Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Muaji gusht, rritje e të hyrave për 67.7 mln euro

| Ekonomi, Kosovë | 27 August 2011

Dogana e Kosovës ka arritur shifrën rekorde në mbledhjen e të hyrave në fund të muajit gusht, duke kapur vlerën prej 500 milionë eurosh.

“Krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet një rritje të të hyrave, sepse në periudhën e njëjtë të vitit 2010, Dogana kishte mbledhur 432,5 milionë euro. Pra, ka rritje prej 67.7 milionë eurosh”, thuhet në kumtesën për media të Doganës së Kosovës.

Sipas së njëjtës, arsyet e kësaj rritjeje janë të ndryshme, “duke filluar nga ngritja e kontrollit të qarkullimit të mallrave, luftimi i kontrabandës, aplikimi i metodave moderne të selektivitetit dhe analizës së riskut, bashkëpunimi ndërkombëtar etj.”./bota sot

1,280 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rritje e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë

| Ekonomi, Shqipëri | 27 August 2011

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rritje ekonomike të qëndrueshme në periudhën maj-prill 2011.

Sipas këtyre të dhënave, edhe në periudhën e tremujorit të dytë rritja ekonomike ka qenë e ngjashme me atë të tremujorit të parë, kur bruto prodhimi i brendshëm ishte rritur për 3.4 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Shqiptare, gjatë kësaj periudhe kanë shënuar të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë, por rritja më e madhe është shënuar në sektorin e industrisë dhe atë të shërbimeve./bota sot

1,084 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Hekurudhat ndahen në dy pjesë

| Ekonomi, Kosovë | 26 August 2011

Enis Veliu – Nga një shtatori i këtij viti Hekurudhat e Kosovës do të ndahen në dy kompani publike. Kompania “Infrakos” që do të merret me infrastrukturën hekurudhore, ndërkaq kompania tjetër “Trainkos”, që do të operojë me trenat dhe transportin hekurudhor.

Në një konferencë me media, zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës kanë paralajmëruar reforma të mëdha në këtë kompani. Drejtori i bordit të Hekurudhave të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se ndarja e Hekurudhave të Kosovës në dy kompani është përputhshmëri me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ai po ashtu gjatë konferencës për media tha se është bërë përfundimi i studimit të fizibilitetit të linjës 10 hekurudhore dhe disa linjave tjera. Ai tha se shumë shpejt kompania “Trainkos” do të ketë kodin e vet hekurudhor dhe do të mund të operojë edhe në tregun evropian.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, ka thënë se Ligji ekzistues mbi Hekurudhat e Kosovës ndër tjera e parasheh edhe ndarjen e Hekurudhave në dy entitete të reja, në infrastrukturën dhe operimin me trena. Drejtori Ramosaj ka premtuar se me rastin e ndarjes së kompanisë në dy pjesë, asnjë punëtor nuk do të mbetet pa vend pune.

Ramosaj tha se dy kompanitë e reja si shoqëri aksionare, “Infrakos” dhe operimi “Trainkos”, do të jenë kompani publike dhe do të jenë në pronësi të shtetit të Kosovës.

Drejtori Ramosaj tha se në treg mund të hyjnë edhe operatorë privatë, por, sipas tij,

infrastruktura mbetet gjithmonë e shtetit.

“Hyrja e më shumë operatorëve dhe konkurrenca mes tyre është e mirëseardhur”,tha ai.

Sipas zyrtareve të Hekurudhave të Kosovës “Infrakos”do t’i ketë të gjitha linjat hekurudhore në Kosovë, të gjitha stacionet e trenave, stabilimentet sinjalo-siguruese, komunikuese të energjetikës dhe pronën tokësore gati në tërësi.

Ndërkaq operimi me trena apo “Trainkos” do t’i ketë në menaxhim të gjitha mjetet lëvizëse, do të thotë të gjitha lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, trenat motorikë dhe tërë transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.

Aktualisht Hekurudhat e Kosovës e kanë në qarkullim vetëm linjën nga Peja për në Prishtinë dhe linjën tjetër nga Prishtina për në Han të Elezit. Pas mbarimit të luftës ka ekzistuar edhe linja hekurudhore për në Leshak, por pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës, Hekurudhat e Kosovës nuk kanë mundur të depërtojnë në veri të vendit.

Pjesa dërrmuese e të hyrave të Hekurudhave aktualisht grumbullohet nga bartja e mallrave./zeri

1,260 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Çdo muaj 40 mijë euro barna pa afat

| Ekonomi, Kosovë | 26 August 2011

Mbi 40 mijë euro dëmtohet buxheti i Kosovës çdo muaj nga papërgjegjësia e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë (MS), përgjegjës për menaxhim me barna. Fondi afro 18-milionësh për barnat e Listës Esenciale (LE), që për tre vjetët e fundit ishte dëmtuar vetëm nga skadimi i barnave për gjysmë milion euro, rrezikohet edhe nga humbje të tjera qindra mijëra euro.

Derisa në tri vitet e fundit stoku i barnave pa afat në depot e MSh-së, sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) arriti në afro 500 mijë euro, Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në MSh konstaton që edhe dëme të tjera do të bëhen në këtë drejtim, që peshojnë mbi 330 mijë euro deri në fund të këtij muaji.

“Me analizat e dinamikës së harxhimit të disa prej medikamenteve të furnizuara në vitin 2010 shihet se shkalla e rrezikut për humbje tjera financiare si pasojë e skadencës deri më 31/08/2011 për barna kap shumën pre 336,741.76 euro dhe materiale shpenzuese 3,961.84 euro”, thuhet në një raport intern të kësaj njësie, të cilin e ka siguruar “Zëri”.

Në këtë raport, si arsye që çon deri në këto dëme përmendet mungesa e përgjegjësisë së zyrtarëve përgjegjës, planifikimi joreal, si dhe moszbatimi i kushteve të kontratës për afatet e përdorimit të barnave.Në këtë raport prej 16 faqesh të NjAB, që është bërë ekskluzivisht vetëm për menaxhimin e furnizimit, deponimit dhe shpërndarjes së barnave, në pjesën më të madhe të aspekteve të kontrollit auditorët konstatojnë dështime.

Sipas auditorëve të brendshëm të MSH-së, telashet në menaxhimin e fondit afro 18- milionësh të barnave të LE fillojnë që nga planifikimi. “Planifikimi për vitin 2010 nuk ka rezultuar me një analizë sistematike të nevojshme për barnat dhe materialet shpenzuese të LE”, thuhet në raportin e auditorëve të brendshëm, ku bëhet me dije se viti 2011 rezulton me përmirësime në këtë aspekt.

Duke hyrë me “thellë” në depo, auditorët gjetën se Departamenti i Farmaceutikës (DF) në MSH në vitin 2010 nuk ka pasur procedura për menaxhimin e stoqeve të barnave, nuk ka pasur vlerësim paraprak për to, dhe madje, stoqet ndonjëherë kanë rënë nën minimumin e lejuar, duke rrezikuar që të ketë mungesë barnash kur ato nevojiten.

Kompania e shkel kontratën

Auditorët gjetën dyshime për keqpërdorime edhe në transportin e barknave dhe shpërndarjen e tyre nëpër institucionet shëndetësore. NjAB gjeti se në disa raste barnat barten edhe me vetura private, ani pse shpërndarja është e rregulluar me tender. Këtë tender, herën e fundit, në shtator të vitit 2009 e ka fituar kompania private “Human Farm” që për këtë punë ka nënshkruar kontratë me MSH-në në vlerë afro 100 mijë euro.

Por, auditorët kanë vërejtjeje dhe kur barnat i shpërndajnë punëtorët e kësaj kompanie. Kjo pasi që kanë gjetur raste kur ato shkojnë në fund të orarit të punës, që për ta është e dyshimtë dhe se në raste të tjera dërgesat shkojnë në institucione edhe pa u përgatitur nga farmacistët e kësaj kompanie. Duke konstatuar se kompania e kontraktuar për këtë punë nuk e ka përmbushur kontratën, NjAB shkruan në raportin intern se në më shumë se pesë raste kanë gjetur se kërkesat e aprovuara dhe faturat dalëse nuk përputhen me sasinë e dërguar të barnave.

Kjo njësi ka gjetur edhe mospërputhe të artikujve të dërguar. Për më shumë, auditorët konstatojnë se edhe komisionet e pranimit kanë gjetur raste të pranimit të barnave pa afat. Nga auditorët janë gjetur mbi pesë raste kur sasia e dërguar ka qenë shumë më e madhe se ajo që është kërkuar, me çka, sipas tyre, po krijohen stoqe barnash pa afat dhe po dëmtohet buxheti.

Në rregull në këtë auditim, punëtorët e NjAB-it në kuadër të MSH-së kanë gjetur një pjesë të sistemit të kontrollit të brendshëm si dhe bazën e të dhënave të listës së barnave në depo./zeri

1,105 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Amerikanët shtojnë kërkesat për kompensime nga papunësia

| Botë, Ekonomi | 26 August 2011

Numri i amerikanëve që kërkuan kompensime nga papunësia u shtua pak javën e kaluar, pjesërisht për shkak të grevës së punonjësve të një kompanie komunikacionesh.

Raporti i sotëm i Departamentit të Punës vë në dukje se kërkesat për kompensime nga papunësia u rrit me 5,000 javën e kaluar, duke arritur në një total prej 417 mijë në gjithë vendin.

Disa ekspertë thonë se pa grevën e punonjësve të kompanisë Verizon Communications numri total i të papunëve do të kishte rënë pak. Zhvillimi ekonomik në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë i fuqishëm sa duhet për të ulur papunësinë e tanishme prej 9.1 për qind.

Ekonomistët parashikojnë se shifrat e reja, që do të publikohen nesër, do të tregojnë se ekonomia amerikane u rit me një shkallë vjetore prej 1.1 për qind në muajt prill, maj dhe qershor.

Vendet e punës, zhvillimi ekonomik dhe çështje të tjera ekonomike e financiare do të jenë në krye të rendit të ditës së një takimi të ekonomistëve të lartë nesër, mes tyre edhe Drejtori i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke.

Investitorët dhe ekonomistët kanë spekuluar për disa ditë me radhë nëse Bernanke do të ofrojë ndonjë program të ri për të stimuluar zhvillimin ekonomik./bota sot

1,285 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Beqaj takoi ekspertë të Bankës Botërore

| Ekonomi, Kosovë | 26 August 2011

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj sot ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe panelit të ekspertëve të pavarur të caktuar nga Banka Botërore për të shqyrtuar projektin “Kosova e Re” nga pikëpamja e Kornizës Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike.

Gjatë takimit janë shqyrtuar temat që kanë të bëjnë me burimet e ripërtërishme, efiçiencën e energjisë, dhe bashkëpunimit më të madh rajonal në shkëmbimin e energjisë me qëllim të optimizmit të sistemeve elektro-energjetike. Roli i Panelit të Ekspertëve i përbërë nga tre ekspertë eminent ndërkombëtarë, është të shqyrtoj projektin krahas gjashtë kritereve të përcaktuara në Kornizën Strategjike për Zhvillim dhe Ndryshime Klimatike. Këto kritere përfshijnë ndikimin e demonstruar të projektit në zhvillim siç është përmirësimi në përgjithësi i sigurisë së furnizimit me energji, reduktimi i mungesës së energjisë dhe qasja në energji nga të varfrit.

Kriteret tjera janë edhe ofrimi i asistencës për identifikimin dhe përgatitjen e projekteve me emetim të ulët të karbonit, optimizimi i burimeve energjetike duke shqyrtuar mundësinë për të kënaqur nevojat e vendit për energji elektrike përmes efiçiencës (në furnizim dhe anën e kërkesës) dhe ruajtje.

Konsideratë mbi alternativat e arsyeshme me kosto më të ulët (përfshirë ndikimet mjedisore) dhe shtjerja e mundësive për financim nga donatorët, dizajni i projekteve të bazuara në djegie të linjiti bazuar në teknologjinë më të përshtatshme në dispozicion duke mundësuar për efiçiencë të lartë, dhe për këtë, intensitetin më të ulët të emetimeve të gazrave të efektit serë dhe përfshirjen e ndikimeve të jashtme mjedisore në analizën e projektit.

Paneli i ekspertëve do të qëndroj edhe disa ditë në Prishtinë ku do të takohet edhe me institucionet tjera që bashkëveprojnë në sektorin e energjisë. Me rekomandimet e panelit do të informohet Grupi i Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të energjisë në Kosovë./bota sot

1,249 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Haxha në “luftë” me Tiborin

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Foto: Laura Hasani

Lavdim Hamidi – Deklaratat e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, në mediet kosovare dhe publikimi i raporteve konfidenciale, kanë ngritur gjakrat e anëtarit të Bordit të kompanisë “Telco AG”, Tibor Kartik, e cila është përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës si këshilltare e transaksionit për privatizimin e kompanisë më profitabile në Kosovë.

Kartik për këto shqetësime më 22 gusht 2011 i ka shkruar letër Haxhës, të cilën letër ia ka dërguar edhe zyrtarëve më të lartë qeveritarë në vend. Sipas kësaj letre, të cilën e posedon edhe gazeta “Zëri”, Kartik i shkruan Haxhës se ky i fundit duhet ta ketë parasysh se bëhet fjalë për një transaksion kompleks, në një mjedis investues sfidues evropian dhe ky transaksion është urgjent për stabilitetin buxhetor të Kosovës.

Përderisa, sipas tij, iniciativat e Haxhës të përshkruara më poshtë nuk e mbështesin këtë proces.

“Gjatë disa javëve të fundit, ne kemi parë disa deklarata në medie lidhur me performancën tonë të perceptuar, publikimin e raporteve konfidenciale në medie dhe dyshimet lidhur me motivet tona. Artikujt në medie nuk përmbajnë faktet dhe substancën dhe janë shumë të dëshmshme për reputacionin dhe qëndrimin tonë në opinionin publik”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut dërguar Haxhës.

Kartik ndër të tjera thotë se qëllimi i Haxhës është që ta dëmtojë këshilltarin e transaksionit në procesin e privatizimit të PTK-së. “Telefonata juaj kërcënuese që ma keni bërë drejtpërdrejt mua, është një shembull i qëllimit tuaj të pastër për të na dëmtuar neve si këshilltarë të transaksionit dhe procesin si të tillë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kartikut, duke shtuar se si këshilltar i transaksionit të Qeverisë, i raportojnë kësaj të fundit, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë, e jo PTK-së.

Kartik pohon se Haxha e ka thirr ne telefon dhe e ka kërcënuar se do ta publikoj raportin skandaloz të “Telco Ag” në media, i cili raport sipas anëtarit të bordit të kompanisë austriake tashmë ka arritur në media.

Kartik në fund të letrës i kërkon Haxhës që të përmbahet nga dhënia e deklarimeve të tjera publike lidhur me “Telco Ag” dhe procesin e privatizimit pa aprovim paraprak nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe “Telco AG”.

“Nëse situata keqësohet, nuk na mbeten alternativa të tjera, por mund të jemi të detyruar t’i informojmë autoritetet dhe palët e tjera në Kosovë për ta mbrojtur këtë transaksion shumë të rëndësishëm dhe me interes kombëtar, reputacionin e kompanisë sonë në sektorin e telekomit dhe të iniciojmë procedura ligjore nëse është e nevojshme”, përfundon kështu letrën Kartik, të cilën ia ka dërguar dy ditë më parë Haxhës dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, nuk ka dashur ta komentojë letrën e Kartikut, të cilën e ka marrë më 22 gusht. Mirëpo, më 13 korrik 2011, Haxha i ka shkruar letër ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në lidhje me raportin e prezantuar nga “Telco AG”.

Në këtë letër Haxha është shprehur i shqetësuar me mënyrën dhe procedurën e prezantimit të këtij raporti. “Menaxhmenti i PTK-së konsideron se raporti i prezantuar nga Telco Ag ka dëmtuar rëndë vlerën financiare të kompanisë. Ky raport është joprofesional, i paargumentuar, tendencioz dhe skandaloz në formën dhe përmbajtjen e prezantuar para menaxhmentit të PTK-së”, thuhej në letrën e Haxhës dërguar Beqajt.

Përmend tekstet e botuara në “Zëri”

Në letrën e Kartikut dërguar Haxhës përmenden disa shkrime të gazetës “Zëri”, ku flitet për raportin e këshilltarit të transaksionit. Sipas këtij artikulli, të botuar më 26 korrik 2011, thuhet se “Telco Ag” ka vlerësuar të gjitha pasuritë e PTK-së 110 milionë euro.

Përmendet edhe artikulli tjetër i botuar në gazetë për 31 korrik 2011, ku citohet kryeshefi i PTK-së të ketë thënë se kompania e menaxhuar nga ai është duke u zhvleftësuar me qëllim dhe shqetësimet e tij ndërlidhen me raporte të ndryshme që janë përgatitur nga këshilltari i transaksionit “Telco AG” dhe “Wolf Theiss”./zeri

2,642 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Rikthehen kufizimet

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Remontet e planifikuara të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të sjellin kufizime të energjisë elektrike në vend, nga 9 shtatori, e deri me 28 nëntor të këtij viti.

Sipas një komunikate për medie të dërguar nga KEK, thuhet se korporata ka filluar përgatitjet për sezonin e dimrit 2011-2012, respektivisht mirëmbajtjen e planifikuar në njërën prej dy njësive të termocentralit “Kosova B”.

“Mirëmbajtja do të bëhet gjatë periudhës 9 shtator deri 28 nëntor 2011 dhe njësia në fjalë do të ndalet përkohësisht gjatë kësaj periudhe. Kryerja e kësaj mirëmbajtjeje do të sigurojë që KEK-u të ketë më shumë furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit. Gjatë periudhës së planifikuar të mirëmbajtjes, KEK-u do të importojë energji shtesë për të kompensuar pjesën e zvogëluar të furnizimit në dispozicion”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se KEK-u gjatë periudhës shtator deri nëntor 2011, kur edhe do të kryhet mirëmbajtja, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë tërë kërkesën e konsumatorëve për energji.

Sipas tyre, konsumatorët në kategorinë C mund të presin që të jenë të parët që do të preken nga kufizimet.

Po ashtu, fat i njëjtë do t’i gjejë edhe konsumatoret që gjenden në kategorinë B të KEK-ut.

Sipas zyrtareve të KEK-ut, i gjithë kufizimi do të bëhet në pajtim me planin e krijuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“KEK-u përkujton publikun e gjerë se i trajton të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë dhe ata konsumatorë që nuk paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike do të shkyçen. /zeri

1,144 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kroacia e Kosova marrëveshje për transport

| Ekonomi, Kosovë, Rajon | 25 August 2011

Visar Duriqi – Vizita e kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kostor në Kosovë, ka rezultuar edhe me një marrëveshje bilaterale mesh dy shteteve në fushën e ekonomisë.

Në praninë e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministres Kostor, ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota dhe homologu i tij nga Kroacia, Duro Popijaç nënshkruan marrëveshjen ndërkombëtare për transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.

Në ceremoninë e nënshkrimit u vlerësua se kjo është marrëveshja e parë ndërkombëtare që po nënshkruhet mes dy shteteve, përkatësisht në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, dhe se është një akt që rregullon shumë aspekte të transportit.

Aty u tha se me këtë marrëveshje rregullohet transporti rrugor ndërkombëtar i udhëtarëve, mallrave si dhe transporti transit, nëpër territorin shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje, sipas nënshkruesve të saj qëndron në faktin se përmes kësaj promovohet bashkëpunimi në transportin ndërkombëtar në suaza të ekonomisë së tregut, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, avancohet zhvillimi i tregtisë së lirë dhe marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy shteteve, shtohet niveli i sigurisë në komunikacionin rrugor dhe lehtësohen procedurat administrative dhe eleminohen të gjitha barrierat që janë paraqitur si pengesa administrative për kompanitë transportuese.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni kroat ka qenë pjesë edhe e organizimit të Odës Ekonomike të Kosovës OEK, “Forumi Biznesor Kroaci-Kosovë”.

Në delegacionin e Kroacisë ishin të pranishme mbi 40 ndërmarrje prestigjioze dhe forumi u tha se do të shfrytëzohet për të krijuar raporte të reja të bashkëpunimit mes bizneseve kosovare dhe atyre kroate.

“Dy tregje dhe dy biznese tona janë të lidhura tradicionalisht për shumë dekada. Ka pasur shumë përparime dhe ngecje në bashkëpunimin tonë që nga lufta e 1999”, ka thënë kryetari i OEK, Safet Gerxhaliu.

Ai ka vlerësuar se ka ardhur koha që Kosova dhe Kroacia t’i avancojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe të arrijnë nivelin e lartë që i gëzojnë marrëdhëniet tona politike.

Për mundësitë e bashkëpunimit dhe formën e të bërit biznes, nga pala kroate ka folur Anton Kovaqel. Ai ka njoftuar bizneset kosovare me kapacitete prodhuese e tregtare të Kroacisë.

Në këtë forum ka folur edhe Valdrin Lluka, kryetar i Agjencionit për Promovimin e Investimeve të Kosove (APIK). Lluka u ka thënë kroatëve se APIK është i gatsh t’u ndihmojë që të gjejnë vende për të ushtruar biznese, apo informata rreth partnerëve për bashkëpunim si dhe ka njoftuar për nivelin e pranisë së biznesit kroat në Kosovë.

