Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

AKB-ja akuzon KEK-un për dëmtim të bizneseve

| Ekonomi, Kosovë | 29 August 2011

Në kohën kur pas vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, bizneset vendore kanë filluar të kenë më shumë punë që në këtë rast do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe mbushjes së buxhetit të shtetit, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë një vendim me të cilin bizneseve u vendosen ngarkesa të papërballueshme financiare dhe i çon në humbje.

Në letrën që KEK-u e ka quajtur njoftuese, por që në fakt është vendim e që hyn në fuqi pas 30 ditësh nga data e dërgimit tek biznesi, thuhet se secili konsumator i kësaj kategorie duhet të sigurojë garancinë pagesës para te gatshme prej 25 për qind të shumës së vlerësuar vjetore të faturimit të energjisë elektrike.

KEK-u kërkon nga secili konsumator me prioritet që të plotësojë formularin për aplikim dhe që ai duhet të jetë i kyçur në daljen e veçantë të linjës 10 kilovolt pa ia mundësuar vetë KEK-u një gjë të tillë, që në fakt nuk ndodh në shumë vende tjera të rajonit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën, ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e quajtur të dëmshëm dhe si i tillë fut bizneset në humbje të mëdha. Shahini ka kërkuar nga KEK-u pezullimin e menjëhershëm të paralajmërimin për një vendim të tillë.

“Tash kur pas marrjes së vendimit për reciprocitete ndaj Serbisë dhe Bosnjës bizneset në vend kanë filluar të kenë më shumë punë e në këtë rast po ndikoj drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe mbushjes së buxhetit të shtetit. KEK-u me vendimet e marra po i fut në ngarkesë të papërballueshme financiare dhe në humbje bizneset e Kosovës”, ka thënë Shahini.

Sipas Shahinit edhe më i çuditshëm është paralajmërimi se të gjithë konsumatorët e kategorisë me prioritet nuk duhet të kenë humbje komerciale në vlerë 1 për qind, andaj kërkon urgjentisht ndryshimin e këtij vendimi.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) kërkon nga KEK-u që urgjentisht të ndryshoj këtë vendim dhe që vendimet t’i marrë në konsultim me Qeverinë, konsumatorin dhe përfaqësuesit e bizneseve, ndryshe ky vendim do të rrisë problemet edhe ashtu të shumta të bizneseve e në fakt KEK-u në këtë rast nuk po promovon partneritetet me bizneset tjera”, ka thënë ai. Ndërkaq, Përparim Hoxha, i cili përfaqëson 42 kompani në objektin e tij afarist, ka thënë se vendimi i paralajmëruar nga KEK-u dëmton tej mase bizneset.

“Në emër të anëtarëve tjerë të bizneseve në Prizren si prodhuese, po ashtu edhe shërbyesve e tregtarëve, protestojmë ashpër në njoftimin e KEK-ut, dhe kërkojmë nga Qeveria që t’i përmbushë premtimet që na i ka dhënë, sepse do të lehtësojë kushtet e bizneseve, përmes politikave fiskale apo ndihmave tjera”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, ndër tjerash në njoftimin e KEK-ut thuhet se konsumatori me prioritet nuk duhet të jetë i dënuar në të kaluarën për vjedhje të energjisë elektrike ose shkeljeve të ngjashme, gjithashtu konsumatori nuk duhet të ketë asnjë borxh paraprak në mënyrë që të fitojë statusin e konsumatorit me prioritet.

KEK kërkon që konsumatori të nënshkruajë Direkt Debitin, si dhe njehsori i secilit biznes duhet të mos jetë i figuruar tek KEK-u se ka borxhe.

Por, me kaq nuk përfundon ky vendim pasi që KEK-u si kusht i ka vënë bizneseve që të mos kenë qenë asnjëherë të dënuar për keqpërdorim të energjisë elektrike.

Madje KEK-u ka kërcënuar konsumatorët se në rast se vetëm një herë dështojnë të paguajnë energjinë përmes Direkt Debitit, atëherë ata përjashtohen automatikisht nga të qenit konsumator me prioritet./bota sot

  

1,376 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment