afatgjata interesi ishte në rritje. Për kreditë në euro, shënohet rënie te interesi i kredive afatshkurtra, ndërsa qëndrojnë në të njëjtin nivel kreditë me afat shlyerje mbi gjashtë muaj.

Rritja e kredive të këqija, që për muajin prill mbërritën në një rekord të ri historik në masën 15.2 për qind të totalit të kredive të dhëna, së bashku me ngadalësimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, kishin krijuar përshtypjen mes specialistëve të fushës se interesat e kredive do të shtrenjtoheshin.

Ministri i Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode, tha: “Shumë aktorë ekonomikë presin që të rikthehen kushtet e periudhës së para krizës, që ata të jetojnë edhe një herë në atë lumë likuiditeti, që ta kenë po aq të lehtë garën e konkurrencës së brendshme dhe rajonale”.

820 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Në mot Shqipëria heq doganën për veshjet e blera në BE

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Çmimet e veshjeve të gatshme në tregun e brendshëm të Shqipërisë pritet të ulen, pasi qeveria ka pranuar të heqë tarifën doganore për këto produkte.

Masa e cila do të votohet me paketën e re fiskale, por që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm e bën tarifën doganore për veshjet e importuara nga vendet e Bashkimit Europian nga 10 për qind që është aktualisht në 0, raporton Top Channel.

Kjo do të thotë se minimalisht çmimet e veshjeve në tregun e brendshëm pritet të ulen me 12 për qind, duke përfshihet dhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Për shkak të natyrës specifike që ka industria e veshjeve, shumë prej produkteve të saj paguajnë tarifë doganore dy herë.

Përgjithësisht kompanitë europiane që prodhojnë veshje i kanë linjat e prodhimit në vende të tjera jashtë BE-së ku shfrytëzojnë koston e ulët. Kjo bën që tarifa doganore për këto produkte të paguhet dy herë, njëherë kur hyjnë nga vendi prodhues në Bashkimin Europian më pas kur importohen nga BE-ja drejt Shqipërisë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thonë kjo ka sjelle një cmim të lartë të veshjeve të gatshme në tregun vendas, duke bërë që mjaft dyqane te shitjes me pakice qe tregtojne veshje te mbyllen. Sipas të dhënave zyrtare, bizneset e shitjes me pakicë të veshjeve paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore ne total ku përfshihet tarifa dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Në të njëtin draft qeveria parashikon edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para që importohen nga industria e fasonit, edhe kjo një masë lehtësuese për të stimuluar industrinë e prodhimit të veshjeve në vend. Sipas relacionit të draftit në total, efekti negative në buxhet i këtyre dy masave pritet të jetë 1.2 miliardë lekë.

860 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Leku fiton pikë ndaj euros

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Monedha europiane ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit në tregun shqiptar.

Sipas të dhënave në tregun e këmbimit valutor në Tiranë, një euro këmbehet sot me 140.20 lekë, kundrejt 141.30 lekëve që ishte në fillim të javës, duke shënuar një rënie të ndjeshme, raporton ATSH.

Për më shumë se një javë, euro ka zbritur nën nivelin e 141 lekëve, kuotë e cila qëndroi për disa muaj.

Të shtunën në Agjencitë e Këmbimit Valutor të Tiranës një dollar u ble mesatarisht me 98.20 lekë dhe u shit me 98.70 lekë.

Ekspertët gjykojnë se zhvlerësimi i euros është si rezultat i reflektimit të faktorëve të importuar nga bursat ndërkombëtare.

Një zbutje e monedhës europiane padyshim që reflekton pozitivisht në disa sektorë të ekonomisë, duke filluar me importet, ku mallrat e blera nga jashtë vijnë me çmime më të lira.

Tjetër ndikim pozitiv jo pak i rëndësishëm, është edhe ai i kësteve të kredisë, që shlyhen në monedhën europiane. Debati mbi eurozimin ka përfshirë shumë ekspertë të ekonomisë, ku një pjesë e shikojnë të ardhmen e vendit si pjesë e Eurozonës.

Zhvlerësimi i euros do të vazhdojë edhe gjatë sezonit të verës.

853 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rënie e shitjeve me shumicë në Shqipëri

| Ekonomi, Shqipëri | 11 July 2011

Shitjet e biznesit të madh në Shqipëri u reduktuan me 38.5 për qind gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.

Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit është krijuar nga INSTAT në bazë të të dhënave të grumbulluara pranë ndërmarrjeve të mëdha përmes një vëzhgimi me përzgjedhje.

Ai pasqyron ecurinë e shitjeve të sektorëve prodhues të mallrave dhe shërbimeve, pra shitjet me shumicë.

Ndërtimi, shërbimet dhe transporti e telekomunikacioni shënuan rënie, ndërsa me rritje është vetëm industria nxjerrëse e përpunuese, falë rritjes së prodhimit të naftës dhe të mineraleve.

“Në ndërtim, volumi i shifrës së afarizmit paraqitet me rënie 26.4 për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2010 ky aktivitet paraqitet me rritje 9.0 për qind”, thuhet në njoftimin e INSTAT-it.

“Në sektorin e shërbimeve, ku përfshihen aktivitetet ekonomike tregti, hotele, transport, shërbime informatike dhe arkitekturore, në tremujorin e parë 2011, krahasuar me tremujorin e mëparshëm u shënua 18.5 për qind rënie, kurse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm ka një rritje prej 3.4 për qind.

Në tregti, indeksi paraqitet me rënie 18.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2010 rritja është 3.9 për qind”, transmeton TC të dhënat e Institutit shqiptar të statistikave.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, paraqiten me rritje degët e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, respektivisht prej 50.4 për qind dhe 28.3 për qind dhe rënie në energji elektrike, ujë 14.3 për qind.

705 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Faqja 5 of 9123456789