Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Edhe dy javë shtesë për ofertuesit e PTK-së

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Komisioni Qeveritar për Privatizimin (KQP) e Postë-Telekomit të Kosovës, të premten, ka marrë vendim, pasi i ka analizuar rrjedhat dhe zhvillimin e deritanishëm të procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike, që ta shtyjë edhe për dy javë afatin për tenderin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje publike. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka konstatuar se procesi është duke vazhduar në bazë të vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe me dinamikën e paraparë dhe janë kryer përgatitjet e duhura për shpalljen e tenderit për privatizimin e saj. Zyrtarët e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik thonë se arsyeja pse u është dhënë afat shtesë dy kompanive të parakualifikuara ka qenë që ata të vendosin seriozisht nëse janë të interesuar të marrin pjesë në procesin e mëtutjeshëm të privatizimit, apo jo. Kështu kanë bërë të ditur burime brenda MZHE-së. Burimi i gazetës “Kosova Sot” ka theksuar se kërkesa për afat shtesë ka ardhur nga kompania “Deutche Telecom” , nëpërmjet “Hrvatski Telekom”, kompani e cila është parakualifikuar në fazën e parë në procesin e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës. Në garë për blerjen e PTK-së është edhe kompania austriake, “Austria Telekomi”. “Telekomi kroat ka kërkuar dy javë kohë shtesë për dokumentacionet, të cilat njësia për implementimin e procesit të privatizimit i ka kërkuar nga ofertuesit, ku janë disa kushte për të cilat kompanitë duhet të deklarohen rreth tyre”, tha ky burim. Sipas tij, ata me këtë konfirmojnë nëse janë seriozisht të interesuar të marrin pjesë në privatizimin e PTK-së. Pas marrjes së këtyre përgjigjeve, kompanitë do t’i paraqesin ofertat teknike dhe financiare./kosova sot

1,172 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ligji i ri e rimëkëmb “Trepçën”

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Pas një periudhe të gjatë memorandumi të vendosur nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, gjiganti “Trepça” pritet të përfshihet në një riorganizim, e më pas në likuidim nëpërmjet ligjit për “Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre”, i cili ka gjasa që në seancën e ardhshme të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Sipas draft-ligjit për “Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre”, të cilën “Kosova Sot” e ka siguruar, ka për qëllim krijimin e kornizës legjislative që i përcakton rregullat dhe procedurat për riorganizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë dhe obligimeve të tyre nën autoritetin administrativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), e në këtë hyn edhe ndërmarrja “Trepça”. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar nga Qeveria që nga Strategjia Legjislative për vitin 2011 të hiqet Ligji mbi “Trepçën”, i cili është propozuar nga ish-Ministria e Energjisë dhe Minierave. “MZHE ka propozuar qe si zëvendësim për Ligjin mbi “Trepçën” të hartohet ligji mbi riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta. Ky ligj është aprovuar në mënyrë unanime nga Qeveria dhe është aprovuar edhe në Kuvend në leximin e parë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MZHE. Sipas tyre, ky ligj aktualisht është në komisionet parlamentare dhe është duke u diskutuar lidhur me zgjidhjet, të cilat ofrohen me të. Kuvendi është vend ku përcaktohet përmbajtja e ligjit dhe ku harmonizohen qëndrimet e Legjislativit. Edhe me propozimin e këtij ligji parashihet që AKP-ja t’i menaxhojë ndërmarrjet me interes të veçantë për vendin. Sipas draftligjit, kjo mundëson rehabilitimin e këtyre ndërmarrjeve dhe rikthimin e qëndrueshmërisë së tyre si biznese të vazhdueshme me qëllim që t’i sjellë përfitime ekonomisë së Republikës së Kosovës./kosova sot

1,597 shikime gjithsej, 1 shikime sot

AKP, TKPK te gatshëm për të depozituar në bankat vendase

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Mbi 1 miliardë euro është shuma e Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional, të cilat mbahen të ngrira në bankat vendore dhe ndërkombëtare.

Ekspertët e ekonomisë, vazhdimisht kanë kërkuar që këto mjete të hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, e vlerëson të domosdoshme kthimin e këtyre mjeteve në tregun financiar, por sipas tij, ekzekutivi i vendit urgjentisht duhet të ndryshojë legjislacionin sa i përket kësaj çështjeje.

Bektashi, konsideron se siguria e këtyre mjeteve në bankat komerciale vendore është më e qëndrueshme se sa në bankat ndërkombëtare.

Ai thotë se plasimi i këtyre mjeteve në institucionet financiare në vend, do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, sidomos në uljen e normave të interesit për kredi, që sipas tij, janë më të lartat në rajon.

