Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohuni | Kyqunirss

“Trepçës” i lejohet të blejë makina nëntokësore pa tender

| Ekonomi, Kosovë | 1 September 2011

Foto: Zëri

Lavdim Hamidi – Agjencia e Prokurimit Publik(APP) refuzoi kërkesën e ndërmarrjes “Trepça” për lejimin e përdorimit të procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me makina nëntokësore me produktivitet të lartë për minierën e Stantërgut”, pasi që kjo kërkesë u vlerësua si e padrejtë dhe e pabazuar.

Mirëpo, një kërkesë të tillë “Trepçës” ia mundësoi institucioni tjetër i prokurimit, Organi Shqyrtues i Prokurimit(OSHP), duke u mbështetur në arsyetimin e ekspertit shqyrtues se mjetet e parapara për këtë investim janë mjete vetjake dhe se stafi punonjës i autoritetit kontraktues ka njohuri për të mirëmbajtur mjtetet nga prodhuesi i caktuar.

Vendimet e kundërta të institucioneve të prokurimit

APP-ja më 16 gusht 2011 kishte refuzuar kërkesën e “Trepçës” me arsyetimin se autoriteti kontraktues duhet të zhvillojë procedurë normale të prokurimit sipas procedurës së hapur, autoriteti kontraktues nuk ka mundur të paraqesë asnjë detyrim teknik, apo të drejtë ekskluzive për furnizim zyrës së prokurimit, asnjë zyrtar përgjegjës në këtë institucion nuk i ka rekomanduar që të kërkojë procedurë njëburimore, por vetëm të zhvillojë procedura të prokurimit.

Sipas APP-së, “Trepça” duhet të zhvillojë procedura normale të prokurimit dhe në qoftë se pranon më pak se dy oferta të përgjegjshme, atëherë mund të kërkojë revokim neni.

Pas kësaj përgjigjeje nga APP, “Trepça” i është drejtuar me kërkesë të tillë OSHP-së, ku shkruan se ka zhvilluar dy procedura të hapura për aktivitetin e lartpërmendur të prokurimit në mungesë të dy ofertuesve të përgjegjshëm.

Më pastaj “Trepça” sqaron se kanë edhe 5 makina tjera pune në minierë në gjendje të mirë funksionale të furnizuara nga i njëjti operator, siç është “Atlas Copco” nga Suedia dhe se stafi punonjës i autoritetit kontraktues ka njohuri për të punuar dhe mirëmbajtur këto mjete.

Pas kërkesës së “Trepçës”, OSHP cakton një ekspert shqyrtues, i cili konstaton se kërkesa e “Trepçës” është e arsyeshme dhe bindëse, duke konstatuar se mjetet e parapara për këtë investim janë mjete vetjake dhe se arsyetimet e menaxhmentit për kushtet dhe mënyrën e aftësimit, lëshuarjes së makinave në horizont janë bindëse.

Pa publikim të kontratës

Paneli Shqyrtues i OSHP-së duke u bazuar në nenin 32.7, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kërkesës së autoritetit kontraktues me arsyeshmëri të detajuar, vendimit refuzues të APP-së, konstatimeve dhe rekomandimit të ekspertit shqyrtues, konstaton se arsyet e dhëna nga autoriteti kontraktues për “Furnizim me makina nëntokësore me produktivitet të lartë për minierën e Stantërgut” paraqesin bazë të mjaftueshme për të lejuar përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë./zeri

1,676 shikime gjithsej, 1 shikime sot

  

Linkat sponzorues

Shkruani koment