Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Vazhdojnë të bien aksionet e tregjeve evropiane bien

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Aksionet në tregjet evropiane kanë vazhduar të bien, duke iu afruar nivelit të vlerës më të ulët në dy vjetët e fundit.

Indeksi i aksioneve më të forta evropiane FTSEurofist ka rënë në mëngjes për 0.4 për qind, pasi të premten që shkoi ka humbur 1.7 për qind të vlerës.

I njëjti ka rënë pothuajse për 16 për qind që nga fillimi i muajit, çfarë është rënia më e madhe mujore që nga viti 1999, kur edhe është themeluar.

Aksionet e kompanive të automobilave janë në mesin e atyre atë që kanë shënuar humbjet më të mëdha.

Indeksi i përgjithshëm i prodhuesve evropianë të makinave, këtë mëngjes, ka humbur 1.4 për qind të vlerës, ndërsa prodhuesi i makinave luksoze “BMW” ka rënë me 3.1 për qind./bota sot

1,039 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Greqia kërkon zbatimin e marrëveshjes së ndihmës

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të zbatojë “menjëherë dhe tërësisht” marrëveshjen e arritur muajin e kaluar, për paketën e re të ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 109 miliardë eurosh.

Venizelos mësohet t’u ketë shkruar zyrtarëve të lartë evropianë, përfshirë presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trihet, komisionarin e BE-së për ekonomi, Olli Ren, dhe ministrat e financave të Eurozonës.

Hapi i Venizelos vjen në kohën kur disa anëtarë të Eurozonës kanë bllokuar marrëveshjen – të nxitur nga Finlanda, e cila kërkon garanci nga Greqia për pjesën e saj të paketës.

Holanda, Sllovenia, Austria dhe Sllovakia kanë thënë se do të donin trajtim të ngjashëm./bota sot

1,076 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tokio, me kufizime të energjisë elektrike

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Ekonomia japoneze u godit rëndë nga tërmeti i fuqishëm i muajit mars, i cili u pasua nga dy goditje të tjera shkatërrimtare, cunami dhe kriza në centralin bërthamor të Fukushimës. Kjo situatë pati ndikim të madh në ekonominë vendase. Drejtuesit e industrisë japoneze besojnë se përpjekjet për rindërtim do të nxisin kërkesën e tregut në muajt në vazhdim.

Vera është edhe më mbytëse këtë vit në Tokio. Mungesa e energjisë elektrike sjell mos vënien në punë të kondicionerëve. Ndërsa temperaturat shkojnë mbi 30 gradë celsius, drejtuesit kanë urdhër që punonjësit mos të veshin xhaketat dhe kollaret.

Kompanive dhe kryefamiljarëve u është kërkuara që të shkurtojnë konsumin e energjisë elektrike me 15%. Të dhënat e fundit tregojnë se japonezët po i përmbahen kësaj thirrjeje pasi kërkesa e deritanishme për energji është luhatur në 88 për qind të ofertës energjetike.

“Në kompaninë time, po përpiqen të shkurtojnë konsumin e energjisë 30% jo vetëm 15 %. Kondicionerët janë fikur, dritat shfrytëzohen pak, dhe madje edhe në kohën e pushimit të drekës ato nuk ndizen”.

“Ndikimi i tërmetit bëri që ekonomia japoneze të bjerë. Por Tohoku po e rimerr veten gradualisht dhe ekonomia e kaloi momentin më të keq. Ne kemi një moment të vështirë për shkak të vlerës së jenit, por mendoj se gjërat dalëngadalë do të rregullohen”.

Mbas ngjarjes në reaktorin e Fukushimës, 38 reaktorë të tjerë u hoqën nga puna, duke iu nënshtruar provave për aftësinë e tyre në lidhje me fatkeqësitë natyrore.

E gjithë kjo së bashku me dëmin që solli cunami, kanë goditur rëndë biznesin.

Prodhuesi gjigant i makinave Tojota, ka njoftuar se ka humbur 1.4 miliardë dollarë gjatë 3 mujorit pas tërmetit.

Gjithsesi zëdhënësi i kompanisë thotë se pamja e përgjithshme është pozitive.

“Në muajin mars ne nuk prodhuam asnjë makinë. Ndërsa tani jo vetëm që rikthyem pak a shumë në nivelin që gjendej përpara se të ndodhte tërmeti të gjithë kapacitetin e uzinës, por muajin që vjen ne do të shkojmë edhe më tej me objektivat tona”.

Tojota dhe kompani të tjera makinash mbyllen të enjten dhe të premten në vend të ditëve të fundjavës për të ndihmuar balancimin e kërkesës për energji.

Tojota ka njoftuar planet për hapjen e një uzine të re në Tohoku, rajoni i goditur nga cunami.

“Ky plan është shumë i madh kështu që ne do të ndërtojmë uzinën e plotë e cila do të prodhojë pjesët e këmbimit e deri tek makina komplet. Tohoku ka qenë shumë i mirë me ne për sa i përket etikës së punës dhe forcës punëtore, kemi njohur njerëz shumë punëtorë, me aftësi të larta dhe kjo është një nga arsyet që kemi arritur ta rimarrim veten”.

Ekonomia japoneze, e tkurrur prej 3.5 përqind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ka rihyrë në recesin.

Ka shpresa për rimëkëmbje bazuar tek kërkesa për rindërtime. Rrjetet furnizuese po riparohen. Porti i Sendait, i shkatërruar nga cunami, sërish mirëpret anije nga Paqësori.

Por disa analistë nuk besojnë në rimëkëmbje, duke nënvizuar qeverisjen e dobët dhe forcimin e monedhës jen si faktorë negativë.

Frika e rrezatimit nga rrjedhja radioaktive në Fukishima ka bërë që si qeveria e Japonisë dhe qeveri të tjera të huaja të ndalojnë shitjen e prodhimeve ushqimore nga ky rajon.

Ndërkaq Tokioja qyteti i së ardhmes siç quhet rëndom, është e detyruar që t’i mbijetojë kufizimeve elektrike – një situatë kjo e cila sipas drejtuesve të këtij sektori mund të vazhdojë deri vitin e ardhshëm./bota sot

884 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Turqia e interesuar të ndihmoj zhvillimin ekonomik të Kosovës

| Botë, Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Një delegacion nga Turqia, në mesin e të cilëve kishte deputetë, mandej kryetari i Komunës së Inegolit, biznesmenë dhe shqiptarë që jetojnë në Turqi për dy ditë kanë qëndruar në Mitrovicë. Ata të shoqëruar nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, kanë vizituar projektet që janë duke u financuar nga biznesmenë turq.

Kryetari Kastrati, ka njoftuar mysafirët me gjendjen në Mitrovicë, rrethanat specifike në aspektin politik, si dhe për problemet ekonomike dhe papunësinë e madhe në këtë komunë, si pasojë e rrethanave të pasluftës.

Ai ka falënderuar delegacionin nga Turqia për ndihmën që shteti i tyre po jep për Kosovën.

“Si para luftës, ashtu edhe pas luftës Turqia ka ndihmuar Kosovën në të gjitha aspektet, andaj ne jemi shumë mirënjohës për popullin dhe qeverinë turke”, ka thënë Kastrati./bota sot

1,159 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Xhungla e agjencive turistike

| Ekonomi, Kosovë | 20 August 2011

Visar Duriqi – Veprimtaria e 200 agjencive turistike synohet të vihet në binarë me vetëm 2 inspektorë të angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Në situatën kur dhjetëra qytetarë bien pre e agjencive të papërgjegjshme turistike dhe kur rastet e tilla përsëriten nga viti në vit, institucionet shtetërore vazhdojnë ta injorojnë këtë sektor të turizmit.

Policia e Kosovës javën e kaluar arrestoi pronaren e agjencisë “Bardha Travel” në Prishtinë, Tringa Lama-Sadriu, e cila u kishte marrë 30 familjeve rreth 80 mijë euro për t’i dërguar në bregdetin turk dhe nuk e bëri një gjë të tillë, me ç’rast shumica e familjeve të dëmtuara u detyruan të paguajnë për pushime verore për herë të dytë në agjencitë më serioze.

“Bardha Travel” ende me licencë valide

Pavarësisht këtyre mashtrimeve, për zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë gjithçka ka qenë në rregull edhe me agjencinë “Bardha Travel”. Ajo madje ka ende licencë.

“Ky agjencion është licencuar me procedurë të rregull në gusht të vitit të kaluar si agjencion turistik ndërmjetësues. Sipas Ligjit për Turizëm një licencë të tillë e marrin agjencitë turistike që shesin dhe blejnë paketa aranzhmane nga agjencionet turistike organizator të udhëtimit”, ka thënë për “Zërin” Nijazi Shala, drejtor i Departamentit të Turizmit dhe Hotelerisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se kjo kompani edhe më tutje posedon licencë valide.

Shala thotë se sipas ligjit edhe në rastet kur agjencionet ndërlidhëse i dëmtojnë konsumatorët e vet, fajtorë janë agjencitë turistike organizatore. “Agjencitë turistike organizatore janë përgjegjëse për aranzhmanet që ia kanë shitur agjencive turistike ndërlidhëse, pasi që këto të fundit nuk i obligon ligji që të kenë depozita, kurse të parat detyrohen të kenë depozitë prej 20 mijë eurosh, që i mbulon aspektet e mospërmbushjes së kontratës, nëse kjo ndodh”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ligji në fjalë nuk i jep kompetenca Ministrisë që të merret me agjencitë që i kalojnë suazat ligjore të funksionimit, përkatësisht rastet e mashtrimeve.

Ai madje thotë se në rast se do të kishte mospërmbushje të aspekteve të caktuara të kontratës, do të mjaftonte depozita për dëmshpërblim, por në raste të ngjashme me “Bardha Travel”, dëmshpërblimin e cakton gjykata.

Me depozitën minimale prej 20 mijë eurosh që Ministria e Tregtisë ua kërkon agjencive turistike, do të mund të dëmshpërblehet vetëm një numër i vogël i konsumatorëve.

Ministria me vetëm 2 inspektorë

Ekspertët e turizmit thonë se agjencive turistike duhet caktuar depozita shumë më të mëdha, në mënyrë që të kenë mundësi t’i kompenzojnë konsumatorët e dëmtuar, pasi që një agjencion i vogël, siç është rasti me “Bardha Travel” i ka dëmtuar hiç më pak se 80 mijë euro 30 familje kosovare.

“Shuma prej 20 mijë euro që u kërkohet agjencive turistike nuk është ndonjë garancion”, thotë eksperti i turizmit, Zekë Çeku. Ai thotë se më shumë duhet bazuar te serioziteti i biznesit dhe kontrollet institucionale sesa te një depozitë e tillë.

“Nuk besoj te depozita, por te serioziteti i biznesit dhe te kontrollat e sigurta të institucioneve”, thotë Çeku. Duke iu referuar rastit “Bardha Travel”, Çeku thotë se kjo ka ardhur si pasojë e mungesë së kontrolleve, pasi që, siç thotë ai, MTI-ja për këtë fushë ka veç 2 inspektorë për gjithë Kosovën.

Çeku për një situatë të tillë në fushën e agjencive turistike i fajëson institucionet qendrore, të cilat, sipas tij, e kanë neglizhuar turizmin me vetë faktin që i kanë lënë vetëm dy inspektorë.

Sipas Çekut, kontrolli për këtë veprimtari duhet t’i kalojë nivelit lokal, e jo atij qendror. “Kontrolli për këtë fushëveprimtari duhet t’iu kalojë në kompetencë komunave dhe ato të bëjnë kontrolle të vazhdueshme nëpër gjitha agjencionet, çfarëdo qofshin ato, organizatore apo ndërlidhëse, si dhe në gjitha filialet e tyre. Kështu do të ndërtoheshin biznese serioze në këtë fushë”, thotë Çeku./zeri

1,027 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rritet prodhimtaria vendore

| Ekonomi, Kosovë | 20 August 2011

Reciprociteti me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën ka shtuar kërkesat e bizneseve kosovare në tregun vendor dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Kështu i kanë thënë drejtuesit e biznesve vendore kryeministrit Hashim Thaçi, përderisa ky i fundit është shprehur se me rritjen e prodhimtarisë do të ketë më shumë vende të reja të punës.

“Ndihem mirë nga ajo që pashë dhe dëgjova në këtë fabrikë të përpunimit të prodhimeve vendore bujqësore”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi gjatë vizitës që ka zhvilluar të enjten në fabrikën “ASK Foods”.

Ai po ashtu ka shtuar se ndihet mirë që masat dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës po ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë vendore. “Me rritjen e prodhimtarisë, me rritjen e tregut do të rriten vendet e reja të punës dhe kjo do të ndikojë në rritjen e mirëqenies dhe standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka potencuar Thaçi.

Sipas kreut të ekzekutivit të vendit, kompania “ASK Foods” është një shembull i mirë i zhvillimit të agrobiznesit në Kosovë dhe, siç ka thënë ai, zhvillimi i këtij sektori ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e prodhimtarisë vendore.

Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë të qëndrojë afër biznesit kosovar dhe të gjejë mundësitë më të mira për subvencionimin e zhvillimit të tij.

“Sektori privat është çelësi i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe i rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se kjo situatë ka krijuar një mjedis të ri për agrobizneset vendore dhe si institucione do të mundohen ta përcjellin në të njëjtin hap trendin e zhvillimit të tyre.

“Ne kemi bërë skemat tona të granteve dhe subvencioneve në përkrahje të prodhuesve dhe komuniteti i agrobiznesit, sidomos ata të industrisë përpunuese, kanë pasur mundësinë të përfitojnë edhe nga grantet e ndryshme të donatorëve”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, kjo situatë e re, përveçse që ka ndikuar në rritjen e kërkesës për konsum dhe rritjen e prodhimtarisë vendore, krijon edhe mundësi të reja eksportuese për vendin tonë, si dhe detyrime shtesë edhe për ne si ministri, që t’i përcjellim të gjitha këto në hap me agrobizneset.

Ai ka shtuar se është duke u përgatitur edhe një pako e re fiskale për bizneset dhe agrobizneset në përgjithësi. Përndryshe, kompania “ASK Foods” ka në pronësi 185 hektarë tokë bujqësore dhe në plantacionet e saj kryesisht prodhon fruta të freskëta, të cilat duke filluar nga java e ardhshme do të fillojë t’i eksportojë edhe në tregun e Kroacisë.

Ajo ka gjithsej 105 punëtorë të rregullt dhe në fabrikën e saj të prodhimit, produktet e tyre i shesin edhe rreth 300 fermerë të kësaj ane. /zeri

1,344 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rikthehet në debat tenderi për mishin

| Ekonomi, Kosovë | 20 August 2011

Foto: Laura Hasani

Visar Duriqi – Tenderi për furnizimin e burgjeve me mish, i cili ishte shoqëruar me dyshime për parregullsi, është bërë edhe njëherë temë debati. Ky tender më pas është anuluar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Lëvizja ‘Fol” të premten ka organizuar një debat për prokurimin e Ministrisë së Drejtësisë(MD), ku dy vartës të minisrit Kuçi, këshilltarja Laura Zherka dhe Besim Tahiri ushtrues detyre i zyrës së prokurimit, e kanë mbrojtur këtë tender, duke e vlerësuar atë si transparent.

Arsyetimin për këtë tender, për parregullsitë e të cilit “Zëri” ka raportuar në vazhdimësi, Besim Tahiri e ka nisur duke thënë se procesi i prokurimit ka qenë i hapur.

Ai edhe një herë ka sqaruar se deri te anulimi ka ardhur pas përplasjeve dhe konfuzitetit që ishte krijuar në mes të MD-së dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ky konfuzitet kishte të bënte me faktin që Ministria në kohën kur veç ishte në fuqi vendimi i OSHP-së për ta çuar tenderin në rivlerësim, kërkoi interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP). Ky tender i kishte përplasur edhe vetë institucionet e prokurimit, OSHP-në e KRPP-në.

Besim Tahiri, që udhëheq prokurimin në MD, tutje e ka gjykuar si të paarsyeshëm marrjen e medieve me këtë tender. “Ky tender ka qenë temë mediale. S’e di pse u bë temë mediale, kur vendimet e OSHP-së që lëndët të shkojnë në rivlerësim janë diçka normale në prokurim”, ka thënë Tahiri.

Në këtë debat, këshilltarja e ministrit Hajredin Kuçi, Laura Zherka, ka folur më shumë për transparencën që po tentojnë ta instalojnë në Ministri, sa i përket fushës së prokurimit, se sa për tenderin e mishit.

Ajo rikujtoi ftesat që kjo ministri ua ka dërguar partive, OJQ-ve e medieve për pjesëmarrje në mbikëqyrjen e tenderëve. Si hap drejt transparencës, ajo ka përmendur edhe faktin që tash përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve pranuese bëhet vetëm 3 orë para se të hapen ofertat, publikimin e shpenzimeve të Ministrisë për çdo javë në ueb-faqe etj.

Megjithëse pranon që MD-ja ka qenë e gatshme për monitorim, Admir Salihu nga lëvizja “Fol” ngreh dyshime për këtë tender. “Dyshimi jonë që nga fillimi kishte të bënte për ekzistimin e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe njësisë kërkuese, si dhe mundësia që operatori ekonomik të ketë pasur njohuri rreth disponueshmërisë së mjeteve të Ministrisë për këtë tender”, ka thënë Salihu.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë në tenderin për furnizim me mish për nevojat e burgjeve ishte përballur që në fillim me ankesën e kompanisë “Hajdini Comerce” nga Drenasi, që ishte eliminuar nga gara pasi që nuk e kishte valid garancionin bankar.

OSHP-ja kishte vendosur në favor të kompanisë, duke konstatuar se garancioni ka qenë i vlefshëm, por gabimi ka qeni bankës dhe tenderi u kthye në ri-vlerësim.

Në këtë kohë, MD-ja kërkoi interpretim nga KRPP-ja, dhe kjo e fundit konstatoi se Ministria e Drejtësisë ka vendosur drejt kur e eliminoi “Hajdini Comerc” nga gara.

Kjo kompani në dy vjetët e fundit ka marrë edhe tender të tjerë në MD. “Hajdini Comerc” në konzorcium me kompaninë “Meka” me 10 qershor 2011 nga MD-ja ka fituar një tender që peshon 398 mijë e 650 euro. E njëjta kompani vetëm një muaj më parë, përkatësisht 24 maj 2011, është shpallur ftuese e një tenderi më të vogël të mishit nga Ministria e Drejtësisë, ku kishte ofruar një çmim prej 7575 euro. Edhe vitin 2009, ishte shpallur ftuese e tenderit nga kjo Ministri në vlerë prej hiç më pak se 476 mijë e 687 euro. /zeri

1,327 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Harrohen pensionet e Maqedonisë

| Ekonomi, Kosovë, Maqedoni | 20 August 2011

Foto: Laura Hasani

Enis Veliu – Çështja e kthimit të pensioneve të qytetareve të Kosovës që kanë punuar në Republikën e Maqedonisë, vazhdon të neglizhohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies (MPMS).

Zyrtarisht ka më shumë se dy vite që kjo ministri në vazhdimësi ka dhënë data konkrete për kthim të pensioneve, por deri më tash asgjë konkrete nuk ka në këtë drejtim, ku si pasojë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të bredhin nëpër institucione të Republikës së Maqedonisë për të rregulluar çështjen e pensioneve në baza individuale.

Shumë prej tyre për të bërë një gjë të tillë, detyrohen të shpenzojnë shuma të konsiderueshme të parave për t’iu ikur barrierave dhe pritjeve të gjata.

Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se janë në fund të arritjes së marrëveshjes, pa precizuar kohën se kur mund të ndodhë kjo.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit të Punës Nenad Rashiq, thotë se gjatë vitit 2010 kanë filluar negociatat në lidhje me palën maqedonase në fushën e sigurimeve pensionale mes dy vendeve.

“Deri më tani janë mbajtur takime me qëllim të rregullimit të kësaj materieje në

fushën e pensioneve, ku janë bërë harmonizime konkrete në fushën e pensioneve, për qytetarët tanë që kanë punuar në Maqedoni, po ashtu edhe për qytetaret e Maqedonisë që kanë punuar në Kosovë, për njohjen e stazhit te punës së tyre nga te dy vendet”,tha ai.

Ai tha se takimi i fundit është mbajtur para dy muajve, ku në këtë takim të nivelit të

ekspertëve të dy vendeve janë diskutuar pikat që do t’i përmbajë marrëveshja .

Gaxhiqi tha se pala maqedonase ka mbetur ta përpunojë draftin dhe më pas t’ia dërgojë palës Kosovare për komente, ku më pas do të caktohen datat për nënshkrimin e

marrëveshjes në fushën e pensioneve.

“Ne jemi në pritje të draftit të marrëveshjes për komentim nga ana jonë”,tha ai.

Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve sociale në vend thonë se zvarritja e procesit të kthimit të pensioneve të qytetareve të Kosovës që kanë punuar në Maqedoni është tejet e paarsyeshme.

Alban Zogaj, nga instituti “Riinvest”, thotë se zvarritja e procesit të kthimit i ka kushtuar tej mase një grupi të caktuar të moshuarish që kanë punuar në këtë shtet.

Sipas tij, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së shtetit të Kosovës nga ky shtet janë krijuar rrethana tjera.

“Kosova ka ambasadë në Maqedoni dhe këta në mënyrë automatike duhet të merren me ketë punë. Shumë thjeshtë deri më tash është humbur shumë kohë, dhe ne nuk kemi edhe më tej kohë për të humbur”,tha ai.

Sipas tij, kthimi i pensioneve të qytetareve të Kosovës që kanë punuar në Maqedoni në masë të madhe do ta ndihmonte një pjesë të caktuar të shoqërisë, por edhe do të ndikonin direkt në zbutjen e krizës sociale në vend.

Zogaj tha se kthimi i këtyre fondeve do të ndikojë dukshëm edhe në rritjen e konsumit në vend.

Përndryshe, takimet mes niveleve politike dhe atyre teknike për kthimin e pensioneve të qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Maqedoni patën filluar thuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Deri më tash zyrtarë nga Ministria kanë dhënë shumë data konkrete për kthim të pensioneve, por asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar të jetë e saktë./zeri

1,225 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Maqedoni-Kosovë, intensifikohet bashkëpunimi ekonomik

| Ekonomi, Kosovë, Maqedoni | 20 August 2011

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë Valon Saraçini ka pritur në takim të premten homologun kosovar Besim Beqaj. Që të dy kanë nënvizuar që kompanitë nga Maqedonia të gjejnë mënyra për t’u pozicionuar në tregun kosovar me prodhimet e tyre. “Tashmë kemi takime shumë të shpeshta të bizneseve të të dyja vendeve, siç ishte ajo e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore si dhe bashkëpunimi në disa sfera institucionale, me ç`rast kjo na jep të drejtën që të presim efekte pozitive në të ardhmen. Si dy vende tashmë disa vite po kultivojmë marrëdhënie të mira miqësore ekonomike dhe politike me tendenca për thellimin dhe pasurimin e tyre me projekte dhe aktivitete të përbashkëta”, ka thënë ministri Saraçini. Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Besim Beqaj ka thënë se masat e reciprocitet të vendosura kundër Serbisë nuk janë të dëm të askujt dhe se qëllimi i tyre është vendosja e sundimit të së drejtës dhe kontrollit në tërë territorin e shtetit të Kosovës. Ai ka mirëpritur gatishmërinë e autoriteteve të Maqedonisë dhe kompanive për të thelluar bashkëpunimin në planin ekonomik dhe tregtar. “Kam biseduar me homologun e tij Saraçini për eliminimin e barrierat të tarifimit doganor, me qëllim që të lehtësojë bizneset e të dyja vendeve dhe do të bëjë që produktet e tyre të jenë më konkurrente dhe do të kenë vendin e tyre në tregun e Kosovës”, ka thënë Beqaj./kosova sot

1,107 shikime gjithsej, 3 shikime sot

Sërish shtyhet “Kosova e Re”

| Ekonomi, Kosovë | 20 August 2011

Zvarritjet e njëpasnjëshme, disavjeçare, të projektit më të rëndësishëm energjetik në vend, atij për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, dhe ndryshimet e shumta në këtë projekt, kanë bërë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik sërish të iniciojë procedurat për përzgjedhjen e një këshilltari të ri të transaksionit. Vonesat e shkaktuara për shkak të zhvillimeve politike që e kishin përcjellë Kosovën me zgjedhje të fundit kanë bërë që edhe puna rreth projektit për TC “Kosova e Re” të ngecë për disa muaj në vend. Për shkak të kësaj, edhe këshilltari i transaksionit nuk ka mundur të shkojë tutje dhe i ka skaduar kontrata ende pa u përfunduar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë projekt. Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka iniciuar procedurat për përzgjedhjen e një këshilltari të transaksionit për këtë projekt, pasi që këshilltarëve aktualë u ka skaduar kontrata. Kjo, sipas ekspertëve të fushës së energjetikës, do të shkaktojë vonesa të sërishme në këtë projekt dhe do ta lërë vendin të varur edhe për një kohë të gjatë nga importi i energjisë elektrike, ndonëse Kosova ka rezerva miliardëshe me linit. Sipas njohësve të kësaj fushe, zvarritja e projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve gjeneruese në energjetikë do t`i kushtojë shumë ekonomisë së vendit dhe në fund konsumatorëve, të cilët do të detyrohen të paguajnë faturën e gjithë dështimeve të institucioneve për të zbatuar projektet siç është ky për ngritjen e TC “Kosova e Re”./kosova sot

1,105 shikime gjithsej, 1 shikime sot