“Unë besoj se kthimi i këtyre mjeteve në Kosovë, do të ndikonte jo vetëm në uljen e normës së interesit, por edhe në funksionimin më të mirë të sistemit financiar, dhe do të ketë efekte në zhvillimin ekonomik të Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës në krahasim më vendet e rajonit. Nuk mund të presim hapje të vendeve të reja të punës apo zhvillim ekonomik stabil, nëse në tregun financiar të Kosovës, normat e interesit janë kaq të larta”, thotë Bektashi.

Në anën tjetër, përfaqësues të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, thonë se Trusti ka kërkuar nga bankat komerciale në Kosovë që të ofrojnë kushtet e tyre në mënyrë që Trusti të depozitojë më shumë mjete në këto institucione, por disa prej bankave nuk kanë shprehur interesim për një gjë të tillë.

Jeton Demi, zëdhënës në Trust, thotë për Radion Evropa e Lirë, se trusti ka shprehur vullnetin disa herë që të krijohen mundësitë ligjore dhe instrumentet financiare, që më shumë mjete të investohen në Kosovë.

“Mundësitë aktuale që ekzistojnë janë shfrytëzuar. Nëse do të ketë interesim në të ardhmen nga bankat komerciale në Kosovë për mjetet e Trustit, Bordi i Trustit mund të vendosë të depozitojë edhe më shumë mjete në to”, thotë Demi.

Megjithatë, Demi, tregon se deri në fund të gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Trusti kishte nën menaxhim rreth 546 milionë euro./bota sot

1,162 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rriten eksportet bujqësore të Shqipërisë drejt Evropës

| Ekonomi, Shqipëri | 3 September 2011

Deri tani, eksportet e prodhimeve bujqësore të Shqipërisë drejt Evropës, janë shtuar me 40%, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë këtij sezoni, prodhimi me bollëk i fruta- perimeve, ka sjellë edhe uljen ndjeshme te çmimit të tyre në tregun vendas.

Gjithashtu, burime nga ministria e Bujqësisë, bëjnë me dije se ulja e çmimit të grurit në bursat ndërkombëtare, do të ndikojë në rënien e çmimit të miellit për këtë vit./bota sot

1,410 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Greqia nuk po i realizon si duhet reformat

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Reforma për kufizimin e borxheve shtetërore në Greqi po përparon më ngadalë se sa është shpresuar. Kreditorët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar Athinën zyrtare që të ripërpunojë planet për buxhetin e vitit 2012.

Një delegacion për vlerësimin e gjendjes, i dërguar nga Bashkimi Evropian, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane, është larguar papritur nga Athina. Diplomatët evropianë shpjeguan se nuk është përgatitur një listë e sipërmarrjeve të parashikuara për privatizim. Nuk janë përgatitur as planet për tatime dhe kursime. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos ka hedhur poshtë raportet për grindje me kontrollorët ndërkombëtarë.

Ai tha se atmosfera në bisedime ishte e “mirë dhe produktive”, ndërsa “kontrollorët do të kthehen sërish brenda 10 ditësh”./bota sot

1,302 shikime gjithsej, 1 shikime sot

NJT: Qeveria do të hedhë në gjyq 12 banka

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Gazeta “Nju Jork Tajms” (NJT) njofton sot se qeveria po përgatitet të hedhë në gjyq mbi 12 institucione financiare, që sipas autoriteteve, nuk kanë bërë transparente rrezikun e instrumenteve financiare të bazuara tek kreditë e shtëpive që ato shkëmbenin në tregun e aksioneve dhe që ndikuan në krizën financiare të vitit 2008.

Sipas “Nju Jork Tajmsit” (NJT) Agjencia Federale për Kreditimin e Shtëpive pritet të ngrejë akt-padi ndaj bankave JP Morgan Chase, Goldman Sachs, Bank of America dhe disa të tjera. Bankat i bashkonin huat e shtëpive dhe ua shisnin ato investitorëve në formë instrumentesh financiare në bursë.

Sipas autoriteteve bankat nuk i kushtuan rëndësi faktit që të ardhurat e klientëve që i kishin marrë këto hua për shtëpitë e tyre ishin të zmadhuara ose të falsifikuara. Dhe kur klientët-huamarrës nuk ishin në gjendje të paguanin këstet e kredive, vlera e këtyre aksioneve ra, duke çuar në krizë financiare./bota sot

1,288 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Shtëpia e Bardhë bën parashikime të reja mbi ekonominë

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Shtëpia e Bardhë njoftoi të dhëna të reja, të cilat tregojnë se këtë vit ekonomia amerikane do të rritet me 1,7 për qind dhe shkalla e papunësisë mund të mbetet rreth 9 për qind edhe vitin e ardhshëm. Papunësia për këtë vit do të jetë mesatarisht 9.1 për qind.

