Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

KEK: Urime autonomia Veri i Kosovës!!!

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

KEK në krizë, Veriu do shkëputet furnizimi

Në mungesë të fondeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi, Korporata Energjetike e Kosovës paralajmëron shkëputjen e veriut nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike.

Por kjo do të ishte zgjidhja e fundit, nëse do të ekzistonte një rrugëdalje tjetër. Dhe drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj kërkon që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë-Beograd.

Nëpërmjet një letre dërguar institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës, të cilën e ka siguruar Top Channel, drejtori Gjukaj, i cili është pjesë e stafit teknik në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, kërkon zgjidhje pikërisht në kuadër të këtij dialogu.

Dhe furnizimi i veriut me energji elektrike është njëra nga temat në raundin e ardhshëm të bisedimeve.

Në letrën e brendshme që mban firmën e zotit Gjukaj para se të kalojë zgjidhja totale, përmendet marrëveshja që do të duhej të arrihej për këtë çështje, por për të cilën nuk dëshiron të flasë publikisht. /zeri

1,072 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Rahovecianët shkulin vreshtat

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Enis Veliu – Injorimi i festës tradicionale të rrushit nga kryeministri Hashim Thaçi, por edhe nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka nervozuar tej mase vreshtarët e komunës së Rahovecit.

Të indinjuar nga injoranca qeveritare, fermerët e komunës së Rahovecit kanë filluar t’i shkulin hardhitë e rrushit, pasi që nga kjo veprimtari ata kohëve të fundit kanë pasur vetëm humbje, sepse për përfitime as që bëhet fjalë.

Labinot Shulina, kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve të komunës së Rahovecit, thotë se nuk i di arsyet, askush nga zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë pjesë në këtë festë tradicionale.

“Vreshtarët janë të nervozuar tej mase, disa nga ta kanë filluar t’i shkulin hardhitë, sepse duke u marrë me këtë veprimtari ata kanë hyrë borxh e tash nuk po kanë mundësi t’i kthejnë ato. Injorimi nga ana institucionale, po e shkatërron sektorin e vreshtarisë në këtë komunë”, tha ai.

Shulina tha se para pak ditësh janë takuar me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë nga të cilët kanë marrë premtime se do të subvencionohet, por edhe do t’iu paguhen humbjet e shkaktuara.

Ai tha se përveç pagesës së dëmeve kanë kërkuar nga Ministria që fermerët të subvencionohen me nga 10 centë për kilogram. “Ne presim që do të ndodhë dëmshpërblimi dhe subvencionimi”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë se nuk ka mundur të marrë pjesë ne festën tradicionale të rrushit, pasi që gjatë kësaj kohe ai ka qenë në pushim vjetor.

“Unë nuk kam lënë aktivitet pa marrë pjesë, unë do të shkoja edhe këtu, por fatkeqësisht nuk kam qenë në Kosovë”, tha ai. Stavileci thotë se me Shoqatën e Vreshtarëve të Komunës së Rahovecit janë takuar disa herë, ku kanë diskutuar për mënyra të ndryshme të ndihmesës, por deri më tash, ai thotë se nuk është marrë ndonjë vendim final.

“Ne kemi diskutuar për modalitete, por ende nuk kemi vendosura përfundimisht. Ndihma më e madhe që ne mund ta bëjmë për ata është krijimi i lidhjeve të fermerëve me industritë e përpunimit të rrushit”,tha ai.

Ministri Stavileci mohon akuzat e fermerëve se institucionet po e injorojnë sektorin e vreshtarisë në vend. “Të bëhem i sinqertë gjatë kohës sa jam ministër më së shumti kam pasur takime me shoqatën e vreshtarëve”, tha ai.

Në anën tjetër, Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit, thotë se si presidenca, ashtu edhe kryeministria, por edhe Ministria e Bujqësisë kanë qenë të njoftuara me kohë me agjendën dhe kohën e mbajtjes së festës tradicionale të rrushit.

“Ata të gjithë i kanë pasur ftesat dhe askush nga niveli i lartë institucional nuk ka marrë pjesë. Të pranishëm në festival kanë qenë zëvendësministri i Kulturës dhe këshilltari i ministrit të Bujqësisë”, tha ai.

