Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Manipulime me tenderin e PTK-së

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Foto: Laura Hasani

Arbana Xharra & Petrit Sherifi – (E plotësuar) Dy muaj pasi që ka përfunduar procesi i parakualifikimit për privatizimin e PTK-së, ku në garë kanë mbetur dy kompani: “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecomi” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri, Qeveria merr një vendim që të shtyhet edhe dy javë procesi i njëjtë i parakualifikimit, i cili tashmë ka përfunduar. Qeveria është arsyetuar se ka marr këtë vendim që të rritet konkurrenca. Ndërkohë që kemi të bëjmë me kompanitë e njëjta që nuk i kanë plotësuar kriteret, të cilave qeveria arsyetohet se do të ju jap edhe një mundësi.

Në procedurat normale të tenderimit, kthimi prapa me këto arsyetime ndërmerret kur rishpallet tenderi që t’iu jepet mundësi kompanive të tjera për të rritur konkurrencën dhe ajo atyre që tashmë kanë konkurruar dhe nuk i kanë plotësuar kushtet.

Burime të gazetës brenda qeverisë kanë bërë me dije se do t’i jepet mundësi sërish kompanisë nga Egjipti “Orascom Telecom Holding S.A.E.” që t’i kthehet garës që në fund të procesit të konsiderohet si garë ku kanë marrë pjesë tri kompani dhe jo vetëm dy. Kurse kompania nga Egjipti në qershor nuk ka arritur që të kalojë të njëjtën fazë, këtë të parakualifikimit, për shkak se nuk i ka plotësuar kushtet të vazhdojë më tej.

Shtyhet sa për “sy e faqe”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka thënë për gazetën “Zëri” se “ky vendim është marrë me qëllim të arritjes së një niveli më të lartë të konkurrencës në proces, duke pasur kujdes gjithnjë sigurimin e një trajtimi të barabartë dhe fer të të gjitha kompanive pjesëmarrëse në këtë proces”.

Sipas tyre, Komisioni Qeveritar për Privatizim (KQP) ka vendosur që të gjitha kompanive që kanë shprehur interesin e tyre për privatizimin e aksioneve të PTK-së t’u jepen edhe 2 javë afat shtesë kohe për të shprehur interesimin e tyre për pjesëmarrje në tender, në përputhshmëri të plotë me kushtet e parapara në kërkesën për para-kualifikim (bashkangjitur gjeni edhe udhëzimet për parakualifikim).

E njëjta ministri në fillim të qershorit të këtij viti ka dalë me komunikatë për shtyp, e cila ka bërë me dije se ka kryer procesin e parakualifikimit të kompanive të interesuara për privatizimin e PTK-së, ku nga pesë kompani që ishin në garë, u përzgjodhën vetëm “Hrvatski Telekom d.d.”, Kroaci, e privatizuar nga “Deutche Telecom-i” Gjermani, dhe “Telekom Austria AG”, Austri.

Në njoftimin e MZHE-së dy muaj më parë është thënë se procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në Komisionin Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, dhe se kriteret kanë qenë identike për të gjithë pjesëmarrësit duke u ofruar qasje të barabartë e të plotë në çdo informacion të dhënë nga autoriteti kontraktues.

Vetë komisioni e pati vlerësuar punën e vet si shumë të suksesshme. Kurse tash dalin me vendim, arsyetimi i të cilit është shkelje me dy këmbë e tenderit të privatizimit të PTK-së.

Opozita hap dyshimet

Visar Ymeri, nga “Vetëvendosje”, ka thënë se arsyet e vërteta prapa këtij vendimi të qeverisë mbeten të paqarta, sikur çdo gjë tjetër rreth këtij privatizimi.

“Afati është shtyrë me kërkesë të dy kompanive të cilat kanë mbetur në garën për blerjen e PTK-së. Kjo tregon se këtu në fakt blerësit potencialë janë ata që e diktojnë

qeverinë e jo anasjelltas”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyetimi i grupit ndërministror se kështu do të rritet konkurrenca është jashtëzakonisht i pasaktë, meqenëse këto dy javë nuk do të sjellin ndonjë kompani të re në këtë garë, e as që do të nxisin ndonjë përmirësim të dukshëm të ofertës së kompanive ekzistuese.

Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së, thekson se shtyrja e afatit për ofertim është kundërligjore. Ai thotë se kjo është indikacion i qartë se interesimi për këtë privatizim është i ulët dhe se çmimi që mund të ofrohet nga ofertuesit privatë mund të jetë edhe më i ulët nga ai i pritur nga qeveria i paraparë në buxhetin e vitit 2011.

Donika Kada-Bujupi nga AAK vlerëson se i tërë procesi në përgjithësi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është jotransparent dhe po mbahet larg publikut.

Myzejene Selmani, nga AKR-ja, e cila ka qenë shumë më kritike kësaj herë, e ka arsyetuar Qeverinë duke thënë se vlerëson se tani është shtruar problemi se si qeveria do t’ua bëjë ofertën investitorëve. “Ky vendim për shtyrjen edhe për dy javë për pjesëmarrje në tenderin e PTK-së, mund të jetë një mundësi që të ofrohet ndonjë investitor më i favorshëm”, ka thënë Selmani.

Në garë, kompani me kontest gjyqësor

Kreu i organizatës kundërkorrupsion “Çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se kriteret e këtij tenderi janë shkelur qysh në fillim kur në garë është lejuar që të futet Telekom Austria.

“Me kriteret e tenderit nuk lejohet që të jenë pjesë kompanitë që kanë konteste gjyqësore, apo të përfshira në konteste ligjore të administruara nga ndonjë gjykatë, e Telekom Austria e ka padinë qysh nga tenderi për operatorë të dytë të telefonisë mobile në Kosovë”, ka thënë Zogiani.

Ky proces që nga fillimi i tij është kritikuar duke përplasur Qeverinë me opozitën, shoqërinë civile, por edhe vetë punëtorët e PTK-së. Në këtë proces të garimit që ishte i hapur, pjesëmarrës në parakualifikim, që nuk janë futur në garë, janë edhe “Albtelekom Sh.A.” nga Shqipëria, “Orascom Telecom Holding S.A.E.” nga Egjipti dhe “SabaFon” nga Jemeni”./zeri

1,429 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Kritika BB-së për “Kosovën e Re”

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Foto: Laura Hasani

P. Sherifi – Kritikohet Banka Botërore (BB), e cila njëkohësisht është edhe bashkë financuese e Qeverisë së vendit në ndërtimin e TC “Kosova e Re”, e cila vlerësohet ti ketë shkelur parimet e veta e po ashtu po vepron edhe në kundërshtim me politikat e BB-së.

Këto kritikat drejt BB-së u dhanë nga analistët e KIPRED-it, institutit GAP dhe Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), ngase BB-ja sipas tyre është përfshirë në ndërtimin e këtij projekti me prodhim të energjisë nga linjiti, pa studiuar burimet alternative, ku kjo përbën shkelje të strategjisë të politikave të BB-së.

Agron Demi drejtor i institutit GAP, ka thënë se BB-ja, nuk kishte pranuar të bëjë studim të energjisë alternativ edhe përkundër faktit se kjo u ishte kërkuar nga qeveritarët.

“Jakup Krasniqi ishte ai i cili i ka dërguar letër Bankës Botërore që të vijnë në Kosovë e të bëjnë një studim paraprak për energjinë alternativ, ndërsa zyrtar të BB-së ishin arsyetuar se njëherë për njëherë nuk mund të formohet departamenti i energjisë alternative në Kosovë”, ka thënë ai.

Këto tri OJQ, i kanë rekomanduar Bankës Botërore që të bëjë studime të burimeve të energjisë nga era, energjisë solare si dhe të bëjë studime të kapaciteteve të energjisë nga burimet gjeometrike.

Sipas tyre, përfshirja e termocentralit Kosova B në pakon tenderuese të projektit Kosova e Re rrezikojnë të krijojnë monopol në fushën e energjisë në Kosovë.

“Termocentrali Kosova B duhet të hiqet nga pakoja e projektit për termocentralin e ri dhe duhet të jetë një projekt i veçantë që do të përfshijë kapitalin privat”, kanë konstatuar analistët e këtyre organizatave.

Po ashtu ata kanë vlerësuar se kompanitë e para kualifikuara për blerjen e kapaciteteve të prodhimit dhe distribucionit nuk kanë përvojë të mjaftueshme për menaxhimin e projekteve të mëdha veçanërisht jo atyre për prodhimin e energjisë së pastër./zeri

1,654 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tenderi i rrugëve suspendon Krasniqin

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Selvije Bajrami – I dyshuar për korrupsion dhe si i tillë nën hetime nga prokurorët e Misionit evropian EULEX në Kosovë, shefi i prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, është suspenduar nga puna.

Ai nuk është suspenduar për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, por për shkak të shkeljeve disiplinore që ka bërë gjatë ushtrimit të kësaj pozite.

Burime të gazetës sqarojnë se Krasniqi është suspenduar për shkak të përplasjeve mes tij e sekretarit, përplasje këto që kanë ngjarë gjatë procesit të tenderit mbi 10-milionësh për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve.

Nexhat Krasniqi është suspenduar nga puna të martën pasdite me një vendim të shefit të personelit të Ministrisë që tashmë udhëhiqet nga Fehmi Mujota.

Shefi i personelit të MI-së e ka marrë këtë vendim ngase një gjë të tillë sipas burimeve të gazetës, përmes një letre e ka kërkuar sekretari permanent i kësaj ministrie, Skënder Gashi.

Ky i fundit nuk ka komentuar të mërkurën në lidhje me kërkesën për të suspenduar kolegun e punës duke rekomanduar gazetën që të kontaktojë me zyrën për informim.

Saranda Jusufi , shefe e zyrës për informim në këtë ministri, ka njoftuar se Krasniqi është suspenduar për shkak se ka shkelur paragrafë nga neni 8 dhe 67 të ligjit për shërbimin civil të republikës së Kosovës.

“Nexhat Krasniqi është pezulluar përkohësisht nga puna, për tre muaj dhe atë me kërkesë

të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë për shkak të shkeljeve disiplinore që janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes së nëpunësve civil si dhe për shkak të shkeljes së dispozitave të ligjit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Jusufi.

Me gjithë përpjekjet e gazetës, Krasniqi të mërkurën ka qenë e pamundur të kontaktohet. Zyrtarisht nuk është sqaruar as nga ministria se pse është shkarkuar, por ajo që dihet është se EULEX, i cili heton Nexhat Krasniqin e ish-shefin e tij ministrin Fatmir Limaj për dyshime për korrupsion, nuk e ka bërë ndonjë kërkesë për shkarkimin e tij.

“Hetimet janë duke vazhduar por EULEX nuk ka bërë ndonjë kërkesë të tillë. Shkarkimi i

tij mund të jetë çështje e ministrisë”, ka thënë Nicholas Hawton, shef për informim në EULEX.

Sido që të jetë me rastin e Krasniqit tash pos EULEX-it do të merret edhe komisioni disiplinor. Por jo vetëm me Krasniqin por edhe me një zyrtar tjetër të prokurimit të MI-së, Betim Reqica.

Ky i fundit është suspenduar më 22 gusht të këtij viti e tek të mërkurën Saranda Jusufi, nga zyra për informim në MI ka komentuar për një gjë të tillë.

Reqica sipas Jusufit është pezulluar për dy muaj me një vendim me të cilin i ndalet 1/3 e rrogës dhe atë për shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe dispozitat e kodit të mirësjelljes për nëpunësit civilë.

Ajo nuk ka ofruar detaje të tjera lidhur me dy suspendimet në MI, ngase ka shtuar se për këto raste duhet të vendosë komisioni disiplinor.

Jusufi nuk ka sqaruar se në çfarë rastesh, dy personat kanë shkelur ligjin, por burime jozyrtare kanë sqaruar se “sherri” mes zyrtarëve në MI ka hyrë për shkak të tenderit të fundit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve në tërë territorin e Kosovës.

