Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Obama përgatitet të prezantojë një plan të ri për uljen e papunësisë

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Presidenti Barak Obama do të dalë të enjten e ardhshme para Kongresit me një fjalim që do të transmetohet në shkallë kombëtare, ku ai do të prezantojë një plan të ri për ekonominë amerikane. Siç njofton korrespondenti Kent Klein, shanset e presidentit për t’u rizgjedhur mund të varen pikërisht nga rezultati i këtij plani:

Ndërkohë që vazhdon amullia ekonomike dhe papunësia luhatet në 9 për qind, Presidenti Obama tha ditët e fundit se do të prezantojë një plan për të hapur vende të reja pune.

“Do të prezantoj një numër hapash që mund të ndërmarrë menjëherë Kongresi për t’u lënë më shumë para në dorë familjeve të klasës së mesme dhe për t’ua bërë më të lehtë bizneseve të vogla të punësojnë njerëz, të angazhojnë ekipet e punës për të rindërtuar rrugët, hekurudhat dhe aeroportet dhe masa të tjera që ndihmojnë për rritje ekonomike”.

Anketat e fundit tregojnë se mbështetja e publikut për punën që po bën presidenti ka rënë në afro 44 për qind, ndër më të ulëtat gjatë mandatit të tij. Afro 2/3 e të anketuarve thonë se janë të pakënaqur nga mënyra se si presidenti ka reaguar në përgjigje të problemeve ekonomike.

Si rezultat, anketa të tjera tregojnë se presidenti mund ta ketë të vështirë të rizgjidhet në nëntor 2012.

Pjesërisht si rezultat i shqetësimeve politike, ka pasur pikëpamje të ndryshme nga stafi i Presidentit dhe analistë politikë lidhur me intensitetin e politikave që duhet të propozojë zoti Obama për të hapur vende të reja pune.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve të brendshme, po shqyrtojnë programe ri-kualifikimi për individë që kanë qenë pa punë për një kohë të gjatë, ulje taksash për amerikanët me të ardhura mesatare, dhe lehtësime taksash për bizneset që marrin njerëz në punë. Programi mund të përfshijë edhe shpenzime të reja për të rindërtuar shkolla, ura, rrugë dhe objekte të tjera të infrastrukturës.

Po ashtu, zoti Obama pritet të vazhdojë presionin ndaj Kongresit për të miratuar marrëveshje të tregtisë së lirë me Panamanë, Kolumbinë dhe Korenë e Jugut.

Presidenti dhe ndihmësit e tij e cilësojnë planin si një nismë e arsyeshme që duhet të përqafohet nga republikanët e opozitës.

“Këto janë ide që përqafohen nga të dyja partitë, propozime që duhet të gjejnë mbështetje nga kushdo, pavarësisht nga përkatësia politike. Shpresoj se do të arrijmë të vëmë interesat e vendit para atyre partiake dhe të realizojmë diçka për popullin amerikan”.

Por republikani Xho Uolsh i shtetit Ilinoi, thotë se nuk ka gjasa që presidenti të prezantojë ndonjë ide që mund të gjejë mbështetjen e republikanëve si ai vetë.

“Përgjithësisht mendoj se do të jenë masa të reja për stimulimin e ekonomisë, shpenzime të reja qeveritare, huamarrje të reja nga qeveria me idenë për të nxitur ekonominë, që kanë dështuar prej 3 vjetësh. Na duhet e kundërta e asaj që ka bërë presidenti, jo më të njëjtat politika”.

Pritet që republikanët të flasin pro idesë së uljes së taksave dhe ngrirjen e disa rregulloreve qeveritare mbi bizneset.

Duke qenë se nuk pritet që republikanët ta mbështesin planin e zotit Obama, disa analistë thonë se Presidenti duhet të propozojë masa ambicioze. Larry Sabato është drejtor i Qendrës për Politika në Universitetin e Virxhinias:

“Presidenti ndoshta do të bënte mirë të tregohej shumë agresiv, pasi fakti është që nuk ka për të marrë miratim, pavarësisht çfarë propozimesh bën. Prandaj do të bënte mirë të dilte me një plan grandioz që do të kishte ndikim të madh po të miratohej nga republikanët. Por të gjithë e kanë të qartë se s’ka për të arritur gjë”.

Disa analistë në Uashington e konsiderojnë këtë fjalim si më të rëndësishmin e karrierës së Presidentit Obama. Por analisti Sabato thotë se fati i presidentit në zgjedhjet e 2012 do të varet nga gjendja e ekonomisë.

“E vetmja gjë që do e ndihmonte presidentin të rizgjidhej do të ishte përmirësimi i ekonomisë, jo fjalimet për përmirësim”.

Zyra për Menaxhim dhe Buxhet e administratës Obama ka parashikuar se ritmet e papunësisë do të vazhdojnë të luhaten tek 9 përqindshi edhe gjatë vitit tjetër. Megjithatë, zëdhënësi i Presidentit Obama, Xhej Karni ka thënë se miratimi i planit të zotit Obama për punësimin do të ndihmojë në uljen e kësaj shifre./botz sot

727 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Të pasurit e botës vazhdojnë të blejnë në dyqane të shtrenjta

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Ndërkohë që rritja e ngadaltë ekonomike dhe papunësia e lartë vazhdojnë të krijojnë strese në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ekonomistët thonë se të pasurit e botës vazhdojnë të blejnë në dyqane të shtrenjta. Beverly Hills – qyteti i njohur i Kalifornisë është një shembull tipik dhe ne do t’ju njohim me industrinë e shitjeve me pakicë për të pasurit në këtë qytet.

Në zemër të Beverly Hills, turistët dhe të pasurit dynden në Rodeo Drive – një rrugë e njohur për butikat e saj me çmime mjaft të larta. Pikërisht këtu po e kalon javën e fundit në Amerikë C.C. Hong dhe familja e saj para se të kthehet në Malajzi.

Hong thotë se vlera relativisht e ulët e dollarit e ka bërë çdo gjë në Amerikë më të lirë se sa në Malajzi. Ajo sapo ka blerë një çantë dore Coach me një çmim që e quan mjaft të ulët.

“E bleva 650 dollarë. Në Malajzi kjo mund të jetë dyfish më e shtrenjtë,” thotë Hong.

“Ky ka qenë në fakt një nga ata pak sektorë të ekonomsë që kanë ecur, kryesisht për shkak të konsumatorëve të pasur të cilët vazhdimisht shpenzojnë në këtë segment të shitjes me pakicë,” thotë ekonomisti Armen Bedroussian, i Institutit Milken të Kalifornisë. Megjithatë, thotë ai, gjatë recesionit të fundit ekonomik, edhe të pasurit duket se janë frenuar pak në shpenzimet e tyre. Për shembull, në Beverly Hills stilistit Pol Atteu iu desh të pushonte të gjithë stafin e tij.

“Në një moment, kisha mbi 35 njerëz që punonin për mua. Kam qenë shitësi numër një në dyqanet Saks, kam shitur edhe në Neiman Marcus,” tregon Atteu.

Me recesionin që filloi në vitin 2008, Atteu u dha fund marrëdhënieve me ta.

“Po të shikosh dyqanet e shtrenjta si Saks Fifth Avenue, Neiman Marcus, Nordstrom, ata e pësuan keq nga kriza, sepse klientët e tyre janë njerëz që kursejnë për të blerë gjëra firmato, pra për të kënaqur veten me mallra të tilla të shtrenjta,” thotë David Winter, i cili punon në këshillin e marketingut të mallrave luksoze, organizatë që përfaqëson firmat më të mëdha në botë të këtij lloji. Ai thotë se tani, klentë të këtij lloji kanë filluar të shpenzojnë përsëri. Ndërkohë, ai shton se klientët ultra të pasur të botës nuk janë prekur fare nga dobësimi i ekonomisë.

“Ne vërejmë se çdo muaj, interesimi po bëhet gjithnjë e më i madh,” thotë Xhejmi Adler, e cila ka në pronësi firmën Phyllis Morris, që merret me prodhimin dhe shitjen e mobiljeve luksoze.

“Shtretërit këtu fillojnë nga 20.000 dollarë dhe mund të shkojnë deri në 60 ose 70,000, në varësi të përmasave dhe të materialit të përdorur.”

Adler thotë se edhe pse klientët e saj amerikanë i ndalën shpenzimet në vitin 2008, biznesi i saj jashtë vendit është rritur.

“Unë mendoj se dollari është bërë më tërheqës dhe interneti lejon që produktet të ekspozohen në të gjithë botën.”

