Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Bodrumet nuk rrisin kapacitetin

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Foto: Reuters

Visar Duriqi – Bodrumet e verërave në Rahovec, Gjakovë e Suharekë janë të gatshme që të pranojnë rrushin që do të vilet tashti, por në kapacitet sikurse të vitit të kaluar. Ato nuk kanë rritur kapacitete deri në masën që do të përballonte krejt prodhimin vendor, pasi që thonë se as tregu i tyre nuk është rritur.

Ata kanë telashe edhe me bizneset kosovare që shërbejnë verëra, të cilat më shumë përdorin verërat e Malit të Zi sesa të Kosovës. Nevzat Haxhijaha nga “Bodrumi i Vjetër” i Rahovecit thotë se kjo ndërmarrje edhe sivjet do të pranojë sasinë që ka pranuar vitin e kaluar, por nuk jep shifra

“Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet do të pranojmë maksimumin e rrushit që lejojnë kapacitetet tona në bodrum. Do të ketë edhe një rritje të vogël të kapaciteteve pranuese, në krahasim me vitin e kaluar, por jo përtej mundësive tona përpunuese dhe atyre të pasimit në treg”, thotë Haxhijaha.

Ai tregon se tregu i tyre i shitjes së verërave ka pasur një rritje solide, por jo aq sa për të rritur shumë edhe kapacitetet pranuese. “Verërat tona ne pos në tregun vendor, në pjesën më të madhe i shesim në tregun kroat dhe atë të Shqipërisë.

Në tregun vendor, në periudhën e fundit kemi pasur një rritje të tregut prej 5-10 %, kurse në tregun e jashtëm mbi 10%, por kjo nuk është një rritje e madhe”, vlerëson ai.

Haxhijaha kujton se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, verën e tyre e kanë shitur në një sasi të konsiderueshme edhe në Serbi, por pasi që ky shtet bllokoi eksportin kosovar, ende janë duke e marrë veten si biznes.

Edhe bodrumi “Dea” në Gjakovë do të pranojë sasi të rrushit sa ka pranuar vitin që shkoi. “Çdo vit pranojmë rreth 20 mijë kilogramë rrush në përpunim, dhe kaq kemi mundësi të pranojmë edhe sivjet, apo edhe pak më shumë ndoshta”, thotë Mehmet Batusha.

Sikurse Haxhijaha, edhe Bastusha thotë se nuk kanë pasur rritje të tregut, dhe një pjesë të fajit ua hedh edhe bizneseve kosovare që shërbejnë verëra.

“Hoteleritë tona më shumë servojnë verëra të huajat, edhe pse e kemi verën cilësore dhe më të lirë se ato të importuarat për 50 %. Ata po arsyetohen se këtë po e kërkojnë klientët”, thotë Batusha, dhe bën me dije se vera që kërkohet më së shumti është ajo nga Mali i Zi.

Për dallim nga dy të parët, Shaban Tafaj nga bodrumi “Agrokosova Holding” thotë se sivjet do të ulë kapacitetin e pranimit dhe për këtë fajin ia hedh Qeverisë.

“Vjet kemi pranuar rrush edhe nga Rahoveci, dhe patëm pranuar edhe nga Suhareka aq sa nuk i përballonin kapacitetet tona, por nuk u ndihmuam asgjë nga Qeveria për këtë punë’, thotë ai.

Ai bën me dije se këtë vit do të përpunojë vetëm rrushin e vet, pasi që ashtu mund të gjejë treg, edhe pse ka kapacitete prodhuese prej 600 mijë litrash në vit.

Ndryshe, vitin që shkoi prodhuesit e rrushit patën telashe me shitjen e rrushit të tyre, pasi që bodrumet ankoheshin se nuk kanë kapacitete më të mëdha pranuese. Në këtë situatë, pati edhe protesta jo të qeta, deri në hyrje me dhunë në oborret e bodrumeve nga ana e fermerëve./zeri

  

1,798 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment