Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

A do të prodhojë Kosova U-phone?

| Ekonomi, Kosovë | 12 June 2011

Kompania Unicom nga Kina ka marrë të drejtat që të zgjedhë sistemin operues të telefonave mobilë. Duke marrë këto të drejta, Unicom mendon të mbulojë një pjesë të madhe të kontinenteve me produktet e saj. Për të vazhduar këtë, Unicom China ka shpjeguar se do të mbështetë produktet telefonike në Kosovë. Duke i dhënë vlerë të madhe personelit dhe nevojës për punë, Kosova është një ndër vendet më strategjike që do të përzgjidhej për prodhimin e këtyre telefonave mobile, transmeton Ina online.

Arsyeja e orientimi drejt Kosovës është jo vetëm rritja e ekonomisë kosovare, por edhe konkurrentshmëria e Kosovës në tregun evropian të punës.

Bazuar në cilësinë e I-Phone, Unicom do të ishte në gjendje të prodhoj po të njëjtin produkt i cili do të kushtonte vetëm 10 për qind nga shuma e një telefoni I-Phone.

Cilësia e këtij produkti do të ishte standarde me produktet e kompanive tjera të njohura në botë, ndërsa si sistem do të zgjidhej sistemi “Android”. Kështu, një telefon i prodhuar në Kosovë do mbante emrin U-Phone dhe do të prodhohej me licencën e kompanisë Huawei.

Menaxheri gjeneral i kompanisë UNICOM, Zhang Zhijang ka sqaruar se një mundësi tejet e madhe do të ishte edhe marrja e tërë sistemit telefonik të Kosovës, ku konkurrenca nuk do të kishte shanse të përballojë produktet, qoftë ato materiale apo ato virtuale.

1,135 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Tregtia Shqipëri-Kosovë, vonesa në kufi

| Ekonomi, Kosovë | 12 June 2011

Konfederata e Prodhuesve Shqiptarë, duke konstatuar vonesa të vazhdueshme që u shkaktohen bizneseve në pikat kufitare të Shqipërisë me Kosovën, e veçanërisht në doganën me fluksin më të lartë të përpunimit të mallrave atë të Morinës kërkon nga autoritet e të dyja vendeve të marrin masa për përmirësimin sa më shpejt të situatës, e cila për konfindustrian është e papranueshme.

Sipas biznesit shqiptar vonesat në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë i japin goditje të rënda, afatgjatë dhe të njëkohëshme ekonomive të dy vendeve duke renditur disa arsye.

Sipas biznesit rritja e kostove të shpërndarjes dhe transportit ul ndjeshëm fuqinë konkurenciale të prodhimeve dhe shërbimeve të Shqipërisë dhe Kosovës duke i dhënë përparësi vendeve të treta konkurrente në tregti në rajon.

Sipas konfindustrias rritja e paarsyeshme e kostove të transportit si pasoje e vonesave doganore vetëm për shkaqe lehtësisht të parashikueshme dhe të zgjidhshme është goditje e pastër, që i jepet krijimit të Tregut të Përbashkët Shqiptar prej 7 milion konsumatorësh si qëllimi strategjik dhe mundësia më e mirë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas konfidustrias është krejtësisht e papranueshme, që tashme qe infrastruktura fizike rrugore, që lidh bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës të jetë e ndërtuar dhe koha e përgjithshme e transportit të mbetet pothuaj e njëjtë si përpara ndërtimit të Rrugës së Kombit vetëm për shkaqe njerëzore lehtësisht të tejkalueshme.

Sipas biznesit bllokimi i kësaj rruge ul ndjeshëm interesin për bizneseve rajonale te Europës Juglindore për shfrytëzimin e porteve të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, etj. dhe porteve të tjera shqiptare në favor të vendeve të tjera të rajonit si Selanikut, Pireut, Tivarit, etj. Duke sjellë për pasojë humbje të mëdha finaciare për ekonominë kombëtare. /tch/

1,238 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Nxehtë me çmime

| Ekonomi, Kosovë | 12 June 2011

Sezoni veror, përveç temperaturave të larta, do të jetë i nxehtë edhe për nga çmimet e fluturimeve me aeroplan. Mesatarja e një bilete kthyese është afër 500 euro për vendet si Gjermania e Zvicra. Çmimet nuk kanë lëvizur, pavarësisht faktit se sivjet u rrit konkurrenca. Kompanitë ajrore arsyetohen me mungesën e pasagjerëve.

Nga Agon Sinanaj

Bileta kthyese për vendet si Gjermania e Zvicra edhe sivjet do të arrijë afër 500 euro. Së paku kjo është oferta fillestare që e kanë postuar në çmimoret e tyre me tepër se 20 kompani ajrore që operojnë në Kosovë.
Në fakt, kështu ishte edhe sezonin e kaluar, veçse dallimi është se sivjet konkurrenca është rritur e çmimet kanë mbetur të njëjta.

Kompanitë i arsyetojnë çmimet e larta me atë se nuk ka numër të mjaftueshëm të pasagjerëve. Ndërkohë, jozyrtarisht ato pranojnë se Kosova ka çmimet e biletave me të shtrenjtat në rajon.

Si zakonisht, dy vendet me fluksin më të madh të udhëtarëve, Gjermania e Zvicra, edhe sivjet do të prijnë për nga çmimet e shtrenjta. Mesatarja e biletës kthyese për Gjermani do të sillet nga 221.99 euro deri në 477.99 euro, ndërkohë që për Zvicër çmimi maksimal do të jetë 411.99 euro.

Sa më afër sezonit veror, çmimet rriten. Shembull, aktualisht çmime i një bilete kthyese për qytetet italiane kushton 190 euro, kurse gjatë sezonit në çmimoret e kompanive vlen çmimi 220 euro. Kështu është edhe me vendet tjera.
Përkundër kësaj, kompanitë ajrore e mohojnë se çmimet e biletave janë të larta.
Albion Idrizi, drejtor i agjencisë “Air Prishtina” për Kosovë, madje thotë se ato janë tepër të ulëta në këtë kohë. “Nuk ka çmime të larta në Kosovë. Unë mendoj se më tepër është iluzion sesa që ka çmime të shtrenjta në vendin tonë. Ne kemi ulur deri në 70 për qind çmimin e biletave”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse dikush do të rezervonte biletën një apo dy muaj më herët, mund ta marrë me çmimin 150 deri në 250 franga dhe ky çmim, thotë ai, nuk është i lartë.
Për më tepër, ai ka shtuar se kjo agjenci në çmimin e biletave po ashtu ka të përfshira të gjitha gjërat dhe pasagjeri nuk paguan bagazh dhe ushqimin në aeroplan.
“Tregu kosovar është shumë konkurrues dhe për këtë edhe ka rënie të çmimeve”, ka thënë Idrizi.
Ndërkaq, Naim Ejupi nga agjencia “Eurokoha” pranon se krahasuar me vitin e kaluar, nuk ka ndonjë dallim të madh në çmimin e biletave. Sipas tij, aktualisht bileta kthyese Prishtinë-Cyrih-Prishtinë me “Airberlinin” kushton rreth 250 euro, ndërsa me “Swiss” afër 350 euro.

Sidoqoftë, Ejupi thotë se çmimet nuk janë aq të ulëta sikurse po i promovojnë disa nga agjencitë turistike. “Ka kompani që i promovojnë çmime tjera, ndërkohë bileta e tyre shkon deri në 850 franga”, ka thënë Ejupi. Sipas tij, ka edhe prej kompanive që nuk janë të regjistruara fare në Kosovë, duke iu ikur kështu taksave.

Megjithatë, edhe pse jo zyrtarisht, ka edhe nga agjencitë turistike që pranojnë se Kosova ka biletat më të shtrenjta në rajon. Për këtë japin disa arsye, siç është problemi i vizave që po e ulë gjithnjë e më shumë numrin e pasagjerëve.
Për këtë arsye, si kompensim për numrin e vogël të udhëtarëve po e rrisin çmimin e biletës.

“Ne punojmë me humbje, sepse e kemi një aeroplan që ka 150 vende, e nuk i kemi aq udhëtarë. Ne si agjenci duhet të paguajmë aeroplanin për të gjitha vendet dhe kjo na ka shkaktuar humbje”, ka sqaruar pronari i një agjencie turistike.
Aktualisht janë 19 kompani ajrore që operojnë në Kosovë, por ky numër mund të ndryshojë varësisht prej sezonit veror.

Ndryshe nga agjencitë turistike, janë qytetarët ata që po e bartin barrën e lartë të këtyre çmimeve. Berat Balaj, i cili jeton në Frankfurt të Gjermanisë, thotë se biletat për Kosovë janë më të shtrenjtat në rajon. Ai kërkon nga institucionet që të ndërhyjnë në këtë punë.

“Biletat janë shumë të shtrenjta dhe duhet të bëhet diçka, andaj unë kërkoj nga rregullatori i konkurrencës që të ndërhyjë dhe të bëjë diçka”, ka theksuar Balaj.
Hall pothuajse të njëjtë ka edhe Ibrahim Ademi. “Këta të agjencive na mbytën, këta nuk i këqyrin interesat e qytetarëve, por vetëm të vetat. Kërkund në botë nuk luan bileta me 500 euro diferencë”, thotë Ademi.

Agjencitë turistike gjithashtu e shohin të nevojshme që Kosova të ketë një avio-kompani të veten, pasi kjo do të ndikonte pastaj në uljen e çmimit të biletave, por edhe do ta ndihmonte drejtpërdrejt shtetin./Express

1,260 shikime gjithsej, 1 shikime sot