“Dyqanet e shtrenjtë, edhe kur pësuan rënie në Evropë dhe në Amerikë, kanë ecur mirë dhe vazhdojnë të ecin mirë në Rusi, Indi, Kinë, Brazil. Këto janë vendet që po luajnë rol kryesor në ekonominë e sotme botërore.”

Por Armen Bedroussian paralajmëron se shqetësimet e fundit ekonomike do të ndihen edhe në industrinë e mallrave të luksit.

“Në të ardhmen e afërt, paqëndrueshmëria e tregjeve, sidomos pas uljes së klasifikimit për kreditin amerikan, si dhe me krizën evropiane të borxhit, të gjitha këto do t’i dëmtojnë shitjet në të ardhmen e afërt. Megjithatë, mendoj se dëmi duhet të jetë shumë më i madh që të mund të ndihet te segmenti i mallrave luksoze. ”

David Winter thotë se ultra të pasurit në të vërtetë janë duke përfituar nga rënia ekonomike. Dhe ata nuk po blejnë vetëm rroba firmato, por edhe po investojnë në prona të patundshme.

“Janë ultra të pasurit që po blejnë me para në dorë dhe janë pikërisht ata që po blejnë dhjetëra shtëpi në të njëjtën kohë, sepse çmimet tani kanë rënë shumë. Pra të pasurit po pasurohen më shumë.”

Blerësja C.C. Hong nga Malajzia nuk ka ardhur në Beverly Hill vetëm për të blerë çanta. Ajo po shikon edhe mundësinë për të investuar në pasuri të patundshme./botz sot

806 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Barroso pesimist për recesion në Bashkimin Evropian

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se nuk beson që euro-zona është duke shkuar drejt një rënieje të dyfishtë apo drejt recesionit, ndërsa shfaqi besimin që ekonomia e Bashkimit Evropian do të vazhdojë të shënojë rritje modeste.

Këto komente kreu i ekzekutivit evropian i bëri gjatë një vizite në kryeqytetin australian Kanbera.

Barroso tha se Bashkimi Evropian dhe euro-ja janë “të fuqishëm dhe në gjendje ta marrin vetën” dhe se parashikimet e fundit të Komisionit Evropian kanë treguar që do të ketë një rritje “modeste” ekonomike në BE.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në BE ende vazhdon të ekzistojë shqetësimi për një recesion të mundshëm pas indikacioneve për një ngadalësim ekonomik në pjesën e dytë të këtij viti./bota sot

1,297 shikime gjithsej, 1 shikime sot

SHBA, ultimatum Zvicrës për llogarit bankare

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Sipas shtypit zviceran, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë dhënë një ultimatum Zvicrës, ku i kërkojnë që të japë informacione të hollësishme lidhur me rreth mijëra shtetas amerikanë të tjerë që dyshohet se kanë përdorur bankat zvicerane për të mashtruar raportimin e taksave.

Raporti citon një letër të 31 gushtit nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, James Cole, i cili i ka kërkuar të dhëna të hollësishme lidhur me evazionin fiskal, bankës zvicerane Credit Suisse, si dhe rreth 9 bankave të tjera zvicerane.

Sipas raportit, në se bankat në fjalë nuk i përgjigjen ultimatumit amerikan deri të martën, ndaj bankave mund të ngrihen akuza kriminale.

Për këtë raport, i cili ishte botuar në dy gazeta zvicerane, nuk ka komentuar as qeveria amerikane dhe as ajo zvicerane.

Një nga artikujt citon zyrtarë të afërt me këtë çështje, të kenë thënë se Uashingtoni kërkon të dijë hollësi lidhur me numrin e amerikanëve që kanë llogari me depozita prej më tepër se 50 mijë dollarësh në Bankën Credit Suisse, si dhe në të paktën 4 banka të tjera gjatë viteve 2002 dhe 2010./bota sot

1,336 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Në pritje të vendimit të AKK-së për gjoba ndaj bankave

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Pavarësisht konkurrencës dhe hyrjes së bankave të reja në tregun e Kosovës, normat e interesit të kredive vazhdojnë të mbeten në shkallë mjaft të lartë, gjë e cila ka ngritur dyshimet për një marrëveshje të fshehtë. Ndonëse ishte pritur që në pjesën e parë të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës (AKK) të dalë me vendim për të gjobitur bankat apo jo, një gjë të tillë ende nuk ka ndodhur.

Drejtuesit e AKK-së mohojnë të kenë pasur presione të ndryshme lidhur me këtë, pasi që sipas tyre vendimi do të merret pasi që bankat të japin arsyet për shkallën e lartë të kamatës. Nga ana e saj, opozita nuk dyshon për atë që nuk ka marrëveshje mes bankave, por për këtë fajin ia hedhin institucioneve të vendit, që sipas tyre janë të involvuara në normat e larta të interesit të kredive.

Kryetari i AKK-së, Osman Ejupi ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se dëshirojnë që të ulen në tryezë me drejtuesit e bankave dhe të bisedojnë më konkretisht, se pse janë këto norma të interesit të larta në Kosovë krahasuar me vendet në rajon.

Ejupi thotë se bankat duhet të japin arsyet se pse janë kreditë më të lartat në rajon dhe pse kanë normën më të ultë të depozitit të interesit, dhe për atë se pse dy banka zotërojnë 70 për qind të tregut kosovar. Sipas tij, pas kësaj pritet të merret vendimi për gjobitjen e bankave.

Madje ai ka bërë një krahasim, duke thënë se interesat në depozita janë 5 për qind, ndërsa interesat në marrjen e kredisë janë 16 për qind, për kredi 12 mujore. Diferenca është 11 për qind që sipas Ejupit është 300 për qind më e lartë se në rajon, ndërkaq në Kosovë janë 8 banka.

Në Shqipëri, ku operojnë 23 banka, interesat për depozita janë 3.3 për qind, ndërsa interesat për kredi janë 7.4 për qind, për periudhë 12 mujore, që është gati tri herë më e vogël.

Ndërkaq në Mal të Zi interesat në depozita janë 5.5 për qind, kurse në kredi 9.5 për qind dhe ndryshimi është 4 për qind. Edhe këtu bëhet fjalë për një periudhë 12 mujore, kurse në këtë shtet operojnë 17 banka.

Për më tepër, Ejupi thekson se këtyre ditëve është nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi mes Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, duke tentuar një treg të barabartë për gjithë operatorët ekonomik. Ai ndërkaq mohon të ketë pasur presione që mos të dalin me vendim për gjobitjen e bankave.

“Ne nuk kemi presione, por ne sipas ligjit çështjen e politikës financiare në Kosovë të bëjmë publike dhe t’i kyçim edhe akterët kryesor si Ministrinë e Financave dhe BQK-në, që të jenë të vetëdijshëm, se ata po abuzojnë më pozitën e tyre dhe po e dëmtojnë konsumatorin”, ka thënë Ejupi.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se normat e interesit janë mjaft të larta në tregun e Kosovës, të cilat pavarësisht konkurrencës dhe pavarësisht hyrjes së bankave në treg nuk po ulen, e që është një material i bazuar se këtu mund të ketë një marrëveshje.

Sipas Ymerit ky institucion është lënë jashtë interesit të Qeverisë, duke shtuar se kjo është e dëmshme për një ekonomi të tregut të lirë, çfarë po synon Kosova.

Deputeti i Vetëvendosjes vlerëson që presioni që bankat mund t’ia bëjnë këtij Autoriteti është i natyrshëm, pasi siç ka thënë ai bankat kanë qarkullim të madh vjetor dhe po ashtu dënimet mund të jenë të mëdha.

“Natyrisht, është në interes të bankave që të ushtrojnë presion, nuk e di tash se a ka presion apo jo, se nuk kam informata për një gjë të tillë. Por po që se ka marrëveshje mes bankave, një marrëveshje e cila është kundër rregullave të tregut të lirë, atëherë këto banka do të kishin interes për të ushtruar një presion të tillë me qenë se përfitimet që i nxjerrin ato në Kosovë janë shumë të larta me nivelin e qarkullimit dhe shumën e depozitave që i kanë nëpër llogaritë e tyre”, ka theksuar Ymeri.

Por ai mendon që edhe zyrtarët qeveritar janë të involvuar në këto norma të larta të interesit dhe këtu është arsyeja pse nuk ka ulje të normave të interesit për kredi.

“Ka eksponentë brenda qeverisë, ka ministra të cilët janë të përfshirë dhe të cilët kanë edhe biznese të veta dhe në këtë drejtim është në interes të tyre që tregu të mos funksionojë aq mirë, meqë janë në pozitë të manipulojnë tregun dhe të përfitojnë nga ky manipulim i tregut. Ne e dimë dhe kjo është sekret publik që një pjesë e konsiderueshme e qeverisë kanë edhe biznese private, ose janë të lidhur me biznese private”, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër, Haki Shatri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se të gjithë e dinë për një marrëveshje mes bankave, pasi që deri më tash nuk ka pas ulje të normave të interesit.

“Në opinion dihet që ka një lloj marrëveshje mes bankave lidhur me normën e kamatave edhe me plasimin e kapitalit. Ne e shohim nga vetë gjendja që i marrim nga raportet e Bankës Qendrore. Janë depozita të shumta të qytetarëve që flenë në bankat afariste, ato po shkojnë duke u rritur vit për vit, ndërsa mjetet plasmane të bankave nuk po rriten ose kanë stagnuar në nivel shumë të ultë. Në të njëjtën kohë kamatat shumë të larta për kreditë që i jepen ekonomisë”, ka theksuar Shatri.

Në bazë të ligjit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës parashihen dënimet 10 për qind të qarkullimit vjetor që kanë bankat. Edhe pse 12 vjet pasluftës gjithmonë është folur për norma të larta të interesit për kredi, ato nuk kanë ndryshuar pothuajse aspak.

Kjo ka bërë që shumë herë të ankohen bizneset, në pamundësi për t’i kthyer kreditë. Madje, ka shumë biznese që kanë falimentuar për shkak të kredive, të cilat nuk kanë mund t’i kthejnë.

Kosova llogaritet që ka normat e interesit për kredi më të lartat në rajon, ndërsa normat e interesit për depozita që i posedon të vogla./bota sot

1,146 shikime gjithsej, 1 shikime sot

BQE: Italia të zbatojë masat e kursimit

| Botë, Ekonomi | 5 September 2011

Banka Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt ka paralajmëruar Italinë të respektojë deri në fund masat e kursimit.

Në kuadër të vënies në pikëpyetje të aftësisë për kreditim të këtij vendi, është e rëndësishme që Roma të zbatojë programin e kursimeve, tha presidenti i BQE-së, Jean-Claude Trichet në një forum ekonomik të mbajtur në Italinë e Veriut.

Qeveria e Romës prej javësh është përfshirë nga grindjet mbi shkurtimet e shpenzimeve dhe rritjen e taksave për shkak të krizës së borxheve.

Një paketë kursimi në vlerë prej 45,5 miliardë eurosh duhet të miratohet këtë muaj. Ndërkohë kryeministri italian, Silvio Berlusconi ia doli të rrëzonte një ligj të planifikuar për tatimin e të pasurve./bota sot

1,248 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Spanjë, mbi katër milionë të papunë

| Botë, Ekonomi | 3 September 2011

Në Spanjë shifrat e papunësisë që ishin ulur për 4 muaj me radhë, në muajin gusht kanë filluar të rriten përsëri.

Sipas shifrave të deklaruara nga Ministria e Punës së Spanjës, numri i personave pa punë pas rënies prej katër muajsh, është rritur për herë të parë në muajin gusht dhe në gjendjen aktuale ka arritur në katër milionë e 130 mijë e 927 të papunë.

Ndërkohë që në krahasim me muajin korrik, gushti ka pasur një rritje prej 1.25 për qind që do të thotë se edhe 51 mijë e 185 persona të tjerë kanë mbetur pa punë.

Në muajin gusht papunësia është rritur kryesisht në sektorin e shërbimit dhe atë e kanë ndjekur sektorët e ndërtimit dhe industrisë. /Telegrafi/

931 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Autostrada Durrës-Kukës me pagesë

| Ekonomi, Shqipëri | 3 September 2011

Rruga Durrës-Kukës nuk do të jetë e vetmja, e cila shumë shpejt do të bëhet me pagesë. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi tha se qeveria ka në plan që kalimi me pagesë të shtrihet edhe në akse të tjera të rëndësishme.

“Gjithmonë e më shumë, modelet veçanërisht evropiane po tentojnë të shkojnë drejt përdorimit të rrugëve për kundrejt një tarife minimale për mirëmbajtjen e tyre. Kështu që edhe ne do të ecim në këtë drejtim ku shkojnë të gjitha vendet që i kanë kaluar të gjitha këto faza”, është shprehur Olldashi në një intervistë për Top Channel.

Investimet në rrugë kanë marrë pjesën e luanit nga taksat e qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit nga viti 2006, shuma totale e parave që kanë shkuar për ndërtimin e rrugëve është 223.5 miliardë lekë ose mbi 2.2 miliardë dollarë.
Olldashi thotë se vitet në vijim kostoja do të lehtësohet, pasi rrjeti rrugor po shkon drejt përfundimit.

“Në përfundim të projekteve që janë tashmë të hapura, ne kemi projekte të hapura që në totalin e tyre shkojnë në një vlerë mbi 500 milionë euro. Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor modern. Një pjesë e madhe do të mbarojnë deri në 2013, një pjesë edhe përtej 2013-s”, theksoi ministri Olldashi. /Telegrafi/

1,199 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Greqia, pro anëtarësimit të Kosovës në BERZH

| Botë, Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, megjithëse politika helene deri më tash konsiderohet si më pozitivja në krahasim me katër anëtaret tjerë të BE-së, Spanjës, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë që nuk e pranojnë pavarësinë, disa prej të cilave as që pranojnë të kontaktojnë me zyrtarë të shtetit kosovar.

Kjo politikë do të konfirmohet edhe të enjten më 8 shtator kur shefi i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis, do e vizitojë kryeqytetin kosovar. Gazeta Zëri merr vesh jozyrtarisht nga një burim diplomatik ndërkombëtar se atë ditë kryediplomati helen, gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet ta zyrtarizojë edhe përkrahjen greke për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova ka bërë pandërprerë përpjekje për anëtarësim edhe në BERZH.

Ministria e Jashtme e Kosovës, ndonëse nuk ka pranuar ta komentojë zyrtarisht këtë vizitë, një zyrtar i kësaj ministrie i ka thënë “Zërit” se Greqia “jo vetëm që e përkrah anëtarësimin e Kosovës në BERZH, por edhe është duke lobuar edhe te shtetet tjera për të njëjtën gjë”. /Telegrafi/

1,536 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Perandori i BQK-së

| Ekonomi, Kosovë | 3 September 2011

Insistoi dy herë që të emërohet zëvendësguvernator Lulëzim Ismajli pa konkurs. Pasi këtë nuk ia pranoi Bordi i BQK-së, guvernatori Gani Gërguri shpalli konkursin, i intervistoi vetë gjithë kandidatët për një ditë dhe dërgoi vetëm emrin e Ismajlit në bord. Ashtu siç deshi Gërguri, u bë. Ismajli u emërua Zëvendësguvernator të enjten. Kryetari Mejdi Bektashi konfirmon se ka qenë kundër tij.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Gani Gërguri, me përpjekjet e tij titanike arriti ta emërojë si zëvendës të tij Lulëzim Ismajlin, deri dje shef i thesarit në Ministrinë e Financave. Gërguri ia kishte dërguar dy herë bordit të bankës emrin e Ismajlit që të emërohet si zëvendësguvernator pa konkurs. Këtë ia kishte refuzuar bordi, gjegjësisht kryetari Mejdi Bektashi. Ata e kishin lajmëruar Ganiun se kjo punë duhet të shkojë vetëm përmes konkursit, e jo me emërim.

Më në fund Gërguri kishte shpallur konkurs dhe me dy vartës të tij për një ditë i kishte intervistuar mbi 15 kandidatë, duke u dhënë kohë vetëm nga 20 minuta atyre që të shfaqin idetë e tyre për zhvillimin e këtij institucioni financiar, shkruan Express.

Dy vartësit e tij s`kanë bërë pyetje asnjëherë. Ato i ka bërë vetëm Gërguri.

Pas kësaj, ai si opsion sërish para bordit e kishte dërguar vetëm emrin e Lulëzim Ismajlit. Të gjitha këto i ka marrë vesh Express përmes burimeve të veta brenda BQK’së. Bordi BQK-së në votim për emërimin e Lulëzim Ismajlit kishte votuar tre pro tij dhe një kundër. Kundër ka qenë kryetari Mejdi Bektashi.

Këtë e pranon edhe vetë Mejdi Bektashi, por nuk tregon arsyet pse ka qenë kundër.
“Unë nuk dua të flas për këtë çështje, se për këto punë janë institucionet, por vetëm mund të konfirmoj se kam qenë kundër përzgjedhjes së Lulëzim Ismajlit”, tha Mejdi Bektashi, kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Ai nuk komentoi as punën e guvernatorit gjatë këtij mision për pozitën e zëvendësguvernatorit. /Telegrafi/

1,060 shikime gjithsej, 1 shikime sot