Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Një agjenci kreditimesh rendit në nivel më të ulët borxhin japonez

| Botë, Ekonomi | 25 August 2011

Ministri japonez i financave Yoshohiko Noda tha se besueshmëria ndaj ekonomisë vendase “nuk do të lëkundet” mbasi një agjenci ndërkombëtare kreditimi e ka renditur në nivel më të ulët borxhin japonez.

Bonot e thesarit ishin të qëndrueshme mbas uljes mëngjesin e sotëm, dhe punonjësit e bursës thanë se kjo ulje nuk ishte e papritur.

Agjencia ndërkombëtare “Moodi” thotë se e kishte ulur përqindjen e borxhit, nga AA2 në AA3, pasi vendi vazhdon të ketë deficit të lartë dhe paqëndrueshmëri politike.

Janë këto arsyet që sipas kësaj agjencie krijojnë dyshime për aftësitë që ka Japonia për t’u përballur me problemin e borxhit./bota sot

1,158 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Një recesion i dytë, nëse ndodh, mund të jetë tepër i vështirë

| Botë, Ekonomi | 25 August 2011

Disa ekonomistë janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara mund të zhyten në një recesion tjetër. Ata paralajmërojnë se ky recesion i ashtuquajtur “zhytje e dyfishtë”, nëse ndodh, mund të jetë më i vështirë për amerikanët e thjeshtë se sa recesioni i viteve 2007-2008. Vendet e punës, të ardhurat, shpenzimet dhe prodhimi industrial janë tani më të dobëta se sa ishin para 4 vjetësh. Njëri prej sektorëve që është goditur më rëndë është ai i tregut të shtëpive.

Mark Hudson është agjent i pasurisë imobiliare në Uashington, një prej zonave që është prekur më pak nga kriza në sektorin e strehimit dhe të ndërtimit. Ai shqyrton me kujdes listën e shtëpive për shitje.

“Shitjet e shtëpive kanë rënë rreth 40 për qind krahasur me vitin 2005. Kjo prek çdo sektor tjetër të ekonomisë, ndërkohë që zona metropolitane e kryeqytetit Uashington është më mirë se shumë prej zonave të tjera të vendit”.

Një prej shtëpive që Marku po përpiqet të shesë është kjo, e cila ndodhet në distriktin historik të një lagjeje periferike të Uashingtonit.

Ai thotë se do ta shesë këtë shtëpi për shumë më pak se sa para disa vjetësh dhe kjo rënie e çmimit të shtëpive ka një ndikim në pasurinë personale të njerzve.

“Nëse do ta kishin shitur shtëpinë para disa vjetësh, pronarët do të kishin siguruar fitim më të madh, 100 mijë deri në 150 mijë dollarë. Këtë shumë ata mund ta përdornin për pension ose për të blerë një shtëpi të re ose për të paguar për universitetin e fëmijëve. Pra rënia e çmimit të shtëpive padyshim ndikon tek pasuria e tyre personale”.

Shtimi i shitjeve dhe ndërtimit të shtëpive mund të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë, por ekonomistja Karen Dynan thotë se ka të ngjarë që kjo të mos ndodhë përsëri.

“Problemi i tanishëm është kërkesa e paktë sepse njerzit nuk duan të blejnë shtëpi kur perspektiva e të ardhurave të tyre është fare e paqartë. Kur njerzit shqetësohen se çmimet e shtëpive do të bien edhe më shumë dhe deri sa të shikojmë shtimin e kërkesës, ne nuk do të përjetojmë një shtim të ndërtimit të shtëpive në sasi të mjaftueshme që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik”.

Shumë ekonomistë thonë se frika e së panjohurës mban gjallë hezitimin e konsumatorëve. Kjo frikë ka tronditur tregjet financiare të botës, pas uljes së klasifikimit të kreditit për qeverinë amerikane dhe debatit të gjatë e tepër të politizuar lidhur me kufirin e borxhit të Shteteve të Bashkuara.

“Pesimizmi mund të bëhet realitet. Nëse një konsumator e fillon ditën i shqetësuar rreth së ardhmes dhe nuk shpenzon, pronarët e bizneseve të ndryshme do të përjetojnë pak kërkesë dhe si rezultat ata do të punësojnë më pak njerëz dhe të ardhurat do të jenë më të pakta, gjë që kthehet përsëri tek konsumatori, i cili është edhe më pak i prirur të shpenzojë”.

Mark Hudson thotë se ndërsa të ardhurat e tij personale kanë rënë me më shumë se 50 për qind, pa dyshim që ai po shpenzon më pak, madje ai është i shqetësuar rreth së ardhmes.

“Nëse do të përballemi me një recesion tjetër, nuk di se ç’mund të bëj, sepse i kam shkurtuar shpenzimet në maksimum. Ndoshta mund t’i shkurtoj ato edhe më shumë, por kjo është e vështirë dhe vetë ngritja e një pyetjeje të tillë të frikëson”./bota sot

1,258 shikime gjithsej, 2 shikime sot

BE: Embargo mbi importin e naftës nga Siria

| Botë, Ekonomi | 25 August 2011

Bashkimi Evropian (BE) është duke menduar që të imponojë një embargo mbi importin e naftës nga Siria, në fund të javës së ardhshme, për të rritur presionin mbi presidentin sirian Bashar al-Assad, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për të shqyrtuar mundësi të reja për sanksionet ndaj Sirisë, për shkak të dhunës disa mujore mbi protestuesit anti-qeveritarë.

Embargoja e naftës do të jetë një hap i madh për shkak se disa shtete anëtare të BE-së mund të pësojnë humbje për shkak të lidhjeve të tyre të importit të naftës nga Siria.

Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut mbi 2 mijë persona kanë humbur jetën në Siri./bota sot

819 shikime gjithsej, 2 shikime sot

INSTAT: Rriten eksportet e Shqipërisë

| Ekonomi, Shqipëri | 25 August 2011

Instituti i Statistikave (INSTAT) konfirmon të dhëna pozitive për tregtinë e jashtme të Shqipërisë. Sipas të dhënave, për muajin korrik nga Shqipëria u eksportuan rreth 18 miliardë lekë mallra, me rritje 7.7 për qind në krahasim me qershor 2011 dhe rritje me 32.4 për qind në krahasim me korrik 2010.

Po ashtu, gjatë këtij muaji u importuan rreth 48 miliardë lekë mallra me rritje 2.4 për qind në krahasim me qershorin.

Këto shifra çuan në ngushtimin e lehtë të deficitit tregtar. Tregtia me vendet e BE është 69.1 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Me Italinë eksporti është 56.4 për qind dhe importi 33.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.5 për qind dhe importi 11.2 për qind./bota sot

1,777 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Vera shitet lirë, blihet shtrenjtë

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Lavdim Hamidi – Kosova mund të mburret se vetëm me verëra e ka raportin pozitiv tregtar. Më shumë eksporton sesa që importon. Mirëpo, vlera e importit të verës e tejkalon atë të eksportit, pasi që ajo blihet shumë shtrenjtë e shitet lirë.

Aktualisht eksporti në tregun evropian është shumë i ulët, krahasuar me vitet e 80-ta kur eksporti nga Kosova ka qenë 40 milionë litra në vit, kryesisht në Gjermani. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë luftës në Kosovë sipërfaqja me vreshta u zvogëlua në mënyrë drastike.

Vreshtat e sektorit të ndërmarrjeve shoqërore u shkatërruan plotësisht. Sipërfaqja e vreshtave në Rahovec është sipërfaqja më e rëndësishme e vreshtave, e pastaj sipërfaqja e vreshtave të Therandës.

Në dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë, plani për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural 2010-2013, flitet edhe për përpunimin shtëpiak të rrushit në verë, ku thuhet se ekziston një numër relativisht i madh përpunuesish, të cilët nuk janë të licencuar dhe kushtet në të cilat ato bëjnë përpunimin janë shumë të dobëta sa i përket higjienës, si dhe pajisjeve teknologjike.

Sipas këtij dokumenti, tregu aktual karakterizohet me verëra jocilësore me çmime të ulëta, pasi që verërat komerciale duhet të garojnë me prodhimet shtëpiake. “Për të pasur një kthim të arsyeshëm të investimeve në nën-sektor, kërkohet cilësi më e mirë dhe një profil i qartë i verës së tregtuar, karshi verërave shtëpiake.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë se mund të jetë formulimi jo i drejtë, ku flitet për verëra jocilësore në dokumentin e Ministrisë, mirëpo, sipas tij, vreshtarët kosovarë duhet të orientohen në varietete më cilësore.

Ai sqaron se rrushi i tryezës, që kultivohet në Kosovë, është shumë cilësor dhe do të përkrahet nga Ministria e Bujqësisë. Mirëpo, sipas tij, kërkesa për konsum të verërave ka rënë në nivel global, jo vetëm në tregun e Kosovës.

Në anën tjetër, profesori i vreshtarisë dhe verarisë në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Bedri Dragusha, thotë për “Zërin” se për këtë sektor përkrahja institucionale është zero.

Sa i përket kualitetit të verërave që prodhohen në vend, profesori Dragusha sqaron se ato janë në nivel të njëjtë me verërat që prodhohen në shtetet e rajonit, apo edhe më të mira.

“Lënda e parë për prodhimin e verës në Kosovë është shumë cilësore, po ashtu edhe teknologjia është në nivel të duhur”, shprehet Dragusha. Ai thotë se për të depërtuar në tregun evropian verërat kosovare duhet të ketë një angazhim më të madh edhe të Odës Ekonomike të Kosovës në këtë drejtim, në mënyrë që të ketë bashkëpunim mes prodhuesve të verës në vend dhe në Evropë.

Statistikat zyrtare të Doganave të Kosovës bëjnë të ditur se gjatë vitit 2010 nga Kosova janë eksportuar mbi 2.3 milionë litra verë, vlera e të cilëve ka arritur në rreth 1.5 milion euro. Vera kryesisht është eksportuar në Shqipëri, Kroaci, Zvicër, Gjermani, Britani të Madhe etj.

Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar më pak se 120 mijë litra verë, vlera financiare e të cilave ka qenë më shumë se 1 milion e 550 mijë euro.

Ndërsa gjatë vitit 2011 janë eksportuar më shumë se 1.3 milion litra vlerë, vlera e të cilave ka arritur në mbi 897 mijë euro, ndërsa janë importuar 43 mijë litra me vlerë prej 957 mijë euro./zeri

1,458 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Bodrumet nuk rrisin kapacitetin

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Foto: Reuters

Visar Duriqi – Bodrumet e verërave në Rahovec, Gjakovë e Suharekë janë të gatshme që të pranojnë rrushin që do të vilet tashti, por në kapacitet sikurse të vitit të kaluar. Ato nuk kanë rritur kapacitete deri në masën që do të përballonte krejt prodhimin vendor, pasi që thonë se as tregu i tyre nuk është rritur.

Ata kanë telashe edhe me bizneset kosovare që shërbejnë verëra, të cilat më shumë përdorin verërat e Malit të Zi sesa të Kosovës. Nevzat Haxhijaha nga “Bodrumi i Vjetër” i Rahovecit thotë se kjo ndërmarrje edhe sivjet do të pranojë sasinë që ka pranuar vitin e kaluar, por nuk jep shifra

“Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet do të pranojmë maksimumin e rrushit që lejojnë kapacitetet tona në bodrum. Do të ketë edhe një rritje të vogël të kapaciteteve pranuese, në krahasim me vitin e kaluar, por jo përtej mundësive tona përpunuese dhe atyre të pasimit në treg”, thotë Haxhijaha.

Ai tregon se tregu i tyre i shitjes së verërave ka pasur një rritje solide, por jo aq sa për të rritur shumë edhe kapacitetet pranuese. “Verërat tona ne pos në tregun vendor, në pjesën më të madhe i shesim në tregun kroat dhe atë të Shqipërisë.

Në tregun vendor, në periudhën e fundit kemi pasur një rritje të tregut prej 5-10 %, kurse në tregun e jashtëm mbi 10%, por kjo nuk është një rritje e madhe”, vlerëson ai.

Haxhijaha kujton se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, verën e tyre e kanë shitur në një sasi të konsiderueshme edhe në Serbi, por pasi që ky shtet bllokoi eksportin kosovar, ende janë duke e marrë veten si biznes.

Edhe bodrumi “Dea” në Gjakovë do të pranojë sasi të rrushit sa ka pranuar vitin që shkoi. “Çdo vit pranojmë rreth 20 mijë kilogramë rrush në përpunim, dhe kaq kemi mundësi të pranojmë edhe sivjet, apo edhe pak më shumë ndoshta”, thotë Mehmet Batusha.

Sikurse Haxhijaha, edhe Bastusha thotë se nuk kanë pasur rritje të tregut, dhe një pjesë të fajit ua hedh edhe bizneseve kosovare që shërbejnë verëra.

“Hoteleritë tona më shumë servojnë verëra të huajat, edhe pse e kemi verën cilësore dhe më të lirë se ato të importuarat për 50 %. Ata po arsyetohen se këtë po e kërkojnë klientët”, thotë Batusha, dhe bën me dije se vera që kërkohet më së shumti është ajo nga Mali i Zi.

Për dallim nga dy të parët, Shaban Tafaj nga bodrumi “Agrokosova Holding” thotë se sivjet do të ulë kapacitetin e pranimit dhe për këtë fajin ia hedh Qeverisë.

“Vjet kemi pranuar rrush edhe nga Rahoveci, dhe patëm pranuar edhe nga Suhareka aq sa nuk i përballonin kapacitetet tona, por nuk u ndihmuam asgjë nga Qeveria për këtë punë’, thotë ai.

Ai bën me dije se këtë vit do të përpunojë vetëm rrushin e vet, pasi që ashtu mund të gjejë treg, edhe pse ka kapacitete prodhuese prej 600 mijë litrash në vit.

Ndryshe, vitin që shkoi prodhuesit e rrushit patën telashe me shitjen e rrushit të tyre, pasi që bodrumet ankoheshin se nuk kanë kapacitete më të mëdha pranuese. Në këtë situatë, pati edhe protesta jo të qeta, deri në hyrje me dhunë në oborret e bodrumeve nga ana e fermerëve./zeri

1,760 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Sivjet rrushi “për toke”

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Enis Veliu – Rreth 80 për qind pritet të bjerë prodhimi i rrushit vendor sivjet në krahasim me vitin e kaluar. Dy milionë kilogramë rrush pritet të prodhohen sivjet nga vreshtat e Kosovës, derisa vitin e kaluar ishin prodhuar më shumë se 10 milionë.

Moti i keq pranveror ka bërë që sivjet në vendin tonë të shënohet niveli më i ulët i rendimenteve të prodhimtarisë së rrushit. Por, përveç motit gjendjen në sektorin e vreshtarisë në Rahovec vitin e kaluar e patën rënduar dhe dy bodrumet e verës, të cilat nuk morën asnjë kilogram rrush nga fermerët e asaj ane.

Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, thotë se sivjet gjendja e vreshtarisë në komunën e Rahovecit, por edhe në komuna të tjera është tejet e rënduar.

Ai thotë se vreshtat thuajse sivjet kane qenë të shkreta, pasi që ngricat pranverore i kanë dëmtuar në masë të madhe ato. “Sivjet rendimentet janë shumë të ulëta. Vitin e kaluar kemi marrë më shumë se 10 milionë kilogramë rrush, ndërkaq sivjet nuk do të mund t’i mbledhin as dy milionë. Situata është e rëndë”, tha ai.

Shulina tha se sivjet nuk do të ketë probleme sikurse vitin e kaluar, pasi që bodrumet e verës në një farë mënyre kanë rënë dakord që të pranojnë të gjithë sasinë e rrushit, e cila do të prodhohet nga fermerët e komunës së Rahovecit.

Ai tha se përpos bisedave me pronarë të bodrumeve fermerët në vazhdimësi kanë negociuar edhe me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, nga të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’i shpëtuar vreshtat dhe vreshtarët.

“Ne javën e kaluar jemi takuar me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, ua kemi dorëzuar kërkesat atyre dhe presim që ato të realizohen. Është një e mirë se të gjitha premtimet e dhëna vitin e kaluar për të subvencionuar prodhuesit janë realizuar në masën prej më shumë se 98 për qind”, tha Shulina.

Sipas tij, nëse sektori i vreshtarisë nuk përkrahet instuticionalisht shumë shpejt Kosova do të mbetet pa rrush vendor.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, thotë se nga viti i kaluar e deri tash kanë qenë gjithmonë në kontakt me Shoqatën e Vreshtarëve të Rahovecit.

Ai thotë se në konsultim me ta, sivjet është planifikuar që të bëhet subvencionimi i rrushit direkt te vreshtarët. “Sivjet do ta kemi më lehtë për të subvencionuar, sepse ka dukshëm më pak rrush sesa vitin e kaluar.

Ne kemi biseduar me Shoqatën, por edhe me bodrumet e verës. Ne do të subvencionojmë fermerët, për çdo kilogram rrush të dorëzuar do të subvencionohen direkt nga Qeveria. Deri tash ende s’kemi marrë vendim se sa do të jetë subvencionimi për kilogram”, tha ai.

Sipas tij, Ministria e Bujqësisë brenda mundësive që ka pasur gjithnjë është treguar e gatshme që ta mbështesë sektorin e vreshtarisë në vendin tonë. Përndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitet ‘80, eksporti nga Kosova ishte 40 milionë litra në vit, kryesisht për në Gjermani. Por, gjatë luftës sipërfaqja me vreshta u zvogëlua në mënyrë drastike. Vreshtat e sektorit të ndërmarrjeve shoqërore u shkatërruan plotësisht. /zeri

2,651 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Astrit Haraqija emërohet zëvendësministër

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Visar Duriqi – Qëkur e la karrigen e të parit të Kulturës, e deri tash, i shumëpërfoluri për skandale, Astrit Haraqija, nuk i kishte shijuar “bereqetet” e pushtetit. Ai madje nuk ishte futur as në listën për deputet të “Lisat dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është ende. Por tash, siç kishte bërë me dije kohë më parë “Zëri”, Astrit Haraqija është emëruar zyrtarisht zëvendësministër i Financave në qeverinë dytë të njeriut që e kishte quajtur të dështuar, Hashim Thaçit.

Në kohën sa ishte ministër i Kulturës kishte në dispozicion më pak se 10 milionë euro buxhet, kurse tash është zëvendësministër i Financave, nëpër të cilën kalojnë krejt financat e vendit.

Marrja e kësaj pozite nga Haraqija nuk e ka postuar as në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ende si punëdhënës të vetëm e ka kompaninë “Make Up – auto-sistem”. As në uebfaqen e Ministrisë së Financave nuk është vendosur biografia e Haraqisë, dhe aty aktualisht janë biografi të e fotot vetëm të ministrit Bedri Hamza dhe zëvendësministrit tjetër, Ramadan Avdiu, të dy nga PDK-ja.

Ai nuk pranon të flasë për më shumë detaje rreth punës së tij të re. “Qe dy javë ia kam filluar punës”, është përgjigjur shkurt Haraqija. Ai i ka ikur edhe përgjigjes se cilat janë kompetencat e tij në këtë ministri.

“Ministria nuk është pronë private me i nda kush me cilin institucion me u marrë. Ne punojmë qato që naj jep ministri në mbledhje të mëngjesit, takojmë qata njerëz që na i cakton ai. Shkurt, i kryejmë qato detyra që na i cakton ministri gjatë ditës”, thotë për “Zërin” Haraqija.

Ai tha që do të jetë shërbyes besnik i ministrit Bedri Hamza. “Nuk është me rëndësi a jam zëvendësministër i parë, i dytë a i katërti. Unë punoj atë që më cakton ministri”, thotë Haraqija.

Astrit Haraqija u emërua si zëvendësministër i Financave më 12 gusht të këtij viti derisa për këtë të njëjtën pozitë ishte përfolur një anëtar tjetër i “Listës dr. Ibrahim Rugova”. Ishte ky kandidati për deputet i listës, Dardan Stublla, që pak kohë më parë, nga një komision intervistues, u shpall drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por më vonë ky konkurs u anulua.

Ndryshe, Astrit Haraqija para kësaj pozite mbajti pozitën e ministrit të Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, ku nga aty u largua me rënien e koalicionit LDK-AAK. Në këtë periudhë Ministria e Kulturës ishte pjesë e shumë publikimeve për keqpërdorime me buxhetin, emërimeve politike të njerëzve pa kualifikim dhe skandale të tjera.

Edhe raportet e auditimt të kësaj periudhe flasin për keqpërdorime me paratë e dhëna si avanse. “Kemi konstatuar se në tre vjetët e fundit (2005, 2006, 2007) shumë llogari të pagesave avans nuk janë mbyllur në tërësi dhe për këtë arsye ende mbeten të hapura dhe aktive. Kemi identifikuar se rreth 2.5 milionë euro të llogarive janë ende aktive dhe të pambyllura në regjistrat e MKRS-së”, thuhet në raportin e ZAP për këtë ministri për vitin 2007, kur kjo ministri ishte ende në duart e Haraqisë.

Për skandale e pati kritikuar atëherë edhe udhëheqësi i Departamentit të Kulturës në Kabinetin për Qeverisje të Mirë sa PDK-ja ishte opozitë, Lirak Çelaj. Çelaj, që tash është këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, pati kërkuar që Haraqija të shkarkohej nga detyra e ministrit të Kulturës, duke e akuzuar se ai ka menaxhuar keq mjetet financiare, ka politizuar kulturën, duke ia kujtuar se për drejtor të Qendrës Kinematografi ke të Kosovës zgjodhi vëllanë e deputeti të LDK-së, Sabri Hamiti, Zeqirin.

Çelaj kishte përmendur një skandal me çmimin letrar “Azem Shkreli”, financimin me 150 mijë euro të festivali “Kënga Magjike”, me 10 mijë euro për videoklipin “Loçka jeme” të Arbërie Hadërgjonajt, blerja e një veture në vlerë 90 mijë euro, deklaratat e tij skandaloze “Unë i kam harxhuar edhe paratë e babës tim, pse jo edhe të ministrisë” etj.

Haraqija para se të bëhej ministër i Kulturës, ka ushtruar funksionin e kryeshefit ekzekutiv të komunë së Gjakovës, ku pati shpallur këtë qytet “Krahinë Autonome” si një formë e fushatës drejtuar ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit pasi që kishte lënë mbrapa procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të këtij qyteti.

N të kaluarën politike, Haraqija ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Gjakovën.

Haraqija dikur akuzonte Thaçin

Tash e ka shef kryeministrin Hashim Thaçit, si zëvendësministër i Financave, por sa ishte ministër i Kulturës, Astrit Haraqija kishte ngritur dyshime për keqpërdorime të fondit “Vendlindja thërret” nga Thaçi.

“Hashim Thaçi i ka humbur katër palë zgjedhje në Kosove. Ai më akuzon mua për orrupsion, për krijimin e do farë strukturash parapolitike, për shfrytëzim të fondeve publike! Ani kush, Hashim Thaçi!? Ai duhet të japë llogari para popullit për shfrytëzimin e fondit ‘Vendlindja thërret’. Ku janë paret e këtij fondi, sa para janë mbledhur për këtë fond, sa janë shfrytëzuar për nevoja të luftës, sa kanë mbetur, ku janë tretur?”, kishte deklaruar Haraqija./zeri

1,596 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Prodhimet shqiptare mësyjnë tregjet e huaja

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 24 August 2011

Prodhimet bujqësore kanë përmirësuar këtë muaj bilancin tregtar, në krah të eksporteve.

Llogariten rreth 20 milionë dollarë mallra bujqësorë të eksportuar drejt vendeve të huaja.

Sipas, zëvendës-ministrit të Bujqësisë, prodhimet e vendit tonë po tregtohen kudo në Europë, deri në Gjermani e Slloveni.

Gjithashtu, sipas tij, është trefishuar edhe eksporti drejt Kosovës.

Fruta-perimet shqiptare po tregtohen kudo nëpër tregjet e Europës, deri në Gjermani dhe Hungari.

Për çdo vit prodhimet bujqësore po njohin një rritje të konsiderueshme.

Zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, thekson në një intervistë për “ABC News” se eksportet për këtë vit janë rritur me rreth 40 për qind.

Gjithashtu, sipas numrit 2 të Bujqësisë, gjatë kësaj periudhe janë shtuar eksportet e prodhimeve bujqësore edhe drejt Kosovës.

Fasllia thekson edhe se dikasteri i bujqësisë dhe i mbrojtjes së konsumatorit, ka bërë monitorimin e çmimeve në tregje, duke konfirmuar se ato kanë rënë me 10 për qind.

Ai parashikon mos-ndryshim të këtyre çmimeve edhe për tre muaj të tjerë.

Fruta-perimet që eksportohen vijnë nga Ultësira Perëndimore e vendit, si Lushnjë, Fier dhe Berat. Ndërsa më pas nis, eksporti i frutave që rriten në zonën e Korçës./bota sot

1,265 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kompanit franceze bëjnë thirrje që shteti t’ua shtojë taksat

| Botë, Ekonomi | 24 August 2011

Drejtuesit më të lartë të disa kompanive më të suksesshme në Francës, duke përfshirë L’Oreal, Total dhe Danone, kanë publikuar sot një letër në një revistë franceze dhe në internet, duke i bërë thirrje qeverisë t’ua shtojnë taksat atyre, në mënyrë që të lehtësojnë problemet financiare të vendit.

16 drejtuesit, duke përfshirë edhe krerët e fabrikave të veturave Peygeout-Citroen dhe Air France-KLM, thonë se “në një kohë kur deficitet publike dhe perspektiva e përkeqësimit të borxhit të qeverisë po kërcënojnë të ardhmen e Francës dhe Evropës, është e nevojshme të kontribuohet”.

Kjo thirrje erdhi, kur Qeveria e Francës pritet të paraqesë një listë të re, për shkurtim të deficitit./bota sot

1,714 shikime gjithsej, 2 shikime sot