Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Dështojnë planet për PTK-në dhe KEK-un

| Ekonomi, Kosovë | 2 September 2011

Enis Veliu – Qeverisë së Kosovës edhe me tej po vazhdojnë t’i dështojnë planet për privatizimin e dy kompanive publike më të mëdha në vend. Në planin e zhvillimit ekonomik, i cili u hartuar sivjet në Bullgari, nga një pjesë e kabinetit qeveritar, ishte paraparë që privatizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të ndodhë deri në fund të muajit shtator, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë më së voni deri në dhjetor të këtij viti.

Po ashtu, edhe për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) Qeveria ka paraparë që shpallja e fituesit të ndodhë gjatë muajit tetor të këtij viti, ndërkaq përmbyllja financiare të ndodhë deri në përfundim të vitit.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se në vazhdimësi janë duke punuar për të arritur dinamiken e paraparë për privatizimin e dy ndërmarrjeve më të mëdha.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, thotë se komisionet qeveritare të privatizimit, njësitë për implementimin e procesit të privatizimit të KEDS-it dhe PTK-së dhe këshilltarët e transaksionit i kanë kryer me kohë dhe sipas dinamikës së paraparë të gjitha obligimet.

Sipas tij, tash mbetet që kompanitë e kualifikuara për procesin e privatizimit të këtyre dy kompanive të realizojnë obligimet e veta dhe t’iu përgjigjen kërkesave të parashtruara nga Komisioni Qeveritar i Privatizimit.

“Për shkak të sezonit të pushimeve vjetore apo kërkesave eventuale për kohë shtesë për t’u përgjigjur kërkesave të KQP mund të ndodhë që përgjigjet e tyre të vonohen, gjë që do të ndikonte edhe në vonesën eventuale të procesit”, tha ai.

Nga ana tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend thonë janë se janë pesimistë për implementim e planit për zhvillim ekonomik, të hartuar në Bullgari. Musa Limani, njohës i mirë i proceseve ekonomik në vend, thotë se i tërë plani që ka hartuar kabineti qeveritar në Bullgari, është më pak se një ligjëratë që ai e mban para studenteve të Fakultetit Ekonomik.

Profesor Limani thotë se i tërë ai plan që është hartuar në Bullgari, ka mbetur si i tillë dhe është vështirë të implementohet në dinamikën e paraparë.

“Ky plan është hartuar vetëm për t’ia mbyllur gojën opozitës, se Kosova ka plan për zhvillim ekonomik. Tash jemi në muajin shtator dhe nuk ka asnjë element të privatizimit të PTK-së dhe KEK-ut”, tha ai.

Profesor Limani thotë se Qeveria së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duhet të gjejnë një metodë më të mirë për të shitur ndërmarrjet shoqërore në vend, ndërkaq ai këmbëngul se ndërmarrjet publike, siç është KEK-u e PTK-ja, duhet të mbeten në menaxhim të shtetit.

“Privatizimi deri më tash ka shkatërruar ekonominë e vendit, ka prodhuar papunësi. Me rastin e shitjes së KEK-ut dhe PTK-së kriza në vendin tonë do të thellohet edhe më shumë”, shtoi ai./zeri

  

1,565 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment