Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Paga mesatare në Mal të Zi – 475 euro

| Ekonomi, Mali i Zi | 23 July 2011

Paga mesatare në Mal të Zi në qershor, pa tatimin dhe kontributet e tjera, ishte 475 euro, bën të ditur Enti i Statistikave i Malit të Zi.

Vlera e shportës së konsumatorit në qershor të vitit 2011 në krahasim me atë të qershorit të vitit 2010 është më e lartë një për qind.

1,499 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kosova pa preferenca tregtare, miliona humbje

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Tani shtatë muaj Kosovës i mungojnë preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Humbjet ekonomike, sipas përfaqësuesve të bizneseve janë disa milion euro. Ata kërkojnë masa urgjente nga institucionet e Kosovës.

Produktet kosovare që nga fillimi i këtij viti nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian, pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Përfaqësues të bizneseve thonë se më ndërprerjen e preferencave tregtare, Kosova ka humbur milion euro eksport.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radio Evropa e Lirë se mungesa e preferencave ka bërë që shumë kompani të humbin një pjesë të madhe të tregjeve të eksportit.
“Preferencat tregtare të cilat Kosova i ka gëzuar për më tepër se 10 vite, të cilat nuk janë vazhduar në fund të vitit të kaluar, në ekonominë kosovare, kanë pasur një ndikim negativ. Kjo ka bërë që Kosova të humb disa milionë euro eksport, ndërkaq disa kompani janë në një pozitë të palakmueshme, pasi që ato kanë pasur treg vetëm në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Shahini.
Përveç efekteve negative që janë shkaktuar në eksport, sipas Shahinit ndalimi i preferencave ka pasur ndikim edhe në efektin e punësimit, në pozitën konkurruese, si dhe në humbjen e partnerëve.
Ai thekson se institucionet vendore dhe ndërkombëtare, deri më tani nuk kanë bërë asgjë që këto preferenca të vazhdohen.

“Mbetet që më tutje të bëhet presion nëpër institucionet ndërkombëtare për të vazhduar këto preferenca, pasi që këtë vit Kosovën po e përcjellin ngjarje jo të mira, raporte jo të mira, suspendimi nga programet financiare dhe të gjitha këto, bëjnë që Kosova edhe ekonomia e saj të jetë për çdo vit më e dobët”, shtoi ai .

Një ndër bizneset e shumta të cilat kanë pësuar nga mos vazhdimi i preferencave tregtare është Vreshtaria dhe Veraria “Stone Castle” në Rahovec.

Menaxheri i kësaj kompanie, Shani Mullabazi, thotë se humbjet në këtë kompani janë shumë të mëdha, pasi që me produktet e tyre, tani janë jo konkurrues.

“Kështu jemi jo konkurrues edhe në rajon, pasi që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje të stabilizim asocimit, dhe si refleksion të kësaj, eksportojnë në Bashkimin Evropian me preferenca, pa pagur dogana. Ne jemi të vetmit që paguajmë taksë doganore dhe që blerësit tonë janë të detyruar të paguajnë 10 euro për litër të vërës”, tregon Mullabazi.

Hapat e marrë nga Qeveria e Kosovës për vazhdimin e këtyre preferencave tregtare, sipas Shani Mullabazit kanë qenë pa rezultate.

“Rezultate konkrete nuk ka, duhet ndërmarrë sa më shumë aktivitete. Pasi që kemi prezencën e ndërkombëtareve, duhet përdor çdo mjet komunikimi, në mënyrë që të bindim dhe të na mundësojnë zhvillimin ekonomik, pasi që pa zhvillim ekonomik ky vend nuk ka të ardhme”, thotë ai.

Në anën tjetër, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë kohë më parë, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se institucionet e BE-së po mundohen që përmes Komisionit Evropian të arrijnë një konsensus, që në shtator të këtij viti, kjo çështje të zgjidhet.

Ndryshe, sipas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë, Kosova nuk gëzon këto preferenca si rrjedhojë i një problemi politik, i cili është iniciuar prej vullnetit të mirë të Mbretërisë së Shteteve të Bashkuara, për të ndërruar denominimin e Kosovës, gjegjësisht jo të jetë e thirrur si Kosovë sipas rezolutës 12 44, por të jetë e thirrur si Kosovë pa ndonjë paragjykim ndaj statusit.

951 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitete për të tërhequr fonde nga bota

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka treguar rezultate të mira në tërheqjen e fondeve të ndara nga mekanizmat ndërkombëtarë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Alban Hashani nga Instituti “Riinvest”, konsideron se absorbimi i fondeve është një çështje e rëndësishme në rrugën drejtë integrimit në BE.

Sipas tij, shumica e vendeve të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë investuar shumë në ngritjen e kapaciteteve për të marrë këto fonde, gjë që, siç thotë Hashani, Kosova nuk e ka bërë.

“Në këtë kuadër mendoj se në Kosovë është bërë shumë pak që të krijohen kuadro të mjaftueshme për t’i tërhequr sa më shumë fondet e tilla. Unë konsideroj se edhe projektet e tilla brenda qeverisë që financohen nga buxheti i Kosovës, nuk kanë mekanizma të mjaftueshme, që do të siguronin që këto projekte do të realizohen ashtu siç është paraparë”, thotë Hashani.
Ndërkohë, zyrtarë të Komisionit Evropian kanë deklaruar se për t’i tërhequr 203 milion euro, Qeveria e Kosovës duhet të përpilojë projekte konkrete në fusha të caktuara.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se këto fonde në periudhën 2011-2013, do të derdhen për vazhdimin e reformave në sektorin e gjyqësisë, administratën publike, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se Kosova asnjëherë nuk është treguar serioze në tërheqjen e fondeve të cilat kanë ardhur nga mekanizma të ndryshëm financiarë ndërkombëtarë.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP shprehet:
“Në qershor të këtij viti ka përfunduar afati kohor preje tre viteve që nga konferenca e fundit e donatorëve, ku komuniteti ndërkombëtar i kishte premtuar Kosovës 1.3 miliardë euro donacione. Tash kanë kaluar tre vjet dhe nuk e dimë për çfarë janë shpenzuar ato mjete, a janë ardhur të gjitha, dhe në çfarë drejtimi kanë shkuar, kjo për faktin që Qeveria e Kosovës nuk ka një zyre që menaxhon donacionet”.

Moskrijimi i mekanizmave për tërheqjen e fondeve të ndërkombëtare, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka bërë që Kosova të pësojë humbje të mëdha.
Agron Demi thotë se ka raste të shumta, ku Kosova ka humbur fondet që kanë qenë në dispozicion për të.

“Mungesa e planifikimeve të mira nga Qeveria e Kosovës po bën që fondet ndërkombëtare të cilat janë të dedikuara për Kosovën, po vinë duke u zvogëluar prej vitit të vit, dhe kjo po bën që Kosova të humbas këto fonde, pasi që qeveria nuk ka një planifikim afatgjatë edhe korniza afatmesme e shpenzime e cila kurrë nuk zbatohet. E gjithë kjo po humb edhe besimin edhe tek organizatat e donatorëve”, shprehet Demi.

Edhe Alban Hashani, nga Instituti “Riinvest”, thekson se humbjet janë të mëdha si në aspektin ekonomik edhe në atë politik.

Ai thotë se qeveria duhet të krijojë mekanizma që do të punojnë në tërheqjen e këtyre fondeve.

“Kosova humb shumë në tërheqjen e këtyre fondeve para anëtarësimit, për arsye se për këto fonde konkurrojnë edhe vendet tjera e që shumë prej tyre janë futur në garë shumë më herët se sa ne. Dhe rrjedhimisht ne duhet të përshpejtojmë hapat që të tërheqim fonde të tilla”, thekson ai.
Ndryshe, përveç ndihmës financiare nga Komisioni Evropian, pas ndërprerjes së marrëveshjes nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, mbështetje materiale dhe teknike ka premtuar edhe Banka Botërore, por që ende nuk e ka saktësuar shumën e mjeteve.

948 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Shpallet vala 51-të e privatizimit

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot zyrtarisht ka shpallur valën 51 të privatizimit të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH), të cilat tenderohen për privatizim.

Lista e tenderëve për privatizim për valën 51 përmban 30 Ndërmarrje Shoqërore (NSH) prej të cilave janë krijuar 42 Ndërmarrje të Reja .
Të gjitha këto Ndërmarrje të Reja do të privatizohen përmes Spin off-it të rregullt.

Afati i fundit për parakualifikim do të jetë dita e mërkurë, 10 gusht 2011.
Dita për dorëzimin e ofertave do të jetë më 17 gusht 2011, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë duke filluar nga ora 12:30.

1,284 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rritja e akcizës zvogëlon numrin e duhanpirësve

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Kosovarët vazhdojnë të jenë konsumatorë të mëdhenj të duhanit. Mbi 8 milionë cigare thithen në ditë nga kosovarët. Ligji i duhanit, gjashtë muaj pas, nuk ka dhënë ndonjë efekt në zvogëlimin e konsumit të duhanit. Importi i duhanit edhe këtë vit ka shënuar rritje.

“Ligji i duhanit nuk është duke u respektuar në masën e dëshiruar. Ka shkelje të ligjit si në institucionet publike, ashtu edhe në vendet tjera publike”, thotë Shkumbin Spahija, udhëheqës i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim që po monitoron implementimin e këtij ligji.

Deri më tani pothuajse fare nuk janë shqiptuar dënimet për mosrespektimin e këtij ligji, që ka filluar së zbatuari në fillim të këtij viti. Inspektorët sanitarë të komunave kanë shqiptuar kryesisht vërejtje. Lokalet hoteliere kanë vendosur mbishkrime që tregojnë ndalimin e pirjes së duhanit në 70 për qind të lokalit, por kjo shumë pak po zbatohet. Ndarja fizike e hapësirave për pirje dhe mospirje të duhanit është një praktikë që ka dështuar edhe në shtetet që prijnë me vetëdije qytetare për respektimin e ligjit.

“Zbatimi i ligjit të duhanit është një proces dhe kërkon kohë dhe një qasje më proaktive të institucioneve. Qendra jonë është duke implementuar një projekt që ka për qëllim të zvogëlojë dhe parandalojë pirjen e duhanit në Kosovë dhe shumë shpejt në kuadër të këtij projekti do të formohet edhe një koalicion kombëtar antiduhan për të ushtruar ndikim në zbatimin e Ligjit të duhanit, thotë Spahija.

Një prej mjeteve më efikase për parandalimin e pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe uljes së pirjes së duhanit, sipas Spahiut,është ngritja e akcizës.

“Ngritja e akcizës për duhanin inkurajohet dhe kërkohet nga Konventa për Kontrollin e Duhanit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konkludimi i së cilës rekomandohet nga vendimi i Këshillit Evropian. Sipas studimeve të kryera në vendet e BE-së, çdo ngritje e akcizës për 10 për qind shkakton ulje të konsumit të duhanit për 4 për qind”, thotë Spahija.

Momentalisht akciza në Kosovë për 1 kilogram është 25 euro, ndërsa në vendet e BE-se akcizën më të ulët e ka Polonia, ku për 1 kilogram paguhet akciza prej 64 eurosh,e cila shkon deri në 261 euro për 1 kilogram në Irlandë, që është më e larta për BE.

“KADC-ja këshillon rishikimin e tarifës së akcizës në Kosovë dhe rekomandon një ngritje të akcizës se duhanit nga 25 euro në së paku 35 euro deri në vitin 2013”, thotë Spahija

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa, të hënën do të diskutojë ndryshmet e Ligjit që rregullon akcizën e duhanit. Deputeti Naser Osmani, nënkryetar i këtij komisioni, thotë se ligji i akcizës ka pasur disa ndryshime dhe pritet që nesër të diskutohet në komision.

“Varet nga Qeveria se sa do të përcaktojë akcizën në duhan, derisa ne do të diskutojmë ndryshimet e ligjit”, tha Osmani.

Duke u bazuar në të dhënat e Doganave të Kosovës për vitin 2010 në Kosovë janë importuar 3 milionë e 85 mijë kilogramë duhan që përafërsisht i bie rreth 423 mijë pako cigare në ditë. Nga akciza e duhanit, buxheti i Kosovës për vitin 2010 ka përfituar 69 milionë e 948 mije euro.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, thotë se një ngritje e akcizës së duhanit në 35 euro do t’i sillte buxhetit të Kosovës një rritje vjetore prej 28 milionë eurosh dhe do të zvogëlonte për 50 mijë veta numrin e duhanpirësve në Kosovë.

“Dobitë nga ngritja e akcizës janë të shumëfishta, si në aspektin financiar, po ashtu edhe në aspektin e shëndetit të njeriut. Kështu do të ulej rrezikshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri, shkaktari më i shpeshtë i të cilave është pirja dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit. Në të njëjtën kohë do të ulej kostoja buxhetore e qytetarëve dhe shtetit për trajtimin e këtyre sëmundjeve, si dhe do të rritej vlera vjetore e buxhetit të Kosovës”, thotë Spahija.

1,172 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Pronarët e kompanive të naftës kushtëzojnë Administratën Tatimore

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Kompanitë e naftës i kanë kërkuar Administratës Tatimore që shpenzimet për arka fiskale t’u kompensohen me arsyetimin se ky favorizim i tatimpaguesve të mëdhenj do të ishte në të mirë të shtetit, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore. Zyrtarët e ATK-së i kanë dërguar një shkresë Ministrisë së Financave për të shqyrtuar kërkesën e naftëtarëve që sipas biznesmenit Nazmi Bytyçi ka dalë nga negociatat që janë zhvilluar mes Administratës Tatimore e Shoqatës së Kompanive të Naftës. Bytyçi, që drejton këtë shoqatë, ka deklaruar se për çështjen e fiskalizimit deri më tash janë zhvilluar dy takime me zyrtarët e ATK-së. Në këtë tavolinë bisedimesh, sipas tij, janë diskutuar kushtet e kompanive të naftës për t’u pajisur me arka fiskale.

“Naftëtarët kërkojnë që t’i kompensohen nga Qeveria shpenzimet që krijohen nga procesi i fiskalizimit pasi që sipas tyre janë tatimpagues që kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit”, ka deklaruar Bytyçi. Arsye tjetër, sipas tij, janë edhe shpenzimet e mëdha që i krijohen një kompanie të naftës nga pajisja e çdo pompe të derivateve të naftës me arkë fiskale.

“Ne gjendjen që e kemi është edhe në të mirën e ATK-së të bëhet rimbursimi”, ka thënë Bytyçi. Në këto takime me ATK-në, sipas kreut të naftëtarëve, është diskutuar edhe çështja e specifikave teknike të arkave fiskale që duhen të pajisen kompanitë e naftës.

“Çdo pikë karburanti e ka edhe një market dhe duhen të merren parasysh specifikat teknike të çdo kompanie të naftës për t’u pajisur me arka fiskale”, ka shtuar ai.

Kusht tjetër i naftëtarëve për të ecur mirë procesi i fiskalizimit është edhe luftimi i kontrabandës së naftës në pjesën veriore të vendit. Këtë, sipas tyre, fillimisht duhet ta bëjë shteti dhe më pastaj t’i fiskalizojë bizneset e ligjshme që merren me tregtinë e naftës.

“Ka raste kur një veturë dhjetëra herë brenda ditës nga pjesa veriore fut naftë në pjesën tjetër. Aty e blen me çmim shumë të lirë dhe e shet në pjesën tjetër. Kjo mënyrë e kontrabandës e dëmton biznesin e ligjshëm”, ka deklaruar Bytyçi.

Drejtori i Administratës Tatimore, Bexhet Haliti, dhe ministri i financave, Bedri Hamza, nuk kanë kthyer përgjigje rreth kërkesave të kompanive të naftës.

1,003 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëria do përfshihet në TransAdriatik

| Ekonomi, Shqipëri | 18 July 2011

Autoritetet në Shqipëri po përgatiten që ta përfshijnë vendin në njërin prej rrjeteve më të fuqishme të tranzitimit të gazit nga Deti Kaspik për në kontinentin europian. Projekti i TransAdriatikut me një gjatësi prej 520 km do te kaloje nga Greqia në Shqipëri dhe përfundon në Itali, raporton DW.

Lufta për të siguruar burime energjitike të qëndrueshme mbetet një nga sfidat strategjike globale. Për Bashkimin Europian gazi si një ndër burimet energjitike më të lira në kosto ka përvijuar tre projekte për ndërtim rrjetesh të reja të furnizmit për shtetet anëtare, të cilat kanë si burim kryesor Detin Kaspik. Kjo shikohet dhe si një përpjekje konkrete për të evituar dhe amortizuar varësinë energjitike nga Rusia apo Afrika. Gara për ndërtimin e njërit prej këtyre projekteve që mbështeten fuqishëm nga BE-ja po ndiqet me interes dhe nga autoritetet zyrtare në Tiranë.

Dorian Duçka, drejtor i Drejtorisë së Projekteve në Ministrinë e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, METE, thotë për DW se tre projektet janë ai NABUKO, që përfshin Turqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë dhe përfundon në Vienë, me një gjatësi 4 mijë km; është projekti ndërlidhës ITGI, që e ka origjinën po nga Turqia dhe më pas vijon në Greqi e përfundon nëpërmjet Igumenicës në Itali me më shumë se 800 km gjatësi; dhe projekti i tretë është ai që mbështetet nga kansorciumi i tre gjigandëve të gazit në Europë, që janë STATOIL nga Norvegjia, EGL nga Zvicra dhe E-ON Ruhrgaz nga Gjermania.

“Pikërisht projekti i tretë që quhet dhe tubacioni i TransAdriatikut, TAP, me shtrirje 520 km përfshin dhe territorin shqiptar. Pasi ai tranziton nga Greqia për në Shqipëri dhe përfundon në Itali”

Sipas Duçkës eksprtët e shikojnë këtë variant të tretë si projektin më ekonomik.

“Konsidorohet si më i lirë në kosto, zonat nëpër të cilat kalon, përgjatë vijës detare e bëjnë më të sigurtë. Në të njëtën kohë fuqia ekonomike për zbatim është me e lehtë, pasi mbështetet nga kompani serioze në fushën financiare”.

Interesi i jashtëzakonshëm i autoriteteve dhe ekspertëve në Shqipëri për rastin e ndërtimit të variantit TAP është sepse ai pritet të shoqërohet me një sërë përfitimesh konkrete.

“Sepse së pari, ajo përfshihet si një nyje kryesore e gazit në ‘unazën perëndimore’ të Europës Jugore. Së dyti, Shqipëria përfiton një shumë të madhe financiare nga renta e kalimit të gazit në tubacion. Së treti, mund të përfitojë nga burimi i lirë i kësaj lëndë për t’u përdorur si lëndë energjie në interesa të mëdha, si psh në TEC-in e Vlorës, ku mund të prodhohet energji mjaft e lirë. Së katërti, konsumatori shqiptar përfiton gaz dhe energji të lirë, krahasuar me energjinë elektrike apo burimeve të tjera.”

Gjithashtu ekspertët mendojnë se kalimi i gazjellësit në territorin e Shqipërisë bën real dhe ndërtimin e rrjetit të ri të gazit të quajtur “Tubacioni i Jon-Adriatikut”. Në këtë mënyrë bëhet e mundur qarkullimi i gazit nga zona e Fierit drejt Splitit në Kroaci.

“Nga kjo përfitojnë gazifikimin dhe vende të tjera të rajonit si Mali i Zi, Kosova, Bosnja etj. Pra, kalimi i TAP nëpërmjet Shqipërisë realisht e shndërron atë në një nyje kryesore të transmetimit të gazit në Ballkanin Përendimor”, thotë Dorian Duçka për DW.

Gjithësesi konkretizimi i përzgjedhjes së projektit fitues do të behët në vjeshtën e këtij viti, duke përcaktuar zyrtarisht nëse NABUKO, ITGI apo TAP do të tranzitojnë gazin nga Deti Kaspik për në kontinentin europian nëpërmjet rrjetit më efektiv për konsumatorin europian.

1,268 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Vit i bereqetshëm, priten 300 mijë tonë grurë

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kanë vizituar të shtunën parcelën e mbjellë me grurë të fermerit Skënder Hyseni në fshatin Rufc të Ri.

Thaçi tha se sezoni i sivjetmë i korrje-shirjeve të grurit është sezoni më i suksesshëm që kemi pasur deri më tani, në arritjen e rendimenteve të larta në sektorin e drithërave. “Sezoni e korrje-shirjeve të sivjetme është sezon e rekordit për Kosovën, qoftë në procesin e korrje-shirjeve, qoftë në sasinë e grurit që jemi duke e grumbulluar apo edhe në cilësinë e lartë të tij”, tha kryeministri, duke shtuar më tej se ndjehet mirë që “Qeveria e Kosovës ka arritur të krijojë kushte dhe mundësi më të mira për të gjithë fermerët kosovarë dhe se me mundësitë dhe kapacitetet qeveritare do të vazhdojë ta fuqizojë edhe më shumë mbështetjen për sektorin e bujqësisë”, thuhet në komunikatën zyrtare të MBPZHR-së.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se sivjet është rritur mbështetja financiare për këtë ministri në 3.2 milionë euro për mbjelljet vjeshtore të grurit, si dhe ka rritje të sipërfaqes së mbështetur me pagesa direkte për 31.6% dhe ngritje të standardit të përkrahjes financiare në 100 euro për një hektar të mbjellë me grurë. “Deri më tani janë korrur rreth 50 % e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe rendimenti mesatar i arritur lëviz 4-5 tonë për një hektar. Sipas trendit të deritanishëm, sivjet besojmë që prodhimi i brendshëm do arrijë t’i plotësoj mbi 70% të nevojave konsumuese, por kjo saktësisht do të dihet vetëm pasi të mblidhet në tërësi gruri”, tha Stavileci.

Prodhimtaria mesatare e grurit sillet prej 250 000-280 000 tonë, kurse sivjet parashihet të arrijë në rreth 30 000 tonë, kurse nevojat e Kosovës për grurë silen rreth 410 mijë tonë. Ministria e Bujqësisë fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha e ka mbështetur me gjithsej 500 000 euro për subvencionimin e derivateve të naftës së autokombajnerëve dhe çmimi fiks që duhet ta paguajnë fermerët është 100 euro për një hektar të korrur.

1,072 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Familjarizmi, ryshfeti dhe përkatësia partiake –

| Ekonomi, Kosovë | 18 July 2011

Lidhjet familjare, anëtarësia partiake dhe ryshfeti janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik, thuhet në hulumtimin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP).

Në një anketë të realizuar me 1 500 qytetarë, në pyetjen se çfarë vlen më shumë kur kërkohet punësim në sektorin publik, vetëm 15 për qind prej tyre besojnë se arsimimi është i rëndësishëm kur kërkohet punësimi.

Se këta faktorët e sipërpërmendur janë vendimtarë në punësim në sektorin publik pohojnë edhe përfaqësues të punëtorëve, ata të shoqërisë civile, organizatave rinore, ndërsa mohohen nga zyrtarë të Qeverisë.

Ramadan Ilazi, nga Lëvizja “FOL”, thotë se të gjitha qeveritë e deritashme kanë zbatuar, siç thotë ai, kritere të jashtëligjshme.

Kjo, sipas tij, shihet sidomos në nivelin komunal, pasi kur të ndërrohet një parti politike, ndërrohen edhe drejtorët e shkollave, duke emëruar ata të cilët i përshtaten partisë politike që është në pushtet.

“Në aspektin ligjor e formal, konkurset hapen dhe ka një proces formal të intervistimit. Por, prapa skene unë konsideroj se ka intervenime dhe nëse ju jeni një person, që ka dikë të afërt që punon në institucionin ku kërkoni punë, atëherë gjithsesi kjo do të jetë një faktor determinues, përcaktues nëse ju do ta merrni atë punë apo jo”, thotë Ilazi për Radio Evropa e Lirë.

Edhe Ndue Kalaj, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike të Kosovës, thotë se në Ligjin për shërbimin civil janë të përcaktuara kriteret për punësim por, për fat të keq, këto kritere nuk zbatohen në praktikë.

Kalaj madje thekson se në administratën publike, përveç dukurisë së familjarizimit, në masë të madhe është shprehur edhe punësimi në baza rajonale.

“Aty është fjala vetëm për besnikërinë partiake. Ju mund të shihni se njerëzit në struktura të avancuara, i ke të një rajoni të caktuar dhe vetëm ata kanë mundur të jenë aty. Do të thotë se nuk ka pasur një përmbushje të kritereve që duhet t’i ketë shërbimi civil i Kosovës”, thekson Kalaj.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, shumë pak vlerësohen kriteret e përcaktuara për punësim në sektorin publik, thotë edhe Avdi Morina, nga Iniciativa Studentore e Rinisë. Sipas tij, ekzistojnë raste të shumta të punësimit në bazë të lidhjeve familjare dhe përkrahjes së ndonjë partie politike, e cila udhëheq sektorë të caktuar në institucionet publike.

“Akoma në Kosovë nuk ka një mentalitet që kjo gjë të ndryshohet. Shpresojmë se në të ardhmen këto gjëra të ndryshohen në të mirë të njerëzve, të të gjithë atyre, të cilët dëshirojnë të kenë një vend pune, që e meritojnë, ku ata e kanë cilësinë dhe kualifikimin e caktuar”, shprehet Morina.

Por, ndryshe thonë zyrtarë të Qeverisë. Muhamet Latifi, drejtor i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike, thotë se për rekrutimin e nëpunësve civilë kjo ministri zbaton legjislacionin në fuqi, konkretisht Ligjin për Shërbimin Civil. Ky ligj përcakton kriteret dhe procedurat e punësimit.

“Në lidhje me studimin e UNDP-së, ne si Departament i Administrimit të Shërbimit Civil nuk kemi marrë asnjë ankesë deri më tani për punësim mbi baza lidhjesh familjare, anëtarësimi partiak apo ryshfetit”, thotë Latifi.

Në këtë ligj thuhet se nëpunësit civilë punësohen në bazë të meritës, pasi t’i jenë nënshtruar procedurës përzgjedhëse, të përcaktuar në bazë të ligjit dhe akteve përkatëse nënligjore.

Por, vetëm 5 për qind e të intervistuarve në raportin e fundit të UNDP-së besojnë se Qeveria e Kosovës dhe sektori publik zbatojnë procedurat ligjore gjatë punësimit të punëtorëve të rinj.

825 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Investuesit në zona malore, 8 vjet pa taksa ndaj shtetit

| Ekonomi, Shqipëri | 18 July 2011

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha zhvilloi të premten një takim me Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptarë, që operojnë në zonat malore. Ai i siguroi ata se zhvillimi i turizmit malor është një përparësi dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur zhvillimin e turizmit në këto zona, por edhe për të shfrytëzuar e kthyer në vlera të gjitha pasuritë që ato kanë. Sipas tij, krahas ndërtimit të infrastrukturës, për të inkurajuar investimet në zonat malore, qeveria do të përjashtojë nga taksat për një periudhë 8 vjet të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore.

“Ne do të përcaktojmë një periudhë 8 vjet pa taksa për të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore. Kjo shpresoj dhe besoj do t’ua rrisë kurajën investitorëve, për të ndërtuar në këto zona. Shumë shpejt do të kalojë projektligji për të krijuar zona pa asnjë taksë, për investimet turistike në zonat malore. Gradualisht investitorët do të fillojnë të ndërtojnë fillimisht fshatra turistikë e më pas hotele”, premtoi Berisha.

Por, njëkohësisht, kryeministri shqiptar u kërkoi operatorëve turistikë që të ruajnë dhe zhvillojnë traditën, duke shtuar se gjithçka alpine është tërheqëse, e shijshme dhe e këndshme, ndaj u tha atyre se duhet të përpiqen ta ruajnë, ta zhvillojnë dhe ta servirin, por shtoi se duhet bërë përpjekje që të ruhen edhe pyjet si parqe natyrore, si dhe të shfrytëzohet çdo burim në mënyrën më racionale, raportoi Noa.

1,103 shikime gjithsej, 1 shikime sot