Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Gjermania miraton planin për forcimin e Eurozonës

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Qeveria gjermane ka miratuar planin që parasheh forcimin e Fondit për Shpëtimin e Eurozonës, çfarë paraqet hapin e parë të fuqisë më të madhe në Evropë për rimëkëmbjen e euros.

Ministri i Financave, Volfgang Shojblle, tha se me këtë hap, “Qeveria ka treguar se është e vendosur për të siguruar stabilitetin e euros”.

Propozimi i miartuar sot parasheh që me fondet e kredisë të mundësohet blerja e bonove të shtetit dhe në këtë mënyrë të mundësohet kreditimi afatshkurtër për vendet në krizë.

Plani, për të cilin është rënë dakord më 21 korrik në Bruksel, parasheh që kufiri i kredisë të rritet në 440 miliardë euro nga 250 miliardë sa është aktualisht.

Kancelarja Angela Merkel tani duhet t’i bindë skeptikët e koalicionit të saj se “masa është e arsyeshme”./bota sot

1,074 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Serbia merr kredi të mëdha prej FMN-së

| Ekonomi, Rajon | 1 September 2011

Serbia do të marrë kredi të tjera prej Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përfaqësia e FMN-së në Beograd tha se Serbia mund të marrë kredi të reja në vlerë prej një miliard euro. Me këto para duhet të shtohet fondi i rezervave për stabilizimin e dinarit, i cili në korrik kishte një vlerë prej rreth 10,4 miliardë euro. Kredia më e re ka për synim edhe rikthimin e besimit të investorëve. Serbia në këtë moment ka probleme me ekonominë e dobët dhe deficitin në buxhetin e shtetit. FMN-ja ka ulur prognozat vjetore për zhvillim në Serbi nga tre në dy për qind, ndërsa prognoza e deficitit buxhetor për këtë vit është rritur në 4,6 %./bota sot

1,341 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Në pritje të investimeve

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Masat e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, sipas autoriteteve kosovare, patën efekte pozitive edhe në interesimin e investitorëve të huaj që të vinë në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, thotë se së shpejti pritet që të ketë diçka konkrete nga ardhja e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ajo tregon se javëve të fundit kanë qenë të pranishëm delegacione të shumta nga vendet e rajonit dhe botës për të shikuar mundësinë e tregtisë me Kosovën.

“Ata përveç që i shikojnë mundësitë e plasimit të mallrave të tyre në tregun e Kosovës, gjithashtu janë duke i shikuar mundësitë e bashkëpunimit, transferit të teknologjisë, përvojave dhe linjave të tyre të prodhimit”, thotë Kusari – Lila.

Sidoqoftë, në një periudhë kur prezenca e investimeve ndërkombëtare është e domosdoshme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie.

Megjithatë, ministrja Kusari – Lila, thotë se Kosova tani po bëhet një vend ku investitorët janë të interesuar të vinë dhe t’i shohin mundësitë prodhuese.

“Në tërësi, ekonomia e Kosovës çdo ditë po bëhet më atraktive. Vetëm brenda një periudhe një javore kemi pasur delegacione nga Bullgaria e nga Kroacia, ndërkaq edhe në ditët e ardhshme presim delegacione edhe nga vendet tjera”, shprehet ajo.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë shifër zyrtare se sa kanë qenë shumat e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se në tre mujorin e parë ka pasur një rënie të lehtë në krahasim më vitin paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007, investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milion euro, në 2008- vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milion euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milion euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milion euro.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet skeptik sa i përket ardhjes së investitorëve në Kosovë.

Ai thotë se investitorët e huaj mund të jenë të interesuar, por kjo mund të merr kohë.

“Tash është një moment i ri në Kosovë, para së gjithash kur janë krijuar disa kushte të reja, kur tregu i Kosovës është më atraktiv për shkak të një boshllëku që është krijuar, kjo nuk do të thotë që automatikisht do të ketë investime, por interesimi për të vlerësuar tregun e Kosovës, mund të sjellë deri tek investimet”, thekson Rukiqi.

Rukiqi thekson se nëse investitorët e huaj interesohen që të investojnë në Kosovë, ata do të duhej të fokusoheshin në sektorin e agrobiznesit, para së gjithash, në përpunimin e ushqimit në industrinë e qumështit si dhe në sektorin e prodhimit të materialeve ndërtimore.

Ai thotë se investimet në këtë fushë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik si dhe do krijoheshin edhe vende të reja të punës.

“Fazën që ne jemi tani, të zhvillimit, ne pretendojmë ta zbusim deficitin tregtar. Vendet, zakonisht orientohen drejt rritjes së eksporteve, mirëpo në mungesë të kapaciteteve dhe tregjeve realisht edhe zëvendësimi i importeve do të kryente punë në rastin e Kosovës dhe do të ishte mjaft e nevojshëm”, thekson Rukiqi.

Ndryshe në disa raporte të Bankës Botërore, Kosova ishte radhitur e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme, në mesin e vendeve ku jo stabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Ndërsa në raportin tjetër, po të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-të, sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve./bota sot

1,156 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Fullani: Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet

| Ekonomi, Shqipëri | 1 September 2011

Harmonizimi i politikave financiare, do të ndihmojë në rritjen ekonomike. Një fakt të tillë e ka pohuar sot gjatë një konference për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, është e pandryshuar norma bazë e interesit, prej 5.25%, ndërsa inflacioni në korrik ka qenë në vlerën prej 3.6%. Ndërsa në lidhje me investimet private, ai tha se ato kanë një ecuri të ngadaltë. “Shpenzimet buxhetore janë shtuar me 5.9%, kurse deficiti buxhetor është më i lartë se në vitin 2010. Eksportet tona u zvogëluan. Ndërsa tregjet financiare kanë patur ritme të qeta”, tha kreu i Bankës së Shqipërisë (BSH). Duke folur më tej pas mbledhjes së Këshillit mbikëqyrës të BSH-së, shefi i kësaj të fundit tha se ka një rënie të inflacionit në vend, ndërsa ecuria e çmimit të konsumit, ndodhet nën presionin e rritjes së energjisë.

“Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet. Aktiviteti ekonomik i mbështetur nga sektori publik, ndërsa sektori privat i ekonomisë, i ngadaltë. Sugjerojmë vazhdimësi të rritjes ekonomike, ndërsa presionet inflacioniste pritet të jenë të kontrolluara. Kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme, kurse në të ardhmen do rishikohet politika monetare. BSH e angazhuar për zhvillimin e qëndrueshëm dhe masat e marra për krizën greke po japin efekt. Sektori bankar në Shqipëri është solid dhe ai është i gatshëm të japë kredi”, përfundoi Fullani./bota sot

973 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shqipëri: Hartohet buxheti 2012

| Ekonomi, Shqipëri | 1 September 2011

Ministria e Financave të Shqipërisë tashmë e ka të qartë planin e shpërndarjes së fondeve për vitin 2012. Drejtoria e Buxhetit në ministri ka përgatitur paraprakisht tavanet e shpenzimeve, pasi kanë kryer konsultimet me institucionet e tjera.

Mësohet se në shtator do të nisin negociatat kokë më kokë mes ministrit të Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode dhe ministrive për buxhetin e ri, ndërsa në tetor do t’i paraqitet Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për miratim.

Paraprakisht, tashmë është vendosur sesa do të marrin ministritë dhe institucionet e tjera të pavarura. Duke i krahasuar me buxhetin e fundit, të ndryshuar në korrik, bie në sy fakti se diferencat nuk janë të mëdha, për të mos thënë gati të njëjta. Kështu, Ministria e Transporteve mendohet se do të marrë nga buxheti rreth 45.8 miliardë lekë, aq sa kishte këtë vit. Për dikasterin e Sokol Olldashit pritej të akordoheshin më shumë fonde, duke pasur parasysh numrin e madh të projekteve, si Rruga e Arbrit apo autostrada Tiranë-Elbasan. Sipas Financave, në planin e investimeve, Ministria e Punëve Publike do të mbështetet kryesisht te financimet e huaja me vlerë rreth 28 miliardë lekë, kurse shpenzimet e brendshme do të jenë 13 miliardë lekë.

Rritje të lehtë të shpenzimeve do të ketë Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, me rreth 500 milionë lekë, duke ia çuar buxhetin në total afër 7 miliardë lekëve. Kujtojmë se kësaj ministrie iu krye shkurtimi më i madh i fondeve në muajin korrik, me gati 26 për qind.

Tek institucionet e tjera kryesore, vihet re rritje modeste e buxhetit. Institucionit të Presidentit, i cili në 2012-n do të përfshihet nga gara për zgjedhjen e kreut të ri, i janë akorduar fonde me vlerë rreth 166 milionë lekë, ose 1.2 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Rritje të shpenzimeve do të ketë edhe zyra e Kryeministrit me 3.2 për qind.

Ndryshe nga sa pritej, buxheti i Kuvendit propozohet me shkurtime të tjera, pas atyre të vendosura në korrik. Pavarësisht projektit të madh për ndërtimin e Parlamentit të ri, Kryetares Jozefina Topalli i janë akorduar 848 milionë lekë, ose gati 26 për qind më pak nga sa shpenzoi këtë vit. Për Kuvendin priteshin shtesa të konsiderueshme në buxhet duke pasur parasysh vlerën e madhe të investimit prej mbi 10 miliardë lekësh, por Financat kanë vendosur që investimet të mos jenë më shumë se 100 milionë lekë.

Megjithatë, buxheti paraprak i vitit 2012 kërkon të paktën edhe 2 muaj kohë që të marrë formën plotë dhe deri atëherë Kuvendi mund të shfrytëzojë periudhën për realizimin e objektivit.

Për këtë çështje, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka lëshuar një udhëzim, më 7 korrik, ku i bën të ditur institucioneve se nuk do ketë shtesa në buxhet në raundin e dytë të diskutimeve që përkojnë në muajin shtator./bota sot

1,550 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Finlanda, pengesë të re për miratimin e huas për Greqinë

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Finlanda ka krijuar një pengesë të re për miratimin e huas prej 158 miliardë dollarësh që synon të shpëtojë sistemin financiar të Greqisë, duke i kërkuar Athinës që të garantojë investimin e saj në Greqi.

Rreth një muaj më parë, 17 vendet e Eurozonës ranë dakord t’i japin Greqisë një paketë të dytë ndihmash, e dyta në këto dy vjet, për ta ndihmuar këtë vend të kapërcejë vështirësitë financiare. Por disa vende të Evropës veriore po japin shenja “lodhjeje” me këto paketa ndihmash ndërsa vihet re një shtim i kundërshtimit ndaj ndihmave për Greqinë, ose ndaj ndihmave të reja për vende me borxhe të mëdha si Italia apo Spanja.

Kundërshtimi më i madh ekziston në Finlandë. Qeveria e Helsinkit po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Greqinë duke i kërkuar kësaj të fundit, të vendosë në një depozitë bankare rreth 2 miliardë dollarë, aq sa ç’është pjesa e Finlandës në paketën e ndihmave. Greqia do t’i rimerrte 2 miliardë dollarët në momentin që do të paguante huan dhe interesat e saj.

Koncepti i garantimit të ndihmave mes Finlandës dhe Greqisë është kritikuar nga vendet e tjera evropiane, që kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje si grup i Eurozonës, për të treguar kështu mbështetje për Euron./bota sot

1,279 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Bie ndjeshëm besimi i konsumatorëve amerikanë

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Besimi i konsumatorëve amerikanë ra ndjeshëm në muajin gusht, duke arritur nivelin më të ulët në dy vjet.

Një raport i publikuar sot nga organizata e quajtur Bordi i Konferencës, thotë se shqetësimi i konsumatorëve për vendet e punës u rrit edhe më tej gjatë muajit gusht.

Organizata që merret me studimin e prirjeve të biznesit thotë se konsumatorët mund të jenë dekurajuar nga periudha e zgjatur e grindjeve politike në Uashington mbi tavanin e borxhit, shpenzimet qeveritare, taksat, dhe ekonominë. Ata janë ndikuar gjithashtu nga çmimet në rënie të shtëpive në shumë rajone të vendit. Ekspertët i ndjekin me kujdes prirjet e konsumatorëve, sepse ato mund të ndikojnë mbi shpenzimet e tyre gjë që përcakton në një masë të madhe edhe aktivitetin ekonomik në Shtetet e Bashkuara.

Një raport i një organizate tjetër studimesh ekonomike thotë ndërkohë se çmimet e shtëpive vazhduan të bien në periudhën 12 mujore që përfundoi në qershor./bota sot

996 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Punësimi sezonal: Marketing apo realitet?!

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Autoritetet kompetente në Kosovë vazhdimisht po bëjnë përpjekje për uljen e shkallës së papunësisë dhe të varfërisë në vend, thonë përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Si alternativë për zvogëlimin e numrit të të papunëve, kjo ministri, vitin e kaluar, ka nënshkruar marrëveshje me shtetin gjerman për punësim sezonal të studentëve kosovarë.

Nga kjo marrëveshje, edhe gjatë këtij viti, kanë përfituar 320 studentë, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Në bazë të marrëveshjes, e cila zbatohet që disa vite radhazi, këtë vit numri i studentëve që ka aplikuar dhe është përzgjedhur që të udhëtojë për në Gjermani, është 170. Nëse flasim për shifrën totale, të kontingjentit të parë dhe të dytë, kemi 320 të punësuar sezonalë”, sqaron Gaxhiqi.

Sipas tij, Qeveria e vendit po bën përpjekje të vazhdueshme që të nënshkruajë marrëveshje edhe me vendet tjera të Bashkimit Evropian për punësim sezonal, qoftë për studentë apo punëtorë të interesuar për këtë lloj punësimi.

“Kriza globale ka ndikuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe kjo ka bërë të vështirësohen mundësitë e dërgimit të punëtorëve sezonalë. Ndonëse kemi bërë përpjekje të vazhdueshme dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, kemi vështirësi, sidomos sa i përket punësimit të punëtorëve fizikë”, thotë Gaxhiqi.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve thonë se në momente të caktuara, punësimi sezonal më tepër po përmendet si marketing, sesa si çështje që po zbatohet në praktikë.

Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, vlerëson se në këtë drejtim mungon angazhimi i institucioneve kompetente.

“Punësimi sezonal është tepër i nevojshëm në Kosovë, sidomos kur dihet niveli i lartë i papunësisë. Mirëpo, ne aspak nuk jemi të kënaqur, sepse më tepër është propagandë, sesa realitet zbatimi i këtij projekti”.

“Kësaj çështjeje duhet t’i jepet një rëndësi shumë më e madhe dhe më serioze, e jo vetëm të bëhet marketing në momente të caktuara për interesa politikë”, thotë Sejdiu.

Ekspertët për çështje ekonomike thonë se punësimi sezonal është projekt që ndikon në uljen e shkallës së papunësisë, por, sipas tyre, autoritetet duhet të zbatojnë projekte që punësimi të jetë i përhershëm.

Eksperti Sefedin Sefa thotë se përmes projekteve të ndryshme kapitale, ekzekutivi duhet të gjejë mënyra që punësimi sezonal të zbatohet edhe në Kosovë.

“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë në vend, gjendjen momentale që e kemi, krijimi i mundësive të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale për punësim sezonal, duhet të jetë i përhershëm”, thotë Sefa.

Sipas hulumtimeve të fundit të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 48 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarve sillet rreth 26 për qind./bota sot

1,245 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Berluskoni, ndryshime planit të shkurtimeve financiare

| Botë, Ekonomi | 1 September 2011

Kryeministri italian Silvio Berluskoni pranoi t’i bëjë ndryshime planit të shkurtimeve financiare prej 65 miliard dollarësh. Kjo është përpjekja e tretë gjatë disa javëve të fundit për të balancuar buxhetin e vendit.

Plani i ri i njoftuar dje, përfshin masa kundër shmangies së tatimit mbi pronën dhe shtyrjen e daljes në pension për një pjesë të italianëve. Pak hollësi janë njoftuar se si do të funksionojnë këto masa shtrënguese.

Plani i ri nuk përfshin disa propozime të mëparshme që parashikonin shkurtime fondesh për pushtetin vendor. Hiqet gjithashtu propozimi për një taksë të veçantë ndaj njerëzve me të ardhura të larta.

Parlamenti kthehet nga pushimet javën e ardhshme dhe do të fillojë të shqyrtojë propozimet. Senati pritet ta hedhë në votë planin nga mesi i shtatorit./bota sot

1,153 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Varfëria ende e lartë në Kosovë

| Ekonomi, Kosovë | 30 August 2011

Gjendja sociale në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë. Shumë familje jetojnë në kushte të rënda ekonomike. Këtë gjendje e vërtetojnë edhe statistikat e institucioneve të ndryshme që flasin për shkallë ende të lartë të varfërisë në Kosovë. Sipas bankës Botërore rreth 35 për qind e njerëzve në Kosovë jetojnë në varfëri, e 12 për qind në varfëri të skajshme….

Një 20 vjeçare. E papunë. Qëndron në shtëpinë që ia ka lënë i ati. Gatuan, pastron dhe kujdeset për tre vëllezër. Edona Ajeti – është vajza që medoemos duhet të marrë vesh në të gjitha gjërat. Nuk ankohet për asgjë, por rrëfen se ndonjëherë nuk fle as natën.

“Shumë shpesh s’mund të flejë prej problemeve që i kam, t’u mendu qysh me organizu ditën tjetër, qysh me ja dal”, tregon Edona.

Rrallë më shikonte në sy, sikur i vinte keq që dhoma ku rrinim nuk dedikohej për mysafir. Fërkonte duart dhe i shikonte ato. Ishte e zbehtë meqë vuante nga anemia, megjithatë, ndonjëherë buzëqeshte derisa fliste për përditshmërinë e saj.

“Nuk di qysh m’i përshkru këto sene, nuk mundesh me than këtë muaj e bëjë këtë se del diçka – jo ndonjë sëmundje ose diçka tjetër dhe nuk mundesh me arrit atë që e dëshiron”.

Edoni, Fatoni dhe Enisi – vëllezërit e Edonës, synojnë shumëçka, por hezitojnë të flasin. Enisi thotë vetëm se mëson në shkollë dhe, del shpejt nga dhoma.

As Edona nuk di se çfarë i pëlqen më shumë të bëjë, por i shkon mendja të regjistrohet në fakultetin e Edukimit.

“Në Edukim po mendoj me shku, por për mjete financiare nuk di qysh ja bëjë, ndoshta hi borxh derisa të bëhet diçka”, thotë Edona.

Ndonëse është kryefamiljare, organizon çdo gjë, e madje edhe ekonominë e varfër të shtëpisë. Edona Ajeti shpreh mall për prindërit e saj.

“Më parë mami më ka vdek, masnej babi – e puna është që sa ka qenë babi e kam pas vetëm mërzinë dhe jo obligimet e shtëpisë, tash i kam edhe këto ekstra. Kështu që nevojën e babit e ndijë shumë, por që edhe këshillat e mamit më mungojnë shumë”.

Nuk bëhet fjalë për kremtimin e festës së Bajramit. Familja Ajeti mëngjesin e sotëm e kaloi te varrezat e qytetit. Megjithatë, kjo është vetëm njëra ndër familjet e shumta në Prishtinë që jeton me asistencë sociale.

Në anën tjetër, Ministri për Punë dhe Mirëqenie sociale, Nenad Rashiq, premton se këto familje do të mund të jetojnë më mirë sapo Ligji për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, do të pësojë ndryshime.

“Kemi përgatitur ndryshimet që do të pësoj ligji. Ky ligj nuk krijon ndonjë lartësi të madhe të benifiteve, por do të përcakton saktë se kush ka të drejtë të shfrytëzoj ndihmën sociale. Kemi pas raste, të cilët me pa të drejtë e kanë përdorë këtë ndihmë, por me ndryshimet që jemi duke i bërë me Komisionin Evropian mendoj që bash ata persona që kanë nevojë do të mund të përfitojnë të drejtat e tyre, nuk do të jenë të neglizhuar, por do të jenë të favorizuar”, premton Rashiq.

Statistikat e fundit të Bankës Botërore tregojnë se rreth 12 % e njerëzve në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme, dhe rreth 35 % në varfëri, derisa zyrtarisht rreth 44 % janë të papunësuar. /rtk/zeri/

2,066 shikime gjithsej, 1 shikime sot