“Për momentin në Kosovë veprojnë mbi 140 kompani kroate, me rreth 40 përfaqësi. Ne nga viti në vit kemi thelluar raportet ekonomike me Kosovën, dhe në këtë prizëm, Kroacia ka përparësi në tregun kosovar, ngase e njeh mirë atë”, ka thënë Lluka.

Derisa një ndër sfidat që ballafaqohen bizneset më së shumti janë doganat me kodet e tyre, drejtues të Doganave të Kosovës kanë thënë se në raport me Kroacinë ka lehtësime duke folur për mundësinë që ofrojnë Doganat e Kosovës për bizneset e huaja që futën, i pari i Doganës, Naim Huruglica, duke ua bërë më dije se legjislacionet kosovare në këtë fushë kanë pak dallim prej atij të Kroacisë./zeri

1,286 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Reciprociteti, 5 milionë euro më shumë në buxhet

| Ekonomi, Kosovë | 25 August 2011

Rreth 5 milion euro janë më tepër të hyra doganore, vetëm për tri javët e para pas aplikimit të masave të reciprocitetit ndaj produkteve serbe, thonë zyrtarë të qeverisë.

Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto matje janë bërë në periudhën korrik –gusht të këtij viti dhe periudhës së njëjtë të vitit paraprak.

Në periudhën 20 korrik deri 8 gusht të vitit 2010, të hyrat doganore kanë qenë

48.9 milionë euro, kurse në të njëjtën periudhë të këtij vitit të hyrat doganore kanë arritur në 53.8 milionë euro, thotë Kusari- Lila.

“Është vërejtur një rritje e dukshme e të hyrave në dogana, si rrjedhojë e rritjes se importit formal dhe si rrjedhojë e mallrave që hyjnë nga vendet me të cilat nuk kemi marrëveshje të tregtisë së lirë, gjegjësisht që nuk janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Dukshëm ka rritje të të hyrave, vetëm në periudhën e parë, do të thotë për tri javët e para, ka pasur një ngritje prej 5 milion eurosh inkasim të të hyrave doganore, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të paraprak”, u shpreh Kusari- Lila.

Kjo rritje është realizuar për shkak se shumë mallra nga shtete tjera kanë hyrë në Kosovë si zëvendësim për produktet serbe, ndërsa kontrabanda e mallrave serbe që është zhvilluar nga pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në pjesën veriore të Kosovës, është zvogëluar dukshëm, thotë Mimoza Kusari- Lila.

Ajo shpreson se ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe në tri javorin e dytë, që nga aplikimi i masave të reciprocitetit, dhe rrjedhimisht këto të hyra do të rrisin buxhetin e Kosovës.

“Jemi në pritje të rezultateve për tri javorin e dytë, pasi tani kemi hyrë në gjashtë javorin që Kosova ka aplikuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe presim që ky trend të vazhdojë në raport me importin e produkteve të cilat formalisht tani zhdoganohen në pikat ku ka doganiere dhe janë pika funksionale në krahasim me periudhën, kur kanë hyrë mallrat pa u doganuar dhe pa u evidentuar nga pika 1 dhe 31 në veriun e Kosovës”, thekson Kusari- Lila.

Rritja e të hyrave doganore që nga bllokimi i mallrave serbe në Kosovë, do të forcojë arkën shtetërore, thotë edhe Ahmet Shala, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Shala është optimist se trendi i rritjes se të hyrave doganore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kështu që sipas tij, kjo do t’i mundësojë autoriteteve kompetente zbatimin e planit të qeverisë, çoftë për projekte zhvillimore, çoftë për ato sociale.

“Unë jam optimist se ky trend do të mbahet ashtu siç është planifikuar, këto masa do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik”, thekson Shala.

Unë jam optimist se ky trend do të mbahet ashtu siç është planifikuar, këto masa do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik.

Ai tregon se në bazë të të dhënave nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, deri në 60 milionë euro ka humbur buxheti i Kosovës, vetëm gjatë një viti, nga kontrabanda e zhvilluar në veriun e Kosovës.

Pikat kufitare 1 dhe 31 me vite të tëra janë vlerësuar të jenë “oazë” e krimit të organizuar dhe kontrabandës së mallrave të ndryshme.

Më 20 korrik Qeveria e Kosovës, ka vendosur masa reciprociteti ndaj produkteve serbe , ndërsa taksë doganore për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinës./bota sot

1,493 shikime gjithsej, 1 shikime sot