Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Ministri gjerman i financave Schäuble nuk pranon bonot evropiane

| Botë, Ekonomi | 16 August 2011

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble ka folur kundër vazhdimit të ndihmave për vendet e euros të goditur nga kriza. Schäuble tha për revistën “Der Spiegel” se borxhet nuk mund të kthehen në borxhe të të gjithëve dhe se nuk mund të jepet mbështetje e pakufizuar. Në vend të tyre janë duke u zhvilluar mekanizma mbështetjeje nën kushte të rrepta. Ai përjashtoi mundësinë e futjes së bonove shtetërore evropiane, sa kohë që vendet e BE-së nuk kanë politikë të përbashkët financiare. Normat e ndryshme të interesit janë të nevojshme në mënyrë që të ekzistojë mundësia e stimulimeve dhe sanksioneve, për të nxitur soliditetin e politikës financiare. Schäuble foli i sigurt, se euro nuk do të dështojë si pasojë e krizës së borxheve./bota sot

1,209 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Ndryshojnë shifrat për rritje ekonomike të Kosovës

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Si duket është bërë shprehi e institucioneve të Kosovës të dalin me shifra të mëdha për rritje ekonomike dhe rezultati në fund të vitit të tregojë të kundërtën. Përderisa nga institucionet e vendit është thënë se rritja do të jetë për këtë vit 7.5 %, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) del me një shifër prej 5 %, ndërsa njohësit e fushës së ekonomisë shprehën se kjo rritje nuk po vjen nga kapacitetet prodhuese, por nga privatizimi./bota sot

1,193 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Berluskoni: Plani i ri ka marrë miratimin e zyrtarëve të lartë evropianë

| Botë, Ekonomi | 16 August 2011

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni thotë se plani i ri i qeverisë së tij për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur taksat ka marrë miratimin e zyrtarëve të tjerë të lartë evropianë.

Berluskoni u tha dje agjencive italiane të lajmeve se ka folur me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me Presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, dhe që të dy i kishin thënë se e vlerësonin planin italian.

Kabineti i Berluskonit miratoi të premten një paketë masash shtrënguese prej 63 miliard dollarësh. Këto masa e shkurtojnë buxhetin 28 miliard dollarë vitin e ardhshëm dhe 35 miliard në vitin 2013.

Përkrahësit thonë se kombinimi i shkurtimeve me rritjen e taksave do ta balancojë buxhetin e Italisë deri në vitin 2013, në përputhje me kërkesat e Bankës Qendrore Evropiane.

Zyrtarët italianë shpresojnë se plani i kursimeve do të zbutë frikën e investitorëve se Italia mund të bëhet viktima e radhës e krizës së borxhit evropian./bota sot

1,068 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Zvicra nuk ka detyrime ndaj BE-së/ZEE

| Botë, Ekonomi | 16 August 2011

Zvicra vazhdon të qëndrojë jashtë BE-së, po ashtu edhe jashtë Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) dhe si rrjedhojë ajo nuk është anëtare e sistemit valutor evropian. Ky qëndrim mënjanë i saj, që për industrinë zvicerane sjell me vete sigurisht edhe disfavore, për stabilitetin e valutës zvicerane dhe për ndikimet pozitive të krijimit të buxhetit; Politika zvicerane financiare, tatimore dhe valutore vetëm mund të mbahet fort në qëllimet e luftimit të inflacionit dhe stabilitetit valutor. Derisa shtetet sikurse Gjermania së fundi qëndrojnë nën detyrime, nga shtetet evropiane më të dobëta, për t’i financuar, dhe që në politikën e tyre valutore duhet të marrin në konsideratë financat e dobëta brenda EU-së, politika valutore zvicerane nuk është e ngarkuar me këtë lloj hipoteke. Banka Kombëtare e Zvicrës në fakt shpesh koordinon avancimin me Bankën Federale dhe bankat tjera qendrore, përcjellur së fundi, por gjithnjë me qëllim, që përmes frangës relativisht të fortë të pengojë, që inflacioni të rritet dhe arrin që bile përmes një rritje masive të ndikojë në zbutje të inflacionit përmes çmimit importues më të lirë. Me qëndrimin anash të Zvicrës ndaj organizatave evropiane ndikon gjithashtu që franga zvicerane të jetë medium pozitiv investiv.

Grafikoni: Zhvillimi i EURO-s ndaj frangës zvicerane prej hyrjes së euros në vitin 1999

Ky moment tregon që fuqia e frangës zvicerane nuk është një fenomen i përkohshëm, por se patjetër paraqet një tendencë strukturore afatgjate, që e bën frankën zvicerane një valutë të përshtatshme për investime.

Kur njeriu mendon, që ky tekst i letrës financiare të Ivico Asset Management, është publikuar në korrik 1995 nga një administrator i pronës së paluajtshme zvicerane, është më befasues prej se ekziston kjo temë dhe deri më sot. Ekipi i specialistëve të Invico-s pothuajse prej 20 vjetësh analizon me sukses tregjet ndërkombëtare dhe është partner i besueshëm dhe numër një në administrimin e pasurisë së patundshme, Trustit, çështjet e mirëbesimit dhe themelimet e firmave në Zvicër. / bota sot

1,176 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Mimoza në ofensivë shkarkimesh

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Ofensiva e shkarkimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nga vetë ministrja Mimoza Kusari-Lila, ka alarmuar përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës (SSHCK).

Sipas tyre, ministrja Mimoza Kusari – Lila, po bën shkelje të rënda të ligjeve, duke shkarkuar nga puna në mënyrë të jo të ligjshme shërbyes të dalluar civilë. Kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi, thotë se ministrja Kusari – Lila ka shkarkuar nga puna sekretarin permanentet të Ministrisë, ka shkarkuar kryeshefin për promovimin e investimeve, por, sipas tij, shkarkimi më i rëndë në MTI është ai i Naser Grajçevcit, i cili ka qenë themelues i Agjencisë për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (ANVM) në MTI.

Murseli tha se sindikata që drejton ai ka ardhur në përfundim se institucionet po shkelin rregullat elementare të Ligjit për shërbyesit civilë, por edhe Ligjin e punës.

“Ka pasur raste kur është shpallur konkursi për vendin e lirë të punës, edhe pse shërbyesi civil ka qenë në marrëdhënie pune dhe nuk është paralajmëruar për ndërprerje të kontratës së punës”,tha ai.

Murseli thotë se sindikata që drejton ai reagon ashpër ndaj dukurive dhe rastin e mosmarrjes parasysh të shërbyesve civilë, të cilët kanë punuar në këto pozita, ku Qeveria e Kosovës me vite të tëra ka investuar për ngritjen e tyre profesionale.

Ai tha se këta shërbyes civilë në kushte të barabarta duhet të kenë prioritet, por sipas sindikatës këta sot nuk merren në konsiderim.

“Sindikata kërkon nga Institucionet e Kosovës që këto vërejte t’i marrin parasysh sa më shpejt që është e mundur, pasi që në të kundërtën do të dëmtohen institucionet tona dhe do të bjerë niveli i profesionalizmit, ku do të shfaqen pakënaqësi dhe reagime”, tha ai.

Në anën tjetër, zyra për medie e Ministrisë përmes një komunikate për medie ka reaguar kundër shkrimit të gazetës “Zëri”, e cila ka raportuar rreth shkarkimit të jashtëligjshëm të kryeshefit për ANVM-së në MTI.

Sipas tyre, kryeshefi i ANVM-së është emëruar si rezultat i procesit të hapur dhe kompetitiv, i cili ka kulmuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 27.07.2011.

“Artikulli pretendon që ministrja Kusari-Lila e ka shkarkuar z.Grajçevci përkundër faktit që ai vjen nga partia e z. Thaçi.

Në realitet, kryeshefi i ANVM-ve është emëruar dhe është shkarkuar me vendim të Qeverisë së Kosovës të nënshkruar nga vetë kryeministri. Për më tepër, këtij emërimi të kryeshefit të ri, i ka paraprirë një proces i tërë i organizuar nga Ministria e Administratës Publike në bazë të Ligjit për shërbim civil”, thuhet në reagim.

Ndërsa Grajçevci ka thënë të dielën për “Zërin” se shpallja e konkursit për pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme është antiligjore dhe si e tillë është dashur të anulohet menjëherë.

Ai ka sqaruar se gjatë kohës sa ai është në pushim vjetor, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari –Lila e ka zgjedhur pasardhësin e tij në krye të agjencisë.

“Unë deri më 1 shtator jam në pushim vjetor dhe realisht deri atë kohë unë jam kryeshef i agjencisë.

Unë për këtë vendim kam marrë vesh vetëm nga mediet, pasi që si para shpalljes së konkursit, ashtu edhe pas emërimit të tij nuk kam marrë ndonjë shkresë zyrtare nga ministrja Kusari-Lila”, thotë për “Zërin” Grajçevci.

Mirëpo, sipas MTI-së, Grajçevci nuk është plotësisht i ndershëm me prezantimin e fakteve, pasi që ka shkuar në pushim në mënyrë të paligjshme. Në reagim thuhet se përderisa z. Grajqevci thotë që ai është shkarkuar gjatë kohës sa është në pushim vjetor, MTI informon pushimi i z.Grajçevci është plotësisht i paligjshëm, pasi që ai nuk është aprovuar nga punëdhënësi. Pra, sipas Ministrisë, Grajçevci i ka dhënë pushim vetes, duke shkelur rëndë Ligjin për shërbyesit civilë. /zeri

1,155 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Makollit i duhen 3.5 milionë euro

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Ministria e Diasporës kërkon t’i ketë së paku 66 punëtorë, katër vetura për kabinetin e ministrit, ku secila do të kushtojë së paku 20 mijë euro e pesë të tjera për administratën, që nuk mund të jenë më të lira se 15 mijë euro, 110 mijë euro vetëm për informim, 15 mijë euro për shpenzime për telefona mobilë etj.

Këto shifra janë përmbledhur në një dokument, të cilin e posedon “Zëri” e që Ministria e ka quajtur “planifikim i buxhetit për 2012. Sipas këtij planifikimi, vetëm për pagat e 66 punëtorëve parashihet të shpenzohen 380 mijë euro në vit, 800 mijë euro të tjera për subvencione, ndërsa në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve 410 mijë euro.

Në linjën e projekteve kapitale, që është rrumbullakuar me një kërkesë për 1.7 milionë euro buxhet, Ministria e Diasporës ka futur 20 projekte, ku më i liri është ai për konferenca intelektuale, që planifikohet të kushtojë 20 mijë euro. Megjithëkëtë, projektet që planifikohet të kenë buxhet jo më të vogël se 100 mijë euro janë organizimi i ditëve të mërgatës, një manifestim qendror në Prekaz 100 mijë euro, ditët e kulturës në diasporë 350 mijë euro.

100 mijë euro Ministria e Diasporës planifikon t’i shpenzojë në kuadër të zyrës së informimit. Po për informim, është planifikuar edhe një buxhet prej 10 mijë eurosh te kategoria mallra dhe shërbime. Projekti më i madh që ka paraparë kjo ministri është ai i formimit të tri qendrave të mërgatës në tri shtete të ndryshme, ku për secilën prej tyre do të shpenzohen nga 200 mijë euro.

Ministria e Diasporës edhe konferencat planifikon t’i ketë të kushtueshme në qindra-mijëra euro. Në planifikimin buxhetore për vitin tjetër, kjo ministri ka futur projektin për konferenca të investimeve të jashtme në vend, që do të mbahet në tri shtete dhe që do të kushtojë 300 mijë euro.

Te mallërat e shërbimet, si shpenzimi më i madh është ai për udhëtime zyrtare që do të jetë 100 mijë euro, dhe më i liri, prej 2 mijë eurosh, ai për mirëmbajtjen e ueb-faqes së Ministrisë.

Ndonëse dokumentin në fjalë e cilëson vetëm si është një dokument pune të Ministrisë dhe ende të papërfunduar, Xhevdet Sfarça, këshilltar politik i ministrit Ibrahim Makolli, shpenzime të planifikuara i arsyeton me nevojat që ka ministria.

“Shifra e paraparë prej 66 të punësuarve është shifër e cila, në pajtim me përgjegjësitë e Ministrisë është vlerësuar se ia mundëson këtij institucioni funksionimin normal, kur kemi parasysh se mbulon gati 1/3 e popullatës së Kosovës, e cila është jashtë vendi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, mendon se kjo ministri mund të funksionojë edhe me staf më të vogël. “Kjo ministri duhet të udhëhiqet nga koncepti i vullnetarizmit. Në diasporë kemi plot njerëz që kanë punuar edhe pa përkrahje shtetërore, dhe besoj se kjo ministri duhet t’i afrojë këta njerëz, dhe jo domosdoshmërish të punësojë staf këtu në Kosovë për të rënduar buxhetin, edhe ashtu të rënduar”, ka thënë ai./ zeri

1,298 shikime gjithsej, 1 shikime sot

925 milionë euro deficiti tregtar

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Foto: Laura Hasani

Deficiti Tregtar i Kosovës vazhdon të rritet dita ditës, duke u bërë pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në gjysmën e parë të vitit 2011, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) deficiti tregtar në Kosovë arriti vlerën prej 925.4 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 16,1 për qind.

Gjatë kësaj periudhe, eksportet shënuan normë vjetore të rritjes prej 18.6 përqind, duke arritur vlerën prej 168.1 milionë euro, ndërsa importet shënuan rritje vjetore prej 16.5 për qind dhe arritën vlerën prej 1.09 miliardë euro.

Sipas raportit të BQK-së efekti i rritjes së eksporteve vazhdon të eliminohet nga rritja e importeve për sa i përket ndikimit në vlerën e bilancit tregtar, duke pasur parasysh se importet janë rreth 6.5 herë më të larta sesa importet.

“Sidoqoftë, niveli i mbulueshmërisë së importeve me eksporte vazhdon të përmirësohet dhe, deri në qershor 2011, arriti në 15,4 për qind, krahasuar me 15,1 për qind në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Sipas raportit të BQK-së, struktura e eksporteve të Kosovës vazhdon të dominohet nga metalet bazë, të cilat përbëjnë 63,6 për qind të gjithsej eksporteve të Kosovës.

Deri në fund të qershorit 2011, eksporti i metaleve bazë shënoi rritje vjetore prej 16,9 për qind. Një kategori tjetër me pjesëmarrje më të theksuar në gjithsej eksportet janë edhe produktet minerale, të cilat përbëjnë 11,7 për qind të gjithsej eksporteve.

Në gjysmën e parë të vitit 2011, kjo kategori shënoi rritje prej 18,3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Deri në qershor 2011, Kosova importoi mallra në vlerë prej 1,09 miliardë euro krahasuar

me 938.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Përveç rritjes së kërkesës së brendshme, në rritjen e nivelit të importeve gjatë kësaj periudhe mund të kenë ndikuar edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në nivel global, si dhe paralajmërimet për aplikimin e masave të reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, masa këto që nënkuptojnë ndalimin e importit të mallrave serbe në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që ka vendosur Serbia për produktet me origjinë nga Kosova.

Sipas raportit të BQK-së, këto paralajmërime mund të kenë ndikuar që shumë kompani vendase të krijojnë rezerva në mallra.

“Kjo reflektohet edhe nëpërmjet rritjes së importeve për kategori të veçanta të mallrave, si për shembull, importet e produkteve ushqimore, të cilat përbëjnë rreth 12 për qind të gjithsej importeve me vlerë prej 130.9 milionë euro. Kjo kategori e importeve ka shënuar rritje prej 23,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, pjesëmarrjen më të lartë në gjithsej importet e Kosovës vazhdojnë ta kenë produktet minerale, me 21,1 për qind të gjithsej importeve, të cilat dominohen nga importi i derivateve të naftës. Kjo kategori deri në fund të qershorit 2011 arriti vlerën prej 231.1 milionë euro”, thuhet në raport./zeri

1,337 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Mimoza sfidon Thaçin

| Ekonomi, Kosovë | 16 August 2011

Zëvendësja po tregohet më e fuqishme se shefi. Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila nuk e pyet as kryeministrin Hashim Thaçi për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në kuadër të agjencive shtetërore.

Kjo ndodhi me shkarkimin e Naser Grajçevcit, kryeshef i Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilën pozitë e ka ushtruar për plotë 10 vjet dhe emërimin e Granit Berishës në kuadër të kësaj agjencie, i diplomuar në vitin 2007.

Pavarësisht se është kryetar i degës së partisë së Thaçit në Fushë-Kosovë, Grajçevci nuk ishte zëvendësuar nga ish-ministrat e Tregtisë as në kohën kur PDK-ja ndodhej në opozitë. Në krye të kësaj agjencie, Grajçevci ishte edhe gjatë mandatit të ish-ministrit Bujar Dugolli nga koalicioni LDK-AAK, e as gjatë mandatit të ministrit Lutfi Zharku nga LDK-ja, pasi që konsiderohej se është personi më i përshtatshëm për shkak të përvojës së gjatë në këtë agjenci.

Kështu nuk i vazhdoi Grajçevcit me ministren e re Mimoza Kusari-Lila, e cila pa një pa dy e shkarkoi atë nga pozita.

S’merret për bazë profesionalizmi

Ish-ministri Bujar Dugolli jep arsyet pse nuk e ka shkarkuar Grajçevcin nga pozita.

“Nuk e kam shkarkuar sepse ka qenë shumë i përgatitur profesionalisht dhe për shkak të përvojës së gjatë në krye të kësaj agjencie. Ai ka ndjekur shumë trajnime të financuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka qenë profesionist”, sqaron Dugolli, duke shtuar se bindjet politike nuk kanë mbizotëruar për shkarkimin e tij nga pozita.

Në anën tjetër Grajçevci thotë për “Zërin” se shpallja e konkursit për pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme është antiligjore dhe si e tillë është dashur të anulohet menjëherë.

Ai sqaron se gjatë kohës sa ai është në pushim vjetor, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari –Lila e ka zgjedhur pasardhësin e tij në krye të agjencisë.

“Unë deri më një shtator jam në pushim vjetor dhe realisht deri atë kohë unë jam kryeshef i agjencisë. Unë për këtë vendim kam marrë vesh vetëm nga mediet, pasi që si para shpalljes së konkursit, ashtu edhe pas emërimit të tij nuk kam marrë ndonjë shkresë zyrtare nga ministrja Kusari-Lila”, thotë për “Zërin” Grajçevci.

Ai thotë se pozitën e kryeshefit e ushtron plot qe 10 vjet, ku asnjëherë nga asnjë ministër, si nga radhët e AAK-së ashtu edhe nga radhët e LDK-së, nuk ka pasur ndonjë vërejte në aspektin profesional.

Sipas tij, prej kohës kur timonin e Ministrisë e ka marrë Mimoza Kusari – Lila ai është ndjerë i injoruar. “Ia kam prezantuar ministres strategjinë dhe ajo e ka injoruar totalisht, nuk i ka interesuar fare ai dokument”, tha ai.

Grajçevci thotë se komisioni që e ka emëruar për drejtor të Agjencisë Granit Berishën ka bërë një shkelje të rëndë të ligjit për shërbyesit civilë, pasi që ai nuk ka asnjë ditë përvojë pune në menaxhim të lartë.

Sipas tij, prej kohës kur Mimoza Kusari –Lila ka ardhur në ministri janë bërë ndryshme të mëdha, duke u zëvendësuar profesionistët me njerëz të padijshëm e partiakë.

Ai tha se politizimi i administratës është një goditje e rëndë për Ministrinë, pasi që shumë procese që kanë filluar do të mbesin në gjysmë.

“Ne kemi filluar me shumë sukses strategjinë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2010-2016, por pas këtyre ndryshimeve, unë nuk besoj se ajo do të implementohet më tej”, pohon ai.

Fshesa e ministres

Grajçevci pohon se pas 10 vjet përvojë pune si kryeshef i agjencisë, me suksese të mëdha, asnjëherë nuk ka menduar se do të zëvendësohet në mënyrë, siç thotë ai, aq të vrazhdë siç i ka ndodhur tash.

Megjithatë, Grajçevci nuk është i vetmi që nuk i ka shpëtuar fshesës së ministres Kusari-Lila, e cila para se të emërohej ministre ka kritikuar ashpër ish-qeveritarët që kanë bërë emërime politike e familjare.

Ajo me të ardhur në krye të Ministrisë ka shkarkuar sekretarin permanent dhe në vend të tij ka emëruar Eljana Nakën, me të cilën ka punuar në Odë Ekonomike Amerikane të Kosovës. Po ashtu për drejtor të Agjencisë për Promovim të Investimeve ka zgjedhur bashkëpartiakun Valdrin Lluka.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nepotizmi po vazhdon të jetë prezent në institucionet shtetërore dhe kjo po potencohet edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian.

“Nepotizmi dhe konflikti i interesit me rastin e emërimeve të larta publike në Kosovë janë evidente dhe këto janë vërejtur edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian për Kosovë”, ka pohuar Ramadan Ilazi nga lëvizja “Fol”.

Sipas tij, qeverisja e mirë është e mundshme vetëm me një administratë publike profesionale dhe ideja e largimit të shërbyesve civilë vetëm pse kanë bindje tjera politike është në kundërshtim me procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

Përndryshe, ministrja Kusari-Lila javë më parë ka ndërprerë komunikimin me gazetën “Zëri” me arsyetimin se kjo e fundit po bën fushatë kundër saj, të cilin vendim e kanë kritikuar ashpër shoqatat e gazetarëve në vend. /zeri

1,430 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Agani dyshon në konkursin për kryeshef të AKPM-së

| Ekonomi, Kosovë | 14 August 2011

Konkursi për kryeshef ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), konsiderohet si i dyshimtë edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Për këtë konkurs, të premten kishte raportuar edhe “Zëri”, duke bërë të ditur se po përcillej me dallavere në proceduara e ndikime politike. Ndërkohë, ministri Agani thotë se ka informacione se në këtë rast janë shkelur disa nga parimet themelore.

“Sipas informatave që i kam në dispozicion, ka indikacione se me rastin e zbatimit të këtyre veprimeve procedurale janë shkelur disa nga parimet themelore të parapara me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe nuk janë zbatuar në tërësi procedurat e paravlerësimit të kandidatëve nëpërmjet testimit me shkrim dhe testeve tjera të kërkuara”, ka thënë për “Zërin”, ministri Agani.

I pari i shëndetësisë nuk e ka mohuar mundësinë që t’i hedhë poshtë propozimet që janë bërë nga komisioni intervistues. “Në rrethana të këtilla, propozimi për kryeshefin ekzekutiv të AKPM që mund të vijë deri tek unë, si rezultat i këtyre procedurave mund të jetë i kundërligjshëm dhe si i tillë nuk mund të jetë brenda suazave ligjore për procedim të mëtutjeshëm”, thotë ai.

Agani ka konfirmuar se për këtë punë i është drejtuar edhe ministrit të Administratës Publike (MAP), Mahir Yagxhillar, ministria e të cilit ka udhëhequr krejt këto procedura. “Kam kërkuar nga ministri Jagxhillar, që në rast se vërtetohet se ka pasur shkelje ligjore gjatë zbatimit të veprimeve procedurale me rastin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së, të anulojë konkursin e publikuar”, bënë të ditur ministri Agani.

“Zëri” e ka pasur të pamundur të marrë një prononcim nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës (KPMSHCK), ku të premten ka shkuar edhe ankesa e katërt kundër vendimit të komisionit intervistues që rekomandoi për kryeshef të AKPM-së Shkumbin Spahiuin, i cili është burri i motrës së zëvendëskryeministres Mimoza Kusari-Lila, Arbenita Pajaziti dhe Lutfi Mulaku, të dy ish-punëtorë të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), të cilëve u është ndërruar më herët vendi i punës.

Megjithëkëtë, burime të gazetës brenda këtij institucioni bëjnë me dije, se ankesa e katërt përmban shumë fakte, të cilat do të çojnë KPMSHCK-në që ditën e hënë të dalë me rekomandimin se konkursi është i jashtëligjshëm dhe si i tillë duhet të anulohet.

Ndryshe, “Zëri” që ditën e premte ka raportuar se konkursi për kryeshef të AKPM-së është duke u shoqëruar me shkelje të ndryshme.

Gazeta pati raportuar se fillimisht shkelja në këtë konkurs u bë, kur nga nëntë kandidatë sa kishin konkurruar, komisioni vlerësues intervistoi veç pesë prej tyre, kurse katër të tjera as që i informoi për intervistën.

Sipas burimeve të gazetës brenda MAP-it, se shkelja që mund të çojë edhe në anulimin e konkursit është fakti që kandidatët nuk i janë nënshtruar testit me shkrim dhe mundësia që dy nga tre personat e rekomanduar të jenë nën hetime, veprime këto të ndaluara nga Rregullorja për Emërime të Larta në Shërbimin Civil./ zeri

1,229 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Gjykatat në telashe me bankat

| Ekonomi, Kosovë | 14 August 2011

Foto: Driton Bublaku

Moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga bankat komerciale në vend është duke u rritur dita ditës. Gjykatat po përballen me probleme të shumta në zbatimin e aktgjykimeve drejtuar bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare.

Instituti për hulumtime “GAP” ka vërejtur se vendimet e gjykatave që kërkojnë transferimin e mjeteve nga llogaria e borxhliut në llogarinë e borxhdhënësit, ekzekutohen rrallë, apo fare, me gjithë faktin që këto vendime të gjykatave janë vendime definitive.

Gjatë hulumtimit Instituti “GAP” ka vërejtur se fillimisht bankat nuk u janë përgjigjur fare aktvendimeve në gjykata. Por, me kalimin e viteve numri i bankave që u janë përgjigjur gjykatave mbi vendimet ekzekutive është rritur.

“Megjithatë bankat nuk shihet të jenë bashkëpunuese me gjykata, sidomos me Gjykatën Ekonomike të Kosovës e cila merret kryesisht me vendimet ekzekutive për bizneset, të cilat përfshijnë shuma ta mëdha të parave. Në përgjigjet e bankave kryesisht thuhet se ‘debitori (klienti i cili ka borxh) nuk ka xhirollogari në bankë’, apo se ‘debitori nuk ka mjete të mjaftueshme në xhirollogari për ekzekutimin e vendimit’”, thuhet në raportin GAP-it.

Më tej në hulumtim thuhet se sipas përfaqësuesve të gjykatave situata e tillë është e papranuar dhe joreale, meqenëse është e pamundur që bizneset e mëdha të mos kenë qarkullim në asnjërën nga bankat.

Hulumtuesit e GAP-it kanë vërejtur se situatë e tillë figuron edhe nëpër gjykata komunale të cilat kryesisht merren me kredi të ekonomive familjare, por që në këto gjykata problem tjetër i rëndësishëm mbetet edhe shitja e kolateralit nga kredimarrësi.

“Meqenëse kolaterali nuk shënjohet si i tillë, kredimarrësi mund ta shesë atë me lehtësi, gjë që edhe ndodh, andaj kur kredimarrësi nuk është në gjendje të paguajë kreditë, kthimi i saj përmes kolateralit është pothuajse i pamundur. Gjithashtu, sipas gjykatave, problem është edhe mënyra e raportimit, e cila nuk është konform“, thuhet në hulumtim.

Më tej GAP ka analizuar se me qëllim të përmirësimit të raportit gjykata-banka dhe zbatueshmërisë efektive të dispozitave ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, BQK më 26 janar 2011 lëshoi një udhëzim, i cili u fuqizua që nga muaji shkurt 2011, rezultatet e para të të cilave priten të vlerësohen në fund të këtij viti.

Sipas GAP-it, udhëzimi në fjalë parasheh njoftimin e BQK-së për çdo aktvendim të gjykatave si dhe përgjigje të detajuar nga banka për klientin dhe xhirollogarinë e tij, përfshirë edhe transaksionet 30 ditë para datës së aktvendimit.

“Për më tepër neni 4.6 i këtij udhëzimi parasheh edhe ndëshkime për bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare nëse nuk i përgjigjen me kohë dhe në procedurë të rregullt gjykatave kompetente”, thuhet në hulumtim.

Në fund GAP vlerëson se normat e kredive mbeten të larta edhe më tutje. Bankat e kanë të vështirë të funksionojnë në një ambient afarist dhe politik i cili nuk respekton ligjet në fuqi dhe gjykatat nuk kryejnë punën e tyre.

Por në anën tjetër, edhe bankat kanë shfrytëzuar këtë ambient, duke mos respektuar vendimet e gjykatave. Marrëdhëniet banka-gjykata duhet të përmirësohen. Sipas GAP-it, bankat duhet të respektojnë vendimet e gjykatave, si dhe gjykatat të jenë më efektive në rastet kur kanë të bëjnë me kthimin e kredive, apo kolateralin.

Përmirësimi i marrëdhënieve banka-gjykata, sipas GAP-it, do të ulë rrezikun për kthimin e kredive, e cila më pas do të mundë të ndikonte në uljen e normave të interesit të kredive, nga e cila do të përfitonin të gjithë qytetarët. GAP vlerëson se institucionet publike nevojiten që t’u krijojnë bankave ambient të përshtatshëm të të bërit biznes.

Në hulumtimin e GAP-it shihet se në vitin 2001 gjykatat i kanë dërguar në banka dy lëndë, ku për njërën lëndë nuk ka marrë përgjigje nga banka. Ndërkaq, për lëndën tjetër gjykata ka marrë përgjigje nga banka se “klienti nuk ka xhirollogari” në bankë.

Ndërkaq, në vitin 2009 gjykatat kanë dërguar 33 lëndë në banka, ku për 10 nuk ka marrë fare përgjigje. Ndërkaq për 23 lëndë të tjera, po ashtu gjykata ka marrë përgjigje se “klienti nuk ka xhirollogari”./zeri

1,357 shikime gjithsej, 1 shikime sot