Tenderi i cili kap shumën mbi 10 milionë euro ishte anuluar fillimisht për shkak të ankesave të katër kompanive. Kompanitë ishin ankuar duke ofruar prova për shkelje ligjore gjatë procedurës së tenderimit nga zyra e prokurimit dhe nga disa nga kompanitë.

Të njëjtat kompani që ishin shpallur fituese në tenderin e anuluar, të njëjtat janë shpallur fituese edhe në tenderin e fundit, i cili sipas burimeve të gazetës është shpallur por nuk është nënshkruar nga ministri Fehmi Mujota./zeri

1,345 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëria heq doganën

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 8 September 2011

Foto: Driton Bublaku

Enis Veliu – Heqja e doganës për veturat e reja të importuara në Shqipëri, në këmbim të rritjes së akcizës për karburante, është konsideruar si veprim i mirë, i cili ka mundur të implementohet edhe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës para pak kohësh mori vendim që të lejojë futjen e automjeteve të vjetra deri në 10 vjet, duke rritur akcizën, por një vendim i tillë thuajse nuk është reflektuar fare, pasi që numri i qytetarëve që kanë futur vetura më të vjetra është fare i vogël.

Ligji i ri në Shqipëri parasheh që taksat e hequra të mblidhen përmes karburantit.

Logjika e një prej ligjeve më të diskutuara të grupeve të interesit, por dhe Ministrisë së Financave ka të bëjë me dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra.

Ndërkohë që një tjetër synim i ligjit është vendosja në një balancë të drejtë të taksës, që paguhet në bazë të përdorimit që i bën infrastrukturës dhe ndotjes që emetohet në mjedis.

Të dyja taksat, ajo e qarkullimit dhe e regjistrimit, që më herët vileshin nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, tashmë janë strukturuar në një të vetme dhe që do të vilet përmes karburantit në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Me ligjin e vjetër, çdo qytetar që kishte në pronësi një makinë, paguante 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë si taksë qarkullimi. Ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë për të gjitha llojet e veturave. Por, me ligjin e ri këto taksa nuk do të paguhen më.

Ligji i ri përcakton se taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë për litër deri më 31.12.2011, pas kësaj date taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Përfitues nga ligji i ri nuk do të jenë vetëm qytetarët që kanë në pronësi një makinë, por edhe ata që duan të importojnë një të tillë nga jashtë. Kush importon një makinë, nuk do të paguajë më doganë.

Sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë taksë vjetore paguan.

Gjithashtu, paguajnë më shumë makinat me naftë sesa ato me benzinë. Formula e re: shumëzohen cilindrat e makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsinë për tri vitet e para janë 0, në vitin e katërt është 0.18 dhe rritet me 0.02 për 10 vitet e para.

Më pas, koeficienti rritet me 0.04. Kështu, një makinë e vitit 1996 me naftë dhe me kubaturë 2500 cm3 do të paguajë nga sot 30 mijë lekë në vit, si taksë të makinës së përdorur. Ndërkohë që deri më tash për një makinë të vitit 1996 me naftë paguante 2400 lekë taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë taksë qarkullimi, pra 12400 lekë në vit. Ndërkaq, më ligjin e ri i bie të paguajë 17600 lekë më shumë dhe taksa rritet nga viti në vit.

Ish- ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se zgjatja e viteve për veturat e importuara ka krijuar mundësi që Kosova të mbushet me vetura të këqija, nga të cilat çdo ditë e më shumë po rritet numri i aksidenteve në rrugë.

“Qeveria e Kosovës është dashur të gjejë mënyra tjera për të dekurajuar futjen e veturave të vjetra, e jo të krijojë lehtësira”, tha ai.

Sipas tij, modeli i rritjes së taksës për karburante në Shqipëri është i mirë, i cili ka mundur të zbatohet edhe në vendin tonë./zeri

1,436 shikime gjithsej, 2 shikime sot

S’iu del matematika

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Panifikimi që është bërë për rritjen buxhetit të konsoliduar të Kosovës me lejimin e futjes së makinve të vjetra deri në 13 vjet, ka dalë jo i suksesshëm.

Zyrtarë të kompanive të sigurimeve kanë bërë me dije se kjo nuk paraqet ndonjë rritje të të hyrave.

Sipas tyre, akciza shumë e lartë për veturat të cilat i takojnë vitit 98, e që është viti i fundit i prodhimit të veturës që mund të futet në Kosovë, është tejet e lartë.

Ilir Zaiti, shef i shitjes në kompaninë e sigurimeve “Illyria”, ka thënë se nuk mund të konstatohet ndonjë rritje ngase çmimi i akcizës është tejet i lartë për veturat e vjetra, të cilat lejohen të futen në vend.

Ai ka thënë se deri më tani është një rritje shumë e vogël, por nuk ka ndonjë përqindje që mund të theksoet.

“Për një veturë me vit të prodhimit 98, e cila mund të kushtojë 1500 euro, i bëhet më shtrenjtë akciza pa TVSH, e ku është edhe TVSH-ja”, thekson ai.

Ky vendim nuk po u del matematikave të qeverisë, ku ishte paraparë që për pjesën e mbetur të vitit, përfitimet të ishin rreth 20 milionë euro.

Edhe për kundër faktit se janë importuar afro një mijë vetura më shumë sesa në korrikun e vitit të kaluar, gjatë korrikut të këtij viti Doganat e Kosovës nga veturat më të vjetra se tetë vjet kanë përfituar vetëm 1 milion e 597 mijë euro, ku vlera e bazës doganore të këtij numri të veturave është afro 10 milionë e 600 mijë euro.

Gjatë muajit korrik, janë zhdoganuar 2.088 vetura, ku prej tyre 1.000 janë të vjetra deri në tetë vjet, 145 vetura janë të reja, derisa 943 vetura janë më të vjetra se tetë vjet. Vendimi i hyrë në fuqi më 1 korrik, specifikon që sa më e vjetër që është vetura, aq më shtrenjtë do të jetë taksa doganore.

Nga importimi i veturave të vjetra deri në tetë vjet, Dogana ka arkëtuar 2 milionë e 258 mijë euro taksë doganore. E nga importimi i veturave të reja, janë vjelur 434 mijë euro taksë doganore.

Sipas vendimit të Qeverisë, për veturat me kilometrazh zero nuk aplikohet akcizë. Për veturat deri në 2 mijë kubikë dhe deri në 8 vjet të vjetra, norma e tatimit të akcizës do të jetë 500 euro, për ato 9 vjet – 700 euro, 10 vjet – 800 euro, 11 vjet – 900 euro, 12 vjet – 1.000 euro, ndërsa 13 vjet e vjetër do të paguajë akcizë prej 1.100 eurosh.

Për këtë vendim të Qeverisë, i cili nuk po u del matematikave të tyre patën reaguar edhe Partia e Ekologjike e Kosovës, që sipas tyre, veturat më të vjetra se tetë vjet do të kenë ndikim të madh në ndotjen e ambientit.

Arif Krasniqi, kryetar i kësaj partie, pati deklaruar se partia e tij e kundërshton lejimin e importit të këtyre veturave.

“Ne fuqimisht e kundërshtojmë vendimin e tillë, i cili jo vetëm që ndikon në përkeqësimin e ndotjes se mjedisit, por paraqet gjithashtu rrezik permanent për siguri në komunikacion, pasi ato në vendet e Perëndimit dhe ato të civilizuara janë hedhur nga përdorimi dhe me vite të tëra kjo praktikë aplikohet vetëm te ne”, pati deklaruar ai./zeri

2,224 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Më e lartë taksa se vetura

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Lavdim Hamidi – Për zhdoganimin e veturave deri në 13 vjet të vjetra, në Kosovë më të larta janë taksat, sesa vlera e veturës, prandaj tregtarët ankohen se ky vendim qeveritar vetëm sa e ka ngritur çmimin e veturave në treg.

Deri në fund të qershorit të këtij viti në Kosovë ka qenë e mundur të importohen vetura deri në 8 vjet të vjetra, përkatësisht veturat e prodhuara prej vitit 2003, ndërsa prej fillimit të korrikut është lejuar që të importohen vetura deri në 13 vjet të vjetra, duke synuar që kështu buxheti i Kosovës të mbushet për 20 milionë euro më shumë në vit.

Sipas vendimit të 22 qershorit 2011 të Qeverisë së Kosovës, për veturat deri në 8 vjet, me fuqi motorike deri në 2000 cmm, do të paguhet 500 euro vetëm taksa e akcizës ,për veturat deri në 9 vjet akciza arrin në 700 euro, 800 euro deri në 10 vjet, 900 euro deri në 11 vjet, 1000 euro deri në 12 vjet të vjetra dhe 1100 euro për veturat e prodhuara në vitin 1998. Ndërsa për veturat me fuqi më të madhe motorike akciza është edhe më e lartë.

Taksat shtrenjtuan veturat

Qytetarët ankohen se taksat e larta doganore vetëm sa e kanë ngritur çmimin e veturave. “E kam sjellë një veturë 2000 ccm të vitit 1998 nga Gjermania, të cilën e kam blerë rreth 2000 euro. Po aq më kanë thënë në Doganë se duhet të paguaj për zhdoganim”, ka bërë të ditur Arsim Berisha nga Prishtina.

Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se gjatë muajit të parë kur ka hyrë në fuqi ky vendim qeveritar, përkatësisht gjatë muajit korrik, janë zhdoganuar 2088 vetura, nga të cilat Doganat kanë grumbulluar rreth 4.2 milionë euro në emër të taksave.

Gjatë korrikut 2011, sipas Doganave, në Kosovë janë importuar 1000 vetura deri 8 vjet, 943 vetura më të vjetra se 8 vjet dhe 145 vetura të reja.

Sipas statistikave doganore, çmimi mesatar i vlerësuar për një veturë deri në 8 vjet është afërsisht 6150 euro, ndërsa në taksat e nevojshme doganore për një veturë të tillë arrijnë në 2170, ku përfshihet dogana, akciza dhe TVSH-ja.

Këto taksa janë edhe më të larta për veturat mbi 8 vjet, çmimi bazë i së cilës pothuasje barazohet me taksat doganore. Kështu, çmimi mesatar bazë i vlerësuar nga Doganat për një veturë mbi 8 vjet del të jetë 2280 euro, ndërsa taksat doganore për një veturë të tillë arrijnë në hiç më pak se 1700 euro.

Përpos taksës doganore prej 1700 euro, një veturë e tillë më e vjetër se 8 vjet, për të dalë në komunikacion duhet paguar rreth 350 euro taksën e homologimit, sigurimin dhe regjistrimin e automjetit, atëherë zhdoganimi dhe regjistrimi i një veture të tillë arrin në shumën prej rreth 2050 euro, apo vetëm 200 euro më pak se çmimi me të cilin është blerë vetura.

Vendim sa për të rritur buxhetin

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë se është absurde që taksat të kushtojnë pothuajse sa çmimi me të cilin është blerë vetura.

“Kjo s’ka logjikë. Kush do ta blejë një veturë të vjetër me çmim prej rreth 2200 euro, për të cilën taksat doganore që duhet paguar kushtojnë edhe 1700 euro të tjera”, shprehet Shatri, duke shtuar se ky vendim qeveritar ka më tepër qëllim që të mbushet buxheti i shtetit, se sa t’iu mundësojë qytetarëve të blejnë vetura.

Ai thotë se kufizimi i importit të veturave deri 8 vjet të vjetra ka qenë i drejtë, pasi që është synuar veturat e vjetra të zëvendësohen me më të reja, të cilat e ndotin më pak ambientin, mirëpo vendimi i fundit që t’i lejojë veturat deri 13 vjet të vjetra është joserioz dhe ka për qëllim të vetëm që të sigurojë më shumë të hyra për buxhet.