Kryetari Latifi tha se edhe pa pjesëmarrjen e presidentes, kryeministrit, kanë kaluar shumë mirë, por, sipas tij, ata duhet të sqarojnë opinionin pse nuk kanë marrë pjesë. “Së paku deri më tash ne nuk e dimë zyrtarisht pse ata nuk ishin të pranishëm në festë”, tha ai./zeri

1,544 shikime gjithsej, 1 shikime sot

OEK-u kërkon tregti të lirë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), përkrah marrëveshjen e arritur në Bruksel, me 2 shtator, lidhur me tregtinë e lirë dhe njohjen e vulave tw Doganave të Kosovës dhe njëkohësisht i fton qytetarët e vendit dhe bizneset që të angazhohen fuqishëm në përkrahjen e biznesit vendor, përkatësisht konsumim të produkteve vendore.

Duke përkrahur marrëveshjen e arritur në Bruksel, OEK-u kërkon nga institucionet e Kosovës, implementim të plotë të marrëveshjes dhe insiston që rendi dhe ligji të vendoset në tërë vendin, duke eliminuar çdo mundësi për aktivitete të kontrabandës dhe ekonomisë joformale.

“OEK gjithashtu kërkon që gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje të sigurohet respektim i plotë i parimeve të tregtisë të lirë dhe reciprocitetit dhe kërkon qe nëse në realizmin e marrëveshjes do të paraqiten problem nga palët tjera, konformë parimeve të tregtisë së lirë të definuar nga CEFTA dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare të kërkon dhe aplikon respektimin e parimeve të reciprocitetit”, theksohet në komunikatën e OEK-ut për media.

Duke respektuar parimet e ekonomisë së tregut dhe interesat e bizneseve të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës fton të gjithë qytetarët dhe bizneset të angazhohen fuqishëm në përkrahjen e biznesit vendor, përkatësisht konsumim të produkteve vendore. /Telegarfi/

1,079 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Kosova eksporton në Kinë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Më shumë se në Mal të Zi e Zvicër, Kosova eksporton mallra në Kinën e largët. Kina së fundi është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, ku për çdo muaj eksportohen miliona euro mallra. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), muajin korrik nga Kosova në Kinë janë eksportuar mallra në vlerë prej mbi 2.3 milionë euro, krahas 29.3 milionë euro sa ka qenë eksporti i përgjithshëm i vendit në atë muaj.

Këto statistika të eksportit e radhisin Kinën në krye të listës së vendeve, ku Kosova eksporton më së shumti mallra. Sipas ESK-së, në muajin korrik 2011, përqindja më e madhe e mallrave është eksportuar në Itali (20 për qind), Shqipëri (12.2 për qind), Maqedoni (9.7 për qind), Kinë (7.9 për qind), Zvicër (5.5 për qind), Mal të Zi (5.1 për qind), etj.

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 47.2 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 29.9 për qind, produktet minerale, 4.6 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.4 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 3.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 3 për qind tekstil dhe artikuj tekstili etj, shkruan Zëri.

Përfaqësuesit kosovarë të biznesit konfirmojnë se Kina tashmë është shndërruar ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. “Një ndër partnerët kryesorë tregtarë tashmë Kosova e ka Kinën”, shprehet Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Sipas tij, në këtë vend aziatik eksportohet kryesisht koncentrate minerare nga “Trepça” dhe nga “Ferronikeli”. Kreu i OEK-ut pohon se nga Kina importojmë kryesisht produkte finale, përderisa eksportojmë lëndë të parë.

Gjatë korrikut nga Kina janë importuar mallra në vlerë 16.2 milionë euro. “Në aspektin ekonomik do të ishte shumë më mirë që të eksportojmë produkte finale e jo lëndë të parë, pasi që përfitimet do të ishin më të mëdha për vendin”, potencon ai.

Pavarësisht se Kina kundërshton pavarësinë e Kosovës, kreu i OEK-ut thotë se nuk i bën pengesa eksportit vendor, marrë për bazë faktin se miliona euro mallra eksportohen çdo muaj atje. “Tregtia nuk njeh kufi, prandaj Kina i ka ndarë çështjet politike me ato ekonomike”, shprehet ai.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se deri tash Kosova ka importuar nga Kina mallra të ndryshëm, por nuk ka eksportuar asgjë.
“Një rritje në masë të madhe e eksportit me Kinën është shumë e mirëseardhur për ekonominë e Kosovës. Përmes këtij eksporti Kosova duhet të lobojë tek investitorët kinezë që të investojnë në Kosovë në sektorin e minierave”, tha Shahini. /Telegrafi/

1,292 shikime gjithsej, 2 shikime sot

Prishtinë, fluturon qeraja e banesave

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Qiraja e banesave në Prishtinë ka fluturuar kjo për shkak të rritjes enorme të kërkesës për qira. Një banesë me dy dhoma mund të kushtoj 300 euro e më lart.

Fillimi i shtatorit dhe afrimi i fillimit të vitit akademik 2011- 2012 ka bërë që pronarët e banesave të “çmenden” me çmimet e qirave. Këto çmime sipas të interesuarve për të banuar në Prishtinë janë më të shtrenjta se në shumë kryeqytete të rajonit.

Një banesë me dy dhoma në lagjet Dardania, Ulpiana apo qendër nuk mund të gjendet më siç ka qenë më herët, tash ajo kushton 300 euro e më shumë, por që varet prej kushteve dhe lartësisë së kateve në të cilën gjendet. /Telegrafi/

1,757 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Tregti pa lëvizje të lirë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se heqja e embargos për mallrat serbe nuk varet vetëm nga Kosova. Ajo thotë se reciprociteti mbetet në fuqi deri në momentin kur të fillojë tregtia e lirë mes dy shteteve.

Tahiri tha për Express se marrëveshja për lëvizje të lirë do të zbatohet më vonë dhe nuk është kusht për heqje të embargos.
Marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Serbisë mund të fillojë së zbatuari më 16 shtator, por jo edhe marrëveshja për lëvizje të lirë të qytetarëve që është arritur në Bruksel më 2 korrik.

Shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë të dielën për Express se ende nuk kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftime të Kosovës si dhe qarkullimin e automjeteve me targa KS dhe RKS.

Por ajo nuk e sheh pengesë për heqjen e embargos tregtare nga të dyja palët.
“Ne jemi duke punuar intensivisht që edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë të zbatohet shumë shpejt. Por ne nuk shohim që mund të pengohet kjo për shkak se mund të gjinden zgjidhje të ndërmjetme në këtë periudhë të shkurtë derisa të fillojë edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë”, ka thënë Tahiri. Ajo shtoi se grupi për implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë është takuar më 5 shtator dhe janë bërë disa përparime. /Telegrafi/

984 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Reduktimet e energjisë, bizneset buzë falimentimit

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Vendimi i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës që ka quar në remont termocentralin “Kosova B”, e cila ka rikthyer planin A – B – C, ka shkaktuar avari te bizneset prodhuese. Ndërkohë që pas një muaji të vënies së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë fabrikat prodhuese kishin shënuar rritje të prodhimit, shitjes dhe të të punësuarve rreth 50 për qind. Por, kjo situatë, si duket, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, nuk zgjati edhe shumë për kompaninë “Inter Company”. Kjo fabrikë, e cila merret me përpunimin e lulediellit dhe prodhimin e vajit ushqimor, nga Podujeva, që nga dita e premte e javës së kaluar, është duke u përballur me vështirësi, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike. Menaxheri i kësaj kompanie, Sulejman Konushevci, ka thënë për “Kosova Sot” se nëse vazhdon kjo situatë ai do të detyrohet ta mbyllë kompaninë dhe me rreth 150 punëtorët e tij do të dalë në protestë para Qeverisë së Kosovës.

“Që tri ditë kemi reduktime të ashpra, tri me tri, edhe reduktimet mendoj se janë të qëllimshme. Nëse vazhdon kështu, unë bashkë me 148 punëtorët që i kam të punësuar do ta mbyllim fabrikën dhe do të dalim para Qeverisë”, ka thënë Konushevci. Ndërkaq, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike është bërë pengesë shumë e madhe për bizneset kosovare. Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike po shkaktojnë avari tek bizneset, e sidomos ato prodhuese, dhe se kjo do ta zvogëlojë fuqinë konkurruese në treg të prodhimeve vendore, karshi produkteve të huaja, e sidomos atyre nga Serbia, të cilat sipas Shahinit do të vërshojnë tregun pas heqjes së masave te reciprocitetit, më 16 shtator. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e të hënës të “Kosova Sot”)/kosova sot

1,192 shikime gjithsej, 1 shikime sot

AKP: Blerësi i “Llamkosit” nuk është në falimentim

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit i kanë hedhur poshtë pretendimet, se kompania angleze “Coresteel”, e cila e ka blerë ndërmarrjen “Llamkos” është në procedurat e likuidimit. AKP-ja është e kënaqur që tashmë ka finalizuar marrëveshjen e shitblerjes me blerësin e ndërmarrjes ‘NEW CO Llamkos Steel LLC’. “Ofertuesi fitues ka pasur mbështetjen e bankës me renome “Standard Bank” dhe asaj “Raiffeisen Bank”, me të cilat AKP-ja ka pasur takime të veçanta”, ka thënë Arta Gosalci, zyrtare për informim në AKP. “AKP-ja e ka shpallur fituesin për ndërmarrjen “Llamkos”, përmes tenderit të hapur, konkurrues dhe transparent. AKP-ja ka bërë hulumtime mbi ligjshmërinë, kualifikimin, qëndrueshmërinë financiare dhe hulumtime të tjera para se Bordi i Drejtorëve të AKP-së të marrë vendimin për shpalljen e fituesit të tenderit. Ofertuesi, tani fitues, me kërkesë të menaxhmentit të AKP-së, i ka dërguar pasqyrat e audituara financiare, të bëra nga kompani me renome”, tha Gosalci.

Gosalci ka thënë se palët e pakënaqura kanë pasur të drejtë të ankohet në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, apo në instanca të tjera dhe këtë të drejtë e kanë ushtruar disa nga ofertuesit në tender. Por, këto ankesa, sipas saj nuk kanë gjetur mbështetje në Odën e Veçantë. “AKP-ja është e kënaqur që tashmë ka finalizuar marrëveshjen e shitblerjes me blerësin e ndërmarrjes “NEWCO Llamkos Steel LLC”, kompaninë angleze “Coresteel”.Sh. p. k. Marrëveshja e shitblerjes, që ka vlerën 6.5 milionë euro, u nënshkrua pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa blerësit është zotuar se brenda një periudhe gjashtë mujore të punësojë në ndërmarrje 437 punëtorët ekzistues sipas biznes planit të ofruar, tha Gosalci. Ajo ka shtuar se njëkohësish, blerësi është zotuar se do ta vazhdojë aktivitetin e njëjtë biznesor për një periudhë së paku 5-vjeçare, si dhe është zotuar që të mos zhvendosë makineritë / asetet nga hapësirat e ndërmarrjes. Ndërsa, sa u përket investimeve, Gosalci ka thënë se blerësi, përmes kontratës së nënshkruar, ka marrë obligime të investojë në ndërmarrje një shumë të konsiderueshme të kapitalit punues dhe investues. “Nënshkrimi i marrëveshjes së shitblerjes me blerësin i mundëson atij të fillojë me aktivitetet dhe investimet e premtuara në ndërmarrje, gjë që ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, në veçanti për Komunën e Vushtrrisë, e cila do të ketë përfitime të drejtpërdrejta nga investimet e blerësit, si dhe në punësimin e qytetarëve të saj”, tha Gosalci./kosova sot

1,426 shikime gjithsej, 1 shikime sot

S’i hiqen barrierat

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Zekirja Shabani – Me ligjin e ri për Trepçën, që pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës kah fundi i muajit shtator, Agjencia Kosovare e Privatizimit do ta marrë nën kontroll të plotë gjigantin metalurgjik Trepça. Me këtë ndërmarrja shpëton nga administratori i likuidimit, por jo edhe nga moratoriumi. Për drejtorin e Trepçës, Ferat Shala, vazhdimi i mbikëqyrjes së kushtëzuar është pengesë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje.

Nëse nuk ua prish planet Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit do ta marrë nën kontroll të plotë gjigantin metalurgjik Trepça. Me këtë edhe ta forcojë imazhin e ri të agjencisë që ka prezantuar bordi i AKP-së. I ka mbetur vetëm edhe ligji për këtë ndërmarrje ta marrë bekimin e deputetëve dhe bashkë me ligjin AKP-së dhe atë të Odës së Veçantë, që është miratuar tashmë në Kuvend, t’i japë fund rregulloreve të UNMIK-ut dhe të reduktojë ndikimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në çështjen e privatizimit.

Kështu edhe i jepet fund dilemave për administratorin për likuidim që duhej t’i caktohej Trepçës, por jo edhe moratoriumit të kësaj ndërmarrjeje.
Drejtori i AKP-së, Shkëlzen Lluka, thotë se rregullorja e UNMIK-ut 2005/48 është zëvendësuar me ligjin e ri mbi riorganizimin që do të sigurojë që riorganizimi i Trepçës të menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Me këtë ligj, administrator i vetëm i Trepçës është AKP. AKP në bashkëpunim me Odën e Veçantë do të bëjë menjëherë shpalljen e moratoriumit, do të thotë vazhdimin e moratoriumit”, ka pohuar Lluka.

Ndërkohë, ai thotë se Agjensioni do angazhojë ekspertë për të shqyrtuar kërkesat e kreditorëve. Ndryshe nga deri më tani, kreditorët do të kenë një afat për t’i paraqitur kërkesat e tyre dhe për herë të parë kjo bën që të dihet vlera e saktë e kërkesave kreditore kundër Trepçës.

Sipas Llukës, AKP do të fillojë angazhimin e ekspertëve për të bërë planin e riorganizimit të Trepçës, pasi në ligj nuk parashihen mënyra se si do të shkojë procesi i Trepçës – a do të privatizohet apo çfarë do bëhet me të.

Por, për drejtorin aktual të kombinatit Trepça është e papranueshme të vazhdohet moratoriumi mbi këtë ndërmarrje dhe në të njëjtën kohë të pretendohet zhvillim i saj.

“Ne gjithnjë, edhe në strategjinë për Trepçën, kemi kërkuar që të na hiqen bllokadat. Por, nëse vazhdon moratoriumi, prapë do të jetë e njëjta situatë dhe nuk do të kemi mundësi të veprojmë”, pohon Shala.

Sipas tij, në strategjinë për Trepçën ka qenë e paraparë në detaje si do të bëhej riorganizimi i fabrikës dhe nuk duhet të shpenzohet shumë kohë në hartimin e planeve të reja për këtë çështje.

Megjithatë, me ligjin e ri, Agjencia pritet të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë për të dizajnuar planin e riorganizimit, që do të jetë më i përshtatshmi për këtë ndërmarrje komplekse së bashku me ekspertët e specializuar ligjorë për t’i trajtuar ankesat.

“Agjencia mbetet e bindur që çdo plan për revitalizimin e Trepçës duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare në lidhje me riorganizimin dhe ristrukturimin e ndërmarrjeve strategjike”, thuhet në raportin e AKP-së për strategjinë e privatizimit.

Një hap i tillë, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, do të kërkojë angazhim të konsiderueshëm të të gjitha palëve të interesit për shkak se revitalizimi i suksesshëm i Trepçës kryesisht nënkupton që ndërmarrja duhet të lirohet nga problemet e trashëguara dhe të përparojë përsëri. Në ish Jugosllavi, kjo ishte një ndër punëdhënësit më të mëdhenj me më shumë se 20,000 punëtorë. Trepça përbëhet nga 40 ndërmarrje vartëse

Dhe pasuria e saj minerare që mund të nxirret, sipas vlerësimeve të ekspertëve, sillet prej 8 deri 12 miliardë euro./express

1,344 shikime gjithsej, 1 shikime sot

Veriu pa naftë

| Ekonomi, Kosovë | 12 September 2011

Derisa para datës 25 korrik pronarët e pompave të benzinës në veri kanë mundur t’i shesin derivatet e naftës me çmim shumë më të volitshëm sesa në Serbi, pas vendosjes së masave të reciprocitetit dhe bllokadës nga ana e Serbisë, pothuajse të gjitha pompat e naftës kanë mbetur pa derivate. Ato pak karburante që kanë mbetur tashmë janë shtrenjtuar dhe ruhen kryesisht për nevoja të strukturave paralele.

Burime të Kosovapress-it nga veriu kanë bërë të ditur se në shumë pika të shitjes nuk ka më derivate, ndërsa aty-këtu nëse në ndonjë pikë ka mbetur diçka, atëherë bëhet fjalë për sasi të vogël e cila ruhet për spitale, komuna dhe prioritete të ngjashme të strukturave paralele serbe.

Sipas këtyre burimeve, mungesa ka reflektuar menjëherë edhe me ngritje të çmimeve për rreth 20 centë në litër dhe sipas të gjitha gjasave çmimet akoma do të ngriten.

“Përveç KFOR-it dhe Thaçit, embargo ndaj neve po aplikon edhe Beogradi, sepse policia serbe në Rudnicë dhe në të gjitha rrugët tjera alternative është duke ushtruar kontroll të rreptë ndaj automjeteve me derivate, ndërkohë që qeveria serbe ka anuluar urdhëresën sipas të cilës me vite kemi qenë të liruar nga TVSH-ja, gjë që na ka pamundësuar të jemi më të lirë sesa pikat e shitjes në Serbinë qendrore”, ka thënë një shitës i derivateve nga Zubin Potoku.

Edhe njëri nga shitësit e pompës së benzinës afër Zveçanit, thotë se është e pamundur futja e cisternave me derivate përmes rrugëve alternative nga Serbia për në Kosovë.

“Dje na kanë kthyer cisternën nga Rudnica ku kemi shkuar për ta evidentuar hyrjen, siç kemi bërë gjithmonë dhe pastaj të provojmë të hyjmë përmes rrugëve alternative. Nuk kanë lejuar në asnjë mënyrë që cisterna të hyjë fare në Kosovë, dhe për fat të keq edhe Serbia i është bashkëngjitur kësaj embargoje dhe trysnisë ndaj nesh”, ka thënë ai.

Burime të Kosovapress-it thonë se në Rashkë dhe Novi Pazar, deri në kohët e fundit, banorët e këtyre vendeve, por edhe nga Tutini, Kraleva dhe qytetet tjera të Serbisë, kanë shkuar në Leshak apo Zubin Potok për t’i mbushur autobusët dhe kamionët e tyre me derivate për çmim shumë më të lirë, ndërkohë që pompat e benzinës në këto qytete patën pësuar humbje atë kohë.

Tani gjithçka është kthyer në të kundërtën, sepse qindra pronarë të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve me targa të Mitrovicës, tani po vijnë në Rashkë, Ribariq dhe Tutin për t’i mbushur rezervarët e tyre.

Burimet më tej kanë shtuar se tani pritet të fillojë kontrabanda në drejtim të kundërt. Sipas këtyre burimeve, deri para datës 25 korrik, pronarët e pompave të benzinës në veri kanë qenë në situatë që derivatet t’i shesin me çmim shumë më të volitshëm sesa në Serbi.

“Lirimi nga TVSH-ja pati mundësuar edhe kontrabandën. Në Kosovë shpesh kanë shkuar vetëm letrat, ndërsa nafta e liruar nga TVSH-ja ka përfunduar në Serbi. Pjesëmarrës në këtë lojë kanë qenë njerëz të fuqishëm nga Beogradi dhe vetëm nga një cisternë janë fituar dhjetëra-mijëra euro”, kanë thënë burimet, duke shtuar se tani në kuadër të marrëveshjes rreth Kosovës, është ushtruar trysni ndaj Beogradit që t’i ndalojë mekanizmat e saj me derivatet, nga të cilat më së shumti profit ka pasur mafia e naftës nga veriu i Kosovës dhe Serbia.
(KosovaPress)

1,168 shikime gjithsej, 1 shikime sot