Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Porti i Shëngjinit pret investimet e biznesmenëve nga Kosova

| Ekonomi, Kosovë, Shqipëri | 23 July 2011

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan të premten një marrëveshje për transportin rrugor. Por, çfarë do të përfitojnë dy vendet nga kjo marrëveshje?

“Lehtësohen shumë procedurat e njohjes së ndërsjellë të lejeve. Pra, lejet që janë të dhëna në Kosovë njihen në Shqipëri dhe anasjelltas. Na lejon operacionet e kaputazhit, pra një transportues nga Kosova mund të vijë në Kukës dhe mund të kryejë një transport të brendshëm nga Kukësi në Elbasan dhe të rikthehet në Kosovë”, deklaroi ministri i Transportit të Shqipërisë, Sokol Olldashi.

Në anën tjetër janë bërë dy vjet kur Shqipëria kishte vendosur që portin e Shëngjinit t’ia jepte Kosovës, por që nga ajo kohë shfrytëzimi i tij nuk ka filluar.

Vendimi i para dy vjetëve ende nuk është vënë në jetë, por ministri shpjegon se vullneti politik ka ekzistuar, por se i takon sipërmarrësve privatë të investojnë.

“Edhe ne, edhe qeveria e Kosovës jemi shprehur qartë, dhe po rikonfimojmë qëndrimet tona. Porti i Shëngjinit është i disponueshëm në çdo sekondë për Kosovën. A ka biznesi i Kosovës projekt për ta komercializuar portin? Sepse kjo duhet të vijë nga bota e sipërmarrjes private, sepse as qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë nuk janë investitorë”, sqaroi Olldashi.

Më herët Kosova dhe Shqipëria kanë arritur edhe një marrëveshje tjetër të ngjashme, në fushën e transportit ajror.

364 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Qeveria vëzhgon rrugët alternative të mallrave serbe

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Mallrat me origjinë nga Serbia mund të futen në Kosovë përmes Malit të Zi e Maqedonisë, pasi që vendimi i Qeverisë së Kosovës, sipas Mimoza Kusari-Lilës, ministre për Tregti e Industri, ndalon vetëm mallrat që futen në tregun e Kosovës me vulë doganore të Republikës së Serbisë. Por, importuesit e mallrave serbe, sipas saj, nuk duhet ta teprojnë me shfrytëzimin e rrugëve alternative.

“Nëse rritet fluksi i tyre, duke u futur në Kosovë përmes vendeve të treta, siç është Maqedonia e Mali i Zi, atëherë do të shihet dhe mundësia e bllokimit”, ka thënë Kusari-Lila, shkruan të shtunën Koha Ditore. Kjo masë, sipas saj, do të merret për të detyruar Serbinë që të pranojë vulën doganore të Kosovës. Aplikimi i masave të reciprocitet sipas saj nuk do të diskutohet në CEFTA pasi që të dyja palët kanë marrë të njëjtin vendim, por pritet të zgjidhet në mes të dyja shteteve. Kusari-Lila të premten i është përgjigjur edhe kërkesës së komunitetit të biznesit që të lejohen të futen në tregun e Kosovës kamionët që janë ndalur në Merdar.

“Ata kamionë duhet të kthehen andej nga kanë ardhur”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërmarrjen e këtyre masave e ka vlerësuar si të guximshme komuniteti i biznesit. Por, sipas tyre, duhet të lëshohet pe për kamionët që janë ndaluar në pikën kufitare në Merdar më 21 korrik dhe pas lejimit të kësaj ngarkese të fillohet me embargo kundrejt Serbisë. Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, përmes një konference shtypi ka kërkuar që të lejohen të futen në treg kamionët që kanë dokumentacion përcjellës të datës 20-21 korrik pasi që, sipas tij, ekziston rreziku të futen ilegalisht në vend.

313 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Shkatërrohen logot e markave Nike, Puma, Adidas

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Sot, për herë të parë në Kosovë Dogana shkatërroi logot e markave tregtare. Logot e kompanive të mirënjohura Nike, Puma dhe Adidas janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe është konstatuar se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale. Zbulimi i logove është bërë nga oficerët doganorë në dy raste, gjatë ekzaminimit të mallrave, si dhe gjatë kontrollimit të udhëtarëve në kanalin e gjelbër në Aeroportin e Prishtinës. Sasia e logove të konfiskuara nga dogana është: 18 300 copë logo Nike, 300 copë të asaj Adidas dhe 200 copë logo të markës tregtare Puma.

Me kërkesën e bartësit të së drejtës, logot iu nënshtruan procesit të shkatërrimit, proces ky në të cilin ishin prezentë edhe përfaqësuesit e bartësit të së drejtës.

Dogana e Kosovës, me anë të komunikatës, prapë njofton qytetarët dhe komunitetin e biznesit se ka fuqi ligjore që të ndërmerr veprime për mallrat që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale. Gjithashtu, inkurajohen bartësit e së drejtave që të aplikojnë në Doganën e Kosovës për kërkesën për veprim, me qëllim që të mbrohen produktet e tyre.

339 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Trezorët e BQK-së, pa lidhje alarmi me Policinë e Kosovës

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Paratë që ruhen në Bankën Qendrore nuk janë të siguruara nga Policia e Kosovës. Alarmi që duhet të lidhë këto dy institucione në raste emergjente sipas auditorit të brendshëm nuk ekziston në Bankën Qendrore, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo nuk është bërë nga drejtuesit e këtij institucioni financiar edhe pas rekomandimeve që janë dhënë në Raportin e auditorit për Bankën Qendrore.

Auditorët e brendshëm e përshkruajnë si rekomandim të rëndësishëm, i cili nuk është zbatuar nga BQK-ja, mungesën e lidhjes së alarmit të trezorëve të kësaj banke mes organeve kompetente të Policisë dhe personave përgjegjës në Bankës Qendrore. Drejtuesit e këtij institucioni, sipas zyrtarëve policorë, nuk kanë bërë asnjëherë kërkesë për lidhje të alarmit me Policinë e Kosovës.

“Për t’u realizuar një lidhje e sistemit të alarmit në mes një banke dhe Policisë së Kosovës paraprakisht nga banka duhet të drejtohet një kërkese në Policinë e Kosovës dhe kjo kërkesë shqyrtohet. Nëse aprovohet nga policia, atëherë lejohet lidhja e alarmeve në stacionin më të afërt policor”, ka thënë Brahim Sadriu, zyrtar për media në Policinë e Kosovës.

Për zyrtarët e Bankës Qendrore, edhe përkundër mosbashkëpunimit me Policinë e Kosovës, në këtë institucion ekziston niveli më i lartë i sigurisë.

“Sistemi i sigurisë fizike, i pronës dhe i aseteve të BQK-së është i standardeve me nivelin më të lartë të sigurisë”, ka thënë Besnik Kada, zëdhënës në Bankën Qendrore.

Përveç këtij “defekti”, gjatë auditimit të mbajtjes së parave të gatshme të Bankës Qendrore, auditorët kanë gjetur se ishte jashtë funksionit “sefi” për ruajtjen e çelësave që përdoren për trezorët e këtij institucioni. Ky rekomandim i auditorëve ishte implementuar nga zyrtarët e BQK-së.

“Sefi i vendosur në zyrën e shefes së Njësisë së arkës e trezorit, që shërben për ruajtjen e çelësave, në përdorim është servisuar, d.m.th. është implementuar rekomandimi i auditimit”, theksohet në raport.

Për sa i përket sigurisë, auditorët kanë vërejtur edhe mangësi në sistemin e sigurisë fizike të Bankës Qendrore të Kosovës. Po ashtu janë evidencuar mangësi edhe në sigurinë e dhomës së serverëve. Kjo dhomë, sipas auditorëve, është e pajisur me klima për rregullimin e temperaturës dhe me pajisje kundër zjarrit, por mangësi janë vërejtur tek mundësia e shpejtë e përhapjes së tij me gjithë ekzistimin e këtyre pajisjeve. “Muret e dhomës së serverëve janë të veshura me dru, që rrezikojnë dhomën nga përhapja e shpejtë e zjarrit. Xhamat e kthyer nga rruga janë xhama të thjeshtë dhe nuk janë antiplumb”, thuhet në raportin e Auditorit të brendshëm.

297 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Banja e Pejës nën administrim direkt të AKP-së

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit aprovoi të enjten Valën e 52-të të privatizimit, e cila do të tenderohet në muajin nëntor dhe përmban një numër ndërmarrjesh atraktive. Gjithashtu, Bordi aprovoi transaksionet e shitjeve të Valës 50 të privatizimit. Në kuadër të kësaj, me qëllim të ruajtjes si dhe ngritjes së vlerës, u vendos që ndërmarrja e re “Hotel Onix-Banja e Pejës dhe Ilixhe” të jetë nën administrimin direkt të AKP-së, dhe të angazhohet një ekip që të ndihmojë në përgatitjen sa me atraktive të mundshme për shitje.

Në vazhdën e diskutimeve për privatizimet e ndërmarrjeve me metodën spin-off special, pas përcaktimit të përmbushjes së kënaqshme të zotimeve për investime dhe për punësim, Bordi i Drejtorëve liroi nga monitorimi i mëtutjeshëm ndërmarrjet “Sillosi”, “Mulliri-Fushë Kosovë dhe “Modeli”.

Një hap të rëndësishëm shënon edhe miratimi i shpërndarjes përfundimtare të fondeve të tetëdhjetë përqindëshit apo likuidimit tek kreditorët dhe pronarët për Ndërmarrjen Shoqërore KB Vushtrria.

365 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Pas embargos, Maqedonia shpreson në përfitime

| Ekonomi, Kosovë, Maqedoni | 23 July 2011

Biznesi i Maqedonisë do të përfitojë shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që mallrat serbe të mos hyjnë në Kosovë. Kjo njëherësh i hapë rrugë intensifikimit të këmbimit tregtar mes dy vendeve fqinje, por përfitimet do të ishin shumë më të mëdha, nëse do të ishin eliminuar me kohë barrierat e transportit dhe problemet që shfaqen në pikat e kufitare me pritjet e gjata, thekson Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore.

“Niveli i përfitimit do të kishte qenë shumë më i madh sikur të përfillej zëri i Odës Ekonomike të Maqedonisë perëndimore, që të zgjerohen vendkalimet kufitare, si dhe potenciali i shërbimeve të tyre të jetë më i lartë”, shprehet Kuçi për Radio Evropa e Lirë, sipas të cilit biznesmenët nga Maqedonia janë duke bërë hapa konkretë që, në bashkëpunim me biznesmenët turq, të marrin një pjesë sa më të madhe nga kulaçi i eksportit të mallrave serbe në Kosovë, të cilat, sipas të dhënave zyrtare, arrijnë vlerën rreth 300 milionë euro në vit.

“Kemi një takim me një grup biznesmenësh nga Turqia, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë që përmes Maqedonisë ata të depërtojnë në tregun kosovar, veçanërisht me prodhimet deficitare”, thekson Kuçi.
Edhe eksperti Mitko Aleksov vlerëson se Maqedonisë i hapet një portë plotësuese për zhvillimin e biznesit me Kosovën.

“Pra krijohet një hapësirë plotësuese për plasmanin e prodhimeve nga Maqedonia, por me e rëndësishmja është që të gjithë të angazhohen për një strategji të përbashkët si autoritetet shtetërore, biznesmenët dhe prodhuesit e produkteve bujqësore, që të hartojnë një strategji të qartë si të kapitalizohet kjo mundësi”, thekson Aleksov.

Nga ana tjetër, Menderes Kuçi vlerëson se vendimi i Kosovës tangon dhe një dimension të rëndësishëm politik në interes të shqiptarëve në mbarë rajonin, sepse me këtë sinjalizohen investitorët e huaj për fuqinë konsumuese dhe rolin e saj, sa i përket popullatës shqiptare, varësisht ku ndodhen ata.
“Është një realitet i prekshëm, benefitet e të cilit mund të shihen në rastin konkret, dhe jo rastësisht bota di t’i vlerësojë dhe peshojë këto çështje, dhe ritheksoj jo rastësisht delegacioni turk vjen në Maqedoni, ngase ata tanimë kanë marrë rezultatet e sondazheve të caktuara për fuqinë konsumuese dhe njëherësh nuk ka barriera politike për të shtrirë biznesin, duke harmonizuar interesat e përbashkëta që kanë për bazë zhvillimin ekonomik”, thotë Kuçi.

Ndryshe, Kosova është nga vendet e rralla me të cilat Maqedonia realizon saldo pozitive në këmbimin tregtar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, këmbimi tregtar gjatë vitit të kaluar ka arritur vlerën prej 197 milionë dollarëve, me ç’rast rreth 182 milionë prej tyre janë mallra që nga Maqedonia kanë hyrë në Kosovë, dhe vetëm 14 milionë dollarë janë mallra kosovare që janë plasuar në tregun e Maqedonisë.

402 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Në hambarin e Xërxës grumbullohen 20 mijë tonë grurë

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Hambari më i madh në Kosovë, “M&Sillosi” në Xërxë ka grumbulluar 20 mijë tonë grurë nga korrje-shirjet e sivjetme, ndonëse pa u korrur kanë mbetur edhe një e pesta e sipërfaqeve të tërësishme.

”Jemi në mes të sezonit dhe sipas parashikimeve tona presim që të grumbullojmë deri 30 mijë tonë grurë, që i bie se totali i prodhimtarisë së grurit në Kosovë do të jetë 30 deri 40 për qind më i lartë. Vitin e kaluar kemi grumbulluar vetëm 22 mijë tonë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i fabrikës së miellit “M&Sillosi”, Sead Shehu.

Ai ka bërë të ditur se, përveç në Lipjan dhe Ferizaj, në pjesë të tjera të Kosovës kanë edhe 40 pika grumbulluese të grurit. Sipas tij, cilësia e grurit sivjet është shumë e mirë krahasuar me vitin e kaluar, duke marrë parasysh, siç thotë ai, edhe mënyrën tradicionale të kultivimit të drithërave në Kosovë.

”Hektolitri mesatar i grurit është 78, kurse lagështia është e ulët. Pra këtë vit nuk kemi pasur nevojë të përdorim tharësen, pasi që lagështia është nën 12 për qind”.

Se cilësia e grurit është e mirë e ka konfirmuar edhe Ramadan Deliu, menaxher i kontrollit të cilësisë së grurit në këtë kompani, si dhe disa prodhues bujqësorë.

”Sivjet banorët e Kosovës do të keni bukë shumë më të mirë, krahasuar me vitet paraprake. Këto konstatime i bazoj në analizat dhe perimetrat e bërë të cilat janë pozitive. Cilësia e grurit është e mirë, ngase korrja e grurit ka filluar më 8 korrik, ku kokrra e grurit është pjekur në arë në kushte normale, e jo në kushtet e ngrohjes globale sikur viteve të kaluara kur korrja pati nisur para muajit korrik”, ka shpjeguar ky ekspert.

Fadil Alaj, nga Drenoci i Deçanit, teksa me traktor priste të dorëzonte prodhimin e sivjetmë të grurit, shprehte kënaqësinë e tij me cilësinë e grurit.

”Gruri është shumë i mirë, në krahasim me verën e vjetme. Edhe rendimenti ka qenë shumë i mirë”. Alaj tha se po e dorëzon grurin në “Silos” në këmbim me miellin dhe ushqim për bagëti.

Njëjtë është shprehur edhe bujku nga Burimi i Ulët të Rahovecit, Fejzullah Sulejmani.

”Ka paguar mirë sivjet. Për një hektar kam marrë 3.8 deri 4 mijë kilogramë grurë. Nga 4 hektarë në “Silos” kam dorëzuar 15 mijë kilogramë grurë”, ka theksuar Sulejmani.

538 shikime gjithsej, 2 shikime sot

PTK s’u “shkurorëzua” nga IPKO-ja

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Korporata publike e telekomunikimeve ka shfuqizuar vendimin e saj për shkëputjen e kontratës me operatorin privat të telefonisë IPKO, të cilin e kishte paralajmëruar se nuk do të mund t’i shfrytëzonte fijet optike të PTK-së pas datës 17 korrik të këtij viti. Anulimi i shkëputjes së kontratës me kompaninë konkurrente të telefonisë mobile, sipas zyrtarëve të Postë-Telekomit, është bërë me rekomandim të ekspertëve të kësaj ndërmarrjeje.

“Ekspertët kanë rekomanduar vazhdimin e negociatave për kushtet e reja të marrëveshjes me qëllim përshtatjen e zhvillimit aktual të TiK të PTK-së, të cilat janë në fazën e finalizimit”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Menduh Abazi.

Negociatat mes ekipeve teknike të PTK-së e IPKO-s, sipas Abazit, janë duke u bërë për të modifikuar marrëveshjen e cila do të jetë në interes të dyanshëm të shfrytëzimit të infrastrukturës së ndërsjellë të këtyre dy kompanive. Zëdhënësi i PTK-së ka pranuar se IPKO-ja ishte e paralajmëruar për shkëputje të kontratës, por, sipas tij, rekomandimi i ekspertëve kishte bërë që kjo të shfuqizohej.

Por, në rekomandim të ekspertëve brenda PTK-se ishte bazuar edhe kryeshefi ekzekutiv Shyqyri Haxha kur kishte paralajmëruar shkëputjen e kontratës me operatorin tjetër të telefonisë mobile. Para tre muajsh Haxha ia kishte dërguar një shkresë drejtorit të IPKO-s, në të cilën thuhej se kontrata do të shkëputej më datën 17 korrik të këtij viti. Neni 12 i marrëveshjes për qiradhënie të fijeve optike, e lidhur më 17 qershor të vitit 2009, sipas Haxhës, e lejonte shkëputjen e kësaj kontrate.

“PTK-ja ka ndërmarrë këtë veprim duke përdorur dispozitën 12 të kontratës në fjalë. Pas analizës profesionale e teknike dhe menaxheriale të ekspertëve të PTK-së është konsideruar se kapacitetet e objektit të kontratës janë të nevojshme për përdorim të PTK-së”, thuhet në paralajmërimin e kryeshefit të PTK-së.

Neni 12 i kontratës së lidhur më 17 qershor të vitit 2009, mes kryeshefit ekzekutiv të PTK-së dhe Akan Ismajlit, drejtor i IPKO-s, ia lejon korporatës publike shkëputjen e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Neni 12 i kontratës së lidhur më 17.06.2009 mes Shyqyri Haxhës e Akan Ismajlit thekson se “PTK-ja rezervon të drejtën që brenda periudhës trevjeçare si në nenin 1.1 të kësaj kontrate ta ndërpresë shenjën e shërbimeve vetëm nëse fijet optike që janë objekt i kontratës i nevojiten PTK-së për zgjerim të infrastrukturës dhe shërbimeve të saj”, theksohet në kontratën e nënshkruar mes IPKO-s e PTK-së.

Në bazë të kësaj kontrate, përkatësisht nenit 3, kompania IPKO obligohet t’ia paguajë PTK-së një shumë prej 72 mijë e 975 eurosh në muaj për shfrytëzimin e fijeve optike. “PTK-ja ka një marrëveshje për qiradhënie me IPKO-n të fijeve optike, nga e cila ka përfitime milionëshe, pasi që kjo infrastrukturë ka qenë e pashfrytëzuar nga PTK-ja edhe për faktin se kjo infrastrukturë para kësaj marrëveshjeje nuk ka gjeneruar asnjë të hyrë financiare për Telekomin e Kosovës”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, zyrtarët e kompanisë IPKO nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ndryshimin e planit të PTK-së për sa i përket kontratës për shfrytëzimin e fijeve optike.

“Zyrtarët përgjegjës në IPKO janë në pushim vjetor dhe nuk janë të njohur mirë me rastin, prandaj për momentin nuk mund të komentojmë pa i ditur mirë rrethanat”, ka thënë Alban Kastrati, zëdhënës i kësaj kompanie.

478 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kosova ka resurse për investime

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Kosovës i duhen investime të huaja. Për t’i tërhequr këto investime, duhet të funksionojë shteti ligjor, si dhe të krijohen mekanizma adekuatë për krijimin e kushteve të favorshme për investitorët, kushte këto që deri tani nuk janë krijuar, u tha të mërkurën në një konferencë në Institutin “AAB- Riinvest”, ku i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stepjan Mesiq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, theksuan se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për investitorët e huaj dhe për këtë duhet që në Kosovë të ketë një demokraci dhe ekonomi të fortë, në mënyrë që Kosova të bëhet model stabiliteti në rajon.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stepjan Mesiq, i cili ishte i pranishëm në konferencën e titulluar “Konteksti rajonal i investimeve te jashtme”, tha se Kosova ka resurse dhe kapacitet të jashtëzakonshme për tërheqjen e investimeve, por vetëm duhet një organizim më i mirë institucional.

“Nëse shteti nuk funksionon, nëse institucionet nuk i kryejnë funksionet e tyre dhe nuk kemi shtet juridik, është e pamundur të realizojmë tërheqje të investimeve. Edhe ne në fillim kemi pasur probleme. Privatizimi është kryer në mënyrë kriminale. Dhe, ne u detyruam ta nxjerrim një ligj, me të cilin i kemi dënuar veprat e atyre, të cilët i keqpërdorën funksionet e tyre”, tha Mesiq.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, vlerësoi se promovimi i investimeve në Kosovë nuk është duke u bërë më mënyrë të duhur. Ndërkaq, sa i përket privatizimit të aseteve kosovare, u shpreh:

“Privatizimi në Kosovë është duke u bërë ashtu si në Kroaci. Privatizimi i aseteve kosovare është kriminalizuar – e them këtë më shumë përgjegjësi. Privatizimi ka krijuar varfëri. Privatizimi e privoi nga e drejta e tij edhe atë njeri të biznesit, i cili kishte shansin të jetë një njeri i pasur dhe që do të punonte për mirëqenien e shumë njerëzve të tjerë”.

Në anën tjetër, Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest”, pohoi se në një vend të pazhvilluar ekonomikisht, investimet janë të domosdoshme. Investimet, të cilat janë duke u bërë, sipas Mustafës, janë të pamjaftueshme.

“Ne investojmë diku rreth 25 për qind të GDP-së, edhe po të kishim një qeveri tepër efikase, me këtë nivel të investimeve nuk mund të adresojmë rritjen e ekonomike dhe zbutjen e papunësisë. Investimet në Kosovë duhet të rriten mbi 32 për qind të GDP-së. Investimet janë kushti kryesor për Kosovën, prandaj duhet të gjenerojmë investimet tek investitorët tanë dhe t’i tërheqim investitorët e jashtëm. Është çështja kryesore që duhet bërë institucionet e vendit”, theksoi Mustafa.

Kosova edhe në Raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes”, është kritikuar për ambient të pafavorshëm biznesor. Nga 22 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës Juglindore, Prishtina kishte mbetur qyteti ku më së vështiri bëhet biznes.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila, tha se janë duke punuar në atë drejtim, por, siç tha ajo, për një përmirësim të ambientit biznesor duhet bashkëpunim institucional.

“Përderisa nuk e vendosim agjendën zhvillimore si prioritet, duke i caktuar kriteret e zhvillimit dhe bashkëpunimit të përbashkët institucional, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, Kosova nuk do të mund të këtë ulje të gjithë parametrave të varfërisë dhe papunësisë që i kemi sot”, tha Kusari-Lila.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë gjatë kësaj dekade, e konkretisht, pas shpalljes së pavarësisë, janë konsideruar si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Mirëpo, në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare thuhet se në vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.

315 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Dështon ngritja e Parkut të Biznesit në Skenderaj

| Ekonomi, Kosovë | 23 July 2011

Përfundimisht ka dështuar ngritja e Parkut Teknologjik në Skenderaj, i cili parashihej të ishte vatër e veprimtarisë së 33 bizneseve të vogla me rreth 400 të punësuar, i kanë pohuar KD-së burime të ndryshme, të mërkurën.

Si duket më të dëmtuarit nga kjo “ëndërr sllovene” kanë dalë kontraktuesi për kryerjen e punimeve në Park dhe bashkëpunëtorët tjerë të cilëve Kompania “Tehnopolis” LLC-Celje nga Sllovenia, u ka mbetur borxh shuma të mëdha parash. “Investimet tre mujore të Kompanisë kontraktuese “Europrojekt” nga Skenderaj, si dhe kompanisë projektuese qe ka punuar projektin, dhe ekipit të gjeodetëve, sllovenët nuk u kanë paguar asnjë cent”, ka treguar burimi i gazetës i cili nuk ka dashur ti përmendet emri në gazetë.

Këtë e kanë pohuar edhe drejtues të “Europrojektit”, por nuk kanë dashur të prononcohen për gazetë me arsyetimin se janë duke e përgatitur lëndën për gjykatë dhe se të gjitha do ti bëjnë publike në një konferencë për media, në ditët e ardhshme. Burimi mandej ka treguar se fajtori për dështimin është investuesi i cili ka menduar se mund të realizohen projekte pa pasur fonde, por ai ka kritikuar edhe autoritetet komunale qe u janë dashur 3 vite për ta kuptuar joseriozitetin e kësaj firme sllovene. “Komuna e ka ndërruar truallin për Park qe ishte në fshatin Marinë, duke ju dhënë mbi 19 ha. truall pothuajse në zonën e qytetit, andaj është dashur të jenë më vigjilent”, ka spikatur ai.

327 shikime gjithsej, 1 shikime sot