Për dallim nga Kosova, ku ende paguhet taksa e doganës me rastin e importit të veturës , Shqipëria së fundi e ka hequr një taksë të tillë, e cila ka ulur dukshëm çmimin e veturave në treg./zeri

2,285 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Mallrat serbe rikthehen përmes hyrjes 3 në Merdar

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Mediat serbe, duke cituar burime ndërkombëtare, shkruajnë se brenda javës se ardhshme, të gjitha mallrat nga Serbia do të hyjnë në Kosovë vetëm përmes hyrjes 3 në Merdar, derisa nuk zgjidhet problemi me pikat doganore në veri të vendit.

“Të gjitha mallrat nga Serbia në Kosovë do të hyjnë nëpërmjet hyrjes nr. 3 në Merdar”, raporton e përditshmja serbe “Danas”. Ndërkaq, nga Zyra rajonale për bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë, thonë se kompanitë serbe janë të gatshme që të kthehen në tregun e Kosovës.

Sipas këshilltarit të kësaj zyre, Dejan Jovoviq, ka deklarata optimiste të negociatorëve serbë se embargoja do të pezullohet gjatë 7 deri 10 ditëve të ardhshme, duke thënë se firmat e huaja nuk kanë arritur që deri në fund të pozicionohen në tregun e Kosovës.

Sipas tij, zëvendësimi i produkteve serbe me produkte nga vende të tjera ende nuk ka përfunduar, sepse periudhën prej 40 ditësh, sa zgjat embargoja, nuk e konsideron të gjatë.

“Për fat nuk zgjati shumë”, ka komentuar Jovoviq, duke vlerësuar se dëmi do të ishte më i madh nëse embargoja do të vazhdonte deri në fund të vitit ose më gjatë./kosova sot

1,361 shikime gjithsej, 2 shikime sot

ATK-ja mblodhi për 8 muaj 174 milionë euro

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti ka mbledhur 174 milionë euro, duke realizuar rreth 67 për qind të planit vjetor të grumbullimit të të hyrave, ndërkohë që drejtues të ATK-së prezantuan edhe lansimin e sistemit për deklarimin elektronik të quajtur EDI, që fillimisht do të jetë në dispozicion të tatimpaguesve të mëdhenj./bota sot

1,041 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rregulloret e UNMIK-ut ishin pengesë në privatizim

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka prezantuar sot ndryshimet pozitive që janë bërë në procesin e privatizimit. Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj tha se ndryshimet kanë filluar qysh më parë, por tani me miratimin e ligjeve të reja nga Kuvendi, do të ketë transparencë më të madhe ndaj publikut.

Qysh nga qershori i këtij viti Bordi i AKP-së kishte marrë vendim për një riorganizim të AKP-së, që nënkupton ndryshimin e ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me efektshmërinë e procesit të privatizimit dhe të likuidimit.

Asanaj thotë se miratimi i ligjeve për AKP-në është i një rëndësie të veçantë, sepse mundëson asaj një proces transparent dhe një zhvillim më të mirë ekonomik në vend./bota sot

1,413 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Broshurë për bizneset nga Ambasada britanike

| Ekonomi, Kosovë | 8 September 2011

Ambasada britanike në Shqipëri prezantoi dje një broshurë me informacion për Mundësitë për biznes, tregti dhe eksport në tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Kjo iniciativë tregon angazhimin e qeverisë britanike për zhvillimin e biznesit dhe lidhje më të ngushta tregtare me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, vuri në dukje se të tre vendet kanë një ambicie për t’u bërë anëtare të BE-së, një ambicie që Britania e Madhe e mbështet.

Ajo tha se “për të tërhequr investitorët ka rëndësi të zbatohen standardet e BE–së duke përmirësuar mjedisin e biznesit, lehtësuar dhe përmirësuar parashikueshmërinë e kuadrit rregullator, duke luftuar korrupsionin dhe përmirësuar transparencën.

Raporti i Komisionit Europian muajin e ardhshëm do të analizojë progresin e arritur. Por, një matës më i mirë i suksesit do të jetë rritja e investimeve britanike dhe biznesit dypalësh me Shqipërinë”.

Projekti është një përpjekje e përbashkët e ambasadave britanike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe u financua nga Ministria e Jashtme Britanike. /bota sot

1,083 shikime gjithsej, 1 shikime sot