Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

Astrit Haraqija emërohet zëvendësministër

| Ekonomi, Kosovë | 24 August 2011

Visar Duriqi – Qëkur e la karrigen e të parit të Kulturës, e deri tash, i shumëpërfoluri për skandale, Astrit Haraqija, nuk i kishte shijuar “bereqetet” e pushtetit. Ai madje nuk ishte futur as në listën për deputet të “Lisat dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është ende. Por tash, siç kishte bërë me dije kohë më parë “Zëri”, Astrit Haraqija është emëruar zyrtarisht zëvendësministër i Financave në qeverinë dytë të njeriut që e kishte quajtur të dështuar, Hashim Thaçit.

Në kohën sa ishte ministër i Kulturës kishte në dispozicion më pak se 10 milionë euro buxhet, kurse tash është zëvendësministër i Financave, nëpër të cilën kalojnë krejt financat e vendit.

Marrja e kësaj pozite nga Haraqija nuk e ka postuar as në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ende si punëdhënës të vetëm e ka kompaninë “Make Up – auto-sistem”. As në uebfaqen e Ministrisë së Financave nuk është vendosur biografia e Haraqisë, dhe aty aktualisht janë biografi të e fotot vetëm të ministrit Bedri Hamza dhe zëvendësministrit tjetër, Ramadan Avdiu, të dy nga PDK-ja.

Ai nuk pranon të flasë për më shumë detaje rreth punës së tij të re. “Qe dy javë ia kam filluar punës”, është përgjigjur shkurt Haraqija. Ai i ka ikur edhe përgjigjes se cilat janë kompetencat e tij në këtë ministri.

“Ministria nuk është pronë private me i nda kush me cilin institucion me u marrë. Ne punojmë qato që naj jep ministri në mbledhje të mëngjesit, takojmë qata njerëz që na i cakton ai. Shkurt, i kryejmë qato detyra që na i cakton ministri gjatë ditës”, thotë për “Zërin” Haraqija.

Ai tha që do të jetë shërbyes besnik i ministrit Bedri Hamza. “Nuk është me rëndësi a jam zëvendësministër i parë, i dytë a i katërti. Unë punoj atë që më cakton ministri”, thotë Haraqija.

Astrit Haraqija u emërua si zëvendësministër i Financave më 12 gusht të këtij viti derisa për këtë të njëjtën pozitë ishte përfolur një anëtar tjetër i “Listës dr. Ibrahim Rugova”. Ishte ky kandidati për deputet i listës, Dardan Stublla, që pak kohë më parë, nga një komision intervistues, u shpall drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por më vonë ky konkurs u anulua.

Ndryshe, Astrit Haraqija para kësaj pozite mbajti pozitën e ministrit të Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, ku nga aty u largua me rënien e koalicionit LDK-AAK. Në këtë periudhë Ministria e Kulturës ishte pjesë e shumë publikimeve për keqpërdorime me buxhetin, emërimeve politike të njerëzve pa kualifikim dhe skandale të tjera.

Edhe raportet e auditimt të kësaj periudhe flasin për keqpërdorime me paratë e dhëna si avanse. “Kemi konstatuar se në tre vjetët e fundit (2005, 2006, 2007) shumë llogari të pagesave avans nuk janë mbyllur në tërësi dhe për këtë arsye ende mbeten të hapura dhe aktive. Kemi identifikuar se rreth 2.5 milionë euro të llogarive janë ende aktive dhe të pambyllura në regjistrat e MKRS-së”, thuhet në raportin e ZAP për këtë ministri për vitin 2007, kur kjo ministri ishte ende në duart e Haraqisë.

Për skandale e pati kritikuar atëherë edhe udhëheqësi i Departamentit të Kulturës në Kabinetin për Qeverisje të Mirë sa PDK-ja ishte opozitë, Lirak Çelaj. Çelaj, që tash është këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, pati kërkuar që Haraqija të shkarkohej nga detyra e ministrit të Kulturës, duke e akuzuar se ai ka menaxhuar keq mjetet financiare, ka politizuar kulturën, duke ia kujtuar se për drejtor të Qendrës Kinematografi ke të Kosovës zgjodhi vëllanë e deputeti të LDK-së, Sabri Hamiti, Zeqirin.

Çelaj kishte përmendur një skandal me çmimin letrar “Azem Shkreli”, financimin me 150 mijë euro të festivali “Kënga Magjike”, me 10 mijë euro për videoklipin “Loçka jeme” të Arbërie Hadërgjonajt, blerja e një veture në vlerë 90 mijë euro, deklaratat e tij skandaloze “Unë i kam harxhuar edhe paratë e babës tim, pse jo edhe të ministrisë” etj.

Haraqija para se të bëhej ministër i Kulturës, ka ushtruar funksionin e kryeshefit ekzekutiv të komunë së Gjakovës, ku pati shpallur këtë qytet “Krahinë Autonome” si një formë e fushatës drejtuar ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit pasi që kishte lënë mbrapa procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të këtij qyteti.

N të kaluarën politike, Haraqija ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Gjakovën.

Haraqija dikur akuzonte Thaçin

Tash e ka shef kryeministrin Hashim Thaçit, si zëvendësministër i Financave, por sa ishte ministër i Kulturës, Astrit Haraqija kishte ngritur dyshime për keqpërdorime të fondit “Vendlindja thërret” nga Thaçi.

“Hashim Thaçi i ka humbur katër palë zgjedhje në Kosove. Ai më akuzon mua për orrupsion, për krijimin e do farë strukturash parapolitike, për shfrytëzim të fondeve publike! Ani kush, Hashim Thaçi!? Ai duhet të japë llogari para popullit për shfrytëzimin e fondit ‘Vendlindja thërret’. Ku janë paret e këtij fondi, sa para janë mbledhur për këtë fond, sa janë shfrytëzuar për nevoja të luftës, sa kanë mbetur, ku janë tretur?”, kishte deklaruar Haraqija./zeri

1,614 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment