Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Gjermania në prag të recesionit?

| Botë, Ekonomi | 24 August 2011

Paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën për shkak të krizës së borxhit në zonën e euros dhe në SHBA mund të ndikojnë tek koniuktura në Gjermani.

Librat e porosive të shumë kompanive gjermane janë të mbushura plot. Impiantet e prodhimit punojnë me ngarkesë shumë të mirë, motori i eksportit punon, tregu i punës është duke u zhvilluar pozitivisht. Prodhuesit e automobilëve janë duke punuar deri në kufi të kapaciteteve, shumë konsumatorë duhet të presin me muaj për makinën e tyre të ëndërrave. Prodhuesit e makinerive, që përkrah industrisë së automobilëve, janë shtylla e dytë e ekonomisë gjermane raportojnë shifra jashtëzakonisht të mira porosish. Në mënyrë të ngjashme edhe industria kimike. Edhe këtu gjithçka është mirë! Por kur flet këto ditë me manaxherët dhe drejtuesit e kompanive gjermane në lidhje me turbullirat e vazhdueshme të tregut, të krijohet ideja, se këto nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.

Lajme të këqia

Megjithatë ato kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Sepse paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën ka arsye konkrete: Është kriza e borxhit në zonën e euros dhe në SHBA. Përveç kësaj prej ekonomisë më e madhe në botë vijnë aktualisht sinjale ekonomike mjaft negative. Dhe këto reflektohen edhe në ekonominë reale. Paralajmërimi i parë në Gjermani erdhi prej statisticienëve të ekonomisë në Wiesbaden, ku ka selinë Enti federal për Statistikat: Produkti i brendshëm bruto në tremujorin e dytë, krahasuar me katër muaj më parë, u rrit shumë pak, vetëm me 0,1 për qind.

A po frenon lokomotiva?

Një tjetër lajm i keq erdhi para disa ditësh nga banka e SHBA-ve Stanley Morgan. Ajo e uli parashikimin e saj për rritjen globale ekonomike dhe e përshkroi situatën në Evropë dhe SHBA si ” në prag të recesionit.” Por në rast se dobësohet ekonomia, në vendet në zhvillim për shembull, atëherë ekonomia e vendeve të orientuara nga eksporti do të vuajë shumë. Rënia e fortë e prodhimit ekonomik gjerman me rreth pesë për qind në vitin e krizës, 2009, është ende shumë e freskët në të gjitha mendjet tona. Meqë prodhimi ekonomik i Gjermanisë, përbën më shumë se një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë zonës së euros, është e qartë se si mund të përfundojnë gjërat.

Lajme të mira

Mundet por jo patjetër. Kështu, ekonomisti i njohur Clemens Fuest, Universiteti i Oksfordit, sheh “një dobësim të rritjes ekonomike.” Por faktet flasin kundër rrënimit të ekonomisë, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” duke cituar ekonomistin. Megjithatë Joachim Fels, ekonomisti kryesor i Morgan Stanley, e vlerëson rrezikun e një recesioni në Gjermani me 25 për qind. Për gazetën “Welt am Sonntag” ai tha: “tregjet e dobëta e dobësojnë koniunkturën, e cila nga ana e saj rëndon tregjet. Ky është një rreth vicioz nga i cili nuk ka mënyrë të lehtë për të dalë jashtë.” Kjo u kundërshtua nga kancelarja gjermane. Angela Merkel tha të dielën (21/08/2011) në ZDF, se nuk sheh asgjë që do të fliste për një recesion në Gjermani. Edhe Dieter Hundt, kreu i shoqatës së punëdhënësve gjermanë argumentoi gjithashtu në këtë drejtim. Hundt tha për “Hamburger Abendblatt” se ai pret këtë vit një rritje prej më shumë se tre për qind. Edhe Agjencia Federale e Punësimit vazhdon të qëndrojë në vlerësimin e saj. Vërtet ka rreziqe të reja, i tha shefi i agjencisë Frank-Jürgen Weise dpa-së, por në tregun e punës parashikohet një trend pozitiv deri nga viti i ardhshëm.(dw)/bota sot

1,398 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Mallrat serbe po futen nga malet

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Në Kosovë ende ka kontrabandues, të cilët nuk e kanë dert pse Qeveria e Kosovës ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë. Ata bëjnë çmos për të futur mallrat serbe në Kosovë duke shfrytëzuar rrugët malore për t’i shpërndarë më pas ato nëpër pika të ndryshme tregtare.

Mësohet se edhe pas vendosjes së kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës kontrabanda me produkte ushqimore nga Serbia për në Kosovë nuk ka të ndalur.

Por, përveç veriut, kohëve të fundit tendencë e futjes së mallrave të kontrabanduar është vërejtur edhe kah pika kufitare e Dheut të Bardhë, kah rajoni i Gjilanit.

Drejtori i Doganave të Kosovës Naim Huruglica thotë se pas vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë, janë ngushtuar hapësirat që në Kosovë të futet mall kontrabandë përmes rrugëve legale.

Ai thotë se kontrabandistet janë munduar të shfrytëzojnë rrugët ilegale si në pjesën veriore, ashtu edhe kah pika kufitare e Dheut të Bardhë, por sipas tij njësitet doganore i kanë ndalur ato.

“Kontrolli është rritur dhe janë zvogëluar dukshëm mundësitë për të futur mall kontrabandë në Kosovë”, tha ai. Drejtori Huruglica thotë se kohët e fundit është rritur prania e maunave me targa serbe në Kosovë, por sipas tij këto maune në Kosovë sjellin produkte kroate, apo edhe të shteteve tjera.

Drejtori Huruglica mohon mundësinë që brenda atyre maunave të fshehen produkte me origjinë serbe. “Ndoshta dikush ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë, por kjo nuk është shqetësuese”, tha ai.

Por, burime të gazetës brenda Doganave të Kosovës thonë se nga momenti i vendosjes së masave të reciprocitetit oficerët doganorë kanë evidentuar së paku 50 raste të kontrabandimit të produkteve ushqimore, por edhe joushqimore, ku qytetaret që kanë

kontrabanduar ato produkte kryesisht janë shqiptarë.

Sipas të njëjtave burime, së fundi oficerët doganorë kanë ndalur shtetasin serb V. T, i cili ishte duke kontrabanduar një sasi të konsiderueshme të birrave nga Serbia për në Kosovë. Po, sipas të njëjtave burime në fund të javës që lamë pas oficerët doganorë kanë ndalur edhe Sh.S. nga Vitia, i cili kishte tentuar të fusë nga Serbia kënde dhe rrjeta prej plastike.

“Po ashtu gjatë javës që lamë pas oficerët kanë zënë duke u futur kontrabandë edhe një sasi të vajit motorik nga shtetasi shqiptar A.A. nga Vushtrria. Po ashtu, Dogana ka një qytetar serb dhe një shqiptar të cilët po kontrabandonin rreth 10 mijë të zbrazëta”, tha burimi i gazetës brenda Doganës.

Sipas të njëjtit burim, intensiteti i kontrabandës në sasi më të vogla nuk ka të ndalur, si kah pjesa veriore e Kosovës, ashtu edhe kah pjesa kufitare te Dheu i Bardhë.

Edhe Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se kohëve të fundit policia ka hasur në disa raste në mallra të kontrabanduara.

Ai thotë se pas shtimit të kontrollit nëpër dy pikat kufitare, qytetarë shqiptarë në bashkëpunim me serbë lokalë kanë vazhduar kontrabandimin e mallrave duke shfrytëzuar rrugët ilegale.

Dominojnë karburantet

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës kontrabanda me karburante ka dominuar së fundi në pjesën veriore të Kosovës. Po ashtu, përveç karburanteve nga Serbia për në Kosovë janë evidentuar edhe sasi të konsiderueshme të kontrabandës me tekstil, pije alkoolike dhe joalokoholike, por edhe ambalazh të ndryshëm që janë importuar nga prodhues të ndryshëm në Kosovë./zeri

1,270 shikime gjithsej, 2 shikime sot

S’t’i kthejnë 5 centë

| Ekonomi | 23 August 2011

Visar Duriqi – “Kabllorin e IPKO-s e mbush çdo muaj dhe shpesh në pika të ndryshme shitëse, por kurrë nuk e paguaj 14.95 euro, por fiks 15 euro. Këta pesë centë që përmenden në ofertë nuk m’i kthejnë”, thotë Shkëlzeni, në qytetar i Prishtina.

Por, ai nuk është i vetmi që tregon se asnjëherë nuk i kthejnë kusurin prej pesë centëve. Këtë fenomen të moskthimit të pareve të imëta në shërbimet e IPKO-s e vërejnë shumica e klientëve të saj, por nuk janë ankuar në IPKO.

Qytetarët të cilët nuk i marrin 5 centët, sipas ofertës zyrtare dhe të promovuar nga IPKO, nuk është publikuar që të jenë ankuar edhe në ndonjë mekanizëm që mund të marrë masa për këtë.

Edhe Valdeti nga Peja tregon se asnjëherë nuk i kthehen 5 centë, ndonëse ai paguan edhe internetin edhe kabllorin me një pako. “Kurrë as që tentoj me i marrë se s’t’i kthejnë, edhe na është bërë normalitet mos me t’i kthye 5 centë, bile”, tregon Valdeti.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Alban Kastrati, tha se kjo nuk ndodh në lokalet e IPKO-së. “Në dyqanet e kompanisë IPKO, konsumatorët mund t’i blejnë produktet dhe shërbimet tona, për çmimin e saktë me të cilin ato shiten, ndërsa aty do ta pranojnë kusurin e tyre”, thotë Kastrati, por të njëjtë nuk e thotë edhe për distributorët e angazhuar nga IPKO-ja.

Ai thotë se IPKO-ja ka minimizuar të gjitha mundësitë për ankesa nga konsumatorët, pasi që ka digjitalizuar shitjen. “Tani ofrojmë mundësi të shumta të blerjes së produkteve dhe shërbimeve tona, si blerjet përmes llogarisë bankare, apo edhe blerjen e të gjitha shërbimeve përmes telefonit mobil”, thotë Kastrati.

Për më shumë, Kastrati thotë se për një kohë të gjatë, IPKO nuk ka evidentuar ankesa nga konsumatorët e tyre lidhur me pagesat që ata i bëjnë për produktet dhe shërbimet e tyre.

Këtë, mosankimim në asnjë institucion për këtë çështje, Selatin Kaçniku nga organizata “Konsumatori” e arsyeton me neglizhencën e institucioneve për të marrë masa.

“Konsumatorët janë dorëzuar.

Ata, për një kohë, kanë bërë ankesa gjithkah dhe kurrë biznesmenët që vjedhin me centë nuk u dënuan, prandaj ata tashmë nuk u besojnë institucioneve për të bërë ankesë, dhe e lënë që vetëdijshëm t’iu vidhen centët e tyre”, thotë për ‘Zërin” Kaçaniku.

Në lidhje me rastin e moskthimit të 5 centëve nga pagesa për shërbimin e kabllorit të IPKO-s, Kaçaniku thotë se edhe ky rast nuk dallon nga të tjerët ku qytetarëve, sipas tij, u vidhen centët.

“IPKO është kompani e fuqishme, dhe duket se i mbetet “syri’ te 5 centët e qytetarit që blen shërbimet e saj. Qytetarët kanë nevojë për komunikim, dhe kjo nevojë po keqpërdoret, pasi që në situata të tilla, konsumatorët edhe nuk shtyhet shumë për 5 centë”, thotë Kaçaniku.

Ai ka rikujtuar se jo vetëm IPKO, por edhe shumë biznese në Kosovë, sipas tij, vjedhin qytetarët me centë, dhe ky fenomen është afro 30 milionë në muaj. “Mesatarisht në vit në Kosovë bëhen mbi 3 miliardë blerje nga konsumatorët, që vetëm 1 cent të ishin, do të thoshte që qytetarët kontribuojnë për shtet 3 miliardë euro.

Por, në këtë mes, mesatarisht në çdo 5 blerje ka dyshime se konsumatorët, nga ana e bizneseve, vidhen me centë. Nga përllogaritjet që kemi bërë, del se mesatarisht 30 milionë euro është dëmi që u bëhet konsumatorëve në muaj nga moskthimi i centëve”, thotë Kaçaniku

Ndryshe, IPKO, në ueb-faqen e saj ka të publikuara oferta për shërbimet e saj të internetit, kabllorit dhe të dyjave së bashku, për periudha të caktuara kohore.

Të gjitha këto oferta janë me çmime jo fikse dhe diferenca nga numri i plotë është vetëm për 5 centë./zeri

1,230 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Për rritje të bashkëpunimit ekonomik

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 23 August 2011

Një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik në rritje midis dy vendeve ishte në qendër të një takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Qeverisë së Kosovës, Besim Beqaj.

Beqaj shprehu besimin se me kushtet e reja të krijuara në Kosovë, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Sipas tij, nxitja e bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike.

Duke iu referuar shembullit të Shqipërisë e cila, sipas kryeministrit, falë privatizimeve arriti të rriste të ardhurat për frymë, ai i quajti vendimet e qeverisë së Kosovës, të guximshme.

“Synimi final i të dy vendeve është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standarteve të jetesës. Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit”- tha kryeministri Berisha

Në fushën e energjisë, ndërtimi i linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë , jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjitike, u theksua në takim./zeri

1,315 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveritarët i maskojnë veturat zyrtare

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Enis Veliu & Lavdim Hamidi – Veturat e zyrtarëve të lartë qeveritarë është vështirë të dallohen nga veturat luksoze të biznesmenëve kosovarë, pasi që një pjesë e konsiderueshme e tyre qarkullojnë me targa jozyrtare.

Po ashtu, veturat zyrtare jo rrallë përdoren nga ministrat, por edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë edhe gjatë vikendit, gjatë dasmave, por edhe gjatë verës për pushime verore në vende të rajonit, por edhe më larg.

Vetura e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetura e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, por edhe shumë vetura të zyrtarëve të lartë qeveritarë, edhe më tej vazhdojnë të ecin rrugëve të Kosovës pa u vërejtur fare.

Brenda territorit të Kosovës këto vetura qarkullojnë me tabela civile. Ndërkaq për udhëtime zyrtare jashtë vendit, këto vetura i shfrytëzojnë tabelat zyrtare të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se regjistrimi i veturave zyrtare është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshëm të Kosovës.

Madje, për këtë çështje ai tha se nuk ka asnjë informacion.

“Unë lidhje s’kam me këtë punë, për këtë çështje kontaktojeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse ata janë kompetentë”, tha Kuçi. Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ai madje ka vendosur t’i bëjë bllokadë të fortë informative njëvjeçare gazetës “Zëri”, përkatësisht nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012, duke shkëputur kështu të gjitha kontaktet me gazetën.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejtë e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka zhvilluar fushatë kundër tij, e cila, siç thotë ai, ka filluar nga zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.

Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative kundër gazetës.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por asnjëri nga ta nuk kanë qenë të gatshëm të bisedojnë për këtë çështje.

Burime të gazetës brenda kësaj ministrie, të cilët kanë pranuar të flasin në kushte anonimiteti, thonë se vetura zyrtare e ministrit Besim Beqaj i ka dy regjistrime, atë zyrtar, si dhe regjistrimin tjetër, i cili është i zakonshëm si i të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Kur ministri udhëton jashtë vendit përdor regjistrimin zyrtar, ndërkaq brenda Kosovës ai lëviz me regjistrim tjetër për të mos u vërejtur”, tha burimi i gazetës. Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend thonë se veturat zyrtare nga ministrat e Qeverisë së Kosovës konsiderohen si private dhe ato përdoren në vazhdimësi nga ta.

Avni Zogiani nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion “Çohu” thotë se

fshehja mbrapa tabelave të zakonshme ka të bëjë edhe me vendndodhjet shumë shpesh krejt të papritura të zyrtarëve.

Zogiani thotë se një gjë e tillë i ka ndodhur kryeministrit të Kosovës në Maqedoni kur është regjistruar me kamera nga televizioni maqedonas “A1”, ku më vonë u mor vesh se takimi, siç thotë ai, ka pasur të bëjë me çështje biznesi.

Rexhepi: “Zëri”, një vit harroni numrin tim!

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të flasë për gazetën “Zëri” në lidhje me regjistrimet e veturave të ministrave.

Ministri Rexhepi thotë se nga 21 gushti i vitit 2011 e deri më 21 gusht të vitit 2012 ka shkëputur të gjitha raportet me gazetën “Zëri”.

“Unë kam vendosur ta bëj një gjë të tillë. Edhe pse jam ministër është e drejte e ime të flas apo të mos flas me ju”, tha të dielën ministri Rexhepi nëpërmes telefonit.

Sipas tij, kohëve të fundit gazeta “Zëri” ka shkruar shkrime të pabazuara në fakte. Ministri Rexhepi tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me gazetarët e gazetës “Zëri” vetëm pas skadimit të kësaj embargoje informative njëvjeçare kundër gazetës./zeri

3,043 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Paratë ia nxjerrin truprojat partiake

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Arbana Xharra – Personat e rëndësishëm që njihen si VIP dhe të cilët jetojnë në “Fshatin Amerikan”, të mashtruar nga agjencia turistike “Bardha Travel”, janë nxjerrë jashtë nga hotelet në Turqi, dikujt i është marrë edhe pasaporta

VIP apo persona shumë të rëndësishëm, epitet të cilin e mbajnë një grup i personave në Kosovë, politikanë, drejtorë, këngëtarë, shumica prej të cilëve jetojnë në lagjen më të shtrenjtë në “Fshatin Amerikan” dhe i kanë të hapura dyert kudo që shkojnë, pak ditë më parë kanë përjetuar të qenët i barabartë, ku nuk pyet kush se kush je.

Ata janë nxjerrë jashtë dhomave të hotelit në Turqi, disa prej tyre me çanta nëpër duar janë sjellë nëpër plazhe, dikujt i është ndalur edhe pasaporta në recepsion të hotelit.

Këtë nënçmim e kanë përjetuar ky grup i VIP-ve, të cilët janë mashtruar nga agjencia turistike “Bardha Travel”, e cila ua ka marrë paratë dhe nuk i ka kryer pagesat në hotelet ku ata kanë shkuar për t’i kaluar pushimet.

Të joshur pas çmimeve shumë të ulëta të agjencisë “Bardha Travel”, kjo shtresë e njerëzve që paraqitet me goxha standard kanë zgjedhur hotelet më të mira dhe janë nisur për të Turqi.

Burime të gazetës nga hotelet ku ata kanë qëndruar kanë bërë me dije për mënyrën se si janë larguar për shkak se nuk i kishin kryer pagesat.

“Një grup i pushuesve që kanë ardhur në hotelin tonë janë larguar për shkak se pagesat për qëndrimin e tyre nuk kanë qenë të përfunduara, kështu që kemi qenë të detyruar t’i largojmë nga hoteli”, ka bërë të ditur njëri nga menaxherët e hotelit, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Ukë Rugovës i ndalet pasaporta

Ndërkohë, është mësuar se më së keqi kanë pësuar deputeti Ukë Rugova dhe Astrit Haraçia, të dy nga lista “Ibrahim Rugova”, gruaja e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit Adelina Reçica dhe disa këngëtarë të tjerë. Ata kanë paguar me mijëra euro për këtë pushim para se të niseshin në agjenci.

Mirëpo, të gjithë këta janë detyruar që të paguajnë sërish me mijëra euro të tjera për të vazhduar pushimet. Burime të gazetës kanë bërë me dije se Ukë Rugovës i është ndalur pasaporta për shkak se i është dashur të paguajë edhe 6 mijë euro në hotelin ku është dashur të kalojë pushimet.

Atij nuk i është dhënë pasaporta derisa e ka paguar këtë shumë të hollash. Është mësuar se Uka ka bërë thirrje në Prishtinë që të transferohet kjo shumë parash për ta marrë pasaportën e tij.

Disa të tjerë të larguar nga hoteli janë vendosur në hotele të tjera të mashtruar sërisht nga pronarja e “Bardha Travel”, e cila u ka thënë se po i dërgon në hotele edhe më të mira.

“Na dërguan në hotel tjetër, edhe atje kur shkuam të nesërmen erdhën pastrueset e hotelit edhe na thanë ta lirojmë dhomën, ne menduam se ato vetëm po e pastrojnë, kur erdhi menaxheri edhe na tha se pagesa është bërë vetëm për një natë, kështu që u detyruam të largoheshim edhe nga aty”, tregon njëri nga ky grup, i cili nuk deshi t’i përmendej emri.

Mirëpo, duke qenë se të gjithë këta qëndrojnë mirë financiarisht, ata kanë paguar me mijëra euro të tjera për të vazhduar pushimet. Astrit Haraçia dhe Ukë Rugova kanë qenë të pakontaktueshëm. Por jo të gjithë nga ata kanë arritur t’i nxjerrin paratë që kishin dhënë tek “Bardha Travel” para se të niseshin për në Turqi.

Më e zonja ka dalë gruaja e drejtorit të AKP-së, Dino Asanajt, Adelina Reçica, e cila paratë i ka nxjerrë vetëm me një thirrje telefoni.

Nxjerr paratë me “komandantë”

Kur e ka parë se është mashtruar keq me 10 mijë euro, që i kishte dhënë në agjenci, Adelina Reçica, nga Turqia i dërgon disa ish-komandantë dhe truproja, të cilët e kërcënojnë burrin e pronares së agjencisë “Bardha Travell”, që brenda katër orëve t’i kthejë 10 mijë euro, ose pas këtij afati ai do të jetë i detyruar që të kthejë 20 mijë euro.

“Burri i pronares Tringa Lama, është detyruar të shkojë në një nga bankat vendore të gjejë intervenim brenda ditës dhe të marrë kredinë prej 10 mijë euro që t’ia kthejë paratë gruas së Dino Asanajt. Për të marrë këtë kredi ai ka futur pagën e nënës së tij si garanci”, ka bërë të ditur burimi i gazetës. Për këtë kërcënim është mësuar edhe nga burimet brenda policisë.

Me burrin e pronares së agjencisë ka qenë i pamundur kontakti, pasi që telefoni i tij është duke u mbajtur ende në polici për shkak të hetimeve. Ndërkohë që Adelina Reçica ka mohuar me një reagim të ketë udhëtuar me “Bardha Travell”, ndonëse njerëz të afërt me të e kanë konfirmuar se ajo ka arritur që në këtë mënyrë t’i nxjerrë paratë e saj.

Kaosi me agjenci turistike

Minsitria e Tregtisë dhe Industrisë ka vetëm dy inspektorë me të cilët synon që të rregullojë këtë treg të agjencive turistike në vend. Terreni i pakontrollueshëm i ka dhënë hapësirë që çdokush të merret me këtë biznes dhe si rezultat të mashtrohen qytetarët dhe të mos japë llogari askush për ta.

Mësohet se rreth 200 agjenci turistike veprojnë në Kosovë, ndërkohë që vit për vit, sidomos nëpër sezonet kur ka më së shumti udhëtime gjatë verës dhe bëhen festat e fundvitit, pasagjerët bien pre e mashtrimeve të tyre. Policia e Kosovës javën e kaluar arrestoi pronaren e agjencisë “Bardha Travel” në Prishtinë, Tringa Lama – Sadriu, e cila u kishte marrë 30 familjeve rreth 80 mijë euro për t’i dërguar në bregdetin turk dhe nuk e bëri një gjë të tillë, me ç’rast shumica e familjeve të dëmtuara u detyruan të paguajnë për pushime verore për herë të dytë në agjencitë më serioze.

Pavarësisht këtyre mashtrimeve, për zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë gjithçka ka qenë në rregull edhe me agjencinë “Bardha Travel”. Ajo madje ka ende licencë, dhe ky fakt mjafton për të bërë me dije se sa i leverdishëm është terreni në Kosovë për këdo që ia mësyn të mashtrojë dhe të përfitojë pa u penguar nga askush./zeri

1,028 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Ministria e Bujqësisë rrezikon të dënohet për tender

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Foto: Petrit Rrahmani

Ministria e Bujqësisë rrezikon të dënohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për shkeljet që ka bërë me tenderin për punën e bashkimit të tokave bujqësore në Gjakovë. OSHP-ja ka lëshuar një urdhër për këtë çështje, ku i bën me dije kësaj Ministrie, që nëse nuk zbatohet vendimi i saj i mëhershëm, që tenderi në fjalë të rivlerësohet pa bërë shkelje ligjore, pos dënimit me 5 mijë euro, duhet të shqyrtohet edhe marrja e masave ndaj zyrtarëve të prokurimit në këtë ministri.

Por, ky tender tashmë është anuluar nga Ministria, dhe sipas urdhrit më të fundit të OSHP- së, ky veprim është marrë kundërligjshëm, pasi që rivlerësimi që çoi deri tek anulimi është bërë duke shkelur së paku dy nene të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). OSHP-ja po ashtu ka konstatuar se të dy komisionet që kishte formuar Ministria e Bujqësisë, të parin për të vlerësuar oferta e kompanive që garuan për këtë tender, e të dytin për t’i rivlerësuar ato, kishin vlerësime komplet kundërthënëse.

I pari, që edhe kishte arritur të zgjidhte si fitues kompaninë “N.P Geo-Info” nga Prishtina, kishte konstatuar se në garën për këtë tender ofertuan 6 kompani të përgjegjshme, kurse komisionit të dytë i “humbën” pesë kompani. Komisioni i dytë, që ishte formuar po ashtu pas një vendimi të OSHP-së, që gjeti shkelje në punën e komisionit të parë dhe e ktheu tenderin në rivlerësim, thotë se ka gjetur që vetëm një kompani të përgjegjshme.

Kjo kompani, sipas komisionit të dytë, ishte NPN “Lori” nga Vushtrria. Pasi që Ligji i Prokurimit Publik (LPP) nuk lejon që të vazhdohet një tender me vetëm një kompani të përgjegjshme në garë, komisioni i dytë merr vendim që tenderi të anulohet, por prapë u shfaqën pakënaqësitë. Tash, jo kompania e parë fi – tues e këtij tenderi, por kompania tjetër private, “Intershped” nga Ferizaj, ankohet se vendimi është i paligjshëm.

Pasi që shqyrtoi krejt këtë situatë, Organi Shqyrtues i Prokurimi, në urdhrin e fundit që ka lëshuar për Ministrinë e Bujqësisë, thotë se edhe vendimi për anulim, sikurse vendimi i pare që të zgjidhej “N.P Geo-Info” nga Prishtina, është i pa qëndrueshëm. Arsyeja, sipas OSHP-së, pse edhe konstatimi i komisionit të dytë është i paqëndrueshëm është për faktin se gjatë punës së tij ky komision ka bërë shkelje të dyfi shtë të LPP-së.

“Autoriteti Kontraktues (Ministria e Bujqësisë), gjatë procesit të rivlerësimit nuk ka respektuar neni 7 dhe 59 të LPPsë”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues të këtij rasti. Tash, sipas urdhrit të OSHP-së, Ministria e Bujqësisë duhet të zbatoi vendimin e më hershëm, atë për ri-vlerësim prej fillimit të këtij tenderi, ani pse Ministria veç e ka bërë një herë këtë punë, por i doli që duhet ta anuloi këtë tender.

Megjithëkëtë, OSHP-ja këmbëngul që vendimi duhet të zbatohet, dhe kërcënon Ministrinë e Bujqësisë se do të ndëshkohet deri në 5 mijë euro, dhe të kërkohet nga “shefat” e Ministrisë që të marrin masa ndaj personave që i bënë këto shkelje. Megjithëse njoftimi që është anuluar ky tender tashmë është publikuar, në Ministrinë e Bujqësisë thonë se nuk do të ketë nevojë për ndëshkim nga OSHP- ja. “Vendimin do ta zbatojmë, të plotë ashtu siç kërkohet në urdhrin e OSHP-së.

Kurse, për hapat e mëtutjeshëm në këtë lëndë do të bëjmë konsulta brenda institucionit dhe do të veprojmë konform situatës, gjithherë duke e zbatuar ligjin”, ka thënë për “Zërin”, Adil Behramaj, Zëdhënësi i kësaj ministrie./zeri

1,539 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Si të rritet eksporti?

| Ekonomi, Kosovë | 23 August 2011

Për të qenë produktet kosovare më konkurruese në raport me produktet e shteteve tjera, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të bizneseve kosovare, Kosova duhet të ketë një treg më të favorshëm në aspektin e klimës biznesore dhe të ketë investime më të mëdha të huaja.

Alban Zogaj nga Instituti “Riinvest” thotë se pa përmirësimin e politikave fiskale, produktet kosovare nuk do të mund të jenë konkurruese, dhe në këtë mënyrë nuk do të mund të eksportohen.

“Çka duhet bëhet që të kemi një rritje në eksportit t tonë e që pastaj e rregullon bilancin tregtar tepër të disfavorshëm të Kosovës. Çështje kyçe në rritjen e eksportit është rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare. Ndërmarrjet kosovare duhet të jenë më konkurruese në tregun ballkanik dhe në atë evropian, në mënyrë që produktet kosovare të shiten ne tregjet e rajonit, por edhe ne tregjet e Evropës”, thekson Zogaj.

Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, eksportet shënuan normë vjetore të rritjes prej 18.6 për qind, duke arritur vlerën prej 168.1 milionë euro, ndërsa importet shënuan rritje vjetore prej 16.5 për qind dhe arritën vlerën prej 1.09 miliardë euro.

Sipas raportit të BQK-së, efekti i rritjes së eksporteve vazhdon të eliminohet nga rritja e importeve për sa i përket ndikimit në vlerën e bilancit tregtar, duke pasur parasysh se importet janë rreth 6.5 herë më të larta sesa importet.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se një masë që do të ndihmonte në promovimin e eksportit është futja e pakove stimuluese, siç është lirimi i pagesave nga tatimet për ato biznese të cilat kanë një plan të mirë të biznesit, dhe bizneset që bëjnë pjesë në sektorin e prodhimtarisë

“Qeveria do të ishte në gjendje të dilte me një pako të mirë që do të stimulonte zhvillimin e eksportit privat dhe sektorin e prodhimtarisë në vend. Kemi marrë paralajmërime nga qeveria se shumë shpejt do të hyjë në fuqi një pako e re fiskale, e cila përfshinë masa të tilla stimuluese, një prej tyre është që Oda Ekonomike Amerikane e ka kërkuar tash e sa kohë, e kjo është heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet e makinerisë për markat që përdoren për prodhim”, thotë Zeka.

Zeka thekson se kanë pritur që pas raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore, institucionet e vendit do të punonin më shumë në përmirësimin e ambientit afarist, por siç thotë ai, një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe sipas tij, Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtarë.

“Çfarë mund të bëjë qeveria e vendit për të përmirësuar ambientin afarist? Mendoj që këto janë indikatorë shumë të qartë. Nuk ka nevojë që qeveria të drejtohet diku tjetër. Mjafton raportin ‘Të bësh biznes’ që publikohet çdo vit nga Banka Botërore. Në bazë të atij raporti, qeveria duhet të merr masa të cilat do të ndikonin në përmirësimin e ambientit afarist”, thotë ai.

Për të ngritur eksportin, edhe Alban Zogaj nga Instituti “Riinvest”, thotë se autoritetet kosovare duhet të bëjnë më shumë në stimulimin e bizneseve vendore.

Ne po e shohim që nuk është punuar shumë në aspektin e klimës biznesore në Kosovë.

Deri më tani, sipas tij, është bërë shumë pak në sektorin privat.

“Ne po e shohim që nuk është punuar shumë në aspektin e klimës biznesore në Kosovë. Kosova renditet shumë poshtë në listën e Bankës Botërore dhe institucioneve tjera ndërkombëtare sa i përket atyre elementeve të bërit biznes në Kosovë”, sqaron ai.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga fillimi i këtij viti deri më tani, Kosova importoi mallra në vlerë prej 1.09 miliardë euro krahasuar me 938.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak/bota sot

1,277 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Çmimi i arit shënon rekord të ri

| Botë, Ekonomi | 23 August 2011

Çmimi i arit ka shënuar një rekord të ri, i cili ka shkuar në 1900 dollar për onc. Analistët mendojnë se kriza ekonomike në Evropë dhe frika e ekonomisë amerikane i ka shtyrë investitorët të rrisin kërkesën e tyre drejt arit. /bota sot

1,344 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Zyrtarë të FMN-së vizitojnë Serbinë

| Ekonomi, Rajon | 23 August 2011

Zyrtarë të qeverisë serbe kanë nisur diskutimet me një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN), ndërsa kërkojnë një hua tjetër të gatshme në rast nevoje për vendin e tyre.

Kryeministri serb Mirko Cvetkoviç u takua sot në Beograd me një delegacion të kryesuar nga Alber Jaeger. Të dy ranë dakord se një kufizim i rreptë i buxhetit dhe shkurtimi i shpenzimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes janë të domosdoshme.

Serbia shpreson të arrijë një marrëveshje për një hua paraprake prej 1,4 miliardë dollarësh.

Delegacioni i FMN-së do të qëndrojë në Serbi deri në 30 gusht.

Bisedimet do të përfshijnë rishikimin e buxhetit të vitit 2011 si dhe një projektbuxhet për vitin 2012./bota sot

1,172 shikime gjithsej, 1 shikime sot