Sipas parashikimeve të reja të Shtëpisë së Bardhë rritja ekonomike do të jetë 1 për qind më pak se sa parashikimi që kishte bërë në shkurt administrata e presidentit Barak Obama.

Raporti njoftohet një javë para se Presidenti Barak Obama të mbajë një fjalim para Kongresit amerikan për të parashtruar një plan të ri për vendet e punës dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni Carney tha se plani i presidentit synon të ulë ndjeshëm shkallën e papunësisë.

“Presidenti do të parashtrojë propozime specifike, të cilat do të përmirësojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në afatin e shkurtër”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se deficiti buxhetor qëndron tani në shifrën 1,3 trilion dollarë, 20 për qind më pak nga shifra prej 1,6 trilion dollarësh e parashikuar në shkurt dhe kjo u arrit me anë të shtimit të të ardhura nga taksat dhe shkurtimit të shpenzimeve./bota sot

1,038 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Greqia parashikon rënie ekonomike prej 5% këtë vit

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Greqia thotë se ekonomia e saj në krizë mund të shënojnë një rënie prej 5 përqindësh këtë vit, duke ia bërë më të vështirë qeverisë të ulë deficitin buxhetor. Gjedja e dobët ekonomike u bë shkas për ndërprerjen e bisedimeve sot në Athinë me inspektorët e FMN-së, Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Sipas njoftimeve të shtypit grek, shkas i dështimit të bisedimeve ishin mosmarrëveshjet rreth reformave ekonomike që Greqia kishte premtuar. Por Ministri grek i Financave, Evangjelos Venizelos e mohoi që bisedimet kanë dështuar dhe tha se ato do të rifillojnë pas dy javësh.

Qeveria thotë se të ardhurat nga taksat janë ulur, ndërsa inspektorët e trojkës, thonë se qeveria nuk ka vepruar me shpejtësi për të privatizuar pronat shtetërore si dhe është vonuar për reformimin e ligjeve të pensioneve dhe punës./botz sot

1,319 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Reciprociteti, përfitimet (jo) reale

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës tregojnë se që nga fillimi i aplikimit të masave të reciprocitetit, Kosova ka shënuar përfitime të mëdha ekonomike.

Këto përftime ekonomike edhe ekspertë të çështjeve ekonomike në vend i quajnë reale.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se aplikimi i reciprocitet dhe marrja e kontrollit të pikave kufitare nga Policia e Kosovës dhe KFOR patën rezultate pozitive në ndalimin e kontrabandës dhe kjo siç thotë ai, ndikoi që Kosova të shënojë të hyra më të mëdha.

“Përfitimet në përgjithësi mund të themi se janë evidente, përfitimi më i rëndësishëm, është në lidhje me atë se i është dhënë mundësia industrisë në Kosovë, biznesit dhe kryesisht prodhueseve që të fillojë të prodhojnë dhe të eksplorojnë produktet e tyre në tregun e Kosovës. Tani, konsumatori ka edhe produktet e Kosovës dhe mund të vendosë se çka të konsumojë, duke u bazuar në kualitetin e këtyre produkteve”, thekson Musa.

Përfitimet ekonomike për Kosovën, pas masave të reciprocitetit, ishin shënuar në mbledhjen e të hyrave.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovës ka arritur një shifër rekord në mbledhjen e të hyrave në fund të muajit gusht, duke kapur vlerën prej 500 milionë eurosh.

Krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet një rritje të të hyrave, sepse në periudhën e njëjtë të vitit 2010, dogana kishte mbledhur 432,5 milionë euro. Pra, ka rritje prej 67.7 milionë eurosh.

Edhe, eksperti për çështjeve ekonomike, Alban Hashani, thotë se masat e reciprocitetit mund të kenë shënuar përfitime ekonomike për Kosovën.

Megjithatë, sipas tij , duhet të punohet më shumë në stimulimin e prodhueseve vendorë, në mënyrë që këto përftime të vazhdojnë.

“Përftimet nga aplikimi i masave të reciprocitetit janë të shumë anshme dhe janë reale. Së pari Kosova ka treguar një lloj autoritetit karshi marrëveshjeve ndërkombëtare dhe së dyti ka dhënë shans për krijimin e kanaleve te reja dhe zbutjen e varshmërisë që Kosova ka pasur nga produktet e Serbisë”, thotë Hashani.

Masat e reciprocitet ndaj produkteve serbe, Qeveria e Kosovës i ka vendosur më 20 korrik të këtij viti, si përgjigje ndaj bllokadës që këto dy vende u kishin vendosur mallrave kosovare, për shkak se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e rrjedhimisht edhe vulat në të cilat shkruan “Republika e Kosovës”.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, shpjegojnë se nëse Kosova, që nga vendosja e masave të reciprocitetit ka shënuar përfitime, atëherë humbjet, sipas tyre, për tri vjet kur Kosova nuk kishte mundur të eksportojë produktet e saj në ketë shtet, janë të mëdha.

Por, siç thonë ata, humbjet më të mëdha, Kosova i ka pasur nga kontrabanda e cila është bërë në pikat kufitare me Serbinë.

“Pikat në veri, të cilat kanë qenë burim i madh joformalitetit dhe evazionit fiskal, e që ka krijuar një konkurrencë ‘jo fer’ në treg, edhe që në instancën e fundit i ka krijuar dy probleme. E para e ka dobësuar buxhetin e shtetit për shkak se shteti nuk ka arritur të vjelë taksat në këto pika, dhe së dyti i ka joshur firmat tjera të cilat kanë qenë në sektorin formal, që të futen në sektorin joformal , për arsye se ka qenë gati e vetmja mënyrë për të mbijetuar këtë treg ndaj konkurrencës së padrejtë”, shpjegon Hashani.

Në anën tjetër, kryearti i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thekson se Kosova kishte humbur shumë nga mos kontrollimi i pikave kufitare në veri dhe nga mosrespektimi i marrëveshjes për tregti të lirë nga ana e Beogradit zyrtarë.

“Humbjet kanë qenë në dy drejtime, e para ka të bëjë me një bilanc negativ të Kosovës, e cila është paraqitur qysh që pas luftës ku Kosova ka qenë importues i produkteve nga Serbia dhe humbjet tjera kanë qenë si pasojë e rrjedhjes së trafikimit apo qarkullimit të mallrave ilegale nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës”, thekson Musa.

Ndryshe, autoritetet kosovare, përftimet ekonomike i kanë arsyetuar me ngritjen e kontrollit të qarkullimit të mallrave, luftimin e kontrabandës, aplikimin e metodave moderne të selektimit dhe analizës së riskut si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./bota sot

1,356 shikime gjithsej, 1 shikime sot

5200 euro për gardërobën e Kryeministrisë

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Lavdim Hamidi – Për t’u dukur bukur para kamerave televizive dhe në takimet me zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë, kryeministria është kujdesur t’ia bëjë zgjidhjen për garderobën stafit të vet.

Për t’i furnizuar me garderobë 8- 10 persona, kryesisht truproja dhe shoferë të kryeministrit, është lidhur kontratë me butikun “London Fashion” në Prishtinë.

Kontrata e nënshkruar në fund të muajit qershor të këtij viti kap vlerën prej rreth 5200 eurosh, përderisa procedura e kontratës është zgjedhur me kuotim çmimesh.

Në këtë butik që furnizohet stafi i kryeministrisë, çmimi i kompleteve sillet prej 110-150

euro, mirëpo aty nuk blen gardërobë kryeministri Hashim Thaçi e as zëvendësit e tij.

Fahri Sylejmani, pronar i këtij butiku, thotë për “Zërin” se gardëroba me të cilën furnizohet stafi i kryeministrisë nuk është shumë e shtrenjtë, prandaj është përzgjedhur që ta furnizojë kryeministrinë.

“Edhe me gardërobën më të lirë ata duken mirë. Është shumë me rëndësi të duken mirë, sepse ata e prezantojnë Kosovën, në takimet që i zhvillojnë me kryeministrin jashtë vendit”, shprehet Sylejmani.

Sipas tij, me gardërobë te butiku i tij furnizohen 8-10 veta, kryesisht shoferët dhe rojet e

kryeministrit, ndërsa çmimi i kompleteve sillet prej 110 deri në 150 euro.

Pavarësisht se emri i butikut është “London”, Sylejmani thotë se me gardërobë furnizohet nga Qipro, Turqia, e jo nga Anglia.

“Më herët kam blerë mall në Angli, mirëpo tash nuk kam mundësi, sepse janë shumë të shtrenjta. Unë furnizohem kryesisht me gardëroba nga Qipro, Turqia etj”, sqaron ai.

Sylejmani pohon se pavarësisht se çmimet nuk janë shumë të larta, gardëroba të cilën ua

shet stafit kryeministror është shumë cilësore dhe për këtë shkak e ka zgjedhur butikun “London Fashion”.

“Mallin që e shes është me çmime të tregut dhe shumë kualitativ”, potencon ai.

Nuk blen Thaçi

Përkundër deklaratave të pronarit të butikut “London Fashion” se gardëroba që e furnizon stafin e kryeministrisë është cilësore dhe e lirë, kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat furnizohen në butiqet më të shtrenjta, të cilët shesin gardërobë të markave të

njohura botërore.

Sipas kontratës së nënshkruar nga kryeministria për furnizim me gardërobë, numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, kurse vlera më e lartë ka qenë 5935 euro./zeri

1,784 shikime gjithsej, 1 shikime sot