Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Bien ndjeshëm tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi

| Botë, Ekonomi | 6 September 2011

Tregjet e aksioneve ranë sot ndjeshëm në Evropë dhe Azi pas raporteve ekonomike shkurajuese në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, dy nga ekonomitë më të mëdha të botës.

Disa indekse evropiane ranë mbi 3 për qind, ndërsa indeksi DAX i Gjermanisë u mbyll me një rënie prej 5.3 për qind. Indeksi në Hong Kong ra gati 3 për qind.

Tregjet amerikane janë të mbyllura sot për festën e Ditës së Punës.

Analistët thonë se shitjet e aksioneve janë reflektim i raportit të departamentit amerikan të punës që tregoi se papunësia mbeti e pandryshuar. Shifrat shtuan shqetësimet se Shtetet e Bashkuara mund të zhyten përsëri në recesion./botz sot

1,179 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Indeksi gjerman i aksioneve DAX shënon rënien rekord të vitit

| Botë, Ekonomi | 6 September 2011

Frika e vazhdueshme nga recesioni dhe kushtet negative nga Azia e vunë nën presion tregun e aksioneve në Gjermani në hapje të një jave të re në bursë. Në Bursën e Frankfurtit mbi Majn indeksi orientues i aksioneve DAX ra përkohësisht me 4% dhe me rreth 5.300 pikë shënoi një rekord të ri rënieje për këtë vit. – Në bursën kryesore aziatike në Tokio indeksi i aksioneve Nikkei shënoi një minus me 1,86%. – Në SHBA kjo e hënë është ditë feste, ndaj bursat janë të mbyllura./botz sot

1,182 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Barroso, optimist për të ardhmen e ekonomisë së BE

| Botë, Ekonomi | 6 September 2011

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barroso ofroi sot garanci se Evropa nuk do të precipitojë në një recesion të dytë. Barrozo i bëri komentet në Kanberra të Australisë, pas bisedimeve me kryeministren Xhulia Gillard. Ai tha se monedha e përbashkët mbetet e fortë dhe se udhëheqësit e rajonit po u përgjigjen me guxim problemeve.

Tregjet globale janë goditur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, kryesisht si rezultat i problemeve në tregun amerikan të punës dhe shqetësimeve në rritje për problemet e borxhit në Evropë, veçanërisht në Greqi.

Por, Barrozo tha se analistët evropianë parashikojnë rritje, megjithëse të ulët, për ekonominë evropiane.

Presidenti i Komisionit Evropian bëri një ndalesë në Australi para se të shkojë në Zelandën e Re për Forumin e Ishujve të Paqësorit këtë javë./bota sot

1,212 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Vulat, “Euforia” e përfitimeve ekonomike

| Ekonomi, Kosovë | 6 September 2011

Pas aplikimit të reciprocitetit për produktet e Serbisë dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës, institucionet e Kosovës, deklaruan përfitime të mëdha buxhetore dhe ekonomike për vendin.

Udhëheqësit e lartë shtetërorë madje promovonin edhe kompani e fabrika që mbijetonin pa produktet serbe.

Megjithatë, këto përfitime nuk zgjatën shumë, për shkak se Serbia pranoi vulat e Doganave të Kosovës.

Ekspertët e çështjeve ekonomike të Kosovës kritikojnë autoritetet kosovare për euforinë e madhe që bënin pas vendimit për bllokimin e produkteve serbe.

Vendimi për reciprocitet, sipas tyre, është dashur të mbetet kaq, reciprocitet.

Njëri nga njohësit e rrethanave ekonomike, Alban Hashani, thotë se tani Kosova duhet të fuqizojë prodhimin vendor dhe si i tillë produktet kosovare të jenë më konkurruese.

“Ne si nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-s nuk duhet të krijojmë probleme në bllokimin e ekonomisë, sepse në instancën e fundit kjo nuk do të jetë në favor as të Kosovës, megjithatë krijimi i rregullave ose vendosja në një peshore të tregut të Kosovës me tregun e Serbisë në nivel të barabartë do të jetë një mundësi e konkurrencës ‘fer’, nën supozimin se do të luftohet informaliteti dhe evazioni fiskal dhe brenda Kosovës do të mbizotërojë konkurrenca dhe në instancën e fundit nga konkurrenca përfitojnë konsumatorët ”, thekson Hashani për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi për masa të reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, Qeveria e Kosovës e kishte marrë më 20 korrik të këtij viti.

Pas këtij vendimi, udhëheqësit e institucioneve të vendit kishin përfolur për përftime të mëdha ekonomike.

Vetëm nga Doganat e Kosovës patën deklaruar se ishin shënuar të hyra deri në 5 milionë euro, ndërkaq, po ashtu ishte konfirmuar edhe interesimi i investitorëve të huaj.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të ketë përftime ekonomike, nëse është ndaluar qarkullimi i lirë i mallrave.

“Unë mendoj që ajo ka qenë marketing politik. Përftime të hyrave buxhetore nga kjo nuk ka hiq, unë mendoj që është dëmtuar. Këtë do ta shohim edhe nga raporti i Doganave të Kosovës sepse sido që të jetë është ndaluar qarkullimi i mallrave”, thekson Shatri.

Pavarësisht faktit që Kosova është bërë pjesë e marrëveshjeve të ndryshme rajonale, në vazhdimësi në tregun kosovar ka pasur bilanc negativ tregtar.

Serbia në Kosovë brenda një viti ka importuar rreth 400 milion euro, derisa Kosova për tre vite nuk ka eksportuar as një mall për shkak se Serbia kishte bllokuar produktet kosovare.

Lidhur me këtë çështje, ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë se derisa importi i Serbisë në Kosovë është dukshëm më i lartë se sa eksporti i Kosovës në Serbi, Qeveria e Kosovës mund të vendosë akcizë në mallra të caktuara.

“Mundemi si shtet të vëmë masa që mund të aplikohen dhe praktikohen të aplikohen ne vendet ku kanë një tregti të lirë, kjo mund të vendoset në formë të akcizës në mallra të caktuara. Dhe kjo nuk mund të shihet me një sy të keq as nga vendet e Bashkimit Evropian dhe çdo vend sovran mund ta bëjë”, thotë Shatri.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Agron Demi thotë për Radion Evropa e Lirë se tani, pas pranimit të vulave të Doganave të Kosovës nga Beogradi zyrtar, qeveria mund të vendosë masa tjera për produkte serbe, masa këto që, siç thekson Demi, do të jenë në favor të ekonomisë kosovare.

“Qeveria e Kosovës sërish do të duhej të vendoste kuota për produktet serbe, sidomos për ato që i konkurrojnë prodhimeve vendore, për arsyeje se është para që këto ditë nuk ka pasur rritje të çmimeve. Dhe kjo do të ndihmonte bizneset vendore. Në anën tjetër, kjo lejohet edhe në marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA”, thotë Demi.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë shpresojnë që së shpejti Qeveria e Kosovës të bëjë një strategji për stimulimin e prodhuesve vendorë dhe po ashtu ata shprehën se edhe vetë konsumatori nuk do të vazhdojë t’i ketë preferencat që i ka pasur ndaj produkteve të Serbisë./botz sot

1,344 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Mos e hapni të parët kufirin!

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Lavdim Hamidi – (E plotësuar) Bashkim Osmani, pronar të kompanisë “Laberion” nga Podujeva, ende nuk mund ta shfrytëzojë territorin e Serbisë si transit për t’i eksportuar prodhimet e tij, pavarësisht se ditë më parë në Bruksel është arritur marrëveshja për pranimin e vulave doganore të Kosovës.

Serbia, ndonëse i ka pranuar vulat e Kosovës, ajo e mban të bllokuar ende eksportin e vendit me vetë faktin se nuk i njeh tabelat e Kosovës, ndonëse marrëveshja për pranimin e tabelave ishte arritur në korrik të këtij viti.

“Edhe nëse i kanë pranuar vulat, ne nuk mund të eksportojmë në Serbi, pasi që nuk i njohin tabelat tona. Marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo të na shkaktojë probleme përsëri me eksport”, shprehet Osmani.

Me vendosjen e embargos ndaj Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, Osmani është dashur ta regjistrojë një biznes në Mal të Zi, nga ku ka bërë rieksport të prodhimeve të tij në Bosnjë e Hercegovinë. Rieksporti, sipas Osmanit, e ka ngritur koston e prodhimeve të tij në treg së paku për 30 për qind.

Të testohet marrëveshja me Serbinë

“Gjatë vitit 2008 në Bosnje kam eksportuar mbi 2 milionë euro prodhime. Eksporti është bërë duke e shfrytëzuar territorin e Serbisë si transit, përderisa nëpërmjet Malit të Zi kostoja e prodhimeve në treg është ngritur për së paku 30 për qind”, shprehet ai.

Edhe përfaqësuesit e biznesit kosovar i rekomandojnë Qeverisë së Kosovës që të mos ngutet ta hapë e para kufirin, edhe pse ditë më parë kanë arritur marrëveshje në Bruksel me palën serbe për njohjen e vulave të doganave të Kosovës.

“Qeveria nuk duhet e para ta hapë kufirin për produktet serbe. Fillimisht duhet ta testojmë a po funksionon marrëveshja me Serbinë, apo jo”, thekson Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Rukiqi pohon se çështja e njohjes së targave të Kosovës ka qenë muaj më parë në tavolinë të bisedimeve me Serbinë, prandaj duhet insistuar që të testohet marrëveshja. “Nëse Serbia i njeh vulat e nuk i njeh tabelat e Kosovës, atëherë marrëveshja nuk është funksionale. Prandaj, edhe ne duhet t’i përgjigjemi me reciprocitet çdo veprimi të Serbisë. Çdo vështirësi që ua krijon Serbia eksportuesve kosovarë, me të njëjtën gjuhë duhet përgjigjur eksportuesve serbë”, shprehet Rukiqi.

Ai pohon se prej 20 korrikut, sa kanë qenë në fuqi masat e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë, është krijuar një kulturë e re dhe konsumatorët kosovarët janë bindur se mund të jetojnë edhe pa produktet serbe, me ç’rast janë bërë zëvendësime me produkte të shteteve të tjera.

Serbia s’mund të kthehet fuqishëm në treg

Sipas përfaqësuesve të biznesit, tashmë ekziston bindja se Serbia s’mund të kthehet prapë fuqishëm në tregun e Kosovës, sepse konsumatorët janë mësuar me mallrat e tjera. Ata thonë se para heqjes së embargos, pala kosovare duhet t’i shtrëngojë kufijtë, t’i kthejë doganierët në pikat 1 dhe 31, të bëjë kontrolle të rrepta me qëllim të luftimit të mallrave kontrabandë, të cilat e kanë dëmtuar me miliona euro buxhetin e vendit.

Në anën tjetër, kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka mbrojtur të shtunën marrëveshjen e arritur në Bruksel dy ditë më parë, duke e cilësuar të rëndësishme për Kosovën, pasi që së shpejti, siç tha ajo, pritet të ketë tregti të lirë midis dy vendeve.

Ajo demantoi deklaratat e ndryshme lidhur me atë se Kosova ka lëshuar pe në këto bisedime, pasi që, sipas saj, vulat që Serbia i ka njohur janë vula siç kanë qenë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Prej vitit 2008 në gjithë territorin e Kosovës vulat janë ‘Doganat e Kosovës’ dhe këtë Stefanoviq dhe pala serbe e ka ditur. Ata e kanë ditur dhe ne u kemi thënë se këto vula njihen nga Bashkimi Evropian, prandaj nëse dikush ka bërë kompromise këtu është Serbia”, ka thënë Tahiri.

Ajo po ashtu siguroi se pikat doganore 1 dhe 31 shumë shpejt do të funksionojnë dhe se me ato do të administrojë Republika e Kosovës.

***

Bashkim Osmani, pronar i kompanisë “Laberion” nga Podujeva, ende nuk mund ta shfrytëzojë territorin e Serbisë si transit për t’i eksportuar prodhimet e tij, pavarësisht se ditë më parë në Bruksel është arritur marrëveshja për pranimin e vulave doganore të Kosovës.

Serbia, ndonëse i ka pranuar vulat e Kosovës, ajo e mban të bllokuar ende eksportin e vendit me vetë faktin se nuk i njeh tabelat e Kosovës, ndonëse marrëveshja për pranimin e tabelave ishte arritur në korrik të këtij viti.

“Edhe nëse i kanë pranuar vulat, ne nuk mund të eksportojmë në Serbi, pasi që nuk i njohin tabelat tona. Marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo të na shkaktojë probleme përsëri me eksport”, shprehet Osmani. M

e vendosjen e embargos ndaj Kosovës nga Serbia dhe Bosnja, Osmani është dashur ta regjistrojë një biznes në Mal të Zi, nga ku ka bërë rieksport të prodhimeve të tij në Bosnjë e Hercegovinë. Rieksporti, sipas Osmanit, e ka ngritur koston e prodhimeve të tij në treg së paku për 30 për qind. /zeri

1,405 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Mimoza e vendosur që reciprocitetin ta çojë deri në fund

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, duke folur për marrëveshjen e arritura me Beogradin për vulat doganore, ka thënë se ajo nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave të reciprocitetit, njofton RTK.

“Vendimi për reciprocitetin ndryshohet në momentin kur vlerësohet plotësimi i të gjitha kushteve. Natyrisht në parim është arritur marrëveshja për pranimin e vulave në formatin siç kanë qenë para tri viteve, që atëherë ishin refuzuar nga Serbia. Pra në formatin e vulave nuk ka ndryshuar asgjë dhe ata i kanë pranuar ashtu”, ka thënë ajo.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, që ka nënshkruar vendimin për reciprocitet, thotë se tani do të shihen të gjitha elementet e implementimit të asaj marrëveshjeje, dokumentacioni për mallrat që e lëshojnë Kosovën dhe procedura të tjera teknike, për të cilat duhet punuar institucionet ditëve në vijim./zeri

1,371 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Pacolli në Bruksel për sigurimet e automjeteve me targa serbe

| Botë, Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Zyrtari i lartë i AKR-së, Rrahim Pacolli ka udhëtuar të dielën në Bruksel, për të zhvilluar bisedime për çështjet e sigurimit të automjeteve të cilat udhëtojnë në Republikën e Kosovës me targa serbe dhe që nuk kanë sigurime adekuate për të udhëtuar në Kosovë.

“Për më shumë se një dekadë automjete me targa të Serbisë kanë shkaktuar miliona euro dëme, ndërsa si pasojë e kësaj, shoqata e Sigurimeve të Kosovës është dashur të mbajë koston kështu duke e paralizuar këtë industri për më shumë se 11 vite”, thuhet në një njoftim të AKR-së.

Rrahim Pacolli, i cili është gjithashtu kreu i shoqatës së sigurimeve të Kosovës, siç thuhet në njoftim, “do të bëjë të qartë se automjetet që hyjnë në Republikën e Kosovës me targa të Serbisë do të duhet të ketë sigurim adekuat për të hyrë në Kosovë”.

“Zyrtari i AKR-së ishte ftuar nga ndërkombëtarët për të marrë pjesë në këto bisedime për shkak të influencës politike dhe ekspertizës së tij në fushën e sigurimeve”, theksohet në fund të komunikatës./zeri

1,001 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Rikthehen ilegalët

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Enis Veliu – Vazhdimi i negociatave politike mes Kosovës dhe Serbisë ka rikthyer sinjalet e operatorëve ilegalë të telefonisë serbe në Kosovë. Sinjalet e operatoreve ilegalë serb, aktualisht mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të rajonit të Gjilanit, një pjesë të rajonit të Dukagjinit, si dhe rajonin e Mitrovicës.

Por, me sinjale më të dobëta, sinjalet e operatorëve ilegalë arrijnë edhe në pjesë tjera të Kosovës. Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), thotë për “Zërin” se te çështja e telekomit gjatë bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ka pasur mospajtime të theksuara.

Hoxha thotë se Serbia edhe më tej operimin e operatoreve të vet në Kosovë e konsideron si legal, pasi që Kosovën e konsideron më kushtetutë, si pjesë territoriale të saj. Ai thotë se për palën kosovare këto operime nga mbarimi i luftës e deri më tash janë ilegale dhe si të tilla kanë dëmtuar në masë të madhe buxhetin e shtetit.

Hoxha thotë se aktualisht ART-ja i disponon të gjitha shënimet rreth vendndodhjes së antenave të operatorëve ilegalë brenda territorit të Kosovës.“Aktualisht veriu vazhdon të jetë aktiv dhe nga antenat që janë të vendosura në veri të vendit sinjalet depërtojnë në brendi të Kosovës, por jo me intensitet shqetësues.

Po ashtu, edhe një pjesë e Istogut me një diameter prej 20 kilometra katrorë mbulohet nga sinjalet e operatorëve ilegalë serb për shkak të operimit të një antene në rajonin e Zubin-Potokut”, tha ai. Sipas tij, po ashtu edhe një pjesë e konsiderueshme e rajonit të Gjilanit është e mbuluar me sinjale të operatorëve ilegalë.

Hoxha thotë se në rajonin e Gjilanit, sinjalet depërtojnë nga antenat që janë të vendosura jashtë kufjeve të Kosovës.“Aktualisht ne i kemi të gjitha të dhënat e sakta, por nuk i shpalosim ato për shkak të operacioneve që ne do të marrim për konfi skimin e tyre”, tha ai. Sipas tij, krahasuar me një vit më parë mbulueshmëria me sinjale ilegale është më e vogël.

Hoxha thotë se përveç operimit të operatorëve ilegalë gjatë negociatave me Serbinë, është diskutuar edhe për licencimin e operatoreve të rinj virtualë, çështjet e pronësisë së infrastrukturës së Telekomit, çështjet e interfrekuencave të operatorëve të licencuar, përfshirë edhe çështjet e brezit radio difuziv. “Gjatë negociatave me Serbinë, është diskutuar edhe rreth çështjes së kodit, marrëveshjes për roming mes operatoreve të dyja shteteve”, tha ai/zeri

1,173 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Komunat mund të mbesin pa 200 milionë €

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Foto: Laura Hasani

Rreth 200 milionë euro grante të qeverisë nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë komunat e Kosovës, për shkak të vonesave që kane qenë në bartje të granteve si pasojë e miratimit të vonshëm të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.

Edhe pse qeveria i ka dërguar me vonesë grantet, ajo është duke bërë përpjekje që t’i kthejë prapa ato 200 milionë euro të tjera të pashfrytëzuara nga komunat.Komunat e Kosovës nuk kanë arritur të shfrytëzojnë sipas planit të paraparë paratë për investime kapitale, kështu kanë filluar shqetësimet e kryetarëve në lidhje me rrezikshmërinë që mund t’i humbin grantet qeveritare, ende pa i shfrytëzuar ato.

Disa kryetarë të komunave kanë bërë me dije se kanë marrë sinjale nga qeveria për kthimin e parave. Ata ankohen se fajin e ka Qeveria, meqë është vonuar me miratim të buxhetit, prandaj sipas tyre tërheqja e këtyre parave nuk është e drejtë, edhe nëse është e lejueshme.

Janë 400 milionë euro grante qeveritare që komunat i kanë marrë këtë vit dhe prej gjithë kësaj shume rreth 200 milionë nuk janë shfrytëzuar, e të cilat do t’i marrë qeveria, bëjnë të ditur burimet e “Zërit” brenda qeverisë. Madje sipas këtij burimi, qeveria veç e ka bërë mirë planin, pasi që dihet se është në deficit të madh dhe këto grante të komunave do t’i ndihmojnë shumë për buxhetin e vitit 2012.

Prishtina shfrytëzoi vetëm çerekun e granteve

Sipas po të njëjtave burime, më së keqi i ka punët komuna e Prishtinës, e cila vetëm 25 për qind i ka të shfrytëzuara grantet qeveritare. “Prishtina ka shfrytëzuar vetëm 25 për qind të granteve qeveritare për këtë vit, dhe asaj i ka mbetur shumë pak kohë për të shfrytëzuar pjesën e mbetur. Andaj, Qeveria e ka të drejtën që kur të bëjë rivlerësimin e shfrytëzimit të granteve qeveritare nëpër komuna, ato para që nuk janë shfrytëzuar t’i rikthejë në buxhet të shtetit”, ka bërë të ditur burimi i gazetës.

Edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shpreh shqetësimin për këtë gjendje. “E dimë se grantet qeveritare për projekte kapitale komunat këtë vit i kanë marrë vonë, shkaku i vonesës së krijimit të Qeverisë. Dhe tani ekziston rreziku që paratë që nuk janë shfrytëzuar, ashtu siç është paraparë me plane, të tërhiqen prej qeverisë”, tha Ibrahimi për “Zëri”.

Ai ka shtuar se komunat nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë projektet për gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, sepse buxheti është aprovuar në mars ndërsa grantet komunat i kanë marrë në prill. “Në tetor kur të bëhet rivlerësimi i shpenzimeve, ekziston mundësia që qeveria t’i marrë paratë e pashfrytëzuara”,tha më tej ai.

Qeveria dërgon sinjalin tek komunat

Kryetari i komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, ka bërë të ditur se Qeveria tashmë ka filluar të japë shenjat paralajmëruese nëpër komuna për tërheqjen e granteve të pashfrytëzuara. Ai ka bërë me dije për “Zëri” se para disa dite Agjencioni i thesarit të Kosovës i ka dërguar një letër me anë të së cilës i ka kërkuar Kuçit që t’i kthejë përgjigje lidhur me planet e komunës së Suharekës për projektet që ka në plan t’i nisë në muajin tetor dhe nëntor të këtij viti.

“Me këtë letër kam frikë se kanë deshur të më bëjnë me dije se do t’i marrin paratë e projekteve që ende nuk i kemi shfrytëzuar. Sido që të jetë, neve na mbetet që të bëjmë kërkesë në Misnitri të Ekonomisë, që grantet e pashfrytëzuara të na lejojnë me i shfrytëzu në vitin fiskal 2012”, tha Kuçi.

Ai shtoi se vonesa e aprovimit të buxhetit për 4 muaj këtë vit ka vështirësuar që komunat të menaxhojnë planet brenda këtij viti fiskal. Megjithatë kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, thotë se edhe nëse Qeveria do të marrë paratë e pashfrytëzuara, ky aplan nuk do ta përfshijë edhe komunën që ai udhëheq.

Kjo pasi sipas tij, komuna e Gjilanit ka kryer shumë procedura tenderuese para se t’i marrë grantet qeveritare, kështu që kur i ka marrë ajo menjëherë i ka shfrytëzuar. “Është e vërtetë se Qeveria është vonuar, por nuk e ka fajin ajo, sepse komunat kanë pas mundësi që me udhëheqë me procedura të prokurimit, tenderit qysh në fillim të vitit, dhe pastaj me i bë pagesat, ashtu siç kam vepruar vetë unë”, tha Mustafa./zeri

797 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Punësohen 150 veta nga trajnimet e USAID

| Ekonomi, Kosovë | 5 September 2011

Në një ceremoni të organizuar të premten, USAID ka shënuar përfundimin e raundit të tretë të programit të praktikës që rezultoi me punësimin e 150 të rinjve në kompani të ndryshme në tërë Kosovën.

Programi i praktikës është financuar nga USAID, në kuadër të Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë. Programi ka përfshirë trajnimin profesional në kontabilitet dhe financa të zbatuar nga asociacioni AFAS si dhe gjetjen e kompanive për të përfunduar praktikën.

“Ky program i praktikës në kontabilitet dhe financa ofron një mundësi të shkëlqyeshme për të rinjtë që të marrin dijeni teknike të cilat janë shumë të kërkuara dhe të cilat mund t’i aplikojnë në vend të punës.

Këto programe ofrojnë përvojën e parë të punës për të rinjtë”, tha Craig Buck, ushtruesi i detyrës i drejtorit të USAID. Në ceremoni 300 pjesëmarrës të programit kanë marrë certifikata të përfundimit të trajnimit dhe praktikës.

Të gjithë 300 kosovarët e rijnë, studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë marrë pjesë në program janë zgjedhur në bazë të notave të tyre. Pas trajnimit biografitë e studentëve janë dërguar në më shumë se 20 kompani të ndryshme private.

Të gjithë studentët që kanë bërë praktikë janë paguar për punën e tyre gjatë praktikës. Menjëherë pas përfundimit të praktikës gjysma e studentëve kanë pasur oferta të menjëhershme për të filluar punën në kompanitë ku ka qenë të vendosur.

Ky është viti i tretë i këtij programi të financuar nga USAID. Gjatë programit mbi 650 persona kanë kaluar nëpër trajnime dhe nëpër programe të praktikës në sektorin privat. Gjatë secilit vit punësimi i menjëhershëm i pjesëmarrësve ka qenë mbi 50 për qind./zeri

1,112 shikime gjithsej, 1 shikime sot